PJESA E DYTË: PËRSE ENVER HOXHA I FLAKU ESHTRAT E SKENDERBEUT?!

Kastriot Bimo

“Koha e shkurtër e jetës dhe e lavdisë së Skënderbeut, shqiptarët i çoi në arenën e historisë së përbotëshme dhe u siguroi një vend nderi në historinë e Europës.”. (Josef Vinarzhi)

Vijon nga nr.1

Megjithatë deri në kohrat e vona, ato ku studimi i veprës së Marin Barletit, pjesës thuaj të vetme studimore, bëhej me lupë, duke marrë pjesët që i interesonte sistemit diktatorial, madje duke dhënë edhe interpretimin që në fund të fundit nuk i përgjigjej aspak të vërtetës. Duhej të përmendej si fakt i pakundërshtueshëm marrveshja me Papatin, por gjithmonë në dritën e ateistit Karl Marks, i cili shprehej për vizitën e Skënderbeut në Vatikan dhe për marrdhëniet e tendosura, që për hir të së vërtetës ekzistonin: “Skënderbeu vajti në Romë te Pali i II-të për të kërkuar ndihmë, por ky qelbanik ishte tepër koprac për t’i dhëne atij të holla që të merrte në shërbim ushtarë: Skënderbeu, si nuk shtiri dot gjë në dorë, u kthye në vendin e tij”.

Por si qëndronte e vërteta e marrveshjeve e mosmarrveshjeve të tij me Papatin? Papët, në këtë periudhë të ngjeshur me ngjarje dhe luftra, ishin Nikola i V-të (1447-1455) dhe Kaliksti i III-të (1455-1458), por një tjetër letër zbulohet dhe hedh dritë në këto marrdhënie nga mesi i viteve ’60. Qysh në pranverën e vitit 1456, informacionet, por dhe pararojat zbuluese, mësojnë se një ekspeditë e madhe osmane po nisej drejt Shqipërisë, fakt që e bën Skënderbeun të dërgojë më urgjencë të dërguarin e tij, Pal Dushmanin në Vatikan. Ndihma e jashtme nuk mund të mendohej kurrsesi pa pëlqimin Papës, i cili përveç fuqisë së tij financiare, ushtronte një pushtet të shumfishtë mbi mbretërit dhe princërit në Europën katolike të asaj kohe, pa përllogaritur ata të principatave në Apenine. Papa, relativisht i ri në fron, nuk e mori seriozisht kërkesën, duke e përcjellë të dërguarin, për të mbledhur organet e diskutuar ndihmën, ndërkaq koha në Arbëri nuk priste. Kjo gjë e bën Skënderbeun të dërgojë një letër, po urgjente, në adresën e njërit nga këshilltarët më të afërt të vetë Papës, “mikut” të Alfonsit të V-të, një zyrtari me pikpamje më të spikatura kundër ekspanionit otoman, pra “përkrahësit” të ideve të tij, kardinalit të Fermos Dominik Kapranikës më 8 të prillit 1456, pikërisht atë që bëhet fjalë. Në vitin 1967, studiuesi i njohur i antikitetit në atë kohë, Dhimitër Pilika e “zbuloi” letrën dhe në studimin e tij mbi marrdhënet e Skënderbeut me Papatin, megjithëse mban një frymë dhe një qëndrim të rreptë duke hulumtuar dhe konstatuar me hollësi mosmarrveshjen e duke e hedhur natyrshëm fajin mbi pushtetin kishtar qëndror, që nuk bëri atë që duhej për ndihmën në mbrojtjen e portës së fundit drejt Krishtërimit. Që në pamjen e parë, natyrisht parë kjo në optikën e kohës, zbulimi ishte sensacional, trajtimi si duhej, fajtor Papati, krahasime me kushtrimin e PKSH-së në Luftën Nacional-Ҫlirimtare, kështu që nuk mund të mungonte asgjë në dukje. Instituti i Historisë lëshoi një valë kritikash të ashpra, gjë që e bënë studiuesin të shihte qartë, se me temën e trajtuar, kish shkelur në një fushë të minuar, vetëm e vetëm se Krishtërimi ishte i pranishëm në marrdhëniet e heroit. Ai do ti drejtojë Enver Hoxhës një letër në formë pendese, se mund të kish rënë në “gabime ideore”, dukuri fatale për kohën me pasoja të pallogaritshme, a thua se ishte një roman artistik dhe këndvëshrimi ishte larg vijës së Partisë. Sigurisht që Enver Hoxha u informua, por nuk e kqyri në thellësi fenomenin, pasi ishin të tjerë një armatë e tërë “kritikësh” që mund ta çonin fjalën e Partisë në vend. Ai kishte “punë” të tjera, shumë më të rëndësishme.

