Kastriot Bimo
“E kush tjetër, veçse i urryeri nga perënditë dhe nga njerëzit, do të mund të mohonte luftën tonë, një luftë kaq të drejtë?” (G. Scanderbeg)
Vijon nga nr.2
Unë i kam quajtur makabritete më shumë morale dhe u zgjata në këtë pikë jo pa qëllim, se kjo mënyrë e paimagjinueshme, po bëhet “traditë” në stil të gjërë tek të gjithë edhe sot, gjë të cilën e përjetova vetë dhe nuk mund të mos e shkruaja si fakt rrënqethës shqiptar i shekullit XXI. Bëja pjesë në komisionin për prurjen në atdhe dhe rivarrimin e eshtrave të Eqerem bej Vlorës, një përsonaliteti të cilin shqiptarët e ndarë në dy pjesë, kanë vlerësimet e tyre, por unë përveç vlerësimit tim, isha në anën e studiuesëve gjermanë, ndër më të shquarit në botë, të cilët për të kishin konsiderata të skajshme, gjë që minimalisht ka ndikuar nëpërmjet përsonalitetit të tij, në njohjen nga ana e tyre të nivelit të zhvillimit të mendimit shqiptar, i vërtetë në atë shkallë të përfaqësuar nga ai, ose jo. Hana Klissura, lindur në Paris, banuese në Vienë, u kujdes së bashku me vetë shtetin shqiptar i cili këtë herë po vlerësonte në peshoren e kombit atë që ky njeri kish bërë për të. Varrimi duhet të bëhej në Kaninë dhe negociuam me poseduesit e vendit të shenjtë, ku ka qënë varrosur Ismail Qemali, Ferid pashë Vlora (Kryeministër i P.Osmane, i zhvarrosur dhe ky më ’83 e flakur në një përrua) etj. të cilët u treguan të gatshëm, por një fenomen i ri, ai i anarkisë, tipar i këtij shteti të pasviteve ’90, ndërtimet famoze “pa leje” kishin zënë pothuajse të gjitha rrugët. Përfaqësuesit e shtetit, siç ndodh në kësi rastesh, iu kërkuan “pronarëve” të ndërtimeve pa leje, dokumentat, të kujt lloji ishin, etj. dhe pasi dihet, se nuk dispononin asgjë, do sillnin të nesërmen mjetet
për ta prishur ndërtesën, pamje e njohur kjo sot. Por pikërisht atë mbrëmje disa persona të panjohur iu drejtuan të nipit të tij, se nëse prishej ndërtesa, e cila kushtonte aq e kaq, ata do të hidhnin në erë varrin e Eqerem bej Vlorës, fill pas ceremonisë, gjë që e bëri pasardhësin të kërkonte të ndryshonte të tërë proçedurën, për ta varrosur në tjetër vend, ndërsa qytetarja vieneze Hana Klissura, nuk kuptonte dot, jo atë që mund të ndodhte në Shqipëri, por shantazhimin që i bëhej shtetit, si organizator. Ndërhyrja e shtetit vendosi rregullin, por nuk mund të ketë hequr mendimin makabër nga mendjet e sëmura shqiptare, që për fat të keq rezulton i ngulitur historikisht.
