PJESA E PARË: A DUHET T’I ZHDUKIM ELITAT E KOMBIT?

SHKRUAR NGA KASTRIOT BIMO

Historiografia shqiptare po i afrohet një fundshekulli në një kaos të vërtetë, nga ku jo vetëm nuk ka dalë alfa, e vërteta historike, parë kjo në analizë akademike e shkencore, detyrë kjo primare e saj për të bërë atë tregues të munguar zyrtar. Por përpilimi i biografive të njerëzve që spikatën fuqishëm në veprimtaritë luftarake, politike, kulturore, atyre që kanë lënë gjurmë në fatet e atdheut, jo vetëm është qesharak sot, duket si i lënë diabolikisht në hije. Por në ç’do rrethanë kjo e dyta është e barazvlefshme me të vërtetën e munguar, kështu që përkohshmëria nuk do ta dominojë kurrë atë, pasi nga të gjithë shkencat, historia i jep formë dhe përmbajtje një kombi, përballë kombeve të tjerë. Por për të mbrritur tek e vërteta “Faktet kanë kuptim vetëm brenda kontekstit”, sqaron filozofi Wittgenstein, arsye kjo që na bën ta paraqesim domosdoshmërisht veprimin në kontekstin e ngjarjes dhe vetë ngjarjen në kontekstin historiko-kohor. Kështu që ndahet rruga e studimit të shkencës në fjalë me atë material të interpretuar, e sidomos tek ne shqiptarët, të cilët pa menduar fare shkojnë më tej: Të gjykojnë historinë. Kjo e dobëson dukshëm pozitën e atij që merr përsipër të bëjë vlerësime, ndoshta jo më shumë se cili është ai dhe gjykimet e tij, të cilat në shumicën absolute të rasteve paraqiten në mënyrë tendencioze justifikuese, duke treguar vetëm njërën anë të medaljes, atë të interesit të ngushtë, se sa diabolizmi i dukshëm, se duke hedhur pluhurin e harresës qëllimisht mbi  figura me peshë në histori, le të flijohet edhe ajo pjesë e saj.

Por unë paraqes hapur një “teori” timen që shkon më tej. Ajo çka theksuam, harresa, është tipari vjetër nihilist, më i thjeshti por dhe më kompleksi, me shpresë se funksionon akoma, natyrshëm për sa kohë rron shpresa. Ta zhvendosim argumentin me tej. Duke sfumuar apo fshirë fare figurën historike, pra ngjarjen dhe rrafshin historik ku ai ka vepruar si protagonist, synohet pas pluhurit, duke vepruar me të gjitha mënyrat në këtë fazë, për ta zvëndësuar fare atë, siç u veprua në çdo aspekt nga historiografia e regjimit komunist të pasluftës, deri sa vetë sistemi diktatorial i majtë, praktikuar i pari në historinë botërore, rezultoi i dështuar. Por sipër nesh qëndron gjykatësi i pamëshirshëm “Kohë”, të cilit nuk i fshihemi e as ti shesim dokrrat tona për të vërteta, për arsyen e thjeshtë se vetë ne jemi të përkohshëm, e vërteta jo! Po si do ta kuptojnë gjeneratat që do të vijnë, të cilat jo atëherë, por qysh tani gjykojnë e argumentojnë vetëm juridikisht, ligje të cilat zor se ndonjë reminishencë e asaj të kaluare tek çdo lloj moshe, do ti dominonte ato! Gjithsesi kjo është zgjedhja e kësaj pjese që ka apo jo në dorë përkohësinë dhe e përdor atë në mënyrat e lartpërmëndura, po “përkohësisht”, vërtetuar kjo nga praktika e jetës.

Nuk ka skaj të territoreve shqiptare të mos të jetë treguar ndjenja e përgjegjësisë ndaj atdheut, përpjekjeve për liri, zhvillim e progres, të figurave të shquara, në etapa të caktuara kohore, që me luftën e punën e tyre kanë shkruar këtë histori, pa na “pyetur” ne, që nuk jemi në gjëndje ta evidentojmë, jo më ta vendosim denjësisht aty ku e meriton atë.