Studimi i Pilikës sjell të dhëna aq shumë të rëndësishme për letrën në fjalë, sa ai më shumë i ka komentuar ato i detyruar, se sa ka paraqitur tekstin real, pasi dihet se shpalosja e një tabloje të gjallë të marrdhënieve, sado të tendosura të kenë qënë ato, do ta komplikonte aq shumë situatën, me atë strategji famëkeqe antireligioze që po shpërthente, sa që letra e Pilikës në 2 Prill 1967, do të dukej si një kartolinë urimi.

Letra së pari paraqitet e një rëndësie historike, pasi spjegon qartë se kush ishin bashkpunëtorët, këshilltarët dhe ambasadorët e heroit në Europë: “Letra na përmend qartë emrin e të dërguarit të Skënderbeut në Romë, Pal Ëngjëllit, i cili çmohej si mendimtar i shquar dhe si njëri ndër këshilltarët më të afërt të Gjergj Kastriotit. Vlen të shtohet me këtë rast se Skënderbeu ka ditur të zgjidhte bashkëpuntorë të zotë si Pal Ëngjëllin apo humanistin tonë të dëgjuar n’Evropë, matematicienin dhe astronomin Gjon Gazullin (1400-1465), i cili i pat vënë aftësitë e tij, qysh më 1451, në shërbim t’atdheu dhe të Kastriotit”.(Dh.Pilika).