Në pamje të parë duket sikur jemi larguar nga fati i heroit, por në të vërtetë nuk është aspak ashtu. Po zhvendosemi në kohë, pikërisht në afrim të 500 vjetorit të vdekjes së tij, shteti i atëhershëm komunist, siç e kemi theksuar, organizoi konferenca albanologjike, ku referuan si ngjarje e pazakontë që ishte, dhjetra studiues e historianë, duke trajtuar e hedhur dritë nga pjesë të jetës e veprës së heroit, me përjashtimet e parashtuara në fillim të analizës. Shumë pak u morën me fundin e heroit, pasi teoria barletiane nuk mund të vihej në diskutim, kështu që tingëllon sa çuditshëm referimi i studiuesit Dhosi Liperi, aq edhe i guximshëm, në një kohë që ai i “kundërvihet” vetë teorisë, të kthyher në tabu tashmë. Por studiuesi, duke përdorur në mungesë së gjithçkaje tjetër materialet gojore të trashëguara, të mbledhura në një punë jo të vogël kërkimore e shkencore në ato anë, në total qysh nga viti 1960, dhe në Lezhë më 1967, që natyrshëm tingëllojnë më shumë në pamje të parë sot në trajtë legjendash, nga konferenca shkencore albanologjike jo vetëm nuk u mori parasysh, por ka të ngjarë ta kenë përçmuar atë, por që ne na duhet për korrektesë ta ritheksojmë: “Skandërbegu ka dekë në Lezhë e ash varrosë po në Lezhje, po ku diç, parija e vet nuk diftuen se ka dekë e vazhduen sikur t’ishte gjallë Skandërbegu për tri vjet. Në krye të tri vjetve Turqia e muer vesh se kishte dekë dhe e sulmoi shqipninë e e zaptoi..Kur ra në Lezhje, çeli shumë vorre, por, siç thojshin pleçtë e vjetër, vorrin e Skandërbegut nuk mujtën me e xhetë, se e majtën parija të mëshefun. Vorri i Skëndërbeut pshtoi i paprekun, por se ku asht, nuk dihet. Çiashtu thojshin pleçtë e vjetër gojë pas goje”, tregonte dikur Nue Gjon Markola nga fshati Lalu. Ndërsa Hil Kola nga fshati Gramsh, po i Lezhës, theksonte se: “Tuba muhabet me pleçt e vjetër, këta thojshin se kur erdh ushtria turke dhe zaptoi Lezhjen, kërkuen vorrin e Skanderbegut e çilën treqind vorre për me gjet eshtnat e Skanderbegut, por vorrin e tij s’mujtën me e xhetë vorri i Skanderbegut asht i pa çilë. E kanë mëshefë shqiptarët vorrin e Skandërbegut, thojshin pleçtë e vjetër të Zadrimës” Po kështu edhe Nikoll Leshi nga Ishull Lezha tregonte: “Skandërbegu u smu në Lezhë, pa dekë bani tetëdhet vorre në Lezh edhe vdiq, por nuk dihet se ku ash vorrue, se kur erdhën turqit, i çelën të tetëdhet vorret e trupin e Skandërbegut nuk e kanë xhetë. Ket fjalë të vjetër e kam negju prej gjyshllarëve” (USHT. Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike. III. Tiranë 1969. Fq 341-343). Këto të dhëna të marra nga goja e popullit, duket se kanë diçka që mungone, ndoshta në një strategji shekullore, “anashkalohen” dhe nuk përmenden objektet e kultit, bashkësitë fetare në to, ndoshta autori i studimit e ka lënë për orgjinalitet në gojën e popullit “legjendën”, duke shmangur aty pjesën religioze, diskutimi për të cilën sillte pasoja të pallogaritshme. Ka shumë të ngjarë që opsioni i parë të jetë më afër të vërtetës, që megjithëse na tregon më qartë se kurrë rëndësinë dhe fuqinë e kësaj pjese elitare, na thotë dhe se ç’bën ajo kur e ndjen madhështinë e veprës së lënë nga njeriu i madh, dhe ç’bën kur ndonjë i ashtuquajtur i tillë, e zhduk fare këtë elitë, nëpërmjet dhunës, terrorit, burgimeve etj. por që në këtë rast vetëm sa e shtojnë misterin.
Heroi lidhjen e tij me Krishtërimin, murgjit dhe njerëzit e ditur fetarë që e rrethonin, objektet e kultit e gjithçka, siç e theksuam, i kish në anën e tij, por një ditë e tërë kjo makineri e stërlashtë religioze shfaqej përgjegëse për atë që do të ndodhte pas vdekjes heroit. Duhen njohuri të thella sa historike, aq edhe religioze në studimin e vetë jetës e misionit të murgjëve, kishave, manastireve, urdhërave, priftërinjëve, si dhe detyra dhe funksioni i tyre sa i hapur, kur kanë të bëjnë me përhapjen e fjalës së Zotit, aq edhe skashmërisht të mbyllur, të përbetuar, të paspjegueshëm për një njeri që ka bindje empirike ose njohuri sipërfaqësore, në ruajtjen e sekretit. Detyrohemi të sjellim një shëmbull të njohur e trajtuar, sa domethënës, aq edhe sinjifikativ, përsa i përket kësaj bote të palexueshme misterioze të tyre.
