PJESA E PESTË: A DUHET T’I ZHDUKIM ELITAT E KOMBIT?

SHKRUAR NGA KASTRIOT BIMO

Nuk ka analizë historike në botë, të jetë e lirë të argumentojë në këtë periudhë kaq të ngarkuar me ngjarje në të gjithë vendet ndërluftuese, ku të futësh në zbatim logjikën e ftohtë e të prerë, për një veprimtari të caktuar, qoftë kjo e rëndomtë e shënimbajtëse. Për këtë atdhetari e sheh realitetin dhe brënda katër javëve u bind, se një punë e tillë vetëm “punë” nuk e kish emrin, aq më të tepër të ishte dobiprurëse për të ardhmen e atdheut. Ajo duhej braktisur sa më parë, por ndërkaq ngjarjet zhvillohen me një shpejtësi të madhe, ku edhe një refuzim i tillë mund të kishte një ndëshkim të paimagjinueshëm dhe në atë situatë terrori çdo gjë ishte e mundur. Kjo nuk e kish bërë të mendohej gjatë Bektash Cakranin, pasi në të gjithë vitet që i rëndonin mbi supe, vetëm luftra ishte pjesa e tyre më e madhe. “Komiteti pra s’ka pasur as një lidhje me Komandën e B.K. të Fierit dhe rreth veprimeve ushtarake ose operacionet. Me qënë se komiteti nuk kishte ndonjë autoritet dhe po thuaj se ishte për formë dhe nuk mund të evitonte ngjarjet e ballit si vrasje, grabitje etj. unë prandaj u largova dhe ndënja indiferent”. (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945) Ai shprehet hapur për veprimtarinë e komandës së Ballit Kombëtar, gjë që më bën të theksoj dhe atë që kam evidentuar qysh në fillim, e që e përsëris, se Bektash Cakrani, nuk ka qënë asnjë çast në këtë organizatë, pasi vetë qënia e tij me përmasa të tilla atdhetare e bëri atë të mbajë deri në fund atë qëndrim të tij të hershëm, por fisnik; besnikërinë ndaj vendit dhe popullit të tij. “Shkaku kryesor q’u largova nga komiteti ishte, për veç anarshia që ekzistonte ndër rreshtat e ballit, ishte se unë nuk aprovoja operacionet që bënte gjermani krahas me ushtarët e ballit. Unë ushtrinë gjermane e kam konsideruar gjithmonë okupator, dhe pra nuk kam bërë asnjë kompromis me ‘ta.” (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945) Ai e vazhdon mendimin e tij për fundin humbës të kësaj organizate, që e brejtur nga kontradiktat e brëndëshme, duke u sjellë me idealin nacionalist, si me një pronë të saj e jo të popullit mbarë, pavarësisht programit atdhetar, nuk diti të ruajë ekuilibrat me aleatët, por bashkpunoi nga fundi i luftës me trupat gjermane, si krahu i majtë në fillim të saj, dukuri këto që i sollën asaj në planin e brëndshëm, disfatën e plotë. E vetmja thënie që mbetet kuptimplote dhe domethënëse, është ajo e kreut të organizatës, Mit’hat Frashëri: “Ne humbëm luftën, se nuk vepruam si ata”.. (komunistët)

Pavarësisht se konjukturat e reja të krijuara dhe ndarja strategjike e zonave të influencës nga fuqitë fituese aleate, ku me sugjerimin jugosllav, anglezët duhet të mbështesnin forcat e majta partizane, dominoi në Kongresin e Përmetit, humbja, si çdo humbje ka përgjegësit e saj përballë historisë, aq më tepër kur ideali kombëtar i Shqipërisë etnike, si dhe territoret e Kosovës e Çamërisë ishin deviza kryesore e organizatës, ku ata e shprehni kaq herë përballë kundërshtarëve të tyre: “Kërkojmë drejtësi në bazë të Kartës së Atlantikut. Një nen i saj thotë: “Tokat e një shteti nuk mund t’i jepen një shteti tjetër” : tamam, edhe neve pikërisht atë duam, vetëm drejtësi. E gjithë bota e di, bile edhe vetë sërbët, (vetëm ju s’doni t’a dini) se Kosova ësht shqiptare.. Neve i kemi mbështetur shpresat t’ona te Aleatët që ashtu siç janë betuar përpara njerëzisë dhe historisë, kanë për të bërë një paqë të drejtë dhe të ndershme që të mos provokohen me luftat shkatërronjëse.

