PJESA E DYTË: A DUHET T’I ZHDUKIM ELITAT E KOMBIT?

SHKRUAR NGA KASTRIOT BIMO

..Por sa të vërteta rezutojnë thëniet dhe deklaratat e këtij trakti?! Në një përqindje absolute, ato rezultojnë të vërteta, natyrisht e “justifikuar” nga regjimi i mëvonshëm me termin banal, që nuk vlerëson dot një adoleshent sot, “i gënjyer”. Referuar Vasfi Barutit, kësaj nuk i shpëtoi edhe kreu i mëvonshëm i PKSH-së dhe i gjithë luftës Nacional-Çlirimtare, Enver Hoxha.  Raste të tilla ka pa fund, megjithatë mënyra e drejpërdrejtë e traktit nacionalist, tregon hapur përbërjen me të kaluar e CV jo fort të “pasur” edhe në raport me lëvizjet progresiste të kohës së mbretërisë, e duke spjeguar qartë kështu grumbullimin e morisë së madhe të këtyre njerëzve, drejt krahut të majtë komunist. Paradokset shfaqen të zhveshur dhe gati të paspjegushëm për ne sot, të rreshtimit së bashku të këtyre njerëzve kundërshtarë dikur, në një formacion luftarak. Për zgjedhjen e tyre, aspak në interes të idealeve kombëtare, standart botëror ky i patriotizmit, ata e kanë vetë përgjegjësinë historike mbi shpinë, por që e komplikon jashtë mase po këtë histori në sytë  e brezave. “Partia Komuniste ka si kryetar të Shtabit Spiro Mojsinë. Për ata që s’e dinë, po iu themi ne se, ky zambak i kuq ka qënë komandant i burgjevet në Fier gjatë shtypjes së lëvizjes më 1935. Gjithë bota revolucionare e atëherëshme e di se në ç’mënyrë është sjellur Spirua gjatë atij shërbimi. Ay ka qënë xhelati i burgjeve që kanë bërë torturat morale e trupore më të tmerrëshme. Ka qënë Spirua ai që hapte në mëngjes herët dyert e birucavet ku ishin hedhur si shtazë të dënuarit me vdekje që pritnin nga një minutë në tjetrën t’i shpinin në litar. A po jo o Mustafa Gjinishi, o Mustafa Kaçaçi edhe ti o Namik Cakrani ? (të burgosur e dënuar këta  maksimalisht si pjesmarrës në këtë lëvizje-red) Spirua ka qenë ay o Xhelal Staravecka që të shtërngonte or’ e çast zinxhirat aq shumë sa të qenë anjtur duar e këmbët: E pra ay Spiro, xhelat i të martirizuarvet të Fierit, sot paradon me juve, në krye të brigatëvet që do t’ i japin liri popullit. Ironi e fatit !!! (P.Komuniste apo terroriste?, 11, tetor 1943)

Përsëri detyrohemi ti referohemi burimit të mësipërm të M.Merikës, kur  vërejmë një fakt që rezultoi qysh në fillim si ogur i keq e mandej si zgjedhje e gabuar, natyrisht jo e para që kanë bërë shqiptarët kohrave. “Unë i njihja tërë krerët nacionalistë të Lëvizjes së Rezistencës. Më të moshuarit, në të kaluarën kishin qënë shokët e mij të luftës patriotike. Fatkeqësisht pak mes tyre u sollën si besnikë, të tjerët besuan se i shërbënin më mirë atdheut, duke ndihmuar dhe mbrojtur komunistët, në vend që ti luftonin. Ata mendonin: Me që sot bota komuniste është në aleancë me botën demokratike të perëndimit, duhet të ndjekim këshillat e kësaj të fundit” Fantazia ime, përkundrazi, nuk rrihte aq larg” (M.Merlika, Aleksandri, 1952)-i theksonte ai shtetit amerikan. Po a kishte kjo një bazë të vërtetë, apo tingëllon si justifikim, meqë “misioni” e tij, me suport Perandorinë e Savoiës, dështoi?! Ato tingëllojnë aq të vërteta sa duhet të themi se kjo kohë është prologu i një konflikti gjakatar vëllavrasës. Vëllavrasje tingëllon figurativisht, por që u bë aq e “pranuar” si term real për një popull një milionësh si ky i yni. Lufta, e sidomos ajo civile, është shumë më e dhimbshme dhe e përgjakshme, na mëson rasti i popullit spanjoll, pa përllogaritur dasitë, urrejtjen dhe kaosin e stërgjatur social që sjell. Natyrshëm ajo nuk është party, ku kundërshtarin e anashkalon dhe as ndonjë pritje koktejli pranë ndonjë ambasade, ku ndoshta i shkel dhe syrin atij si një gjest modern. Një popull ky, ku kundërshtitë dalin në vend të parë, si psh. e shihnin natyrën e re të lëvizjes komuniste me admirim, sa dhe rusët vetë në vitin 1917 i ndiqnin bolshevikët në qeverinë e parë postcariste me 3%. Por në fakt po ky popull ka “vështirësi” për të rrokur të risitë e zhvillimit, se s’ka si spjegohet mënyra e lirë e interpretimit të tij, ku për një realitet të prekshëm përditë, gati të gjithë flasin me njësinë e vjetër të kartmonedhës së tyre, ndryshuar  plot gjysmë shekulli më parë. Ndoshta argumenti i sjellë nuk është fort krahasues i dukurisë, por thellësisht i vërtetë, me atë të vërtetë që nuk mësohemi dot.