Në librin e tij “Beratinus”, prof. Shaban Sinani shkruan për aventurën e fshehjes nga gjetja e kodikëve të Beratit, të cilët si tepër të çmuar, i kishin rezistuar këtyre grabitjeve shekuj me radhë, falë këtij përbetimi të çuditshëm e të paspjegueshëm për disa, që ata ua transmetojnë murgjëve e priftërinjëve pasardhës, të cilët duhet thënë se e kanë të lidhur pazgjidhshmërisht vetë jetën me sekretin mister. Thuhet se në gjithë planetin ekzistojnë gjashtë kodikë (ungjij, libra shumë të hershëm fetarë bizantinë të shkruar me dorë me germa ari), nga të cilët dy i kemi ne shqiptarët, kështu që askush të mos ia atribuojë shkencës së historigrafisë sonë zbulimin e tyre, kur ajo është produkt i këtij lloj sekreti religioz, shekujve.Në libër, pasi spjegohet se ekspedita të tëra të pushtuesëve të ndryshëm, pa përllogaritur “Gjuetarët e thesareve”, që nga frankët, serbët, austro-hungarezët në Luftën e Parë Botërore: “dëshmohet se “dy ungjijtë e moçëm të Beratit” janë kërkuar edhe nga ushtria italiane e ajo gjermane. Në historikun e kodikëve të Beratit, që ruhet pranë AQSH-së, thuhet se komanda e ushtrisë hitleriane kishte urdhër që të gjente dhe të rrëmbente domosdoshmërisht floririn e Bankës së Shqipërisë dhe “Kodikun e Purpurt të Beratit”. Ushtria naziste e rrethoi Kishën e Shën Gjergjit dhe shpalli se, po të mos dorëzohej dorëshkrimi, priftërinjtë do të vriteshin”. Natyrshëm ata shoqëroheshin nga ndonjë shqipfolës, pozita e të cilit vështirësohej mjaft me ato që diheshin nga të gjithë për ruajtjen e sekretit të murgjëve, por edhe kjo kish një zgjidhje të vetën, Mund të dyshohej fare pak, ose aspak, që ata të mos tregonin të vërtetën si përfaqësues të fesë, nëqoftëse do ti vinin përpara një betimi, zgjidhje që rezultoi në favor të ruajtësve të betuar të kodikëve në vazhdim të ngjarjes. “Këshilli i Kishës së Shën Gjergjit, në këto kushte, i kërkoi leje ikonës së Shën Mërisë të mos i ndëshkonte nëse do të dëgjonte nga anëtarët e sinodit një betim të rremë. Pas kësaj lutjeje, gjashtë anëtarët e këshillit (sinodit) e fshehën dorëshkrimin në një pusetë nëntokësore të maskuar pranë altarit dhe i deklaruan komandës së ushtrisë së huaj se ishin gati të betoheshin para ikonës së Shën Mërisë se nuk dinin asgjë se ku gjendej vepra e kërkuar”.(Shaban Sinani, “Beratinus” D.P.A.Tiranë 2003. Fq. 243).
Vazhdojmë arsyetimin me faktin që shfaq studiuesi Dhosi Liperi më sipër, kur thotë se bashkëluftëtarët e tij pasi i tërhoqën fshehurazi ato përhapën fjalën se turqit e prishën varrin. Po teoria barletiane që “vulos” një fund të tillë, lind pyetja. Edhe kjo ka një spjegim të sajën, lidhur me faktin që dhe ai mund të ishte një i tillë, sekretmbajtës, ose në rastin më ekstrem (sekreti mbahet dhe mes tyre), duhet tja kenë transmetuar si të tillë, rrethi i ngushtë që do të ruante sekretin, pasi natyrshëm prifti nuk do të dilte të shihte nëpër qytet, gjatë pushtimit të tij, një operacion dhunimi disa orësh të varrit. Deri këtu këto materiale gojore shfaqen si të dhëna dhe logjikë hipotetike, që shkenca e historiografisë nuk mund ti pranojë përballë fakteve, por pikërisht faktet fillojnë e flasin në përvjetorin e 500, e theksoj, të vdekjes së heroit, ndoshta më shumë se në rastin e kodikëve të Beratit.