Ju jeni të bindur a jo se Kosova banohet nga Shqiptarë? Atëherë Kosova ësht Shqipëri. Po pse s’e thoni?” (P.Komuniste apo terroriste? 7 Tetor 1943) thekson trakti.

Populli ynë i ndjeshëm në rrafshin kombëtar iu bashkua fillimisht idesë së madhe të vendosjes në vend të padrejtësive të kombit tonë, por po ky “popull” ishte që i ndoqi pas njësitë e majta partizane e komuniste në ideologjitë e padëgjuara të modelit rus, historikisht varrmihësit tanë. Diçka duhet të ketë funksionuar gabim nga ana e tyre, se nuk mund të paragjykojmë dot një popull të tërë në zgjedhjen që në fund të fundit, rezultoi fatale për të. Krahu i djathtë nacionalist, nuk fitoi dot bashkpunimin me aleatët, duke i lënë terren njësive të majta partizane, ku nga të gjithë vendet që aplikuan sistemin komunist, vetëm ai yni nuk u çlirua nga Ushtria e Kuqe, kusht për instalimin e regjimit. “Në të vërtetë programi d.m.th. dekallogu i B.K. ka qënë i mirë, por mbeti një letër e shkruar dhe e thatë sepse nuk u zbatua, d.m.th. nuk u bë një luftë për një demokraci për deri sa u shkaktua vëlla-vrasja dhe Balli u kompromentua duke u lidhur me okupatorin dhe për këtë përgjegjësia rëndon mbi drejtuesat e organizatës d.m.th. Komiteti Qëndror që përbëhesh prej Ali Këlcyrës, Mid-hat Frashërit, Hasan Dostit etj”. (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945) Jo pa ironi ai shprehet edhe për luftën Nacional-Çlirimtare të krahut të majtë, duke dekaruar atë që e shqetësonte aq shumë idealin e tij kombëtar, të cilin nuk e ndërronte me asgjë, ideologjinë komuniste, që ato kohë ishte bërë “modë” e ditës. Edhe mbas zhvillimeve afro 100 vjeçare, ajo rezultoi shkatërrimtare për kombe, kontinente e njerëz, gjë për të cilën historia vetë e flaku në koshin e saj të plehrave, si eksperimentin më ogurzi të saj. “Luftën N.Ç. e kam admiruar me kohë dhe me sa kam mundur me gjith se plak kam dhënë kontributun për enteresin e përgjithshëm në luftë kondra okupatorit, por nuk vazhdova deri në fund se u ftoha nga që bëhej edhe një propogandë Komuniste; jo se isha kondra kësaj ideollogjije, por si pas mendimit t’im populli Shqiptar nuk kishte dhe nuk ka pjekmenien e duhur për të përqafuar këtë ide. Mbi të gjitha këto unë si nacionalist i vjetër që jam ndieja vetëm luftën e armikut dhe jo bashkë me këtë predikimin e një të tillë ideje. Eshtë e vërtetë se F.N.Ç. përmbedh një numur të math nacionalistash të ndershëm, po n’atë kohë mendoja nga shkaku i propogandës që bëhej se shumica ishte me tendenca komuniste”. (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945) Ai i jep ironinë e fundit ideologjisë së tyre dhe shokëve e miqve të dikurshëm”ish-nacionalistëve”që ishin bërë pre e saj. “Sot me të vërtetë po shoh se kemi një qeveri thjeshtë demokratike në të cilën bëjnë pjesë persona nacionalista të vjetës si Omer Nishani etje”.(A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945) Ky i fundit, miku i tij i hershëm, kur i shkoi në zyrë e shoqja e atdhetarit, për të ndërhyrë ai që të trajtohej proçesi me drejtësi, atij i ranë lotë dhe ngriti duart, për të treguar pafuqinë e presidentit të shtetit.

