PJESA E TRETË: A DUHET T’I ZHDUKIM ELITAT E KOMBIT?

SHKRUAR NGA KASTRIOT BIMO

…Se kush ishte Jashar Cakrani, atentatori i Leone Gillardit, shef i gardës mbretërore, pjesëmarrës në shtabin e Kryengritjes së Fierit, dihet tashmë. Por si djali i vetëm i vëllait tjetër, Sulo Cakranit, student në Sorbonë, ishte një tip sportiv, dhe kur vinte me pushime, merrte gjithmonë me qera një jaht a velierë në Marsejë, ku së bashku me shokët e shoqet e tij sportivë të universitetit, mbrrinin në skelën e Semanit. I gjatë, mjaft i pashëm, ai e sfidonte pa drojë aventurën, ndaj kishte pëgatitur një hipodrom në fushat që posedonte i jati, ku luante e stërvitej në pushimet.  Falë kësaj zotësie, por tashmë në kushte të jashtzakonëshme e mundësie rrethimi, duke besuar tek aftësitë e tij tejet sportive, ai detyrohet të depërtoje dhe të arrijë të luftojë trup me trup me mitralierin italian. “Jashar Cakrani luani/ Zuri mitrolozn nga gryka/ trim i ri porsi Asllani/ që s’dinte se ç’ishte frika..” (Halim Begeja, Nju Jork, 2013) Si dëshmor i parë i rezistencës, (të tjerët më poshtë në proklamatë janë vrarë ilegalë, jo në në front, në krye të formacioneve luftarake) menjëherë “pronësinë” kërkon ta marrë krahu i majtë komunist, por duke pranuar pikat që ngre trakti, se 1-rrezikohej nga rrethimi dhe 2-ka krijuar çetë territoriale “nacionaiste”.  “Jashari drejtonte e luftonte, duke u dhënë kurajo shokëve. Në një moment kritik, formacioni “partizan” rrezikohej të binte në rrethim. Jashari sumoi me granata dore, u hodh në pozicionet armike, i rrëmbeu mitralozin ushtarit fashist të vrarë dhe vazhdoi sumin përpara.” Kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it 7, Tiranë, Ahmet Saliaj vazhdon: “..Jashari filloi konkretisht nga organizimi, duke krijuar çetën territoriale nacionaliste të fshatit Cakran.. Ndërsa në proklamatën e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, me rastin e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm, që shënon edhe krijimin e Ushtrisë Nacional- Çlirimtare ndër të tjera thuhej se: “Figura të larta si Qemal Stafa, Perlat Rexhepi, Vojo Kushi, Jashar Cakrani etj. do të mbeten të pavdekshëm në shpirtin e popullit shqiptar, do të shkruhen me shkronja zjarri të pashuar në historinë e Shqipërisë. Emrat e tyre që sot frymëzojnë tërë një komb, do të gjëmojnë si një kushtrim i madh për liri e për popullin në kohët e nesërme..”(“Telegraf”, 12.4.2013)

