SHKRUAN: GANI MEHMETAJ (KUJTIME 38)
Raportet nga terreni tregonin për konflikte në mes të grupimeve shqiptare të armatosura. Shteti shqiptar edhe në këtë situatë sillej pabesisht, njërën palë e përkëdhelte si nënë, ndaj tjetrës sillej si njerkë, duke e lejuar konfliktin deri në gjakderdhje e atentate. Një komandant i thoshte tjetrit në terren, po nuk u largove nga fushëbeteja, do të luftoj kundër teje si kundër shkaut, sepse donte ta mbante primatin, ndërsa nuk e pati takatin. Nisën vrasjet tinëzare në kufi, në territorin shqiptar.
Por pamjet më të rënda na erdhën kur një njësi prej qindra luftëtaresh u fut në kufi për të luftuar kundër forcave serbe. Duke ecur shkelën në mina. Dikush i denoncoi (flitej se dikush shkrepi maje mali), apo forcat armike i pikasen, asnjëherë nuk u qartësua deri në fund. Ata u hutuan, nisën të marrin ikën, t’i shmangeshin vijës së sigurisë. Trishtoheshe kur i shihje se si binin njëri pas tjetrit. Një version fliste për shkrepje armësh nga grupi rival për të paralajmëruar armikun. Nga paniku të rinjtë, për të cilët thuhej se u trajnuan si të ecnin në fushën e minuar, për një çast dolën nga linja e dhiares së sigurt dhe u çaprashitën nëpër rrëpira. Tmerr t’i shikoje. Agjencitë ndërkombëtare na i dërgonin lajmet orë e çast, të plotësuara, kështu që numri i të plagosurve dhe i të vrarëve shtohej. Flitej për një tradhti të madhe. Dikush thoshte se shkrepja është bërë nga brendia e territorit të Kosovës, të tjerët nga territorit i Shqipërisë.
Vazhduan vrasjet tinëzare në terren, pritat e organizuara e ndalesat e armëve në limanin e Durrësit nga Qeveria shqiptare. Ende nuk u dha asnjë sqarim, ndërsa në mes të Tiranës u vra Ahmet Krasniqi, ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës.
Askush nuk mori përgjegjësinë, nuk u gjet vrasësi. Sikur të dilte ndonjë organizatë serbe si ajo e tipit “Dora e zezë” për ta marrë përgjegjësinë e vrasjes, do t’ua shpëtonte fytyrën Qeverisë shqiptare e grupeve vrastare. Heshtja qe më e rëndë, sepse të gjithë e supozonin kush e bëri, asnjëri nuk e tregonte me gisht vrasësin. Qeveria shqiptare pati rol rrënimtarë, u tregua Kalë i Trojës. Nuk më kujtohet të ketë dhënë ndonjë komunikatë.
Raporti që na erdhi më vonë në redaksi tregonte se si ministri Krasniqi u ndalua nga policia shqiptare, u çarmatos truproja e tij, ndërsa disa qindra metra më tutje, doli vrasësi i porositur, pyeti cili është Ahmet Krasniqi, shkrepi plumbat dhe ia mbathi pa ferrë në këmbë. Historia jonë përsëritej. Kështu u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore intelektualët, oficerët dhe simpatizuesit nacionalistë nga grupet kriminale komuniste.
“Kapela serbe mbron kokën shqiptare!”
Në terren konfliktet qenë edhe më të rënda. Refugjatët që ia mbathën në Perëndim tregonin tmerre të luftës. Përkthyesit shqiptarë të policisë në Zvicër tregonin të tronditur për rrëfimet e femrave shqiptare të përdhunuara nga ushtarë të UÇK-së! Nuk donin ta besonin. Disa femra refugjate deponuan në policinë zvicerane. Rrëqethesha kur i dëgjoja përkthyesit e tronditur. Ushtarët e policët serbë dihej pse i përdhunonin në mënyrë sistematike e të llogaritur femrat tona, donin ta poshtëronin një komb të tërë. Po shqiptarët, pse e bënin këtë ligësi?
Jo më pak i tronditur që një lexues, i cili na e solli gazetën kroate “Imperial” me titullin provokues në faqe të parë: “Kapela serbe mbron kokën shqiptare”. Shkrimi bënte fjalë për tregti në mes të zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, dhe një fabrike të konfeksionit në Vojvodinë-Serbi për kapelat dhe uniformat ushtarake të gueriljes shqiptare. Reportazhi sillte detaje të shumta e pikanteri. “Të jetë e vërtetë?”- më pyeti lexuesi i shqetësuar? Rrudha supet. Nuk e dija. Ndërkaq, shtypi kroat shquhej për mbështetje të pa rezervë për luftën tonë kundër Serbisë. Të gjitha mediet elektronike e të shkruara kroate i mbështetën bombardimet e NATO-s, e mbështesnin edhe rezistencën çlirimtare.
T’ia ketë futur kot gazeta kroate “Imperial”? Por ata e ndërtuan një rrëfim të tërë me uniformat, me armët që tregtoheshin, me kapelat serbe, që do ta mbronin kokën e shqiptarëve, sepse sipas kësaj pjese të uniformës ushtarake e titulluan reportazhin. Revista nxori fotografitë e protagonistëve vojvodinas: drejtorin, menaxherin e përgjegjësin e fabrikës së konfeksionit në Vojvodinë, në kryeqytetin e kësaj krahine, nxori edhe fotografinë me uniformë të UÇK-së të protagonistit shqiptar, i cili më vonë premtonte pasaporte të Malishevës. Të gjithë ata që flisnin për gazetë ishin serbë, vetëm zëdhënësi i UÇK-së ishte shqiptar.
Ishte vështirë të zbërtheje të panjohurat e një lufte guerile.
Kapiteni hap llogore – ushtari komandon
Në anën tjetër flitej për mungesë të oficerëve profesionistë, prandaj pëshpëritej se ka shumë të vrarë në mesin e grupeve të rezistencës, të cilët s’kishte kush i udhëhiqte. Komandantë të vetëshpallur nuk e mbaruan asnjë shkollë ushtarake, shumica prej tyre s’kishin as shkolla civile, madje nuk e mbaruan as shërbimin ushtarak. Si për ta plotësuar këtë boshllëk oficerësh na e dërguan një reportazh nga terreni për një njësit të armatosur që i rezistonte armikut. Komandanti i tyre, emrin e të cilit nuk e mbaj në mend, mund të qe një nga emrat e arsenalit të kopshtit zoologjik, lavdërohej se e ka detyruar kapitenin e karrierës të hapte llogore, në vend se t’ia dorëzonte komandën. Kjo kategori aventurierësh i merrnin në qafë ushtarët që i kishin nën urdhra, sepse s’dinin ta mbronin as veten, as ushtarët e lëre më katundin apo zonën të cilën e kishte në ngarkim. Në vend të rezistonin, shkrepnin breshëri plumbash, pastaj ia mbathnin dhe i ndërsenin formacionet ndëshkuese serbe që të hakmerreshin ndaj popullatës së pambrojtur.
Kështu shtoheshin viktimat e luftës, ndërsa u rritej nami komandantëve që u përgjysmohej grupi i luftëtarëve.