Interpretimi i kushtëzuar i Pilikës dhe këndvështimi për kohën zbulon, ndoshta pa dashje, një të dhënë jo të zakontë në këtë letër: “fakti që ai s’lyp këtu ndihmën e Vatikanit apo të mbretërve, por kërkon shprehimisht t’i “sigurohet ndihma e popujve”. Një përkufizim i tillë, mbase në çdo gojë tjetër më 1456, do të tingëllonte i pabesuarshëm: Gjergj Kastrioti, me logjikën e tij fenomenale, në këtë shteg, sikur kapërxen shekuj!” (Dh.Pilika). Por sot duket fare qartë lëvizja diplomatikë për të “kryqëzuar” selinë e kryqit, duke e vënë në mënyrë kategorike atë, përpara një fakti real, të kryer, mbi përgjegjësinë e Papatit ndaj vendeve të krishtera, mes të cilave bënte pjesë në çdo lloj rrethane e gjykimi me të drejta të barabarta kështu dhe shteti i Arbërit. Kjo padyshim ka zgjuar xhelozinë e princërve e principatave italiane, fakt ky dhe nga përgjigja që i jep njërit prej tyre në një tjetër lëtër Skënderbeu, të cilëve po u hynte në pjesë një vend me probleme, një princ kryeneç plot kërkesa, duke u prishur qetësinë dhe favoret. Pasi ndjek mendimet plot mllef të tij, ndaj një njeriu që “justifikohej” kur kërkonte ndihma nga ata, mendime që shkonin deri tek fyerjet ndaj tij, duke i injoruar dhe pjesën më brilante, luftën dhe qëndresën, heroi i përgjigjet duke i kujtuar se shqiptarët kanë në ato territore mijra vjet të kaluar ndër luftra: “..nuk dua të të kundërshtoj, por vetëm të të kujtoj se jemi ndeshur me ju, dhe pothuaj në të gjitha rastet fitorja ka anuar nga ne..” duke aluduar hapur për fushatat e mëdha dhe luftrat epike të Pirros me Republikën Romake. Ndikim tjetër ndaj Papatit, sipas analizës historike, si dhe fakteve që paraqiten, dokumentave etj.është ajo se xhelozinë princërit vendas e vishnin me çfarëdo lloj argumenti mbi tabutë, se Perandoria Romake e Perëndimit ka qënë e tillë, qysh herët, me kufij të përcaktuar e pranuar edhe nga Koncile e urdhëra të tjerë, që rrjedhimisht bënte të pamundur ndryshimin e hartës, duke u zgjeruar në Lindje. Ata përpiqeshin me rënien e Kostandinopojës vetëm tre vjet më parë, më 1443, si dhe rënies, atdheut të kulturës helenistike që u bë tipar i Perandorisë Bizantine, Greqisë, e cila ra po këtë vit (1456), ku trysnia e dhjetra ekspeditave ushtarake osmane prej qindra mijë trupash të drejtohej në vendin e Arbërit, ta trajtonin qëndresën e tyre, që në fakt po ruanin atë copë tokë që të lidhte me Europën, praktikisht fare të pamundur në sytë e tyre. Kështu arbërit mbetën “si e vetmja mbrojtje dhe mbështetje” n’Evropë kundër mizorisë anadollake”, detyrohej të pohonte edhe vetë Xh. Navari, i deleguari i Papës në Shqipëri. Ishte më se e qartë se osmanët përgatiteshin për këtë gjë në vitet 1453-1456 në kalimin nëpërmjet brigjeve të Arbërisë, ndaj kjo situatë e rënduar i bënte mosbesues princërit e Apeninëve, të cilët ja përcillnin mandej Papatit me ngjyra të errëta dhe që duhet theksuar se nuk bindëte dot në atë kohë, as më entuziastin në planet. Beteja e Beratit disa muaj para letrës, më 26 Korrik 1455, në të cilin ushtria e Skënderbeut la rreth 6000 të vrarë, e kishte errësuar fare tablonë e qëndresës, me lajmet e kobshme që kishin çuar në Apenine mbeturinat e regjimentit napolitan, që Skënderbeut ja kish dhënë si ndihmë mbreti i Napolit, e që për pak u flijua i tëri. Noli e shpreh qartë: “Ishte periudha më e rrezikshime. Shumë kishin nisur të dyshonin për zotësinë e Skënderbeut”. Meqënëse nuk kish asnjë fije shprese në faktorë të tjerë, rreziku imediat i rënies së Arbërit dhe kalimi i ushtrive turke nëpër ngushticë drejt Apeninëve, ku numrit të trupave osmane nuk mund tu bëhej ballë, u shfaq aq papritur në të gjithë drejtuesit e principatave italiane, madje dhe vetë Papatin në plan të parë, opsioni i negociatave me osmanët. Frika nga këto flirte ishte evidente dhe do të dëmtonte në mënyrë të pandreqshme marrdhëniet e Skënderbeut me Papatin, ku kish të ngjarë të thyente besimin ndaj vetë përfaqësuesit të Krishtërimit. Skënderbeu në këtë çast, detyrohet të shprehet me fare pak diplomaci, pasi kjo situatë nuk zgjidhej me “lavdërime dhe bekime apostolike”, për të bërë ç’është e mundur të evitohej marrveshja mes tyre dhe osmanëve, gjë që do të rëndonte situatën skajshmërisht: “Me hekur, jo me fjalë, i duhet përgjigjur armikut”, sikurse na e kanë lënë të parët!”

Marin Barleti, thuhet se i është referuar edhe një dorëshkrimi të G.Kolinoviçit mbi fjalët e Skënderbeut, i cili opsionin e luftës dhe qëndresës nuk e tjetërsonte, i bindur se ajo duke qënë e drejtë si luftë, e drejta shihet si hyjnore: “Unë nuk flas me njerëz, që i mohojnë luftrat e drejta.. Është turp të pranoni ndonjë fat, që s’është në dorën dhe shpatën tuaj, sepse edhe perënditë ndodhen zakonisht atje ku është e drejta..

ne luftojmë me të drejtë për të sprapsur dhunën e për të jetuar në paqe.. Armiku s’vjen kundër nesh i shtyrë nga urrejtja e drejtë e luftës as si një armik i vërtetë.. respekto para së gjithash drejtësinë.. Fqinjët nuk e mohojnë këtë luftë shumë të drejtë.. E kush tjetër, veçse i urryeri nga perënditë dhe nga njerëzit, mund të mohonte një luftë kaq të drejtë..?”