Si gjithmonë nxjerr krye pyetja: Përse vallë duhej me aq ngut ta asgjesonin menjëherë pas lufte atdhetarin? Ka shumë arsye që krijojnë secila përgjigje të vetën, por qënia në dijeni e atdhetarit për shumë probleme parimore e kryesore, do të ishte një ëndërr e keqe, e cila do ti linte pa gjumë ekzekutorët. Ai do të mbetej një “shkop në rrotë” të makinës ideologjike internacionaliste të regjimit komunist që po ngrihej, pas shumë dekadash vepra në shërbim të atdheut ai do të ishte legjenda e idealit kombëtar, që ringjallet sa herë e thërret atdheu, për ti kthyer shpresën atij. Ai do të ishte treguesi më i gjallë i kohëve tragjike që kaloi ky vend, që me tragjizmin e tij do të sillte në ndërgjegjen kombëtare, thirrjen e po këtij atdheu, në gojën e këtyre njerëzve të kësaj shtrese përfaqësuesish fisnikë, që për kaq dekada i dolën zot.

Kryetari i Gjykatës, Qemal Klosi, si dhe prokurori ushtarak Selim Alimerko etj. janë munduar, duke përpiluar një dokumentacion kompromentues diabolik të skajshëm, me kohëzgjatje rreth 50 vjet, por që atdhetari me një sinqeritet e vendosmëri, që ja jepte vetëm ndjenja e lartë e atdhedashurisë, i nxjerr ato të pavlefshme. Një pikë akuze, nga këta njerëz, që as që kishin lindur në atë kohë, ishte edhe ajo që kishte të bënte me konfliktin dhe promemorjen ndaj Qeverisë së Vlorës, për abuzimet me thesarin, drejtor i të cilit ishte vetë Bektash Cakrani, në të cilën kanë nënshkruar plot 67 patriotë, ku mes të cilëve edhe Ismail Klosi, i nipi (djali i motrës së patriotit të vjetër), por njëkohësisht edhe babai i Kryetarit të Gjykatës, që ka marrë përsipër ta dënojë patjetër. Me një verbëri deliranti, ky i fundit kërkon në këtë gjyq të mos përlyen emra heronjsh, si ai i të atit. “Zoti Prokuror pa pasur asnjë bazë mbi veprimet e mia dhe të shokëve të asaj kohe, më akuzon si tradhëtar për veprimet që janë bërë kundra Qeverisë së Ismail Qemalit në kohë kur nuk ishin akoma kufit e Shqipërisë, gjë që që për mua dhe shokët e mij ishte konsideruar si tradhëti. Në këtë pretencë, si thashë, nuk kam qënë vetëm unë, por gjashtë dhjetë e shtatë (67) veta që kan protëstuar, midis të cilëvet dhe Sotir Kolea, Sheh Hasani nga Berati, Myderiz Mehmet Esati, Baki Gjebrea, Hajredin Fratari, Ismail Klosi, nga të cilët disa Zoti Prokuror i ka bërë heronjë dhe mua më ka bërë tradhëtar ; dua që trupi gjykues të gjykoj në se ky akt është një tradhëti a jo, dhe në u gjykoftë si i till kujtoj se duhet të jetë tradhëti për të gjithë protestonjësit”. ..”( A.M.B, proçes-verbali i gjyqit B.Cakranit)

Për Kryengritjen e Fierit, ku ai si organizatori kryesor, u dënua nga Mbreti Zog me vdekje, i cili e dinte prej kohësh influencën e tij, për arsye se ai dinte të organizonte si përherë kryengritje ndaj padrejtësive. Për këtë në një rreth të ngushtë me ministrin e tij të brendshëm Mbreti ishte shprehur: “Unë e di që këto gjëra i gatuan Bektash Beu, e që ka 100 vjet që s’rri urtë..” (Kujtim Cakrani, Vigevano (Pavia) 1982) Të dënohej me vdekje, del që paskej rrezikuar për një post ! “Në pretencën e tij Zoti Prokuror më akuzon se lëvizjen e 1935 kundër Ahmet Zogut e paskam bërë për të zënë një pozitë të lartë dhe jo për ideal; jo për t’a luftuar regjimin e ‘tij tradhëtar dhe antipopullor, po për kolltuk gjoja. Këtu Zoti Prokuror gabohet dyke pretenduar se unë këtë e kam bërë për të zënë pozita, prandaj ja parashtroj të ndershmes gjykatë për gjykim”( A.M.B, Proçes-verbali i gjyqit B.Cakranit)