Një përfaqësues i një sinodi (këshilli kishtar, s’dihet se ku), pikërisht mbas 500 vjetësh, ndoshta duke parë fundin e misionit të vet dhe paraardhësve, merr rrugën për të takuar kreun real të shtetit shqiptar, Enver Hoxhën. Për këtë me sa duket murgu a prifti, mendon që nëqoftëse del nga ruajtja religioze shekullore, të paktën të ruhet nga shteti, që në çdo lloj mënyre e rrethane e ka hero dhe vlerë kombëtare, natyrisht pa përllogaritur pjesën e trajtuar më sipër. Sipas hierarkisë së shtetit komunist, përgjegjës për këtë fushë, ishte ministri i arsimit dhe kulturës, që i ndodhur aty, e mori vesh faktin, ndoshta pa dashjen e Enver Hoxhës. Si në rastin e kodikëve, që iu dorëzuan shtetit (as ushtria gjermane nuk i mori dot), kështu dhe murgu a prifti katolik, besimtar për faktin e “legjendës” që tregoi, kish sjellë me vete një pako, që rezulton të ketë qënë kafka e kokës së Skëndebeut. Nuk dihet as biseda dhe as fati i murgut apo sinodit kishtar, por qoftë dhe fati i priftërinjve ruajtës (në një farë mënyre nxorrën “sekretin”), por sidomos i eshtrave të heroit, që nuk i kish shtënë në dorë askush, qysh nga pushtimi i Lezhës. Është e tepërt të shtoj se si përfundoi kjo gjë, nga çdokush mund të merret me mend, pa përjashtuar faktin, për mendimin tim, se dikush mund të dijë për këtë ngjarje, sot. Ndërgjegja e kombit këtë gjë s’ka si ta falë. Fakt i pakundërshtueshëm është se në Byronë Politike të Partisë, (paralelizmi i anës tjetër të medaljes me sinodin e fshehtë), u deklarua se kafka ishte e Skënderbeut, dhe për këtë si njeriu përgjëgjës, ish-
ministri i arsimit dhe kulturës Thoma Deliana e deklaron këtë gjë, nuk dihet në ç’kushte e rrethanë, por në pozitën më të vështirë ndonjëhërë. Kjo vërehet nga fjala dhe deklarimi më pas i Enver Hoxhës se “duhet pasur kujdes që të mos përhapet një gjë e tillë”, gjë që zbuloi një mister, por hapi një tjetër, shumë më të madh. Këto fakte i përmban dokumenti shokues i zbuluar së fundmi në arkivën e Ministrisë së Brendshme, që mund të jenë maja e majës së ajzbergut të dosjeve të pahapura, natyrisht po nuk janë zhdukur apo të “zhduken”.
Ish-ministrin e nderuar Thoma Deliana i cili u nda nga jeta para disa ditësh, jo më kot e përmenda në fillim të shkrimit tim. Zakonisht diktaturat, kushdo qofshin, vendosin tek ky post delikat, i cili ka të bëjë me elitat, ose njerëz të tipit Goebbels, që dihet se ç’bëjnë në kulturë, ose njerëz me kapacitete për të bërë një farë lidhje mes nivelit të një populli dhe elitave kulturore, natyrisht të gjitha këto në shërbim të vet si shtet. Meqënëse tek varianti i parë me sa thuhet nuk ka bërë pjesë, uroj të ketë qënë tek ky i fundit.
Ndjesë lexuesit, por mu duk sa interesant, aq edhe koinçidencë e çuditëshme, për të bërë paralelizmin mes tij dhe legjendës së shërbimit sekret izraelit “Mossad”, Mike Harari që vdiq po atë ditë, i cili dihet se kush ishte tashmë, por se shtypi përfundonte komentet për të duke thënë se, ai mori me vete në banesën e fundit arkivën më të madhe sekrete të njohur ndonjëherë. Më duhet të pohoj të njëjtën gjë, për peshën e problemit, edhe për ish-ministrin e nderuar Deliana.
