PJESA E PARË: PËRSE ENVER HOXHA I FLAKU ESHTRAT E SKENDERBEUT?!

Kastriot BIMO                                                                                                                                     

15.10.2014

Vendet e perëndimit duhet tu jenë mirënjohës Skënderbeut dhe shqiptarëve që e përmbajtën vërshimin turk, pikërisht në kohën kur ky pat qënë më i rrëmbyeri”. (Josef Vinarzhi)

Vizita e Papës para pak kohësh në Shqipëri (e dyta pas vizitës më 1993 të Papës së famshëm Karol Wojtyla), por dhe vdekja e para disa ditëve të ish-ministrit të kulturës, jetëgjatë në atë post, Thoma Deliana, më detyruan të rikujtoj një fakt, të cilin shqiptarët e “harrojnë”, siç bëjnë rëndom për probleme thelbësore e për pasojë përsërisin gabime, të cilat vetë “fati” dhe historia i lë në udhëkryq. Këtu nuk mund ta kam kurrsesi fjalën për popullsinë tonë me religion “islam” që falë disa mbetjeve të virtyteve të traditës, e priti Papën në ato mënyra, që do ta kish zili një popull i prapambetur i Amerikës Latine në shekullin e XIX, e që vetë Papa “dyshoi” për ne se mos jemi më katolikë se ai. Por ne e qetësojmë atë, duke treguar se kjo nuk është e para pritje e jona, sado mbresëlënëse të ish ajo.

Unë nuk e kam fjalën as tek autoriteti i tij i padiskutueshëm, pasi Papa Wojtyla qysh në fillimet e tij, në vitin 1980, gjatë disa pushimeve në rajonin jugor të Pulias, pas kushedi kujt kërkese misterioze, apo e panifikuar kjo, mallkoi nga brigjet e përtejdetit, ndoshta jo vendin tonë, por regjimin e dikurshëm. Për këtë fenomen të ndodhur, vetë Enver Hoxha u detyrua të flasë jo me tonët e pasluftës, por më i zbutur psikologjikisht, jo si dikur në trajtimin e çdo elementi të tillë shqetësues, me thirrjet “në litar armiqtë”, por duke u përpjekur të sjellë “argumenta”, se “është e padrejtë që ai (Papa) të mallkojë vendin tonë nga brigjet e Pulias dhe se ne nuk jemi i vetmi shëmbull ateizmi, por në botë ka mjaft të tillë”.

Kjo mënyrë e të “argumentuari” nuk vjen fare erë dipomaci, siç ndodh rëndom në ndryshimin e qëndrimeve, por në të vërtetën e ngritjes së nivelit kuturor të pjesës më të spikatur intelektuale të këtij populli, ku ishte më se e qartë, se autoriteti qëndror fetar katolik ishte bërë edhe pjesë e rëndësishme politike botërore. Kjo shkonte paralel me atë ndërgjegjësim të munguar të kësaj pjese dhe përgjithësisht të mbarë këtij populli, se autoriteti kishtar katolik tek ne ka qënë në të gjitha kohët për atdheun referencë e qytetërimeve dhe themelues i elementëve më domethënës të kulturës kombëtare. Megjithëse pjesa më e vogël e religioneve, ajo si më cilësorja, u ka paraprirë momenteve më delikate duke bërë sakrifica jo të vogla, qysh nga shkrimi i elmentëve religiozë në gjuhë tonë me alfabetin latin, datuar qysh nga 1210, dokument që së fundmi u bë i mundur falë arkivës së Vatikanit dhe që duhet të zërë vendin e duhur në histori. Ky veprim nga më të guximëshmit, nuk ishte as më shumë e as më pak larg nga ato kërkesa luteriane të gjermanikëve (të përkthenin Biblën dhe liturgjinë ta kryenin në gjermanisht) përballë Papatit, që themeluan protestantizmin, çarjen më të madhe të historisë religioze. Tek ne ai solli një frymë të re, që do tu paraprinte shekujve deri në vitin e afërt relativisht 1908, ku mendimi i pjesës më të vogël, asaj katolike e alfabeti latin i propozuar nga ajo, dominoi dhe korifej të tillë si Gjergj Fishta u afirmuan si pasardhës të njerëzve të tjerë të mëdhenj, si Shkodrani, Buzuku, etj. e ku së bashku u bënë themelues të shkrimit të gjuhës më të vjetër të planetit. Kjo nuk është pak për një popull, sa ç’është aq shumë pranimi i kësaj rruge nga ai, si një nga zgjedhjet e pakta më brilante që ka bërë në kohëra e që historia e vërtetoi si të tillë.