Lufta e Dytë Botërore po rendte drejt Shqipërisë, shumë më shpejt se ç’mund të mendohej, duke u bërë një epilog i dhimbshëm, i turpshëm dhe i marrë i asaj periudhe mbretërimi, me një pamjaftueshmëri ndërkombëtare qeverisëse hezituese, e pakrahasueshme kjo as me vitet ’20, e bëri vendin tonë të parën viktimë reale të saj. Një mori atdhetarësh, që i kishin shërbyer atdheut jo pak, por me të tjera pikpamje, nga kushtet dhe rrethanat e paraqitura, endeshin Europës dhe me apo pa të drejtë mbajnë mbi supe, falë konfliktualiteteve të ndryshme në kohra me mbretin, një barrë të gjetjes dhe ndikimit në qarqet e ndryshme italiane të fuqisë, që më në fund do të shmangte të keqen me emrin “Mbret”.

Por deri ku shkon e vërteta?! Qysh hershëm përplasja mes Hasan Prishtinës dhe Qazim Koculit, në qeverinë rekord një ditëshe të vitet ’20, është dukshëm mosmarrveshje e tipit kombëtar, jo aq e ngushtë sa paraqitet rëndom. Hasan Prishtina duke parë Luftën e Vlorës, triumfin e saj dhe përfitimin e arritur në këndvështrimin e bashkimit të trojeve të atdheut, shtuar këtu edhe problemin gati gjysmëshekullor me vendet pushtuese sllave, negocion me poetin italian Gabrielle D’Anunzio. Ky i shquar për nacionalizmin e skajshëm dhe me tepër influencë në qarqet politike italiane, ndihmon në blerjen apo “dhurimin” e dy anijeve me armë, për zhvillimin e një luftë kryengritëse, kundër pushtuesëve serbo-malazezë, e për rrjedhojë çlirimin e tyre, inspiruar nga ngjarja e Vlorës. Deri këtu s’ka asgjë të keqe, madje ç’do kush e mbështeste  pa rezerva këtë luftë, duke e parë si fundin e vuajtjeve të atij kalvari të gjatë pushtimi, madje shfaqej ndoshta disi e justifikuar  këtë herë thënia makiaveliste: “qëllimi justifikon mjetin”, por pikërisht për këtë shkak ndodh çarja dhe fillon diferenca mes tyre.

Pikërisht kur po zhvillohej Lufta e Vlorës dhe qeveria italiane ndërpreu transportin në portet e saj për furnizimin me armatime të ushtrisë  pushtuese në Vlorë, është po Gabriele D’Anunzio ai që me jahtin e tij sjell në Vlorë dhjetra milionë fishekë, në shërbim të luftës. Kësaj plage të hapur, vetëm disa muaj më vonë i shtohet ndodhia në fjalë, ku patrioti shqiptar sa kujtonte se e ndihmonte, aq dhe e minonte çështjen kombëtare të një shteti shqiptar tejet të brishtë. Vetë kryeministri i atëhershëm Sulejman Delvina, u detyrua të ndalojë kategorikisht zbarkimin e armatimeve, duke e parë si rrezik për nisjen e një lufte, ku vetë fatit të shtetit tonë të ri i vihej një pikpyetje e madhe. Duhet pranuar se si ngjarja në fjalë janë të shumta, duke krijuar me, apo pa dashje lidhje të tilla, që koha vërtetoi se nuk e ndihmuan aspak çështjen kombëtare. Pa u zgjatur, vetë marrveshjet e Mbretërisë Shqiptare me Italinë, shfaqen ndoshta jo si qëllim nevoje e shtetit të vogël, se sa si dominim me anë të arrogancës i shtetit të madh, pa lënë mënjanë njohuritë e jashtzakonshme të këtyre të fundit, mbi dasitë dhe natyrën konfliktuale të shqiptarëve.