Por kjo betejë tre ditore, për shkak dhe të protagonizmave, u bë dhe probemi kyç i përgjegjësive, që do të çonin pashmangshmërisht në mosmarrveshje. Mosmarrveshjet në fakt janë shfaqur tashmë konkretisht dhe përpjekjes së Bekash Cakranit për të mobilizuar popullin në luftë, sipas mënyrës tradicionale, e cila kish dhënë frytet ndër kohëra, krahët politoko-ushtarakë, tashmë i druhen, por edhe e kanë “frikë” influencën e padiskutueshme të patriotit, kështu që rendin, minimalisht ti “prishin” punë atij në kushtrimin para popullit. “Më vonë me qënë se isha informuar se kishte filluar një farë përçarje midis F.N.Ç. dhe Ballit, unë mora inisiativën dhe provokova një mbledhje në Rromës me qëllim për zhdukjen e nja përçarjes eventuale dhe forcimin e bashkimit. U mblodhën pra në Rromës popullsija e katundeve që të cilëve u ishte bërë thirrje, por n’atë erdhën dhe muarrën pjesë, të pa thirrur, elementa të F.N.Ç. si Mehmet Shehu, Tahir Kadareja, Bedri Spahiu, Hysni Kapua, Qemal e Bilbil Klosi, e tje. Bashkë me çetën Plak të Vlorës dhe atë të Mallakastrës, si dhe nga ana tjetër po prap jo të thirrur, elementa të organizatës së Ballit Kombëtar, si Skënder Muçua, Kadri Cakrani, Tofik Cfiri, Haki Ballshi, Kamber Belishova etj. Këtu unë mbajta një fjalim duke këshilluar popullin që t’mos bënte ndonjë përçarje dhe të ishin të bashkuar për të lëftuar okupatorin nën Flamurin Kombëtar. Kanë folur me radhë dhe të tjerë dhe midis këtyre Idriz Danua, tash i vrarë.. Mori fjalën edhe Kadri Cakrani duke përsëritur atë të Idrizit të cilit mbasi i dhash përgjigjen e duhur, ju përgjegj edhe Mehmet Shehu dhe e kundërshtoj”. (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945) Acarimi i situatës, për arsye të ikjes së situatës nga duart secilës palë, bëri që përfaqësuesit më agresivë, “Mehmet Shehu dhe Kadri Cakrani të nxirrnin pistoletat dhe atëhere Bektash Beu u foli në sy të të gjithëve:-Ju do ta bëni Shqipërinë?! (Kujtim Cakrani, Vigevano (Pavia) 1982) Arsyet e mosmarrveshjeve të fillimit ishin ato të dominimit të sëcilës palë në udhëheqje të formacioneve luftarake dhe natyrshëm të cilësisë së udhëheqjes ushtarakisht; Mehmet Shehu, pa përllogaritur pjesmarrjen në Spanjë, nuk e mbaroi dot akademinë ushtarake në Itali, Kadri Cakrani kishte mbaruar akademinë vieneze dhe kërkonte komandën, por ndikimit të Bektash Cakranit për luftë ndaj okupatorit, nuk guxonin për ta kundërshtuar. “Me qënë se gjat këtyre bisedimeve lindi një mos-marrveshtje nga kallaballëku i shumët ishte i pamundur vazhdimi i bisedimeve në mënyrë serioze, u vendos që të dy palët të bënin të bënin një mbedhje tjetër në katundin Aranitas prej një komisioni prej 6 vetash, dhe si të tillë u caktuan: nga ana e B.K. Tofik Cfiri, Kadri Cakrani dhe Haki Ballshi. Siç ka marë vesh më vonë nuk kishin ardhur në marëveshtje mbi dy pika: Se Balli kërkonte që duke u formuar çetat mikste, këto të kishin për komandant një element të Ballit, me komisar  një nga të F.N.Ç. ndërsa ata të Frontit kërkonin që si komandanti, ashtu dhe komisari të ishin elementa të tyre,.. Po në përgjithësi e sidomos për pikën esenciale, luftë kundër okupatorit, ngelën në marëveshje të plotë. Siç e vërteton dhe fakti se që të dy palët kanë luftuar okupatorin në Mallakastër”. (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945)

Trakti nacionalist zbulon dhe diçka tjetër përsa i përket strategjisë së “re”të krahut të majtë komunist, duke flakur atë të përzgjedhjes së bisedimeve, si taktikë atë ngritjes së popullit në luftë, me anë të konfrontimit të tij direkt me pushtuesin italian. “Më 18 Qershor trimi i trimavet, partizani Mehmet Shehu deshi të vriste Isa Toskën, po siç është zakoni partizan, Mehmet Shehu hodhi në ajër që nga larg ca pushkë, duke i dhënë shkak armikut me një fuqi të përbërë prej dy batalionesh milicësh shqipëtarë, një batalioni bersalierësh dhe një batalioni këmbësorësh, të djegë Gjinoqarin, Lofkendin, një pjesë të Panahorit, Dardhën e Bukur si dhe shumë katunde të tjerë”. (P.Komuniste apo terroriste?, 11 Tetor 1943) Këtë e hasim edhe në burimet e arkivore angeze, ku oficerët e tyre janë dëshmitarë okuarë, duke parë nga afër taktikat e mësipërme, që pas goditjeve të shkurtëra pushtuesëve afër ndonjë fshati, këta të fundit bënin raprezalje, djegje e shkatërrim, duke bërë përgjegjës banorët më të afërt. Kështu “mosmarrveshjet” u kthyhen në vëllavrasje, e cila degjeneroi më pas në luftë të mirfilltë civile. “Nuk mund të tolerojmë që partizanët shqiptarë të ndërhynë në qëllimet tona strategjike me anë të luftës civile..”(letër e Kom.Aleate të Mesdheut, gjener, Uillson, Shtabit. Përgj. E.Hoxhës)