Qëndresa e Skënderbeut bëri epokë me emrin “Moti i Madh i Arbërit”dhe iu bë barierë Perandorisë më të fuqishme të kohës, por e vërteta gjallon e pakundërshtueshme tek fjalët e lëna prej tij: “..po të kisha mbetur i mundur unë, sigurisht Italia do ta kishte ndjerë rrjedhimin…” Me 50 mijë dukate të Papatit në 25 vjet, kur 200 mijë dukate të ardhurat shtetërore vjetore, heroi i shkrinte për luftën, me ndihmat e Venedikut, kur ajo nuk do tu mjaftonte dot për jetesë as 200 fisnikë italianë për një vit (Dh.Pilika) Skënderbeu bëri qëndresën më të madhe deri atëherë ndaj një numrit të tillë të trupave, 150 mijë, e pandeshur deri atëherë (më pas do të hasim shifra të tilla si 200 mijë osmanë në portat e Vjenës, 630 mijë francezë në Rusi, Bonaparti, e deri tek luftërat botërore të shek XX), me një aftësi mbrojtëse prej 14 000-15 000 trupa (Anonimi tivaras shënon 14.000, Marin Barleti 15.000, Dhimitër Frëngu 15.000 (Dh.Pilika). Ai e fitoi qysh kur e pranoi konfliktin e pabarabartë për mbrojtjen e vendit të tij, dhe nëpërmjet tij gjithë Europën, titullin “Kalorës i Krishtërimit”, gjë që e gjejmë tashmë në fjalët e Sulltanit më më të egër, pushtuesit 21 vjeçar të Kostandinopojës, Mehmeti II Fatihu (Triumfatori), të thëna tërë pezm që nuk ja bënë të mundur realizimin e misionit të tij pushtues në histori: “Sikur të mos ishte lindur Skënderbeu, unë do t’i kisha dhënë për burrë gjirin e Adriatikut Republikës së Venetikut, do të kisha vënë çallmën mbi kryet e Papës dhe gjysmëhënën mbi kubenë e Shën Pjetrit.”  Duke qënë të panumërta edhe vlerësimet për heroin tonë, unë sa për ilustrim do të shkëpusja atë të humanistit çek Jozef Vinarzhi: “Koha e shkurtër e jetës dhe e lavdisë së Skënderbeut, shqiptarët i çoi në arenën e historisë së përbotëshme dhe u siguroi një vend nderi në historinë e Europës. Vendet e perëndimit duhet t’u jenë mirënjohëse që ata e përmbajtën vërshimin turk pikërisht në kohën kur ky pat qënë më i rrëmbyeri”.