U zgjata, jo pa qëllim në këtë gjë, për të thënë e stërthënë se harmonia fetare në Shqipëri, nuk mund të jetë asnjëherë atribut i një njeriu fizik, kushdo qoftë ky, dhe aq më keq që këtë element madhor ,bashkjetese mes “llojit” të shpirtit të shqiptarit, t’ja delegojnë Enver Hoxhës, kohës dhe  regjimit  të tij. Duke u përpjekur ta “zyrtarizojmë” atë, siç ndodh rëndom për përpjekjen e reabilitimit të figurave të tyre, veprimin si “të mira të sistemit”, reabilitojmë si “padashur” edhe sistemin vetë, kur praktika botërore e nxorri atë, që nga prova e parë e totalitarizmit, Komuna e Parisit, e deri tek viti 1990 e kur vetë atdheu i bolshevikëve e sovjetëve u detyrua ta flakte në koshin e plehrave të historisë, si eksperimentin më ogurzi, me pasoja të pallogaritëshme jetësh, shkatërrim të skajshëm ekonomik, social dhe religioz. Megjithëse diktaturat e majta janë më të hershme, nga historia botërore kemi mësuar se të gjithë diktaturat kanë pika të përbashkëta, që nga ajo e shkrirjes dhe kalimit të pushteteve (element politik), si dhe minimizimin ose të munden zhdukjen e predikimit fetar, si element minues për politikat e mbrapshta që ndjekin, pasi fjala e Zotit, megjithëse trashdentale, nuk mund të futet asnjëherë në diskutim. Ajo, qoftë edhe në mënyrë filozofike, predikon ato që dhe niveli i diskutueshëm i një populli,

është në gjendje ti marrë si mësime e praktikë, pasi e gjen veten aty, gjë që diktaturat i le pa gjumë. Referuar fesë pagane, mitologjisë greke etj, dimë se mund të kishte të emërtuar shumë perëndi, por organizimi ishte sajuar i tillë që Zoti, kreu i tyre Zeusi, tw ishte vendosur në Olimp. Vend për dy Zota nuk mund të kishte, kështu që asnjërit nuk duhet ti shkojë mendja se zhdukja e klerikëve të ditur është një vepër hakmarrëse e inercie e pasuftës, siç justifikohen rëndom, por një vepër e studiuar më së miri, gjë për të cilën Enver Hoxha ishte expert i pagabueshëm.

Por historia botërore ka standarte dhe operon me të tjera mekanizma, si faktet dhe gjithçka tjetër në shërbim të zbulimit të së vërtetës, dhe jo zhdukjen, përbaltjen apo qoftë dhe pluhrosjen e saj me harresë. Unë nuk do të doja të merrja përsipër asnjë vlerësim, gjë fare e zakontë kjo, pasi Enver Hoxha e ka të pubikuar veprimtarinë e tij dhe ajo ndodhet tashmë e zhveshur ndaj mendimit dhe gjykimit historik botëror, por dhe gjeneratave të shqiptarëve. Këtu nevojitet të “përjashtojmë” ata që i thurin verbërisht lavde veprës së tij, për arsyen e vetme, se ai ka meritën e madhe që ata dhe shumicën e shqiptarëve i solli në arritje të tilla, sa që gjithë ditën të prashisnin grurë dhe në darkë të hanin bukën e misër. Një pjesë e jona “arsyeton” se diktatura ishte më se e domosdoshme për një popull mesjetar si ky i yni, duke sjellë si shëmbull i dikurshëm fenomene vërtet primitive, si gjakmarrja, por edhe paaftësinë e shqiptarëve për tu vëtqeverisur, shëmbull i gjallë i anarkisë së krijuar enkas (ujku dhe mjegulla) këtë çerek shekullin e fundit. As nuk do ti referohesha të tjerë zërave që janë edhe kundër vetë demokracisë, barazisë që ajo shfaq dukshëm nga sistemet e tjerë, të cilën e konsiderojnë si armikun e shtresëzimit, fenomen aq i domosdoshëm i progresit, të cilët rëndom e ilustrojnë më fjalët e Xhorxh Bernad-Shout “Turpi i demokracisë është se ajo na detyron të marrim dhe mendimin e budallenjëve!”, pasi mardhëniet me vendin tim janë të një lloji tjetër.