Kështu pushtimi italian ndodhi, jo pa probleme me Gjermaninë, e cila falë pozitës historike në krijimin e shtetit shqiptar, e quante këtë zonë totalisht ndikimi e influence të saj. Megjithatë si dukuri jo e re tek shqiptarët, vetëm moria e madhe e delegacionit shqiptar për ti çuar kurorën Viktor Emanuelit III, si fundi i një periudhe pamundësie e pamjaftueshmërie  përfaqësimi  qeverisjeje nga vetë ata, spjegon njëherazi dhe akumulimin e një mali divergjencash, konfliktesh e armiqësish me pushtetin mbretëror. Nuk ka si spjegohet ndryshe ardhja e një numri aq të madh njerëzish tejet të arsimuar, aktivistë, vizionarë, properëndimorë, antitalianë të skajshëm,  kundërshtarë e ikona të luftës ndaj saj më 1920, të shumë shtresave aristokrate, por dhe e një borgjezie të re do ta quaja, të shihnin fare normalisht tek Italia shtetin e madh mbështetës e ndihmës.Ky rast do tu kujtonte atyre jo pa shkak, ekuilibrin aq të domosdoshëm kundrejt armiqëve tanë tradicionalë fqinjë. Për mendimin tim, parë në këtë kontekst, nuk duhet të jetë dukur si fundi i botës për ta, sepse nuk është hera e parë që kjo situatë përsëritet në kushte të reja, e që interesi kombëtar po shfaqet si gjëja e fundit, me të cilit ose do të humbnin, ose do të fitonin, sikurse mendonin shqiptarët.

Ngjarjet pas Luftës së Parë Botërore më 1919, siç i kemi përmendur, e dëshmojnë më së miri këtë fakt. Por një tjetër fakt e përjashton deri diku atë të shfaqur më lart, me të vetmën arsye se braktisja e Zogut ndaj pozitave e ndikimeve sllave në Shqipëri, kishte bërë që një numër i madh kundërshtarësh të tij, të mbështeteshin fuqishëm nga ata. Fakt është që pjesa më vitale e elitare e kundërshtarëve të tij, janë gati të sakrifikojnë në këtë çast aq të diskutueshëm historik, një pushtet, gjithsesi shqiptar, me një të huaj.

Kjo shfaqje e çuditshme për këdo sot, ku përjashtuar ndonjë divergjencë personale, tregon qartazi nga çdo lloj këndvështrimi e analizash historike, se Mbretëria Shqiptare në atë periudhë që koha i vuri në dispozicion koha, ka bërë fare pak në raport me zhvillimin dhe mundësitë, qofshin këto vendase apo në kontekstin e mardhënieve të Shqipërisë, me zhvillimim botëror. Këtu nuk mund të anashkalojmë natyrën e pakënaqur, me apo pa të drejtë të egos shqiptare, parish e gati treva të tëra, që deri tash rrinte e trysnuar nga lloji dhe struktura e këtij pushteti të anatemuar nga ata. Nuk duhet harruar fjala e thënë, sa e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, aq edhe me një përmbajtje plot diplomaci të Mbretit Zog, në një bastion antimonarki si Vlora: “Vlora mund të mos e dojë monarkinë, por unë si mbret ju dua, sepse Vlora i duhet Shqipërisë!”

Pushtimi italian mbylli kështu një kapitull mënyre të tillë qeverisjeje apo sundimi shqiptar, për të cilën duhet pranuar, në kohë e periudha të ndryshme ishin sakrifikuar vetë shqiptarët. Kjo deri në atë masë sa, pjesa e habitshme e mendimit të brezave që do të vijnë, komplikohet mjaft dhe ata do të jenë në vështirësi të jashtzakonshme për faktin se në nënshkrimin e humbjes së kushtëzuar të themi, të pavarsisë, kanë nënshkruar dhe firmëtarë të Deklaratës së shpalljes së Pavarsisë, ndoshta të lënë në harresë deri atëhere. Ndoshta ata do të mjaftohen me konstatimin e sotëm si vend paradoksesh.

Pas telegramit të falenderimit nënshkruar nga gjashtë krerë, sqarohet se,“Asambleja Kushtetuese Kombëtare, interprete e vullnetit të një zërit, ringjalljeje kombëtare të popullit shqiptar dhe si besë solemne për realizimin e tij, vendos që ta ofrojë në formën e një bashkimi personal kurorën e Shqipërisë, Madhërisë së tij Viktor Emanueli III, Mbretit të Italisë dhe Perandor të Etiopisë, për Madhërinë e tij dhe për trashgimtarët e tij mbretërorë”.