Por çpo ndodh më lart, në Mallakastër në këtë periudhë?! Në këto baza fisnore, ku e kishin thënë dhe herë tjetër fjalën, si dhe me pjesmarrje luftëtarësh të tjerë, deri në kushtrim të të gjithë trevës, organizatorët e përhershëm të luftrave për liri filluan të ngrenë formacionet e para luftarake.

Asqeri Llanaj, në cilësinë edhe të Kryetarit të Shoqatës Atdhetare e Kulturore “Cakrani”, në monografinë e Bektash Cakranit, duke cituar  ditarin e V.Beqirit, spjegon qartë krijimin e formacioneve të para luftarake të Mallakastrës, duke dhënë detaje të rëndësishme. “Në fjalën e tij Mehmet Shehu foli mbi organizimin e popullit në luftë kundër fashizmit. Për organizimin e ushtarëve të popullit kemi caktuar Kadri Hajredin Cakranin. Bashkarisht do të vendosim mënyrën e lajmërimit në mobilizimin “ushtarë të popullit në çdo moment”. U vendos që me dy të shtëna me pushkë dhe një bombë të gjithë do grumbulloheshun në Pazarin e Cakranit.. Rreth datës 27 tetor u bë një provë..Mbas dy orë u inspektuan pozicionet e zëna nga vullnetarët e Cakranit, të drejtuar nga Kadri e Kujtim Cakrani.” (A.Llanaj, B.Cakrani, Monografi, f.165)

Ndikimi komunist nuk duhet të jetë përhapur, jo më të jetë kuptuar në filim, pasi tradicionalisht kjo trevë ka thënë fjalën e saj gjithmonë në luftë. Këtu kemi për herë të parë personazhin dhe figurën e Mehmet Shehut të shfaqur me shumë kujdes në trevë, për të shmangur sa të ish e mundur të kaluarën e errët të të atit, si mbështetës haxhiqamilist më 1914, por dhe me armën e fortë e të rrallë, si pjestar i brigadave internacionaliste në Luftën e Spanjës. Në pamjen e parë, fare natyrshëm ai shoqërohet këtu me studentin tjetër ushtarak në Itali, Kujtim Cakrani, djali i Bektash Cakranit, por siç rezulton kur analizohet, kjo është një lëvizje e studiuar me shumë kujdes, ku të në radhë të parë të “pranohet” personaliteti i tij dhe e dyta sa të jetë e mundur të fillojë një propagandë të majtë komuniste, natyrisht jo hapur. Patriotit të moshuar nuk i shpëtonte asgjë dhe shumë herë, duke e njohur qysh herët në ’24 rrezikun nga tendencat bolshevike, në një popull fatkeq që historia e linte për shkak të zgjedhjeve të tij në udhëkryq, nuk i fliste në emër, por duke artikuluar e kujtuar atij faktin: “djali i Shehut të Çorrushit”. “Bashkë me të birin e Shehut të Çorrushit, ja nxorrëm kanatat e dollapit të bukës përditë Bektash Beut” (Kujtim Cakrani, Vigevano (Pavia) 1982) shprehet ai. Diçka ndoshta i bashkonte, se i pari ndonëse nuk e mbaroi akademinë ushtarake, kishtë në shpinë një përvojë e eksperiencë të mjaftë luftarake, që do ti jepte atij mundësinë dhe karrierën e mëtejshme e që me gjithë veprimet, dritëhijet e veta, të dominonte skenën në Luftën e Dytë botërore në Shqipëri.

