SHKRUAR NGA KASTRIOT BIMO
…Ç’ndodh më vonë, në fund të luftës, në atë epilog të hidhur, të turpshëm, të pamerituar për atdhetarin, e ndjekim më pas. Si komandant operacioni i biri, arreston edhe 11 këshilltarët e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar të fshatit Hekal, dhe jo siç e njohim rëndom ngjarjen nga filmat shqiptarë, të pushkatuar nga gjermanët, në këtë anarki totale e luftë vrastare, ngjarjet kanë një rrjedhim tjetër. “Atë natë i çova tek shkolla e Gorishovës dhe lashë roje, që të mos luanin. Kishin ardhur pastaj Isuf Hasani me të tjerë dhe i kishin vrarë të tërë, për të marrë hakën e të vellezërve të vrarë nga këta te Frontit..” (K.Cakrani, Vigevano (Pavia)1984)
Është e tepërt të shtosh këtu thellimin e luftës civile me një hakmarrje të verbër ballkanase, duke përjashtuar çdo rregull loje, kalon në krime të shumfishtë. “Ditën 21 tetuer 1943, brigata partizane e komandueme prej Mehmet Shehut, sulmon çetat e Ballit Kombëtar dhe, mbas nji lufte të tmerrshme në kodrën e Cen Hasanit dhe malit Hajdaranjit, mundi me kapë 63 veta robër. Sejcilit prej këtyne 63 robërve Mehmet Shehu, i bani këtë pyetje: a do luftojsh përsëri në radhët e Ballit apo do të luftojsh në radhët tona? Prej 63 robërve vetëm njeni pranoi me u futë në brigatën e tij. Të 62 të tjerët refuzuen kategorikisht dhe me krenari. Ata deklaruen se janë me Ballin Kombëtar, sepse janë të bindun se Balli lufton për lirimin e Shqipnisë. Mehmet Shehu dha urdhën atëhere qi të pushkatoheshin të 62 vetat, kundra çdo rregulli dhe ndjenje njerëzore. Dhe ç’asht me të vërtetë ma e pabesueshme, ndaloi ekzekutuesit t’u ipshin atë qi quhet , “colpo di grazia” me revolver atyne qi s’u kishte dalë ende shpirti por i detyroi t’i thershin me thikë!(pasojnë emrat dhe katundet)” (Isa Toska dhe Zanini në fig M.Shehut, 6 Nanduer 1943) Lufta është luftë, por kush mund të marrë përsipër të thotë se kjo nuk është luftë civile, madje nga më të egrat, ku nuk funksionon asnjë rregull loje. Për gjërat e dukshme e që shfaqen hapur, kushdo qofshin ato, një fjalë e urtë angleze thotë: “Edhe po ti pjesëtosh për dy, prapë dalin shumë”. Këto krime të pastra hakmarrëse në këtë luftë të egër, nuk do ti justifikonte askush që njeh dhe zbaton, ndoshta jo konceptin njerëzor, por atë juridik, të vendosur nga konventat ndërkombëtare për trajtimin e robërve në mbarë botën. Trakti vazhdon. “Hadi Kasimati, student në mjekësi dhe luftëtar i orës së parë..komunistat i prenë kokën me thikë!..Këto masakrime nuk janë të rastit, por i nënshtrohen një programi të caktuar nga njerz kriminelë që duhet të damkosen në Historinë t’onë Kombëtare, me vulën e një barbarizme, që kalon edhe atë të Gjengjis Khanit ! Në të gdhirë të ditës së mërkurë, 13 Tetor 1943, çeta komuniste e kryesuar nga Agush Gjergjevica, kapi në Melçan të Korçës Bexhet dhe Xhevdet Bulgarecin, i pari Kryetar dhe i dyti pjestar i Çetës së Ballit Kombëtar në Bulgarec. Këta dy djem idealistë, nasionalistë shqiptarë, u masakruan në mënyrë barbare të pashëmbëlltë, duke i u prerë hundën dhe veshët, duke i u nxjerrë sytë, duke i u thyer nofulla dhe krahët dhe duke i prerë organet seksuale!