PJESA E DYTË: MIRDITORËT PËRBALLË MIRDITORËVE

SHKRUAN: GANI MEHMETAJ

Kush e vajton pushtuesin e orientin?

Grupet militante myslimane që ua shkelte syrin pushteti turk, pastaj edhe ai serbë, nisnin dhunë, që përfundonte me djegie shtëpish “të armiqve të pejgamerit”, që ishin shqiptarët katolikë, ndonjëherë përfundonin me vrasje. 

Fërkimet e tilla në mes të mirditorëve myslimanë dhe mirditorëve katolikë nuk ishin të rralla, megjithëse nuk ishin të përmasave të mëdha. Historia nuk e shënon ndonjë masakër të tipit të Natës së Shën Bartolomeut në Francë, apo masakre fetare e luftëra qytetare tridhjetëvjeçare si në Gjermani. Mirëpo, për shkaqe të ndryshme nuk janë nxjerr në pah vrasjet që janë bërë mbi baza fetare e krahinore, të nxitura nga gjyshërit bastard të mulla Shefqetave e Mulla Gogave, të financuara nga Milanat e Stojanat.

Bandat e individët e dhunshëm të fesë shumicë (myslimane) silleshin dhunshëm ndaj fesë pakicë (katolike), sikur të ishin turq e serbë mizor. Pse nuk janë bërë masakra në mes të mirditorëve myslimanë e mirditorëve katolikë? Sepse vepronte Kanuni i Lekë Dukagjinit me hakmarrjen si bazën e tij (sipas parimit biblik: sy për sy, dhëmbë për dhëmbë), sepse mirditorët katolikë e kishin ruajtur e kultivuar trimërinë më shumë se sivëllezërit e tyre të çoroditur nga pushtuesi turk dhe të tredhur në tru nga feja e anadollakut.

Natyrisht kishte faza kritike kur mirditorët myslimanë u bënë mashë e turqve, merrnin pjesë në islamizimin e njerëzve të gjakut të tyre. Kështu, historia e re shënon kur në islamizimin e mirditorëve e të shqiptarëve të tjerë që zbritën nga Malësia në Rrafshin e Dukagjinit, pos pushtuesit turk, në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, ndihmë dhanë arbërorët e islamizuar, të tipit mercenarë, që nuk e duronin as nuk e kuptonin pse katolikët e gjakut të tyre nuk bëheshin myslimanë, kur “e tërë bota” që ata e dinin ishte bërë islame. Pushtuesi i kishte izoluar nga pjesa tjetër e Evropës, ndërsa ua impononte botën islame të ndryshme dhe të kundërt nga ajo që dinin të parët e tyre. Pushtuesi i kishte shndërruar në qen të ndërsyer që s’mendonin më larg se hunda e tyre.

Konflikti i përhershëm i mirditorëve të posa ardhur ishte me zyrtarët turk, por acarimi në shkallë armiqësia ishte edhe me mirditorët e fesë islame. Konflikti brenda shqiptarë vetëm sa ua shteronte energjitë. Konflikte me zyrtarë e nizamë turq patën edhe mirditorët myslimanë, sepse pavarësisht iluzionit turku mbetej turk, pushtues e i pamëshirshëm. Në situata dramatike mirditorët e të dy feve harronin ndasinë fetare, gjaku e rreziku i përbashkët i afronte, ndërsa ndasia fetare u rrinte mbi kokë. Farën e djallit e mbolli turku, e kultivoi serbi dhe po e e ushqen prapë turku e arabi.

Në të kaluarën kur i mbërthente apatia e pafuqia të dëbonin armikun i ktheheshin vetës. Prandaj shpesh shpërthenin xixa armiqësia ndërfetare me vrasje individuale e grupore, ndërsa hakmarrja që vazhdonte më dhjetëvjetëshe u rrinte mbi kokë, ua nxinte jetën dhe ua errësonte arsyen. Ata e zbatonin dhe e respektonin Kanunin e Lekë Dukagjinit, princit arbëror, por brenda familjes e në rrugë njëra palë ishte katolike tjetra myslimane. Njëra besonte se pasi u bënë myslimanë të zorit, do të gëzonin privilegje e mirëqenie, megjithëse pushtuesi i trajtonte me përbuzje e urrejtje si Gjonin si Gjelalin, të birin e Gjergjit. Grupet-mëkëmbës të pushtetit turk me shtresa të tëra sociale të islamizuara silleshin mu si silleshin njëqind vjet më vonë zyrtarët komunistë-mëkëmbës të pushtetit jugosllavë e sovjetik. Ballaban Badera (Ballabani kopilani, zog Shqipnije, pash Turqije… ) mizor ndaj arbërorëve e gjeneral i devotshëm turk, është shembulli i këtij transformimi monstruoz.

Në të njëjtën mënyrë dhe më të njëjtën egërsi silleshin shqiptarët myslimanë ndaj shqiptarëve katolikë, sepse nuk e kuptonin, ose nuk donin ta kuptonin pse mirditorët e tyre nuk pranonin të bëheshin myslimanë. Militantët myslimanë e militantët komunistë nuk dallonin, njëra palë ishin argatë të Turqisë, pala tjetër argatë të Rusisë e të Jugosllavisë, tre armiqve më të egër të shqiptarëve gjatë historisë.

Kasabaja e Prizrenit është në gjendje edhe më të keqe: kryeqyteti i Shqipërisë para njëqind e njëzet vjetësh, sot përpëlitet në mes të Stambollit të dikurshëm mesjetar dhe identitetit të sotëm shqiptarë. Pjesa më e pakët “qytetare”, që çuditërisht me ikonografinë e dhjetëra xhamive, ia japin vulën qytetit me shumicë shqiptare, u përcaktuan për kombësinë turke, sepse gëzuan privilegje në kohën e turkut, gëzuan privilegje dhe e shpëtuan kokën në ish-Jugosllavi. Shqiptarët i terrorizonte pushteti turk, i vriste ushtria serbe e jugosllave, prandaj ndenjen të shushatur si atëherë si tash, kur një frymë anadollizmi i ka mbërthyer sërish. Asnjëri prej këtyre “turqve” nuk ishte as nga Orienti as nga Anadolli, ishin katundarë të rretheve e të Malësisë, që mësuan nga një zeje: kundraxhi, teneqexhi, mbathtarë, dyqanxhi, beledie, zyrtar i vogël etj. Pjesa dërmuese e tyre që e ndjejnë vetën turq edhe sot janë të këtij niveli, me fare pak arsimim e kulturë, janë turmë që i manipulojnë si dikur si sot. Damllaja e shkombëtarizimit i ka goditur në kokë. Megjithëse po nisi një klimë tjetër e rilindjes kombëtare si në kohën e Ernest Koliqit, prizrenasit me kokën në Stamboll e të prapmen në Prizren, mund të ringjallën. Ky lloj i prizrenasve janë si luledielli, kthejnë kokën nga ndriçon rrezja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.