Prokurori ushtarak ka ngritur mes të tjerash akuza të rënda si: “Ka marrë pjesë në vrasjen e fshatarëve të pafajshëm.. Për të provuar akuzat, kishte sjellë para trupit gjykues tetë dëshmitarë. Shero Hasani, 50 vjeçe; “Më kanë thënë se burrin tim e ka marrë Bektash Cakrani!”.. Veledin Ganiu, 35 vjeç; “Unë nuk kam ndodhur në marrjen e burrit të Shero Brahimit, por kam dëgjuar!”.. Dervish Isuf Cakrani, 47 vjeç; “i thash të ndërhynte tek Gjermanët për të shpëtuar djalin!”.. Zeqo Dane, 50 vjeç; “Bektash Cakrani ka pasur në dorë të më shpëtonte vëllanë që e morën gjermanët!”.. Kështu vazhdojnë dhe akuzat e katër dëshmitarëve të tjerë..”( A.M.B;P-Verbali i gjyqit B.Cakranit; “Republika” 23.6.2011) Pa paragjykuar nivelin e fshatarësisë të asaj kohe, tragjikomizmi juridik shqiptar i palës akuzuese, bën të qesh çdo njeri sot, jo për nga shkalla e njohurive, por nga mënyra e mbrapshtë dhe fare banale e fajësimit me çdo kusht. “Zotni prokuror në pretencën e tij më ngarkon t’internuarit nga ana e gjermanëvet, ndërsa unë, sikur se kam deponuar edhe përpara të ndershmes gjykatë, atë kohë ndodhesha në Tiranë, për shkak sëmundjeje dhe kur u ktheva mora vesh se gjermanët vetë kishin bërë internimet në fjalë. Për këtë arsye akuza e ngarkimit të të internuarvet është pa vënd. Për ekzekutimet që janë bërë e që Zoti Prokuror pretendon se kam gisht unë, kjo gjë nuk është aspak e vërtëtë, por këto ekzekutime jan bërë prej një komiteti ushtarak, ku unë nuk kam marë asnjëherë pjesë”..( A.M.B, proçes-verbali i gjyqit B.Cakranit) Dëshmia si dhe alibia e paraqitur nga atdhetari, rrëzon dhe pikën më të “nxehtë” ku prokurori Alimerko mbështet shpresën e zbehtë të demaskimit fals, i pafuqishëm përballë të vërtetave të patriotit. “..U përgjigj avokati Athanas Kraja duke thënë se.. “Dëshmitarët e akuzës.. të pandehurin B.Cakrani e lënë të deduktohet prej dëshmisë së tyre të jetë autor moral, sepse ky i pandehur, njeri influent, po të kishte tregue  një interesim në Komandën e Ballit, mund të mos ishin kryer vrasjet që pretendojnë dëshmitarët. Ata kanë të drejtë të mendojnë kështu, sepse në përgjithësi, nuk janë dëshmitarë, por veshin cilësinë e ankuesit, mbasi dikujt i është vrarë vëllai, kujt baba, tjetrit i biri apo kushëriri. Të gjitha këto janë prova të gjalla që lenë pa ndonjë vleftë kallzimet e dëshmitarëve. Për të gjitha këto shkake, mbrojtja bën apel në ndërgjegjen e paanshmërinë të trupit gjykues dhe kërkon deklarimin e papërgjegjshmërinë e të pandehurit”.(A.M.B;P-Verbali i gjyqit B.Cakranit; “Republika” 23.6.2011)

Peshë të madhe patriotit i ngarkojnë të birin Kujtim Cakranin dhe nipërit Kadri e Hajdar Cakrani, të larguar dhe ekzekutuar, në raport me djalin tjetër Namik Cakrani, që i shërbeu kauzës së majtë komuniste me dëshirë, si zgjedhje e hershme e tij, brengë kjo që i ka rënduar atdhetarit më shumë se plumbat e skuadrës së pushkatimit. Ai, mik i ngushtë me vrasësin e të atit, Mehmet Shehu, vazhdon jetën si jurist elitar në profesion, edhe në kohët që do të pasojnë. Por më 1971, në fund të jetës, sipas disa të afërmve të Namik Cakranit, ai disa ditë rresht herë belbëzonte dhe herë thërriste në kllapi,“Nuk të vrava unë baba!”deri sa vdiq.