I ngjitur me verbalin e 10 prillit 1939 (gazeta “Shtypi”nr 570-576, Tiranë, prill 1939) Asambleja Kushtetuese që në kësi rastesh krijohet me urgjencë  prej 152 krerësh, caktoi delegacionin zyrtar për t’i dhuruar kurorën e Skënderbeut, Viktor Emanuelit III.

Në të gjithë këtë situatë dyplanëshe të krijuar nga pushtuesi dhe nga dëshira entuziaste e vetë shqiptarëve, mëndjembushur tashmë se shkëlqenin dhe në rrafshin e diplomacisë, filluan të kërkojnë me ngut ndonjë figurë të hershme dhe të spikatur, për ti dhënë delegacionit ngjyrë origjinale mendimi atdhetar e kombëtar. Por mjerisht nuk mund të gjëndet ndonjë e tillë, sepse vetë mënyra autokratike e monarkisë kishte bërë në periudha të ndryshme, spastrime jo të vogla të kundërshtarëve, qofshin këta dhe parimorë e me pikpamje republikane, por ngutja për të dorëzuar kurorën e bënte imediate gjetjen. Qëndrimet sa vijnë dhe konsolidohen, pa menduar aspak se ka edhe mendime radikale.

Pas shumë ndërmjetësimesh, një grup “i besuar” merr rrugën në këtë kohë dhe pasi i spjegon “përfitimet” e Shqipërisë, përpiqen të negociojnë me atdhetarin, tashmë në prag të shtatëdhjetave Bektash Cakrani, takim që ai e konsideron “turpi” dhe si qeshi hidhur tha: -Unë nuk i luftova në ’20, për tu puthur “dorën” tani, të njëjtët njerëzve. Duhet të mos kishit trokitur tek unë për këtë punë pazari me vatanin, se që kur leu dielli jam me të, jo tani e me ju! (Kujtim Cakrani, Vigevano (Pavia) 1982). Por dita e pushtimit nuk mund të kalonte për atdhetarin, që i kish luftuar po këta pushtues qysh herët, si një ditë normale, kur vendi i tij me ngjarjet që ndodhën kërkonte ndihmën e të gjithëve. “Në kohën e zbarkimit Italian unë kam ndodhur si zakonisht dhe si plak që jam në Cakran. Atë ditë mbasi pëshpëritej për një zbarkim të tillë unë bashkë me shumë shokë të tjërë kemi vajtur në Fier që të merrnim armë nga qeveritarët e atjeshëm për t’a pritur me luftë okupatorin, mirë po në Fier jo armë që nuk na dhanë, po kuptuam se qeverija e athershme me Mbret Zogun nuk kish ndërmend aspak që t’a prisnin armikun me pushkë. U kthyem pra të dëshpëruar gjith secil në katundin e vet..”(Arkivi Min.Brëndshme, dosja e deponimeve B.Cakranit,1945)

Ngjarjet e mëvonshme treguan se Italia u tregua e kujdesshme sidomos në aspektin ekonomik, për të treguar jo vetëm fuqinë e vendit të madh, por edhe për të bërë diferencën me regjimin e monarkisë, aq të anatemuar. Në një shkrim mjaft interesant, dërguar për pranim azili shtetit amerikan, me mundësi trillimi zero, Mustafa Merlika shkruan: -Gjatë periudhës së pushtimit me produktet bujqësore.. dhe miellin italian, që arrinte në qindra e mijra thasë, populli shqiptar pati një bollëk mallrash ushqimorë si asnjë popull tjetër në Europë, mallra që ndonëse vini nga Italia, ishin të racionuar atje. (M.Merlika, Aleksandri, 1952)

