PO, DO TA NDIHMOJMË SEPSE DUHET TA NDIHMOJMË KOSOVËN

SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI

Por, nuk do ta ndihmojmë për hatër të Albinit as të Hashimit as të Isës apo Veselit, Haradinit apo Limajt. Pra, nuk do ta ndihmojmë për asnjë politikan, siç nuk e kemi ndihmuar në të kaluarën as për Rugoven apo Bukoshin apo komandantët mashtrues. Gjithmonë i kemi ndihmuar vetëm qytetarët e Kosovës nëpërmes institucioneve të saj, si: shëndetësinë, arsimin dhe luftën çlirimtare.

Nëse eurot tona do t’i zvogëlojnë radhët e arkivoleve që mos të duken të gjata sikur në Iatli, po do ta ndihmojmë Kosovën. Kjo ndihmë nuk duhet të kuptohet si patriotizëm apo aderim në partinë e Kurtit apo ndonjë adhurim për të. Kjo ndihmë eshtë vetëm një solidaritet për të gjithë ata që do të kenë nevojë për ta mundur këtë virus vdekjeprurës.

Nëse eurot tona do të mundësojnë që kamionët frigorifer mos të shnderrohen në morg për të vdekurit nga Koronavirusi, sikur në New York, po do ta ndihmojmë Kosovën me zemër. Madje, do ta ndihmojmë edhe nëse tipa të papërgjegjshëm sikur Valon Syla apo ndonjë tjetër do të na thonë ; se po e bëjmë për mendje të madhe !

Po, do ta ndihmojmë Kosovën, sidomos ne gjeneratat më të moshuara, sepse, e pabesueshme, por ende ëndërrat i shohim në Kosovë.

Po, do ta ndihmojnë Kosovën edhe gjeneratat e reja, sepse kurrë s’kemi pushuar t’iu flasim për Kosovën, Shqipërinë dhe trojet tjera shqiptare. Kurrë s’kemi munguar t’i pajisim me dashuri për gjithçka që është shqiptare !

Po do ta ndihmojmë Kosovën, sepse, si për çudi, sa herë na ka shkuar mendja t’i largohemi sa më larg, ajo na ka ardhur mbrapa. Na ka përcjellur gjithkund si hije që nuk të ndahet kurrë.

Por, nuk do ta ndihmojmë për hatrin e asnjë politikani, sepse plot prej tyre nuk meritojnë as të vorrosen në Kosovë.

Por, nuk do ta ndihmojmë as për hatrin e ndonjë partie politike.

Prandaj, ftoj të gjithë ato dhe ata që munden ta ndihmojnë Kosovën !

PO, DIASPORA DUHET TA NDIHMOJË KOSOVËN NË DITËT E SAJ MË TË VËSHTIRA PA KËRKUAR NDONJË MIRËNJOHJE APO SHPËRBLIM!

ATDHEU DUHET PAKUSHTE!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top