Po përse kaq mllef e urrejtje vrastare ndaj njerëzve të religioneve, kur dihet se ata më të padëshiruarit i kishte marrë fshesa e parë e hakmarrjes e vitit 1945 e në vazhdim?! Shqiptarët, siç shihet dhe sot, nuk kanë krijuar akoma “traditë” të qëndrueshme, që do të thotë se për mungesë kreativiteti kanë marrë dhe aplikuar historikisht modele të tillë, të “pranueshëm” për ta në pamje, por nga më negativët në përmbajtje, kështu kjo periudhë është e përfshirë nga modeli kinez i revolucionit “Kultural-Proletar”. Pikërisht ky veprim e goditje përfundimtare ndaj religionit, këtu me sa duket konsiston, por mënyra e zbatuar, se duke pasur urrejtje për të, të hakmerresh dhe ndaj heroit (shprehja popullore e vjehrrës me millonanë), duket sikur nuk shkon në pamje të parë, por që rezulton si strategji e përpunuar me kujdes.
Heroi në këtë rast, për Enver Hoxhën, “heroin” e ri, përbën jo vetëm një rrezik për madhështinë e figurës së tij në dukje, pra në zhvendosjen e vëmendjes së popullit të vet tek i pari, por duke qënë “Atlet a Kalorës i Krishtërimit”, do të zgjonte së pari vëmendjen e të gjithëve. Së pari, të pasardhësve të tij në Kalabri, praktikisht të pakundërshtueshëm, që do të zgjonin atë që po “varroste”, religionin, së dyti, do të dilte në çdo rrethanë në plan të parë interesi i botës mbarë për heroin, që duke e bërë varrin e tij një vend pelegrinazhi, do të zbulonte vendin e tij të mbyllur, i cili jetonte në “lumturi”. Kështu mund të radhisim pafund arsye që Enver Hoxha nuk mund ta pranonte fizikisht figurën e Skënderbeut.
Gjatë një bisede me një mikun tim studiues i thellë i religioneve, ngrija vazhdimisht pyetjen se sa do ateist të ishte Enver Hoxha (çuditërisht bir kleriku), duhet të kish treguar një kujdes minimal me këto mënyra, që nuk i takojnë respektit ndaj religioneve jo e jo, por asnjë qytetërimi. Ai mu përgjigj thuajse i sigurtë, se Enver Hoxha e ka njohur anën që i duhej të religionit, pjesën që duhej goditur, gjë që mu duk e çuditshme për momentin, por në çast mu kujtua një episod në librin “Hrushovianët”, që tregonte disa hollësi. Në vizitën e tij në Ҫekosllovaki, duke vizituar një muze, në dhomën që ishte vendosur një mumje e sjellë nga Egjipti, me gjithë kureshtjen në maksimum të grupit që drejtonte Enver Hoxha, ciceroni ngurronte të hapte derën e saj, duke refuzuar kategorikisht, ndoshta mbështetur mbi njohuritë, ndoshta bestytnitë mbi elementet e stërlashtë religiozë egjiptianë, nga të cilët kishin vdekur realisht shumë zbulues. Situatën e merr kreu shqiptar, që pranoi se e kish studiuar egjioptianologjinë, e që spjegoi arsyen e refuzimit të ciceronit, e pambështetur kjo sipas tij, dhe e vizitojnë mumjen e nxirë. Këtë fakt ja them me të shpejtë mikut tim studiues dhe ai që duket se dinte “më shumë” nga ç’pritej, njësoj si Enver Hoxha që zgjidhi situatën në Ҫekosllovaki, më tregoi një album të vjetër me fotot e këtij të fundit në kohëra. Në njërën prej tyre që i takonte pikërisht datës 17 Janar 1968, në “shtëpinë” e heroit në Krujë, nën monumentin e Skënderbeut, megjithëse duhet të bënte ftohtë, të gjithë në tribunë për respekt e solemnitet të fjalës që mbahej, shfaqeshin normalë. I vetmi nga të gjithë, që mbante doreza të zeza, ishte kreu i partisë-shtet, Enver Hoxha, gjë që mu duk e çuditëshme, por dhe e justifikuar për shkak të motit të ftohtë. A po mos ishte tjetër mister?! Studiuesi vazhdoi fjalën dukë thënë se vrasësi, gjakësi, varrmihësi a keqbërësi, duhet përpara vendit të ngjarjes apo të viktimës, duhet ti fshehin duart, gjë që mu duk e tepërt, por që shkaktoi tek unë një buzëqeshje, se në çast mu kujtua komedia e famshme “Pallati 176”, ku të situatë të ngjashme, Trebicka i madh, fsheh duart në xhepa. Ja që ka dhe të tillë këndvështrime e gjykime të të gjitha niveleve të njohjeve të situatave religioze, që edhe pa i veshur artificialisht me mister, bartin mjaft të tillë.