( Një barbarize që të ngjeth.. 26 Tetor 1943) Ky monstruozitet i kalon kufijtë e njerëzores, ku nuk mund ti atribuohej dot asnjë njeriu patologjik sadist, aq më tepër kur bëhej fjalë për ushtri e robër të huaj. “Më thirrën në mesnatë nga gjumi dhe më thanë; -Ngrehu se të duan në shtab! U ngrita shkova në një shtëpi pa dritë dhe kur kapërceva prakun, njoha Dushanin me sytë që i ndritnin.. Më thanë : “O Xhelal, në Orenjë të Çermenikës janë 111 karabinierë, merr batalionin tënd, shko atje, vraji se kemi nevojë për petkat e tyre për të veshur partizanët. Ruaju, mos të shpë-tojë ndonjë fjalë, pse është konspirative. E na del sekreti në shesh se italianët tani janë miqtë e Aleatëve e protestojnë kondra nesh. Aq më tepër, po ta kuptojë këtë gjë Balli, merr një armë në dorë për të na luftuar..” Çfarë del nga goja e Dushanit, s’ka diskutim. Shkoj në Orenjë në qëndërn e batalionit të Çermenikës e të Brigadës II që ishte në formim e sipër. Të nesërmen, të 111 karabinierët bashkë me kolonel Gamuçin në krye dhe dhjetra oficerë të tjerë, i mora duke thënë se do të shkonim në Burrel. Mbas dy orë udhëtimi, karabinierët i lidha, i ndava në pesë grupe dhe mbasi i xhvesha lakuriq, i pushkatova. 17 i kam vrarë vetë..”(AQSH,Xh.Staravecka, trakt:Torturë e terror) Një dëshmi tjetër, krejt e rrallë del nga një fëmijë: “Kur një ditë erdha nga shkolla, në hyrje të shtëpisë më priste një burrë, që tha se quhej Xhelal Staravecka dhe kërkonte babanë. Unë e ftova në sallon, pasi kisha dëgjuar nga babai se ky njeri, krenohej nëpër kafenetë e Italisë se kishte vrarë me dorën e tij aq e kaq italianë. Tërë kureshje e pyeta se a ishte e vërtetë dhe si ishte ndjerë kur kish vrarë me dorën e tij aq njerëz. Gati harrova fare mirseardhjen dhe fillova ti bëj një kafe, sy e veshë. A nënqeshi dhe me që këtë pyetje duhej t’ja kishin bërë rrallë dhe m’u përgjigj: -Dëgjo moj vajzë, edhe unë kështu mendoja në fillim, por sa të vrasësh të parët është, pastaj s’ndjen më gjë..” (Hana Këlcyra, Tiranë, 2012)
Këtë masakër e pohon dhe Kadri Hoxha në dëshmitë e tij.“Në Labinot na lajmëruan se në Orenjë ndodheshin rreth 130 karabinierë italianë dhe oficerë të karabinierisë. (edhe koloneli nënkomandant i shtatmadhorisë së karabinierisë italiane në Shqipëri-red) U këshilluam me shokun Baca, (pseudonimi i Ramadan Çitakut-red) i cili pranoi propozimin tonë për ekzekutimin e këtyre.. I ekzekutuam që të gjithë në mënyrë konspirative.”(AQSH, f; 4, d;32, v 1943) Ai më poshtë vazhdon: Këtë krim mbi vrasjen e robërve, e pohon me gojën e tij Mehmet Shehu: ‘I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative”. (Kadri Hoxha..Tiranë 2006) Qysh në lashtësi historia na mëson tiparin kryesor të zhvillimit të luftrave dhe lidhjen e tyre me paqen, ku robërit e kapur në luftë, nuk vriteshin, por bëheshin menjëherë skllevër.