Deri në vitin 1941 problemet në Shqipëri problemet siç dihet, rëndonin moralisht përgjithsisht mbi krahun e shëndoshë nacionalist, i cili e shihte pavarsinë e Shqipërisë të patjetërsueshme. Ata shihnin me shqetësim të madh se armatat e ushtrisë italiane, të cilat po arrinin në një shifër të paimagjinueshme deri atëherë, prej 650 mijë trupash, pavarësisht se ishin suport i luftës me Greqinë, çmimin e madh duhet ta paguante populli shqiptar. Duhet pranuar se ndikimi në popull i propagandave të tjera, në çfarë do përmase qofshin, nuk e superonin dot atë tradicionale, kuvendet, thirrjet dhe luftrat për liri.“Pas agresionit gjerman kundër Bashkimit Sovjetik, organizatat komuniste deri më atëhere të qeta, thuajse të kënaqura, u vunë kudo në lëvizje” (M.Merlika, Aleksandri, 1952).

Në kontaktet e ndryshme të këtyre viteve, fare të zakonta me ushtarakët italianë (“përkthe” tanët, tashmë jemi nje shtet), në vajtjet e tyre për gjueti në Karavasta, territore të poseduara nga i vëllai, atdhetari tjetër, firmëtari i pavarsisë Hajredin Cakrani, nuk mund të mos evidentojme një episod sinjifikativ, të treguar nga intelektuali, student i atëhershëm në Budapest Qani Cakrani. I biri i firmëtarit, Hajdar Cakrani gjatë studimeve në Itali, në miqësinë me konsullin japonez, kish mësuar një “lojë” të tyre antike, ku një shpatë samurai kur binte mbi një sipërfaqe druri, plus hollësirat, tregonte kohzgjatjen e ekzistencës së dominimit apo sundimit mbi diçka. Kështu ai blen ose merr dhuratë shpatën, e cila i shtohej koleksionit të pasur të armëve mesjetare, që kishin si “detyrim” mbanin familjet e mëdha me të kaluar luftarake dhe një ditë e zhvilloi këtë lojë përpara ushtarakëve italianë që pas gjahut kishin bujtur në shtëpinë e tij. Në të tre herët e përsëritjes së saj, për çudi shpata qëndroi e ngulur në të njëjtën interval kohe, i cili gjatë përllogaritjes nuk doli më shumë se dy vjet, dhe duke qënë viti 1941, një kohë kur Perandoria e Savoiës, pavarësisht nga agresioni tjetër me fqinjët grekë, gjithsesi e ndjente veten në lulëzim. Kjo i shokoi italianët sepse tingëlloi vërtet si profeci. Jo për koinçidencë, i njëjti njeri që i “mikpriti” në këtë mënyrë, themeloi pak kohë më pas, të parën çetë luftëtarësh me një pjesmarrje të gjërë, rreth 80 vetë kundër pushtuesit italian, në një kohë kur i ati nuk është më, pesha e traditës luftarake i binte atij. Evidentojmë se çeta tjetër që operonte në zonën e Myzeqesë së Lushnjës, ishte krijuar e udhëhequr nga një tjetër njeri, jashtë mase praktik e njohës i përsosur vendi e terreni, natyrisht që rridhte nga familjet e pasura të Imshtës, Feredun Xhindoli, por me parime e bindje të majta. Theksojmë këtu se krijimi i këtyre formacioneve luftarake fillestare kishte si bazë grupim fisnor, fshat e deri krahinë, gjë që po të shtojmë këtu dhe konspiracionin, e vuri në vështirësi armikun për të kryer operacione ndëshkimore ndaj tyre.

Është fakt që historiografia ndaj Luftës së Dytë Botërore dhe zhvillimeve të saj në Shqipëri, ose në rastin komod është quajtur “Mollë e ndaluar”, me një frikë të paspjegueshme trajtimi e studimi, ose në rastin tjetër ajo është interpretuar sipas interesave të secilit krah politik. Ky formulohet si fakt i turpshëm për këtë si shkencë tek ne dhe për ata që marrin “pronësinë” e saj, me emërtimin rëndom sot “historianë”, të cilët për hir të së vërtetës, jo nuk i merr për bazë asnjë katedër studimore perëndimore për Ballkanin, por nuk i njeh fare. Gjëndja është e tillë në këtë shkencë, sa unë do ta quaja pa drojë “fushë të minuar”, që nuk do të guxonte njeri as ti afrohej tinëz në trajtim akademik, ndonëse ata të konsumuarit vazhdojnë në të njëjtin gjykim, paragjykim (jo analizë) e gjithçka që mund tu vijë dorësh. Në këtë analizë të domosdosdoshne e jetike historike, ne siç shihet, mundohemi të hymë me armët “fakte” dhe mburojë “të vërtetën”.