Edhe djalit tjetër, Kujtim Cakrani, si kemi konstatuar e argumentuar më lart, me kapitullimin e Italisë fashiste, ndërhyri duke marrë, për të mos u dorëzuar tek njësitë ushtarake të majta partizane, ose gjermane, trupa ushtarake italiane. “..Kam shpëtuar jetët e 7,500 ushtarëve italianë pas armëpushimit të 8 shtatorit 1943, që ishin braktisur në fatin e tyre nga Roma, në Mallakastër e zona të tjera të Shqipërisë. Unë kisha ngritur një spital për të sëmurët, duke paguar dhe mjekët e tij. Po, 7 500 italianët e braktisur, përfundonin “tradhëtarë” nga gjermanët dhe “pushtues” nga partizanët shqiptarë; ose njëri, ose tjetri  kërkonin ti vrisnin. Ja që unë i shpëtova! Kur trupat okupuese italiane ishin shpërbërë, shtabi im u bë pika e referimit,  unë si Komandant  Përgjithshëm i ushtrisë nacionaliste të krahinës (nacionalistë kish vetëm në fillim, gjithë Shqipëria 35.000 ushtarë të vërtetë) dhe njerëzit e mij kishin kapur një njësi ushtarake italiane, batalionin mitralier 151 të divizionit “Perugia”, që kërkonin të qëllonin. Ishin 500 trupa nën komandën e nënkolonelit Rubino Rubini. Në dhjetor kam shpëtuar toger Umberto D’Amore i Regjimentit të Kavalerisë së Monferrato-s, që ishte kapur në zonën e Spathari së bashku me majorin Rosario Lauria, rreshterin Mureddu, me kavalierët Lovagnini, Signorini, Mozzarelli. Ata u shoqëruan deri në shtabin tim në Therepel, me kusht që të kalonin armët tek ne. Unë një mysliman, kam shpëtuar nga partizanët komunistë Padre Daniele Barbiellini Amidei, kryepeshkopin mbretëror katolik të Shqipërisë me misionarët e tjerë të tij si dhe murgeshat”.(“Oggi” 1984) Ai emigroi politikisht pas luftës në Itali, ku kish njohjet dhe gjithçka tjetër të vitëve të akademisë, shteti shqiptar e kërkoi zyrtarisht duke e kasifikuar si kriminel lufte, pranë aleatëve, por ata nuk treguan ndonjë interes për akuzat e palës shqiptare. Si dëshmitar që di “shumë” dhe nuk duhet lënë pas, njerëz të ndryshëm, në kohë të ndryshme janë dërguar me mision nga shteti shqiptar, për asgjesimin e tij. Për këtë Ministria e Brëndëshme italiane, që përgjigjej për emigrantët politikë e detyroi të largohej nga Roma, për në veri, ku edhe vdiq në Vigevano, Pavia më 1987, pa e parë vendin e lindjes.

Në fund, përballë akuzës, atdhetari bën deklaratën e tij të fundit, të thjeshtë dhe kuptimplote, si kish qënë jeta e tij në shërbim të kombit e që në të vërtetë tingëllon si një testament atdhetar në kohëra: “E quaj për detyrë të sqaroj para jush dhe opinionit publik akuzat që më bën zotni prokuror, akuza të cilat, po të ishin të vërteta, do të më ngarkonin me tradhti të lartë karshi popullit e atdheut, kurse e vërteta qëndron ndryshe, pasi unë qysh në moshën më të njomë e gjer më sot në moshën e thinjave të bardha, çdo gjë të shtrenjtë e të shenjtë të trupit e të mendjes sime ia kam kushtuar së mirës së përbashkët duke vepruar sipas parimit kryesor: Çdo gjë për Atdhe, Atdheu mbi të gjitha!”