Diktaturat e majta janë të parat që u eksperimentuan në historinë e njerëzimit (pa përllogaritur Komunën jetëshkurtër të Parisit, 1917 në Rusi), të pasuara nga ato të djathta që kërkuan të vendosnin ekuilibër në hegjemoni (1922, Itali), të cilat për vetë misionin që kanë, shfaqin shumë tipare të njëllojta dhe anë të përbashkëta. Në planin e brëndshëm, ato të djathta predikojnë nacionalizmin e skajshëm, por edhe ato të majta nuk mbeten prapa në këtë pikë, për hegjemoni e influencë, duke amplifikuar vlerat kombëtare skajshmërisht, fenomen që u duhet të ndeshen e dominojnë vlerat e kombeve të tjerë.
Të marrim shëmbullin rus, ku pas një periudhe të shkurtër, hypën në fuqi gjeorgjiani Josif Visarionoviç Xhukashvili, ose Stalin (i çeliktë), diktator nga më famëkeqët e planetit, i cili gjatë periudhave të viteve ’30 zhduki 20 milion bashkombas, për pushtetin e tij, shifër që ishte e barabartë me viktimat rusë të Luftës së Dytë Botërore. Po në mënyrë të përafërt kanë vepruar të gjithë diktatorët e tjerë, përfshi dhe ne që e kishim modelin ideal.
Në një dokumentar historiko-shkencor austriak, akademikët e atij vendi, të cilët nuk e dimë në ç’rrethana janë lejuar të filmojnë jetën e mbyllur shqiptare në vitet 1978 në çdo detaj e aspekt, duket se kishin marrë të dhëna historike nga arkivat e shtetit për statistikat në çdo drejtim. Nga më interesantët shfaqet fakti i paraqitur aty shprehimisht: “..numri i të vrarëve ne paqe, ja kaloi atyre të luftës”, por del pyetja cilët të vrarë në luftë?! Shifra “zyrtare” prej afro 30 mijë të vrarësh, duhet të jëtë krejtësisht e amplifikuar, për arsyet e dëmshpërblimeve të viteve pasluftës, gjë që s’i përgjigjet numrit të të vratëve në Luftën e Dytë, të verifikuar në varrezat e të rënëve të kësaj lufte. Por cila shifër u është servirur austriakëve? Natyrisht në seriozitetit e një shteti është gjithmonë versioni zyrtar, kështu të vrarët e “paqes” nxjerrin një shifër të frikëshme.
E vazhdojme arsyetimin me nacionalizmin, a është jetik apo i dëmshëm për kombin. Por nacionalizmi si dukuri komplekse, në kësi rastesh thjeshtohet dhe zhvishet në disa identifikime konkrete të caktuara vlerash. E tillë është dhe figura e heronjëve kombëtarë, duke qënë ikonë e simbol i kombit, evokon lavdinë e të kaluarës, duke inspiruar në çdo kohë, kombin, lëvizjet kombëtare dhe luftrat çlirimtare. Si komb i stërmadh rusët nuk kanë një hero kombëtar, si zakonisht, por plot gjashtë. Vetë Stalini në paradën e nadhe të Sheshit të Kuq në Moskë, në Luftën e Dytë Botërore është shprehur kështu: “Le të na udhëheqë në këtë luftë të madhe shëmbulli i ndritur i stërgjyshërve tanë të mëdhenj; Aleksandës Njevski, Dimitri Donskoj, Kuzma Minjini e Dimitri Pozharski, Aleksandër Suvorovi e Mikhail Kutuzovi !” Kështu flitet në situata luftrash, do të thotë kushdo, pasi luftëtarët duan shëmbuj e simbole luftarakë në luftë, por unë do të mundohem të hedh dritë, për të thënë se nuk është gjithmonë kështu. Në periudhën midis dy luftrave botërore, periudhë “paqeje”, Stalini shprehet se ka pasur konsideratën më të lartë për heroin e fundit, që u ndesh me Napoleonin, Mikhail Kutuzovin, preferencë, mund të thotë ndokush. Kush ishte