Zor se do të gjendet njeri objektivisht të kundërshtojë teorinë se, ai ishte faktori numër një në rrafshin ushtarak për fitorën e forcave të majta, pra të formacioneve partizane të gjithë luftën. Natyra e shqiptarit ndoshta e thotë, por ndoshta edhe e amplifikon, mbase e kushtëzuar, figurën e glorifikuar të prijësit udhëheqës, natyrisht kur është më afër epikes. Në mënjanimin që Koçi Xoxe kërkoi ti bënte më 1947, ish-Komisari i Brigadës I, shoku i armëve të tij Tuk Jakova, në aktivat e partisë së rretheve dhe pikërisht në Vlorë, siç ishte bërë “zakon”i modelit bolshevik, përpara se ta ndëshkonin, e diskreditonin si figurë, përjashohej nga partia dhe me tu quajtur kundërshtar i saj, dihej ajo që e priste. Një ish-kuadër partizan, në një rreth të ngushtë siç ishte aktivi i një rrethi në ‘47, guxoi dhe i tha të dërguarit të Komitetit Qëndror: -Nëse është ky që thoni me gojën e Partisë, Mehmet Shehu, do ta besojmë, por me këtë ritëm mos arrini të thoni dhe atë që s’thuhet në fund: që ai nuk ka qënë as trim. Deri këtu nuk më keni, ua them që tani..” dhe natyrshëm e nxorrën menjëherë jashtë.

Tjetri, Kujtim Cakrani, ushtarak tejet i përgatitur, besnik në atë që bënte, mbeti deri në fund një nacionalist i mirfilltë me detyrën profesionale në plan të parë e që fatkeqësisht nuk spikati në krye të kësaj politike, pasi skeptik nuk i besoi ato, por si komandant  në radhët e formacioneve të armatosura të forcave të mëvonshme të Ballit Kombëtar, u shfaq dukshëm. Për këtë gjë, disi e çuditshme për kohën, nuk ka asnjë njeri ta ketë anatemuar për profesionalizëm, si luftëtar, (vetë E.Hoxha e përmend vetë për këtë gjë), qoftë kjo nga radhët e nacionalistëve, fakt ky që nuk i ndoqi grupet e nacionalistëve të pasuftës nëpër konferencat e tyre, kur shkrinin e formonin në emigrim sa herë organizatën.

Mishërim i kësaj vëllavrasjeje, që është në të vërtetë një luftë e mirfilltë civile, është për fat të keq edhe rasti i rrallë, ndoshta unikal i atdhetarit të moshuar, ku djali tjetër i tij Namik Cakrani, u burgos si antizogist me afate maksimale, si një nga krerët e Kryengritjes së Fieri. Ai ishte lauruar në jurisprudencë, po në universitetet italiane, por në ndryshim nga i vëllai në shkollën ushtarake, me jetë kazerme, ai kishte miqësi të ngushtë me princin e Marokut, shok klase, duke qënë disa herë më i pasur se ai në të ardhurat që posedonin si studentë. Për këtë gjë, sa herë ishte i ftuar princi (ftesat natyrisht ishin çift), në darkat mbretërore, madje dhe jashtë Italisë,miku i tij shqiptar sponsor, ishte prezent. “Sa herë shtroheshin bankete në oborre kështjellash, servirej me lugë të derdhura të arta dhe pjatanca të argjenda me gurë diamanti anash. -Shumë herë princit i sillnin ato me gurë të gjelbër (smeraldë) ndërsa mua me të kuq (rubinë), por vetëm nja dy raste kemi guxuar ti ndërrojmë ato”-tregon ai kushëririt tjetër student, Qani Cakranit. Po ç’na duhet në fund të fundit jeta e tyre mondane, qoftë dhe si studentë, kishin pa e bënin atë jetë, do të thotë kushdo. Jo pa qëllim u zgjata në detaj, për të treguar se vëllai ushtarak, i mësuar me sakrifica, u atashua në krahun nacionalist, ndërsa juristi (duhet ta kenë pasur lux pjesmarrjen e tij) në atë të majtë komunist.

Në arritjen e qëllimit, është domosdoshmërisht e nevojshme të merren parasysh të gjithë burimet faktike e dokumentare, në kristalizimin e së vërtetës, kështu që në shumicën e hulumtimeve ndoqëm një dokument të rrallë, atë të akuzës dhe mbrojtjes në gjyq, si dhe deponimeve të vitit 1945 të patriotit, gjë kjo e vendosur në një altar të brishtë, ku e vërteta zë vend, si në asnjë rast tjetër.