Por një 90 vjeçar, anonim nga veriu, anëtar i skuadrës së pushkatimit, tregon se skuadra ndenji dy ditë në pritje, se “do të vinte një i madh, nga Tirana”. Atë ditë që u vendos ekzekutimi, (edhe në vendim-ekzekutimin e tij, vendi ka qënë bosh dhe “me vdekje” është shkruar me dorë-red) vjen aty Mehmet Shehu, duke i thënë me zë të lartë se –Kam ardhur të të shoh si do të vdesësh Bektash bej! -Këtë keni pritur ju?!..Unë di si vdes i biri shehut, po ty mos tu gjëndë varri!

Së bashku me të ishin dhe të tjerë të akuzuar e që do të pushkatoheshin së bashku. Një djalë i ri në krah të tij u duk për një çast sikur dënesi në heshtje. -Ti duhet ta kesh për nder bir, që po vdes me Bektash Cakranin! Koha do të na marrë hakun. Ajo nuk do na harrojë! Atdhetari, a thua se kishte 74 vite beteja, që fati i rezervoi këtë ditë, epilogun e një qëndrimi vërtet epik, e që ai si një aktor i madh në kohra, se kishte të vështirë ta “luajë”. Koha vërtet e “fsheh” të vërtetën e pakët, nga moria e madhe e botës e “rremë” që na rrethon, për ta shfaqur një ditë me dimensionin real, e që brezave tashmë u duket i tillë, i barazvlefshëm më veprën e tij të stërmadhe kohrave..

Le të kujtojmë një vlerësim që ka bërë në prag të çlirimit Sejfulla Malëshova, një nga udhëheqësit komunistë: “Kemi qenë të suksesshëm ushtarakisht, pak a shumë, por jo politikisht dhe, po të vazhdojmë kështu, do të katandisemi në një bandë vrasësish”. Vetë djali i Mehmet Shehut, Bashkim Shehu, e ka thënë saktësisht definicionin e asaj që ngriti pala fitimtare komuniste, si një sistem vrastar, i papranueshëm edhe nga organizmat komuniste ndërkombëtare, përjasho BRSS-në, modelin e të cilit, jo zbatuam, por e kaluam në shumë drejtime:”Diktatura komuniste u tregoi shqiptarëve, se kush ishte në të vërtetë vetë diktatura komuniste!”

Një ditë kur po i parashtroja një miku tim historian këto fakte historike të veprës së tyre, e sidomos të ketij personazhi në veçanti, duke këmbëngulur në atë se sado ta fshehim të vërtetën, vetëm për arsyen e mbrapshtë, se duhet baltosur me doemos personazhi i caktuar historik, me apo pa dashur fshijmë nga kujtesa kombëtare, përkohësisht, një pjesë të madhe të historisë së tij. Shërbimi më i ulët, më i turpshëm dhe më i dënueshëm, që njeriu i bën popullit të vet, kombit të vet, për rrjedhojë vetes së vet, është ai i mohimit veprës, pra të historisë së kombit të tij. Tingëllon më shumë se e turpshme, se sa qëllimkeqe kjo që ndodh, se me qëllim nuk përpilohen biografitë e jetës dhe veprës së tyre, në raport me kombin. Ja që njerëzit sot, dhe ata pseudoakademikë, janë të zbrazët nga ndjenja kombëtare dhe përgjigja e tij me të qeshur: -Ja që dhe turpi për të gjallët është! më ngushëllon si një prolog ndërgjegjësimi kombëtar. Në vend që në ndonjë stol parqeve, shatërvanëve, ku pranë monumenteve të tyre të munguar, tu tregojmë fëmijve tanë diçka të vërtetë mbi kombin tonë të lashtë, vlerat e tij, që nuk janë prapa atyre të qytetëruar, shkojmë me zell shprehjes së Klemansosë, thënë jo pa ironi:-Bota me baltë bën heronj,.. ne heronjve u hedhim baltë”…

Fund

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top