E dyta, ka të bëjë me epilogun, fundin e heroit.
Nga më interesantët paraqitet Marin Barleti, biografi më i hollësishëm i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, pasi ai përshkruan edhe ato pika të errëta, të veshura me mister,thënë nga shumë të tjerë, por dhe të patrajtuara nga kronikanë, biografë ato dokumenta historikë, që do të përbënin fakte të rralla. Për këtë arsye dëshmia e shkrimit të tij mbetet unikale dhe një fund i trishtë, por gjithsesi epik, që për shumë arsye dhe vetëm për atë si opsion i vetëm, na u paraqit si “Bibël” në gjysmën e dytë të shek. XX. Kjo jo se Marin Barleti nuk i kish qëndruar besnik zhvillimeve dhe çështjeve të epokës, si bashkohës i heroit, përkundrazi, ai i interpreton si një thirrje të mpleksur me atë traditë lavdie, tipar i qëndresave të Skënderbeut: “Mos kujtoni se turqit janë të pathyershëm, ata mund të thyhen fare mirë prej jush, ashtu si i kini thyer sa e sa herë.. Prandaj sulmet e kota dhe boshe të barbarit t’i prisni me plot zemër e ngazëllim, të talleni me guximin e tij, sepse ai në atë mënyrë s’bën tjetër veçse i bie murit me kokë..Trimëria është e mësuar me rreziqet, e rritur me vështirësitë.. njerëzit ishin mësuar tani me mjerime dhe vetë të rrezikuarit e vazhduarshëm i kishte bërë përbuzës të rreziqeve.. njerëz të mësuar të mos përfillin hekurin e jo më fjalët.. Duke e menduar fitoren të sigurt, ai (Skënderbeu), e peshonte mirë gjendjen e armikut, pastaj këtë s’e përfillte fare”. Barleti është i vetmi që përshkruan tani më, jo vdekjen e Skënderbeut, por rastin e çuditshëm, plotësisht të mundur, të dhunimit të varrit të heroit nga osmanët, rast që me rënien e qyteteve dhe tre ditëve bastisje e “ligjshme” e ushtrisë  fitimtare mbi ta, bënte të mundur çdo alternativë ngjarjeje të tillë. Mbi këtë ngjarje Kadare ka shkruar poezinë epike “Balada e zhvarrimit”, që tregon vërtetësinë e marrë ose interpretuar edhe nga njerëz me peshë. Kështu këtë gjë e kanë marrë të mirqënë përgjithësisht shqiptarët, pasi fundja për një hero shqiptar bëhet fjalë, por të huajt operojnë me standarte dhe metoda krejt të ndryshme, mundësi këto, natyrisht shumë më përpara se tonat. Këtu nuk kam ndërmend ta zbeh, jo më ta injoroj burimin e lënë prej tij, veçse dua ta shtrij analizën në të gjitha mundësitë e çdo alternative, që i shërbejnë sadopak të vërtetës: ”Turqit dhe barbarët duke u bërë zotër të qytetit të Lisos, gjetën dhe nxorën nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e

Skënderbeut. Te eshtrat dhe varri i tij u mblodhën që të gjithë kush e kush më parë, sepse kujtonin se do të ishe fatbardhë, shumë i lumtur ai që do të siguronte për vete një copëz prej tyre, të cilën e qepnin dhe e zbukuronin një palë me argjend, një palë me ar dhe e varnin në qafë, si ndonjë gjë hyjnore,të shenjtë dhe vendimtare për fatin e tyre dhe e nderonin me respekt shumë të madh, duke kujtuar se të gjithë ata që i mbanin me vete ato thërrmija do të kishin në jetë po atë fat e mbarësi që pat edhe gëzoi sa qe gjallë vetë Skënderbeu”. (Marin Barleti) Ky burim, i ruajtur në Vatikan, ka bërë të njohur atje këtë ngjarje, gjë që në një përqinje të madhe, në mungesë të burimeve të tjera, u bë shumë i besueshëm, por shumë gjuetarë thesaresh nga shpirti aventuresk, janë skeptikë në çdo gjë, natyrë kjo që jo në pak raste i ka çuar drejt të vërtetës. Po të marrim shembullin e Homerit, që “Iliadën” e shkroi jo pak, por mbi 350 vjet nga zhvillimi i Luftës së Trojës, plus elementët mitikë brenda saj, e bënte fare të mjegullt zbulimin dhe ekspeditën të pashpresë, por pikërisht aty Heinrich Schliemann zbuloi rrënojaj e Trojës dhe “Thesarin e Mbretit Priam”. Megjithëse rasti si bashkohës dhe teoria barletiane njihej, të huajt përpunonin gjithmonë çdo informacion, edhe të kundërshtarit, pasi dihej qartë se ushtria osmane mbante kronikanë në luftra, për të shkruar lavdinë apo triumfin e saj. Por as në dokumente të tillë osmanë e as nga historiano-kronikanët si Tursuni, Ibn Kemali, Idris Bitlisi, Hoxha Sadedini, që e përshkruajnë fare qartë e detaje të pushtimit të qytetit të Lezhës dhjetë vjet më vonë vdekjes së heroit, më 1478, nuk përmendnin asnjëherë dhunimin e varrit, faktor i tillë triumfi, jashtë mase i justifikuar për ta.