Por ç’po ndodhte me organizimin dhe zhvillimin e formacioneve, vetë luftrave, betejave dhe gjithçka tjetër, që tashmë po merrte një formë të plotë, si luftë e mirfilltë për çlirim kombëtar në Mallakastër e gjithë Shqipërinë?! Në të vërtetë me gjithë dominimin e formacioneve luftarake tradicionale e territoriale, përgjithsisht nga patriotë të vjetër nacionalistë, përkrahësit dhe përhapësit e ideve të majta nuk e humbën orientimin. Ata duke deklaruar se bënin të njëjtën luftë, me shpresë integrimi brenda kornizës luftarake ku veprohej, bënë të pamundurën për tu shfaqur si palë e faktor i kujtdo lloj përmase e rëndësie, ku në sitautën e nevojshme çdo ide e veprim kundër okupatorit fashist, ishte i mirëpritur. Atdhetari Bektash Cakrani ndjek me kujdes si gjithmonë situatat dhe si faktor i përfaqësimit popullor, vetëm me ideal kombëtar, sheh me pak shpresë ndarjen e kësaj lufte të mirëfilltë për liri, në botkuptime dhe ide, si prova të pakuptimta në trupin e një atdheu që i rëndon pesha e të huajit.

Atdhetari në emër të luftës e çështjes kombëtare, si simbol bashkimi, ku i tillë kish vepruar në kohra pushtimesh, ndonëse i thyer në moshë, shfaqet i gatshëm të përkrahë e përfshijë aty këdo që shfaq vullnetin dhe përpjekjen e kujtdo përmase luftarake ndaj pushtuesit, por edhe ata përfaqësues të krahut të majtë, kërkojnë tashmë bashkpunimin e tij të “afirmohen” . “Gjat okupasionit dhe pikërisht aty nga vjeti 942, në vjeshtat, më ka ardhur Bilbil Klosi, Mehmet Shehu edhe Mynyr Arshiu dhe kërkuan bashkpunimin t’im. Këtë natyrisht e pranova dhe kam bashkëpunuar në ç’do formë me ta për një kohë të gjatë. Ky bashkpunim konsistonte në ndihmë të hollash, pritje e përcjellje Partizanë e tje. ndihma të tilla, sepse unë si plak nuk isha në gjëndje që të merja edhe pjesë aktive, dhe propogandë në popull. Në bisedimin që kam bërë me të përmëndurit mbasi Mehmeti e dija se kishte tendenca komuniste ju theksova këtyre se unë si nacionalist vihesha në dispozicion për të lëftuar okupatorin, dhe se me këtë rast ishte e arësyeshme që ideollogjirat të liheshin më një anë mendim të cilin m’a pranuan dhe mbetëm d’akord”.(Arkivi Min.Brëndshme, dosja e deponimeve B.Cakranit,1945)

Kështu, sipas të gjithë gjasave, në kundërshtim me idenë e kthyer në tabu deri më sot, se ka bërë pjesë si nacionalist në radhët e organizatës së Ballit Kombëtar, ku aderonin një numër i madh nacionalistësh, ai del se nuk ka bërë pjesë asnjë moment aty: arsyeja atdheu. Kjo realisht ndodhi, jo se kjo organizatë nuk kishte si program ndonjë të tillë pa përmbajtje kombëtare, përkundrazi, por një figurë me peshë të tillë historike, natyrshëm qëndron mbi palët dhe si i tillë inspironte si dikur këdo grupim të përfshirë në këtë luftë për liri. “Më vonë aty nga muaji Jenar ose Shkurt 943 doli në ilegalitet edhe Balli Kombëtar dhe mbasi këto të dyja luftonin për të njëjtin qëllim, unë duke vazhduar të ndihmoja partizanët, ndihmoja njëkohësisht dhe ata të Ballit. Më parë se të dilte në ilegalitet balli ishte pëshpëritur se ekzistonte një organizatë e tillë, por unë vetë nuk kisha ardhur në kontakt me drejtuesit e saj”. (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945)

