Në akademinë solemne për Bogdanin dhe rivarrimin e tij simbolik në Kriptën e Katedrales Shën Nënë Tereza, e cila u mbajt më 6 dhejtor 2019, në Qendrën “BogdaniPolis”, Imzot Dodë Gjergji ka mbajtur fjalimin kryesor, përmes të cilit e ka cilësuar Bogdanin si mbrojtës të qytetërimit evropian të shqiptarëve dhe pionierin e rilindjes kombëtare. Në vazhdim e japim fjalimin e tij të plotë.
Të nderuar miq e dashamirë të Imzot Pjetër Bogdanit,
zonja dhe zotërinj,
vëllezër e motra,
Sot, në ditën e festës së Shën Kollit, po kujtojmë Argjipeshkvin tonë të dashur Imzot Pjetër Bogdanin, i cili është dhe do të mbetet gur i çmueshëm në kurorën e atdhetarëve më të mëdhenj të popullit tonë.
Ai, me veprën e tij intelektuale, e sidomos me librin “Çeta e Profetëve”, u bë “dritë në fund të tunelit” të errët, ku ishte katandisur vendi dhe populli ynë, më se 200-vite, pas vdekjes së Kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit-Skënderbe.
Nuk ishte i mangët kontributi i tij për vetëdijen etnike, dashurinë ndaj vendit dhe zgjimin e ambicieve kolektive për liri të njeriut tonë, që jetonte në Shqypninë e kohës tij, siç do të thoshte At Luigj Marlekaj.
Dua të falënderoj, të gjithë relatorët të cilët në këtë pasdite, kanë ofruar detaje të shumta dhe kanë shpalosë dimensione të ndryshme të jetës dhe veprës së Pjetër Bogdanit. Por më lejoni t’i theksoj disa thanje të këtij Bariu të madh, që po i dëgjuam me kujdes dhe dashuri do të dëgjonim një jehonë deri në realitetin e ditëve tona. Jehonë e cila, për dikë mund të jetë mësim, për dikë thirrje e për një tjetër qortim.
“Populli jem u bâ rob se s’pat dije”
Në terin e mosdijes e kishte zhytur fati keq i kohës, rrethanave historike e sidomos okupimi otoman. E sa të tmerrshme ishin këto rrethana shohim nga përshkrimi që ai i banë realitetit të kohës tij: “gjithkund vdekje, gjithkund vajë, gjithkund shkretim, gjithkund përndjekje, gjithkund hidhërim… gjithkah ikje..!” Unë nuk dëshiroj të iu bëj analizë rrethanave të kohës së Bogdanit, por dy fjalë për kohën tonë më duhet t’i them. Nëse ai, në këso rrethanash, dinte të gjente fuqinë e fesë, dritën e shpresës dhe dashurin për vendin e vet e për të ardhmen e popullit tij, si është e mundur, që sot, kur ne kemi gjitha këto të dhëna historike, dëshmi të mahnitshme, libra shkolla dhe universitete, akoma jetojmë në mosdije për vetën tonë. Ose preferojmë të “mrizojmë” të menduarit tonë nënë hijen e gabimeve historike vetëm se s’arrijmë të shohim dritën e së vërtetës. Si është e mundur që ne, të cilët sot kemi cilësinë më të mirë të jetës se kurdoherë, gjithë këtë përparim në të gjitha fushat dhe prapë se duam vendin tonë, e lakmojmë ta braktisim shpirtërisht, të mos e duam me zemër dhe të ikim fizikisht prej tij.
“Na shpëto, o Zot, se maruam”
Kjo ishte lutja më e bukur, që në gjunjë ia drejtonte Krishtit Shpëtimtar. Po edhe njëkohësisht përzierje mjeshtërore mes territ të dëshpërimit dhe dritës së fesë, që krijon shkëndijë të përhershme shprese në zemrën e secilit. Po a nuk jemi ne dëshmi dhe dëshmitarë, që kjo lutje është dëgjuar? Pasi ne s’kemi mbaruar. Këndej, nuk mund të mos e shtrojmë pyetjen: Si është e mundur që njeriu i jonë ose ia atribuon Zotit të zezën e veta, ose i hutuar pas famës, pushtetit dhe pasurimit – pa mund e pa meritë, mendon s’ka nevojë për Zot; s’ka çka i duhet rendi moral i vlerave apo siç thuhet shpesh “dokrrat e klerikëve”, kurse traditat pozitive i konsideron kontingjent për koshin e plehrave.
“Edhe veshja është patriotizëm – “Me u vesh arbnisht”
Mbi të gjitha, nëpërmjet të dhënave historike që na jep dhe trashëgiminë që na i ka lanë, ai mbetet kontribuesi më i madh i kohës tij sa i parket fesë së krishterë, kulturës etnike, qytetërimit evropian që i përkasim.
Frymëzimi, dëshmia dhe mësimi i tij kanë frymëzuar gjeneratat e shumta të ipeshkvijve, meshtarëve e besimtarëve, të cilët kanë bartë këtë zjarr shprese, feje dhe dashurie në popullin tonë, që atë herë e deri më sot.
Këndej, me plot të drejtë, mund të themi se Bogdani, si “pionier” i rilindjes sonë kombëtare, ka qenë dhe mbetet frymëzues i fuqishëm në rrugën tonë të përbashkët drejtë restaurimit të traditës, zhveshjes së etnisë nga mbishtresat kulturore, ri-freskimi i memories kolektive mbi veten tonë.
Shpeshherë dëgjojmë duke thënë që “duhet të kthehemi në shtratin e qytetërimit tonë”. Mendoj se ky proces ka përfunduar që moti, pasi në këtë “shtrat” na kanë kthye Rilindësit tanë.
Por, duke vështruar realitetin tonë të sotëm, mbetet të mendojmë dhe të shtrojmë pyetje nga më të çuditshme, si për shembull:
Përse një pjesë e jona nuk ndihet rahate në këtë “shtrat”?
Përse disa nga tanët promovojnë “shtratin”, por refuzojnë të shtrihen në të e vazhdojnë të “flenë në tokë”. Ose, përse disa popuj kanë frikë nga ne dhe mendojnë që ne do të dëmtojmë “këtë shtrat” kulturor të qytetërimit?
Vëllezër dhe motra, Zonja dhe Zotërinj,
një reflektim i tillë i të shumëve nën frymëzimin e etërve tanë, do të jetë shkëndijë e fuqishme Urtie, për të shndritë edhe mâ mosdijet eventuale, rreze që hiç dyshimet e shpirtit, po edhe dritë që arrin të depërtojë në çdo skutë të errët të zemrave tona.
Me rastin e 300 vjetorit të këtij kolosi kombëtar dhe prelati kishtar, vitin e Zotit 1989, falë angazhimit të Shkëlqesisë së Tij Imzot Zef Gashit, famullitarit të atëhershëm të Prishtinës, Ipeshkvit të Shqiptarëve Imzot Nikë Prela, po edhe Presidentit Rugova, është vendosë një Bust te Kisha e Shna’ Nout. E tani, 30 vjet më vonë kur kemi më shumë paqe, liri dhe shtet, në Kriptën e kësaj Kishe apo, në Kryevendin e kësaj qendre që ja kemi kushtuar Bogdanit, do të kemi një varr komemorativ.
Kështu që filluar nga sot, aktivitetet kulturore tek ne, si Ditët e Gjegjovit dhe Ditë e Don Mikelit, do të përmbyllen në këtë Qendër me “Ditët e Bogdanit”, në të shtunën e parë pas festës së Shën Kollit.