Por unë nuk do të zgjatesha tek ata, sa do “shumë” që të jenë, as tek ata që e dënojnë pjesërisht si “lloji i regjimit që u zgjodh”, pasi është përgjegjësi historike e tyre. Pa u ndalur as tek kampet e përqëndrimit që ngriti, as tek mendimi gjysmak i të nënshtruarëve për të (një miku im piktor e kish “inat” vetëm se ai shante Pikason), objekt i së cilës nuk studimi ynë, nuk mund të rri pa përmëndur disa fakte dhe lidhje që ai ka me historinë tonë kombëtare,”gjurmët” që ka lënë në të, e cila duhet thënë, se duke qënë “pasuri” e të gjithëve, është po aq e ekspozuar, sa të gjithë provojnë ta shpërdorojnë. Nuk e kam fjalën këtu për shkrimin, rishkrimin, retushimin, rrëmbimin, shkatërrimin e historisë, e gjithfarë eksperimentesh që shqiptarën nuk pushuan kurrë së bëri, si i droguari në trupin e vet, por në të vërtetat që ajo bart e që ndërgjegja kombëtare, po i harroi, tregon se fundin e ka pranë.

Historinë e një kombi e ka shkruar e kaluara e tij, e jeton e sotmja, e cila projekton dhe të ardhmen. Përderisa  është konsideruar si “Mësuesja e jetës” nga Herodoti, përse duhet që ne me dëshirë të shfaqemi përherë si nxënësit më të dobët të saj dhe ta nxijmë atë me dëshirë?! Ka shumë që ja adresojnë dyfytërisë së diktaturës këtë mësim, që si ves nuk po e harron ky popull, dhe kam përshtypjen se ata janë më afër se kurrë të vërtetës. Pa ndaluar tek të vërtetat e dala këto kohët e fundit, që e tjetërsojnë realitetin e atëhershëm në sytë tanë sot, por dhe për përpjekjet e atyre misionarëve që bëjnë çmos për ti mënjanuar këto të vërteta me lloj-lloj sofizmash, më shqetëson gjithmonë raporti i figurave të mëdha historike, në raport me të vetmin vlerësim: Atdheun!

Shumë pak ose pa e tepëruar them “aspak” njerëz e njihnin Nënë Terezën para fundit të viteve ’80, kur ajo u shfaq në Shqipëri si shqiptare dhe kërkoi të vizitonte varrin e të ëmës e famijarëve që i kish këtu, kur fare të paqartë vendasit iu sulën zbulimit, që u erdhi në derë papritur. Ata më të “diturit” që mund ta kishin parë në ekrane, ose mund të dinin gjë për të, filluan komentin keqdashës, pasi kjo figurë operonte në emër të fesë, dhe si e tillë nuk duhet të mos ish “mëkatare”, mjaft të themi se edhe për atdheun e saj u kujtua pas kaq vjetësh, duke nxjerrë një arsenal të tërë “njohurish” pa fund, për aktivitetin e saj, që nga përdorimi i të ardhurave të përgjakura të diktatorëve më famëkëqinj anë e mbanë planetit, ku ajo shkonte me misionin e saj. Sipas tyre, natyrisht ata po i jepnin këto si ndihma paradoksale për njerëzimin, që e

kishin masakruar vetë, në këmbim të një pranimi, si tw thuash, të “pendimit” të tyre, pranë një figure të

tillë, dukuri që këto lloj “burimesh” e rithanë edhe tek propozimet e përsëritura tw Vatikanit, deri sa u arrit shënjtërimi i saj. Shenjtorja shqiptare, kur kish kaq pengesa e vështirësi pranimi në atdheun e saj të “panjohur”, po në mbarë botën, ç’duhet thënë atëherë?! Megjithatë ajo mori vlerësimin që i takonte nga mbarë mendimi i thellë human botëror, pa na pyetur ne, duke u kthyer në ikonë, fama e së cilës na u shfaq papritur si vlerë kombëtare. Nobelistja e kish kërkuar vetë këtë gjë, për arsyen e thjeshtë dhe të vërtetë: Ajo ishte shqiptare: Fama le ti mbetej mbarë planetit! Megjithatë ne, qoftë edhe vetëm si gjaku i saj, shumë pak bëjmë për të vlerësuar, e jo më lartësuar emrin, veprën dhe shpirtin e madh të shenjtores nobeliste, duke marrë të mirqënë atë që thotë bota për të, por që tashmë është kthyher në pasaportë në duart tona përballë saj.