Gjëndja e ndërmjetme do të vazhdonte deri sa u shfaqën në lëvizjen e majtë komuniste, Nacional-Çlirimtare, emisarët jugosllavë Dushan Mugosha e Miladin Popoviç, ku në Mukje do të hidhej në tavolinë për herë të fundit nga krahu nacionalist, pakti i marrveshjes mes dy forcave politike. Këtë e pranon edhe vetë Enver Hoxha: “Dy gjëra kishim përpara: forcimin e Partisë dhe luftën kundër armikut. Për organizimin e Partisë mësonim nga Miladini dhe Dushani, por si duhej organizuar lufta, kjo nuk ishte e qartë. Dhe nga kjo mosdije, shumë shokë ranë kot.. Gjatë kësaj kohe edhe unë kam luajtur një rol, por kurdoherë pranë ka qënë Aliu (Ali Gostivari ishte pseudonimi i Miladin Popoviçit). Që nga kjo kohë lindi jo një simpati, por një dashuri për të dhe çdo gjë që thoshte Aliu, për mua qe një gjë e mirë, e mbaruar. Nuk isha në gjëndje në atë kohë të shihja qartë, si duhej bërë puna me nacionalistët dhe si duhej organizuar lufta. Ne adoptuam po ato metoda, menduam si ata..”

Arsyeja e braktisjes së marrveshjes së grupimeve politike dihet tashmë, por lufta civile u shfaq hapur dhe njësitë luftarake të secilit krah, ndërmerrnin veprime ushtarake të ndërsjellta, me pretekstin se e konsideronin armik njëri-tjetrin tashmë. Nga ana tjetër operacionet ushtarake hakmarrëse italiane u shtrinë në të gjithë krahinën duke djegur fshatra, arsye kjo që do të bënte të mundur së paku braktisjen e bazave të njësive luftarake të rezistencës, apo izolimin e tyre. Italianët nuk mund ta harronin atdhetarin e madh, emrin e të cilit e kishin të “skeduar”qysh nga 1920, së bashku me veprën e tij luftarake kundër tyre. “Në muajin Korrik 943 me rastin e operacionit Italian të Mallakastrës, si gjithë famijet e tjera edhe unë bashkë me familjen t’ime u hodha për këtej lumin në Trevllazër, por vetë mbasi isha sëmurë erdha në Vlorë dhe këtu më arrestuan dhe më internuan për në Porto Romano ku ndenja deri në kapitullimin Italian..” (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945) Pushtuesit zëvëndësuan njëri-tjetrin dhe ata gjermanë pas pushtimit të shpejtë të Shqipërisë, si arsye strategjike për të mos zbarkuar aleatët në brigjet e Ballkanit Perëndimor, paraqiten disi çuditshëm në Shqipëri, ku shpallin se janë kalimtarë, por nuk mund të tolerojnë veprime e lëvizje kundër tyre. “..Në rast se ndokush bën ose ka qëllim të bëjë akte sabotimi, apo shkatërron mjete ushtarake dhe zaire të ndryshme ushqimesh ushtarake të çdo lloji, pushkatohet së bashku me 30 banorë të tjerë si peng!” .(Proklam. e Kom. Trupave Gjermane) Deklaratë e nevojshme në kohë lufte, siç ndodh rëndom, mund të mendojë me të drejtë kushdo, por po ti hedhim një sy lëvizjes së krahut të majtë komunist, ata nxitojnë në një “aleancë” me gjermanët në Berat, jo vetëm për të forcuar pozitat e tyre, por madje për ti kundërvënë qysh në fillim pushtuesit e rinj, ndaj kundërshtarëve të tyre politikë, fakt ky i fshehur me kujdesin më të madh për dhjetra dekada, por që nuk mund të mos zbulohej qysh ato ditë nga trakti nacionalist. “Çetat partizane mbasi hynë të armatosura në këtë qytet, jo vetëm që nuk ranë në konflikt me gjermanët, por krah për krah me ta shëtitnin rrugave. Çuditemi se si partizanët nuk u- armiqësuan me gjermanët, sidomos kur këta i a u hoqnë yjet me zorr dhe arrestuan bile Xhemalin, të birin e komandantit të shquar Mestan Ujaniku. Përkundrazi, përkundrazi. Në prefekturë, krerët partizanë i pritnë Gjermanët me përshëndetje alla hitlerçe, dhe mbas bisedimevet që patnë me ta në sallonin e prefekturës, partizanët i vunë përsëri yjet në kësulat e tyre; u-lirua edhe Xhemal Ujaniku, dhe tani të pa-shqetësuar trimat partizanë vazhdojnë të shetitin lirisht, të armatosur gjer në dhëmbë, duke patur në sup edhe mitroloza gjermanë..” (P.Komuniste apo terroriste? 11 Tetor 1943) Por a është i vërtetë konstatimi, madje me hollësi i traktit? Ai rezuton më se i vërtetë në këtë përiudhë të fillimit, gjë që pranohet dhe nga krerët e njësive të majta komuniste luftarake në Berat. Gjin Marku në përgjigje të kritikave që i bënte Enver Hoxha për kompromisin e bërë me gjermanët në Berat në atë periudhë dëshmon: ‟Ashtë e kjartë se puna dhe qëndrimi jonë në këto ditë, ka qënë një farë kompromisi me gjermanët, shkruante ai, jo se ne u vllazëruam dhe bashkëpunuam me ta, por për atë se nuk mundëm me luftue dhe me i ndalue ata që të hyjnë në qytet. Eshtë e vërtetë se është ekzagjeruar shumë për këtë qëndrim, por ashtë e vërtetë që gjermanët kanë hyrë edhe në zyrat tona…”.