Por megjithë operacionet e përbashkëta me ushtrinë gjermane, që janë fakt në sa raste, ndodhin në bashkveprim me njësitë e ndryshme lokake të organizatës, në një kohë më të vonë. Komandanti i Përgjithshëm detyrohet të vijë në Vlorë ilegalisht, së bashku me krerët e tjerë. Ndërkaq brenda vetë Ballit Kombëtar janë shfaqur divergjenca konfliktuale, të cilat precipitojnë dukshëm në decentralizimin dhe egon e shumë krerëve jugorë, për të kryesuar luftën. Në këtë konflikt që do të ketë dhe viktimat e tij, ka diçka që e bën organizatën tejet armike me gjermanët, të cilët nuk mund të tolerojnë qëndrime të tilla. Bëhet fjalë për misionet aleate anglo-amerikane të zbarkuar në shpellën e Karaburunit dhe një fotografi, ku një nga krerët e organizatës ka dalë mës tyre, tashmë në tavolinat e Gestapos, nxjerr zbuluar jo vetëm krerët e organizatës, por rrezikon seriozisht vetë misionin. Këtu e ka zanafillën në realitetin e atëhershëm shqiptar, atashimi tek nacionalistët i misioneve aleate, por pas këtij rreziku të papritur e imediat, urdhërin e marrë nga qëndrat përkatëse për depërtimin sa më larg rrezikut gjerman, pra atashimin pranë shtabeve të formacioneve ushtarake të majta partizane, e bënë fakt. E përfshirë në kaos organizata Balli Kombëtar, me një model tipik si ai i krahut të majtë, komandant luftarak plus udhëheqës politik, vepron tashmë e copëzuar, ku disa krerë kanë bërë marrveshje me trupat gjermane, duke marrë nga ata një sasi të madhe të hollash dhe armësh, për shkak të zhvillimit të operacioneve luftarake ndaj atyre të majta partizane. Operacionet zhvillohen të pakoordinuar dhe disa me mbështetjen e trupave gjermane, pas marrveshjes së prishur të këtyre të fundit, me krerët e njësive partizane, të cilët kanë marrë urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm Ushtrisë N.Ç, që krahu i majtë komunist, mbështetur nga jugosllavët, e ka të sigurtë tashmë fitoren (përkthe-pushtetin), nga faktori aleat BRSS Anglo-SHBA. Aleatët, në strategjitë e tyre, falë edhe sugjerimeve të J.B.Titos, për të mbështetur PKSH-në në Shqipëri, të ndihmuar dhe nga faktorët e mësipërm, nxitojnë të marrin pjesë në Kongresin e Përmetit, përkthyer kjo në pagëzimin e pushtetit të nesërm të këtyre të fundit. Kjo i bën njësitë luftarake të Ballit Kombëtar, të krijojnë një “modë” bashkpunimi operacional për asgjesimin e njësive të majta partizane, me komitete legalë, vendosur kryesisht nëpër qytete.
Në këto kushte kaosi, anarkie dhe terrori, është e tepërt të përllogaritësh jetën ekonomike të evidentohet si ekzistente, kështu që tregtarët e qytetit të Fierit, nga përsona ilegalë ndihen të kërcënuar, si jetën dhe pasurinë nga një numër jo i vogël kërcënimesh e gjobash në rritje. Ata bashkpunojnë për këtë problem me komandën ushtarake që gjëndet në qytet, që sipas rrjedhës logjike të ngjarjeve, është e organizatës së Ballit Kombëtar. Ata duke pranuar që një pjesë të ndihmave materiale e ushqimore ti dorëzojnë pranë saj, në bazë të një dokumentacioni fiskal që do të vërtetonte këtë veprim të kushtëzuar tashmë, kërkuan për këtë arsye të ngrihej një komitet me veprimtari ekonomike, pasi financiarisht nqs. bëheshin shlyerjet, natyrshëm do të bëheshin jo tek ky organizëm, gati formal, i cili ishte ngarkuar vetëm me shënimet e ndihmave të tregtarëve. “Mbas dy tre muajve të qëndrimit t’im në Fier, në Jenar ose Shkurt 944 në një mbledhje që bën parësija dhe tregtarët e Fierit u vendos formimi i një komisioni prej 16-17 vetave për mbajtjen e qetësies në Fier, si dhe mbledhjen e ndihmave për nevojat e ballit që të evitoheshin kështu grabitje nga persona të tretë..dhe të përbëhej nën kryesinë t’ime, me anëtar Pilo Papaj, Vasil Tasija, Idriz Bule, Lon Verija, Fetah Peshtani, Pavlli Gushua, Aqile Tiçua, ky si sekretar dhe disa të tjerë. Unë në këtë komitet nuk i musha dy muajt dhe kemi bërë 10 mbledhje nga një herë në javë. Në këto mbledhje asht vendosur dhe biseduar rreth fornizimit nga tregtar të ndryshëm të forcavet të ballit dhe rreth pagimit të tregtarëvet dhe vendimet e dhëna kanë qënë vetëm e vetëm për pagimin e tregëtarëvet në bazë të dokumentave të paraqitura”. (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945)..
Vazhdon..