Shëmbulli i Nënë Terezës, që me të drejtë shqiptarët tashmë e mbajnë përkrah figurës mitike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, hero i përmasave të atilla, sa që shtetet europiane e quajnë pa drojë heroin e tyre, duke perifrazuar etiketimin e Papës ndaj tij “Kalorës i Krishtërimit” një lloj shenjtori ky, përbën një analogji të çuditëshme tek ne. Pothuaj në mënyrë shumë të ngjashme, si në rastin e figurës së Nënë Terezës, në periudhën e gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë zhvillimi modern për mbarë botën në të gjithë fushat, në Shqipëri thuajse nuk njihej ky term i vlerësimit religioz, ose në rastin më të mirë “justifikohej” duke e kthyer në lavd mardhëniet e ndryshme të heroit me pushtetin kishtar, që pasqyronin në fund të fundit, kohën dhe sfidat e saj. Të tjerë bëjnë dhe sot “zbulime” duke e përçmuar pa të drejtë heroin (natyrisht jo të “tyre”), deri në banalitete të parrokshme nga imagjinata, si ato ide foshnjore se heroi paska qënë aq e kaq i shkurtër (kjo tezë bart një gëzim plot diabolizëm, që kur hidhet), por ata, jam i bindur se pa përrllogaritur gjatësinë e shpatës (një njeri i shkurtër, nuk mund të mbajë në brez të tillë shpatë), them se janë në dijeni të faktit se Senati Venedikas, qytetarëve të tij të nderit, ju dhuronte, veshje dhe cohë luksi, për petka solemne, ndër të tjerë edhe princërve shqiptarë, ku bënte pjesë edhe Skënderbeu: “Vendim. Që kapitulli të jetë i qartë, e të flasim hapur, me gjithë këtë, të nisur në atë rrugë, që të jetë e pranuar për Të, do të urdhërojmë që t’i jepen: 18 kutë skarlatini, (kur çdo bojari e princi i jepte 16), sipas zakonit, për dy palë petka, për Shkëlqesinë (Madhërinë) e Tij, për sa vendoset në kapitull, Gjergj Kastriotit” (përllogaritja nxjerr se 8 kutë cohë (6.344m), jepeshin për një fisnik, gjatësia e të cilit ishte deri në 1.75 m, atëherë, 9 kutë cohë (7.137m), për një palë petka, rezulton për Gjergj Kastriot na japin gjatësinë prej 1.98 m). Këto banalitete bëjnë të qesh tërë trishtim një i huaj, ndërsa për vendasit e tij duket normale, që derdhin papërgjegjshërisht nga distanca këtë helm kobre, kështu që për të parët veprimet e këtyre të fundit, ngjajnë si fenomene të paspjegueshme jashtokësorësh.

Të tjerë i erdhën në “ndihmë” heroit duke kërkuar ta justifikonin për mosmarrveshjet, në mos “luftrat” e tij, ndoshta të amplifikuara, me Krishtërimin, duke sjellë, përkthyer e argumentuar thënien e atëhershme për Vlad Drakulën, princin e Transilvanisë, se po “bënte aq shumë masakra, sa që mund të krahasohej pa frikë me mizoritë e Skënderbeut, sidomos ndaj të Peshkopatës së Ohrit e të krishterëve të saj”. Konfliktualiteti me Peshkopatën e Ohrit, më e fuqishmja dhe e respektuara në shekujt e fundit të Mesjetës në Perandorinë Bizantine, që i kishte shërbyer në mënyrë të përkryer princërve arbër si mbështetje në luftën e tyre, konsiston në atë se dukej se po “rrëshqiste” në një negociatë, ndoshta për mbijetesë, ndoshta si shëmbull i Patriarkanës së Kostandinopojës, bashkupimi me turqit osmanë. Gazeta “Times” e Londrës, më 28 nëntor 1868 nënvizon këtë fakt të ndodhur tashmë: “Në krye përshtypja pat qënë e një alarmi universal (Rënia e Kostandinopojës 1453). Shtetet e tjera të Europës kishin frikë se po i priste po ky fat i Perandorisë Bizantine, dhe për shumë breza çështja e vetme ishte të gjendej mënyra e përballimit t’asaj fuqie armiqësore dhe agresive. Më së fundi, trimëria e popullsive të krishtera në kufitë i qetësoi ato druajtje dhe, në kohën e sotme çështja lindore mori një karakter aq normal dhe paradoksal, sa qeveritë e shekullit të XV-të nuk do ta kuptonin dot fare këtë fenomen. Pak e nga pak turqit, në vend që të kqyreshin me tmerr, u duruan, u pranuan dhe më së fundi u bënë simpatikë…” Por kjo nuk mund ti shkonte për shtat politikave të qëndresës së Skënderbeut, që jo pa mund i kishte arritur në një beslidhje të brendëshme të brishtë, për shkakun e njohur tashmë të egos ballkanase, ku duhet thënë se ndaj saj ai i