Bektash Cakrani, në këtë kohë të dalë jashtë kontrollit, me zhvillime ngjarjesh nga më të parpitura, përfshirë në një anarki të plotë, për shkak se shtëpia i është djegur qysh nga operacionet ushtarake armike në ditët para internimit të tij, duke u bërë e pabanueshme, detyrohet të shkojë në qytetin e Fierit, ku dhe këtu nuk e “braktisin” peripecitë. “Si u lirova nga Porto Romano dhe ndenja nja tre javë në Tiranë për t’u kuruar, jam kthyer në Cakran ku kam ndenjur deri në muajin Tetor 943 dhe meresha me ri-ndërtimin e shtëpisë së djegur. Kur është bërë sulmi gjerman në Patos unë kam ndodhur në Cakran. Pas këtij operacioni jam kthyer në Fier ku kisha fëmit nga shkaku se në Cakran s’kishte shtëpi, si dhe nga shkaku i operacioneve që bënin gjermanët”. (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945)

Në këtë kohë, njësitë luftarake të organizatës së Ballit Kombëtar, shumë më cilësore në udhëheqësit ushtarakë, vepronin në jug me një numër të konsiderueshëm formacionesh luftarake dhe operonin në zona të Vlorës, Mallakastrës dhe Beratit, kryesuar nga Hysni Lepenica, një ushtarak mjaft i aftë në luftën malore të zonave e jugut. Por vepra e tij u sfumua mjaft nga kurthi ku ra ai dhe një numër jo i vogël i komandatëve ushtarakë të organizatës, në Grehot, gjatë përpjekjeve të dorëzimit të armatës italiane atje. Këtë grackë krahu i majtë komunist e shfrytëzoi me sukses për të fituar terren, e që rezutoi fatale për të dhe gati e pandreqshme për organizatën në zonat që operonin. Kjo bëri që në një mbedhje në Berat të zgjidhej komandant i përgjithshëm i forcave të Ballit Kombëtar, Kadri Cakrani.  Qysh nga Tetor – Nëntori i vitit 1943, ai ndërmerr një aksion, jo të vështirë, por të pamundur por këdo që do ta mendonte në atë kohë, e që i kalonte kufijtë e çmendurisë, në qytetin e Beratit dhe nën hundën e garnizonit gjerman atje. Aleatët kishin zbarkuar në jug të Italisë dhe nga Katania për në Bari ishte nisur një aeroplan transporti C-53 me 30 njerëz në bord, mjekë, infermiere dhe ekipazhi i avionit, me mision të zhvendosnin të plagosurit nga vendet bregdetare, si arenë lufte. Atë natë me shi avioni humbi drejtimin e fluturimit dhe përfundon në hapësirën shqiptare, pranë Beratit. Këtë gjë e saktëson ekipazhi nga mbarimi i autonomisë së karburantit dhe zjarri i artilerisë kundërajrore gjermane, gjë që e detyron atë të bëjë ulje të detyruar në një territor fshati. Njësitë luftarake partizane bien në gjurmë dhe marrin në mbrojtje infermieret dhe mjekët, ku pas operacionit gjerman të dimrit, humbasin me ta lidhjen. Disa prej tyre nuk mundën të largohen dot nga Berati, ku i siguron një familje e pasur. Në lidhjet e tyre me Komandën e Ballit, duke sfiduar informatorët e shumtë pa pagesë, që ka historikisht ky vend, vjen vetë Kadri Cakrani me një anglishfolës. Për këtë ngjarje presidenti Rusvelt kërkoi me ngut të ishte në korrent çdo ditë dhe në këtë mision aspak të lehtë, u nis vetë shefi i shërbimit sekret OS (sot CIA) duke zbarkuar në Karaburun. Duke kërkuar pjesën tjetër të të humburve, ai bën të mundur dorëzimin tek aleatët, ku atyre nëpër dimër maleve, u printe një udhrrëfyes anglishfolës. Njëra nga infermieret, “Agnes Mangerich, mbeti e befasuar kur mësoi se përkthyesi që u kishte shërbyer gjatë viteve të luftës ishte pushkatuar nga komunistët”.( Ditari i amerikanes Agnes Mangerich, Tiranë 1995)