I trajtuar edhe më parë, ndoshta në trajtë investigative, problemi për nga vetë pesha e tij, shfaq  më shumë pikpyetje. Dihet që faltoret, kisha ose bazilika, janë ndërtuar në territoret arbërore ose rindërtuar në shekujt e Mesjetës, në vende e mbi ish-faltoret egzistuese a rrënojat e tyre, ngritur këto në shekujt  e parë.(e.j), kështu që me ardhjen e në skenë të Perandorisë Osmane, mbi to u ndërtuan xhami, që si faltore islame do të zëvëndësonin religionin tek besimtarët. Përmbi mbetjet e kishës së Shën Kollit, vendvarrimi i Skënderbeut, u ngrit xhamia Selimie, praktikë kjo që në ish-territoret e Perandorisë Bizantine u përhap, sa që mjafton të themi se edhe katedralja e Shën Sofisë në Kostandinopojë, së bashku me një numër jo të vogël kishash aty, pësoi këtë fat.  Më 1967 u bë dhe zbulimi i mësipërm, i cili konsiston, se nën xhaminë Selimie, ishin rrënojat e kishës së Shën Kollit, aq të paqartë ishim mbi vendvarrimin, ne pasardhësit. Në fillim të shek. XX, pikërisht gjatë Luftës së Parë Botërore, reparte xhenjere, të specializuara, kryejnë gërmime rreth kësaj xhamie, pra në të vërtetë në kishën e Shën Kollit, që nuk janë të parat e këtij lloji, pikërisht për gjetjen e varrit të tij. E thënë ndryshe, të huajt, pa përllogaritur aventurierët, vinin me besim për gjetjen e tij, standart krejtësisht i ndryshëm na ai yni, a thua se nuk egzistonte teoria barletiane.
Të ecim në një periudhë më vonë, relativisht paqësore midis dy luftrave botërore, më 1938, ku në veprën e tij “Shqipëria një dhe një mijë” italiani Indro Montanelli, pasi viziton Lezhën, evidenton datën e vdekjes së Skëndebeut shkruan për heroin atë që mund të konstatojë çdo vizitor që nuk mund të prekë dot atë çka ka mbetur nga lavdia e një emri të madh: “Si të mos ndalesh tek varri. Po varri i tij është zhdukur, nuk dihet si dhe përse. Ishte, duhet të jetë varrosur në kishën e Shën Kollit, pranë pazarit në bregun e majtë të Drinit. Ekziston pazari, ekziston kisha, por sa për varrin mister” Përgjithësisht materiali gojor i trashëguar, në raport me kohën, del si një tregues i dorës së dytë dëshmie historike, i pafuqishëm përballë fakteve të çfardollojta, por në mungesë të tyre ai bëhet një referencë e fuqishme piknisjeje, që nuk zhgënjeu as Heinrich Schlimann-in.

Po çfarë ideje ka dhe çfarë “praktike” në të vërtetë ndjek shqiptari për problemin në fjalë, varrimet dhe zhvarrimet?! Kjo dukuri shfaqet me gjithë kompleksitetin e vet, duke e rënduar së tepërmi pozitën tonë në raport me banesën e fundit, që duhet thënë se shfaq një natyrë të shenjtë e të paprekshme nga shoqëria e gjallë njerëzore. Por të vërtetat sigurojnë absolutisht të kundërtën, gjë që nuk jemi ndalur së bëri deri në ditët tona, pasi zhvarrimet, si makabritete nuk na bëjnë përshtypje, të zhveshur tashmë nga ndjenja e mësipërme. Fakt është se një numër i shtetbërësve, firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë, janë zhvarrosur në kohëra të ndryshme, madje të organizuar nga vetë shteti që ata themeluan, e