përdori të gjitha mënyrat, por në veçanti kjo “lloj” kolone e pestë, mund të hidhte në erë të gjithë strategjinë, e cila befasoi dhe tronditi Europën. Në këtë pikë më naivët janë në pozitë shumë komode, pasi edhe në e kanë dëgjuar termin “Kalorës i Krishtërimit”, kanë dalë në konkluzionin infantil, se meqënëse bota e krishterë rrezikohej nga turqit osmanë dhe Skënderbeu i luftoi, se atë gjë dinte të bënte, ata duke përfituar nga heroi ynë, sepse ai dashur padashur bëri punën e tyre, mund ta kenë quajtur atë për këtë gjë, pra luftën që bëri.

Kërkesa e analizës historike na detyron të qëndrojmë dhe ta trajtojmë pak më gjatë këtë titull, emërtim, apo fare “shënjtërim” do të thoja, të cilin ja dhanë se e meritoi, apo se ishte i tillë pa e etiketuar fare Krishtërimi.

Por për të mbrritur tek e vërteta “Faktet kanë kuptim vetëm brenda kontekstit”, sqaron filozofi Wittgenstein, arsye kjo që na bën ta paraqesim domosdoshmërisht veprimin në kontekstin e ngjarjes dhe vetë ngjarjen në kontekstin historiko-kohor.

Shumë njerëz sot janë munduar e mundohen të shkruajnë për heroin tonë kombëtar, padyshim nga këndvështrime të tjera, por kam përshtypjen se shumë prej tyre “harrojnë” dhe anashkalojnë dy gjëra kryesore.

E para se ai e luftoi Perandorinë më të fuqishme të planetit, që e bëri Europën të gjente rrugë detare, siç e konstatuam, nga pozitat e Krishtërimit, pasi nqs. do të ndodhte lufta brenda llojit, ai do të kish përfunduar ndonjë “Vezir i Madh” (Kryeministër), siç rëndom e ndoqën jo pak shqiptarë këtë rrugë më pas.

Duhet ritheksuar se në çdo moment të zbulimit të fakteve të reja për ne, që “flenë” në arkivat e huaja e kryesisht në ato sekrete të Vatikanit, në vend të përbëjnë, në mos sensacion, një arritje madhore në plotësim të boshllëkut tonë historik për etapa të caktuara me një rëndësi të jashtzakonshme, bëhen përpjekje gati diabolike për ta anashkaluar dhe më pas kalimin në heshtje të faktit, që mund të ketë një rëndësi të atillë, sa përmbys gjithçka, pasi vetë shkenca e historisë, siç e dimë,  këtë e ka karakteristikën kryesore. Këtë fat pati dhe zbulimi i Lek Previzit, për librin me titull “Veprat e lavdishme të Skënderbeut” (Gli illustri et gloriosi gesti et vittoriose imprese, fatte contra Turchi dal Sig. D. Giorgio Castriotto, derto Scanderbeg, Principe d’Epirro), me autor një prifti shqiptar, Dhimitër Frangu, bashkëkohës, këshilltar, arkëtar dhe ambasador i Skënderbeut, i përkthyer nga latinishtja në italisht nga Bernardino Vitale dhe është ribotuar mbi njëzet herë nga viti 1506 deri më 1679-ën, duke u përkthyer edhe në frëngjisht e gjermanisht e që është e tepërt të thuhet, se për rëndësinë që ka, përbën një minus të madh për vëmendjen e historiografisë  së brishtë shqiptare. Dorëshkrimet e para librit janë të vitit 1480, shumë pak kohë pas vdekjes së heroit, por që nga ajo kohë të gjithë librat e tjerë që u botuan më pas, i referohen rrëfimeve të Frangut, tejet të besueshme, dhe ne këtu nuk kemi ndërmend të bëjmë paralelizmin e Homerit për Luftën e Trojës, shkruar tek “Iliada” mbi tre shekuj e gjysmë më pas, e që përbën shtyllën kryesore të trashëgimisë greke.