Pra ky njeri që merr në dorë komandën ushtarake, në ndryshim nga ata të Akademisë Ushtarake Italiane, bën përpjekjen e fundit për rimëkëmbjen e njësive ushtarake të organizatës, minuar kjo tashmë dhe nga qindra qëndrime politikë oportunë, që i kushtuan shtrenjtë asaj. “Një ditë kur erdhi pa trokitur Kadri Cakrani dhe i bërtiti aq fort babait, sa unë u tremba; -Ali, unë vë kokën në rrezik për të kapur ata terroristë, ti vete dhe i nxjerr nga burgu. Herë tjetër do të fus ty në vend të tyre!” (Hana Këlcyra, 2012). Ai është personi që atakohet më tepër, së bashku me Xhafer Devën për një vrasje masive në 4 Shkurt 1944 në Tiranë. Kjo është e bazuar nga një dokument të një raporti që ministri i brendshëm Xhafer Deva, duhet të ketë depozituar ndoshta komandës gjermane. “Forcat e xhandërmarisë, së bashku me forcat e Regjimentit “Kosova” dhe me vullnetarët e Ballit Kombëtar, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 478 persona të dyshimtë dhe nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar. Nga të 84 të pushkatuarit rezulton se 67 janë shqiptarë, 9 italianë, 4 malazezë, 2 maqedonas, 1 grek (minoritar) dhe 1 çifut. (AQSH, Fondi 1230, dosja Nr. 134).

A është i vërtetë raporti, megjithëse i detajuar dhe a mund ti evidentojmë viktimat?! Duke ju referuar proces-verbalit të punonjësve të Bashkisë Tiranë, atë natë kanë gjetur të vrarë dy trupa, nga batalioni “Kosova” dhe duke ndjekur ngjarjen, arrijnë në kufijtë e rrethimit të garnizonit gjerman, ku gati të pambuluar evidentojnë 13 trupa (veshjet dhe hollësitë). Ndërsa një fakt tjetër interesat është dhe ai kur gazeta “Bashkimi” e vitit 1946, bënte thirrje që kush kishte dijeni se i ishte vrarë ndonjë i afërm në masakrën e 4 shkurtit, të sjellë emrat. Kjo na çon në të njëjtën gjëndje të amplifikimit të shifrës së rënëve në luftë në Shqipëri, për shkak të dëmshpërblimeve të pasluftës, të cilat nuk u morën kurrë as sot për këtë shkak. Më 1994 u numëruan varrezat e dëshmorëve të luftës së Dytë Botërore dhe doli një shifër prej 4-5 mijë të vrarësh. Historia operon me fakte, dokumenta, të pasuar nga një argumentim i analizës historike, jo me ideologji e propagandë, për mos u shfaqur qesharak tek rasti mësipërm.

Atdhetarin koha e ka vëndosur në një provë, unike ndoshta, si të mos i mjaftonin dekada të tëra luftrash me armiq, si kemi theksuar të dy djemtë e tij, aderojnë në formacione luftarake që tashmë janë armiq deri në vdekje. Kjo jo për veprimet, se sa për përspektivën gjakatare që po troket e që pala fituese nuk do të falë asnjë. Ky lloj mallkimi ishte ndoshta shpërblimi i këtij vendi, që jo rrallë herë i ka “ruajtur” njerëzve të shquar të tij. Djali i atdhetarit, ushtaraku Kujtim Cakrani, komandant operacional i krahut të Ballit Kombëtar në zonë, në këtë ndodhi absurde ndoshta të menduar sot, e kap jo pak, por dy herë vëllain e tij partizan “rob”duke e sjellë përpara patriotit të vjetër si trofe. “Kur e mora Namikun për ta çuar tek Bektash Beu e ti dilja borxhit, i zbraza fishekët dhe me pushkë kokëposhtë e solla atë natë para tij. –Baba, ky që rri tani syulur, do të na vrasë pa ju dridhur dora një ditë, e merr vesh! Ai ngriti duart lart dhe gati sa nuk thirri: Paska qënë e thënë që të jeni nëma dhe turpi im në dynja, mu hiqni sysh, se nuk vras djalë unë!..” (K.Cakrani, Vigevano (Pavia)1984)..

Vazhdon..

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top