paimagjinueshme nga asnjë në botën e sotme. Është fare e kotë të paralelizojmë me qytetërimin e ri amerikan, ku shtetëbërësit e tij, presidendët e parë, i ka gdhendur me përmasa kolosale fytyrat e tyre, në faqen e një mali në Dakota, fisnikëri kjo e shpirtit të tij praktik, domethënës e mbresëlënës. Për mendimin tim, makabritete të tilla nuk mund të shpëtojnë dot nga syri i historisë, por më keq, nga ai i civilizimeve, ku edhe Kadare e ka ose të nënkuptuar atë, tipar i kushtëzuar i letërsisë së tij, ose si “normalitet”, ku tek romani më i spikatur, më i famshëm e më i lexuar tek të huajt, “Dimri i vetmisë së madhe” fenomeni është ulur “këmbëkryq”. Personazhi kryesor Xhemal Struga, një partizan, i ndershëm, i përkushtuar, por i zhveshur nga ato që artikuluam më lart, “dallohet” (përkthe-neveri, frikë), “respektohet” dhe përmëndet vetëm se ka hedhur në erë varrin e Nënës Mbretëreshë, ndërkohë që ai vetë shfaqet i çuditur dhe mërzitur jashtë mase për këtë. Ai ka marrë pjesë në shumë beteja e ka shfaqur në to trimëri, por të gjithë e përmendin vetëm për aktin e mësipërm, të nënkuptuar në dy pjesë; Njëra, ata të zilisë diabolike, që atë makabritet në trajtë heroizmi, arriti ta bënte vetëm ai dhe jo ata, dhe tjetra tërë tmerr dhe frikë për këto ndodhi të pahasura nëpër civilizime.

Unë mendoj se nuk mund të shkarkohet faji i një tipari apo natyre me kohëzgjatje të madhe të popullit tonë, vetëm periudhës së qeverisjes parti-shtet, modeli sovjetik që aplikuan vendet e Europës Lindore, pas kalimit në to të ushtrisë së kuqe çlirimtare, dhe instalimin e regjimeve totalitare, të quajtuara diktaturat komuniste lindore. Ka fenomene të këtij lloji edhe para vendosjes së diktaturës sonë të majtë, të cilat datojnë nga mesi i viteve ’30 në Mbretërinë Shqiptare dhe që kishin për qëllim nga Mbretëria, sjelljen në atdhe të eshtrave të vëllezërve Frashëri nga Stambolli. Për Naim Frashërin në Mbretëri u gjet një mbesa e tij, e cila nënshroi për zhvarrimin, ndërsa për dy të tjerët, i biri i Abdyl Frashërit, ishte shpallur “armik” i Mbretërisë dhe jetonte Europës, mundësi që përjashtohej, ndërsa vajza e Sami Frashërit, me apo pa të drejtë gati e përzuri përfaqësuesin e Mbretërisë në zyrat e shtetit turk, që do të bënte të mundur proçesin. Ajo vazhdoi më tej duke shtuar se Shqipëria ishte një vend ku edhe të vdekurin e nxjerr nga varri, kështu që im atë është aq mirë në kodrinë, ku është, edhe pasardhësve do tua lë këtë gjë, fakt që ajo e realizoi me sa duket dhe tashmë shteti turk e justifikon si figurë e madhe e publiçistikës dhe enciklopedisë turke. Diktatura, pushtet absolut, si e ka emrin, të mos mbetej prapa më 1978, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vendosi prurjen e eshtrave të Abdyl Frashërit, meqë i biri, i cili e kish të drejtën juridike për ta zhvendosur, nuk jetonte qysh nga fillimi i viteve ’50, juridikisht gjëndej një mbesë e linjës femërore, që e kishte këtë të drejtë. Si pushtet absolut, diktatura e internoi paraprakisht dy-tre muaj para “festës” atë, pasi dihej që mund të mos pranonte (veprimet dokumentare pushtetet absolute i “mbyllin” vetë), dhe e lejuan të kthehej në Kryeqytet dy-tre muaj pas përvjetorit.

Vazhdon..

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top