Duke qënë se libri në fjalë është shkruar e botuar disa vjetë përpara atij të Marin Barletit, i konsideruar si një nga biografët më të saktë të Skënderbeut, veprën e të cilit periudhën e gjysmës së dytë të shekullit XX, e kishim kthyher në “Bibël”, ka ndodhur që dhe ky në shumë raste në librin e tij, thuhet se i ka mbetur besnik rrëfimeve të Frangut. Por çfarë ka të panjohur dhe të veçantë në brendi kjo vepër që u kalua thuajse në heshtje?! Pasi autori sqaron rrethanat në të cilat Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, pasi kishte shtënë në dorë zotërimet e Principatës së Kastriotëve, por dhe mbikqyrjen e principatave të tjera arbërore, letërkëmbimi me Sulltan Muratin II, ish-perandorin e tij, zbulon qartazi një këndvështrim sa  strategjik, aq edhe të natyrshëm të heroit, me të cilët shfaqet. Duhet pranuar se në sytë e sotëm duket e çuditëshme gati absurde kjo korrespondencë në pamjen e parë, pa mësuar të vërtetën e shkruar.

Në fillim të letrës së dërguar nga Sulltan Murati, ai e shpreh mllefin dhe urrejtjen, duke braktisur shumë shpejt notat e elozheve të tij, por tërë kujdes kërkon ta kryqëzojë” heroin me gjestin e mosmirnjohjes, që është njëkohësisht tipar i virtytit më të lartë shqiptar në kohëra; Besës; “Unë, Murati, Perandor i turqve

dhe Princ i Lindjes, ty, Skanderbeg, njeriu ma mosmirënjohës në botë. Nuk mund të përshëndes as më shum as pak, duke qenë se ti u bane anmik për vdekje i kunorës sime, ndërsa të rritsha me dashuni, si të ishte biri im, duke u mundue gjithmonë për me të nderue e me të ngritë në pozita të mëdha e të nalta, siç baj me miqtë e më dashamirët e mij…Unë jam përpjekë me të dashtë ma shumë se këdo tjetër të oborrit tim, për virtytet e tua të rralla. Duke e ditë ti, se unë brenda pak ditësh do ta ktheja shtetin atnor, e duke e ditë se nuk do ta mohoja fjalën e dhanë, ti je sjellë kundër detyrës sate, duke u rebelue, veprim për të cilin meriton qortim të madh dhe dënim të rreptë, pra meriton mërinë dhe mohimin tim. Nga ana tjetër, duke pas parasysh veprat e tua të lavdishme që në të kaluemen (duke qenë në shërbimin tim) i ke krye për mbrojtjen dhe dhe naltësimin e shtetit tim, duke i shërbye besnikërisht kunorës sime, pothuaj s’jam i detyruem ta zbus inatin, që me të drejtë më ka pushtue ndaj teje”. Ai e paraqet si objekt tradhëtie mënyrën e largimit, tashmë jo nga shërbimi i tij, por nga religioni islam, për të cilën ka një përgjegjësi të veçantë, duke qënë në krye të tij. Ai “harron” gjithashtu faktin se të gjitha këto territore të pushtuara, ishin të krishtera, por arsyeja e errësuar e sundimtarit, nuk mund ta pranojë në atë moment. “Unë nuk mund ta marrë me mend se si shkoi kjo punë; ndofta për fatin se nuk ta ktheva shtetin prindëror ose pse ti gjithmonë ke pas qëllim që të mohosh fenë e Profetit Muhamed dhe të kthehsh (siç ke veprue) në fenë kristiane, për të humbë shpirtin tand.” Si sovran i perandorisë më të madhe, pozita i diktonte të tregonte anën e forcës, për të rimarrë territoret e kaluara nën zotërimet e Skënderbeut, duke zbrazur këtu gjithë zemërimin perandorak; “Të them që ti të ma rikthesh (Arbërinë), përndryshe betohem në Zotin, Profetin Muhamed, në shpirtin e babës tim dhe aftësinë dhe forcën e shpatës sime, që do ta përdor kundër teje, për me të dëbue nga ai vend për inatin tand. E në qoftë se do të shpëtoshë gjallë, do të detyrohesh që të shkosh lypsar nëpër botë.”