Por pushtuesi mbetet pushtues, pavarsisht se në këtë kohë Shqipëria bën pjesë në Mbretërinë e Savoiës, patriotët në fjalë, falë pozitës në raport me atdheun, nuk mund të bëjnë këtë “herezi” dhe mbetën të pandikuar nga këto fenomene, që u bënë të zakonta e që në fakt ishin probleme thelbësore për kohën, ku si shëmbull mund të sjellim antarësinë në Partinë Fashiste. Nuk kishte punonjës të administratës me ligj, por edhe për probleme të tjera e çfarëdo lloj privilegji, dihej se antari i Partisë Fashiste kishte prioritet të madh. Këtu e gjen spjegimin ajo që e dimë tashmë, se pjestarët intelektualë që bënin pjesë më vonë në Partinë Komuniste dhe krejt formacionet e majta fituese, vinin nga ekstremi i djathtë, Partia Fashiste. Këtu duhet përmendur delegacioni  shqiptar në Konferencën e Paqes Paris 1946, për vështirësitë që pati në këtë pikë. Në kohën që po referonte presidenti i shtetit, strukturë kjo që në vendet demokratike është e shenjtë, delegati grek e ndërpreu duke thënë se, fuqitë fituese ndaj fashizmit nuk kanë pse dëgjojnë fjalimin e një një antari të Partisë Fashiste, gjë që rezultoi e vërtetë, pasi me rënien e papritur të Italisë Fashiste nuk dihet të ketë ndonjë përpjekje, mbledhje a deklaratë për daljen nga partia të këtyre krerëve, të cilët përgjithsisht nuk e gjenin dot vendin në gjirin e nacionalistëve. Nuk mund të mos përmëndim këtu një trakt të atyre kohëve të krahut nacionalist, që detajon këtë problem, duke anatemuar kreun e mësipërm dhe interesat e ngushta të këtyre njerëzve, por që po komplikonin dukshëm çështjen kombëtare. “..vallë, Zoti doktor Ymer Nishani, drejtor i gazetës “Liria Kombëtare” , ç’thua zotrote ? Në se s’ke ndonjë gjë për të thënë, t’a themi ne.. si këshillëtari fashist, pioner i sotmë i komunizmit në Berat Pasho Bej Hysi Vërzhezha, priti sa u-mbyll Dhoma Fashiste, gjer sa mori rrogën e fundit për të ndërruar me një herë shënjat e liktorit me yllin sovietik.. Po për Ibrahim Dervishin, një nga drejtonjësit e Partis Komuniste në Vlorë, ç’thoni ju vallë kur t’ju kujtojmë se ky ish-fashist fanatik i ka bërë lutje Komandës Italiane për të luftuar në Abisini si edhe në Spanjë, krah për krah me këmishat e zeza glorioze të Duçes? Ç’ thua ti për këtë punë z. Mehmet Shehu ?” Dhe trakti apo deklarata përfundon me “thirrjen”: “O burra pra o Fejzi Alizoti, Mustafa Kruja, Hilmi Leka, Nush Bushati, Kol Bib Mirakaj, Terenc Toçi, Ernest Koliqi, dhe ju o Djevat Kortsha, Jakov Milaj, Vasil Alarupi, vraponi te Nacional-Çlirimtarja se Muharrem Vllamasi, Sekretar i përgjithëshëm i Partisë Fashiste Shqiptare, me Ymer Nishanin dhe me Sulo Bogdon ju presin me krahë të hapta, edhe sepse “Lëvizja Nacional- Çlirimtare” i ka shtrirë dorën jo vetëm atyre që ishin në pozita të këqia në 1940, por edhe atyre që janë në pozitë të keqe në 1943: domethënë edhe Papalilos (kuestor i Tiranës-red)”. (P.Komuniste apo terroriste?, 11, tetor 1943).

Vazhdon…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top