Kutuzovi dhe çfarë kish bërë që diktatori më vrastar i kohrave, të përulej para tij?! Heroi i parafundit, Aleksandër Suvorovi, mbajtësi i gradës më të lartë krijuar ndonjëherë “Gjeneralismi” (titull që e mbajti dhe Stalini vetë), nxorri dy nxënës të aftë ushtarakë, për të vazhduar rrugën e heroizmit; Balclay de Tolly dhe Mikhail Kutuzovi. I pari me nuk e përballoi dot me trupa betejën e tij vendimtare, por vendosi kapelen e gjeneralit me pëndë, që shquhej nga të tjerët, për tu vrarë në fushën e luftës, nga ku vetëm u plagos. Tjetrin, Kutuzovin, komandanti i tij Suvorovi, e kish caktuar për marrjen e fortesës së Izmailit, praktikisht e papushtueshme në deltën e Danubit. Kutuzovi njofton superiorin e vet për pamundësinë e pushtimit të fortesës, por Suvorovi, duke e vënë përpara një fakti të kryer, i
përgjigjet se tashmë lajmi për marrjen e fortesës së Izmailit i ka shkuar perandorit dhe se Kutuzovi është emëruar komandant i fortesës. Përballë kësaj gjëndjeje Kutuzovi pret tërë pyllin aty pranë, mbush hendeqet ndarës të ujit me trungje dhe në një betejë të Pirros, arrin ta marrë fortesën Në një letër në vitet ’30 ai i drejtohet një akademiku të lartë historian, që vlerësontë në kohëzgjatje veprën e Tolly-t (ai vdiq pas Kutuzovit), Stalini thekson se: “Padiskutim që Kutuzovi ishte një kokë më lartër se Barclay de Tolly” (Letër e shokut Stalin, dërguar shokut Razim “Kapedanët e mëdhenj rusë”1947) Në lidhje me religionin, për vetë rolin e kishës ruse (pas rënies së Kostandinopojës, ata kërkuan kryesimin e saj duke e quajtur veten “Roma e Tretë”), ajo shfaqej e respektuar në kohra, fakt që e gjejmë në poemën e Aleksandër Pushkinit për Kutuzovin, përshkrimin e flakës së qirinjëve në kishë, të pasuar nga vargjet e ndjera: “Këtu pushon ky fuqiploti/Ky idhull i çdo patrioti”. Por Stalini as e kaloi nëpërmend të “hiqte” nga qarkullimi poemën, madje thuhet se i ka sugjeruar Enver Hoxhës, të mos bënin “gabimin” e tyre me klerin, zhdukjen e tij, pasi rrëzohet ura që mund ti lidhte me masën e popullit, e cila mund të arrihej me këtë “ndihmë”. Natyrisht që kreu shqiptar duhet të ketë pranuar teorikisht, por praktikisht me një gabim të vogël: Të gjithë klerikët elitarë i kish vrarë ose burgosur qysh në vitet e para të pasluftës. Nxënësi ja kalon mësuesit, dhe kjo ndodhi pikërisht me ne, që duke shkatërruar hallkat e një zinxhiri vlerash kombëtare, arritëm në një ngjarje të tillë: shkatërrimi i religionit, si shenjë mohimi i tij, çoi në zhdukjen e heroit kombëtar, vlera e vetme që na bën krenar ndaj njerëzimit, zhdukja e heroit është gjymtim i pandreqshëm i vetë egzistencës e jo më vlerave të kombit dhe shkatërrimin e tij kombi, e theksoj, nuk do tja falte kurrë askujt!
E theksuar edhe më lart, le të shërbejë si çast pendese e fundit të moshës së atyre e dinë të vërtetën si dhe ku përfundoi. Lë të bëjnë atë akt bamirës ndaj këtij shenjtori të madh, që nderon mbarë njerëzimin me veprën e tij. Këtë thirrje e bën edhe Ndërgjegja e Kombit, siç bën thirrje të shkëputemi nga fenomene të tilla makabre mesjetare, që për hir të së vërtëtës na bëjnë pjesë të frazës therëse të Klemansosë: “Bota me baltë bën heronj, ne heronjve u hedhim baltë !..”