Në përgjigjen e tij Skënderbeu, megjithëse Sulltani e njihte në ata dhjetvjeçarë shërbim ndaj tij, e që rezultuan strategji në kohën e duhur, i shkruan me nota të qarta se ai ishte invador dhe se heroi vetë ishte një rifitues i lirisë; “Por në qoftë se ti ankohesh se unë kam rifitue lirinë time, me shtetin e tim eti, gabohesh, sepse nuk mendoj të të kem fye, sepse më takon vetëm mue dhe jo ty, dhe jam përpjek të baj çka i takon nderit tim. Në qoftë se turqit, ushtarët e tu, që rrinë në viset e Shqipnisë, erdhën kundër meje që të luftojnë me armë në dorë, a nuk ishte e drejta ime me luftue kundër atyne që donin të më sulmonin?” Këtu heroi ndalet tek arsyet e rikthimit të tij në fenë e krishterë, gjë që ja “sugjeron” hapur kundërshtarit të tij, si kusht negocimi. “Së fundi, në qoftë se unë e braktisa fenë e Muhamedit, e u ktheva në fenë time të vërtetë të Jezu Krishtit, jam i sigurtë që kam zgjedhë anën ma të mirë: sepse tue zbatue mësimet e tij të shenjta, jam i bindun se shpirti im do të shpëtojë dhe jo (siç thue) të humbë.”  Është e tepërt të themi se leksioni që i jep ish-perandorit të vet, i kalon kufijtë e imagjinatës, megjithatë natyrshmëria e shprehjes së tij në këtë pikë dhe normaliteti që i jep ai situatës, jo vetëm të habit, por edhe i jep një ngjyrë të re, të gjallë dhe mjaft reale të problemit pak të trajtuar në fjalë: “Prandaj të lutem, që për shpëtimin e shpirtit tand, të dëgjosh prej meje një këshillë shumë të mirë. Po të lexosh me kujdes Kuranin, d.m.th. përmbledhjen e mësimeve hyjnore, do të kuptosh secili prej nesh e ka gabim. Nga kjo kam shpresë se në qoftë se ti do të arrijsh të gjykosh gjithçka drejt dhe të bindesh nga arsyeja, do të pranosh fenë shumë të shenjtë të Krishtenë, e vetmja në të cilën të gjithë njerëzit kërkojnë shpëtim, shpëtojnë, e jashtë saj çdokush tjetër sikterroset. Dhashtë Zoti që ti të pranojsh që të ndriçojë Shpirti i Shënjtë e të vijsh e të pagëzohesh e të fillojsh me jetue si i krishtenë.” Pozita e Skënderbeut e argumenton në mënyrë brilante të vërtetën e tij, por atij i vijnë në ndihmë sidomos ata dhjetra vite shërbimi në perandori, që i kishin dhënë jo vetëm njohuri të skajshme të hierarkisë dhe strukturave të saj, ku bënte vetë pjesë, por dhe qëndrimi të tillë, që pa e ekzagjeruar, do të surprizonte edhe njeriun më parashikues në botë; “Përndryshe, të jesh i sigurtë, se unë nuk mundem, nuk due dhe nuk detyrohem, për shumë shkaqe dhe aryse, që të pranoj ato që ti shkruen. Kryesisht pse turqit nuk e mbajnë kurrë besën ndaj të krishtenëve dhe janë fqinj të këqinj të tyne, e nuk due që të rrezikoj e humbas atë që Zoti më ka dhanë. Prandaj mos u fodullos për sa më thue që me ta rikthye atë pjesë të Shqipnis që ti u ke marrë të tjerëve e jo babës tim. Ato vise që ti vetë thue se kanë qenë të të krishtenëve, edhe të mos kishin qenë të prindit tim, meqense unë jam një Princ i Krishtenë, më takojnë mue dhe jo ty.”

VAZHDON

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top