Ngadalë forcat e krahut të majtë po bëheshin faktor jo vetëm ideologjik, por edhe luftarak, ndonëse me nje numër shumë më të vogël pjesmarrësish. Kështu që atyre u duhej të figuronin si bashkluftëtarë me palën tjetër, që duhet thënë duke i konsideruar në kuadrin e një përfshirje sa më të gjërë, të nevojshëm në konflikt dhe në kushtet e një tradicionalizmi luftarak, si dhe ideologjikisht të parrezikshëm, u lëshoi terren. Por masat e gjëra të popullit e njihnin njeriun historik, tashmë legjendë, që duhej ta zgjidhnin për prijës, megjithëse në moshë të thyer. “Në muajin Shkurt ose Mars 943 në vëndin Povël është bërë një mbledhje ku ka marrë pjesë gjith Krahina pa dallim ideollogjije, në të cilën u thirra dhe unë, por për shkaqe shëndetësore unë mungova të shkoj duke dërguar si përfaqësues nipin t’im Avdul Agalliu. Qëllimi i mbledhjes ka qënë për organizimin dhe formimin e Këshillave N.Ç., Komunale dhe të N/Prefekturës. N’atë mbledhje Avduli më komunikoj se ishte vendosur emrimi im si Kryetar’i Këshillit të N’Prefekturës së Mallakastrës, por unë nuk e pranova vetëm nga shkaku i gjëndjes t’ime fizike të dobët, mbasi natyrisht për kryerjen e kësaj detyre lypej një farë energjije që tek mua mungonte si plak, këtej ja kam njoftuar dhe Mehmet Shehut kur ky të nesërmen më erdhi në Cakran. Organizimin në fjalë natyrisht unë e pranoja se ishte në enteres të popullit dhe forconte bashkimin”. (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945)

Organizatorët e kujtdo krahu ishin tashmë tejet të bindur në figurën e tij, por në përpjekje për të marrë terren njëri-tjetrit, në këtë rast krahu i majtë kujdeset dhe përpiqet të përfitojë nga personi i Bektash Cakranit me të gjithë mënyrat, si dhe nga autoriteti i tij i padiskutueshëm. Si figurë e papërlyer dhe gjithmonë përfaqësues kryesor në paritë, njeri i njohur në negociata, ku meqënëse pika e dobët e tij ishte lufta kundër okupatorit, duke marrë edhe riskun e arrestimit, për hir të saj ai pranon arsyetimin e Mehmet Shehut, se duhej të forcohej lëvizja luftarake, sidomos ajo e krahut të majtë, përballë një numri dhe makinerie lufte të jashtzakonshme të pushtuesëve italianë.

Kjo lëvizje është konsideruar, duke interpretuar padrejtësisht vetëm një pjesë të saj, si vepra e një tradhëtie ndaj atdheut dhe popullit, në favor të pushtuesit, ndaj jemi të detyruar të shohim dhe analizojmë me kujdesin më të madh, çdo detaj të zhvillimit të saj.“Disa muaj përpara operacionit itaian ka ardhur në Ballshë Kapiten i karabinjeris të Fierit i quajtur Pepe dhe me anën e N/Prefekturës Mallakastrës, që n’atë kohë  ka qënë Hidajet Lekdushi si N/Prefekt thirri Parin e Mallakastrës. Unë në marëveshtje me Mehmet Shehun dhe shokët e tij u caktova të vija në Ballshë bashkë me gjith parin e Mallakastrës afër 200 veta. Bile në kodrat e Ballshit erdhi edhe Mehmeti me fuqit e tija për mbrojtjen t’onë nga një arrestim eventual. Në këtë mbedhje Kapiten Pepia kërkoj nga Mallakastra mos atakimin e fuqive Italiane kur këto të kalonin në xhade. Neve ju përgjigjëm Pepes se do të mbidheshim, të mendoheshim, dhe at-here do t’i përgjigjeshim definitivisht”.(A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945) Siç del për arsye të pastra strategjike, udhëheqësi i krahut të majtë komunist Mehmet Shehu këmbëngul në çfarëdo lloj marrveshjeje me palën italiane në mbledhjen tjetër, gjë që do t’u shërbente atyre të përfitonin kohë për të zgjeruar lëvizjen.  “Kështu pra u shkakëtua mbledhja në katundin Hekal ku muarrën pjesë parësit e katundeve, si dhe elementat e lëvizjes N.Ç. Mehmet Shehu dhe shokët e tija; këtu u bisedua çështja së bashku dhe pasi konstatuam se nuk ishin akoma të fortë për të ndaluar at kohë një operacion nga ana e Italianëve që do të ishte shum i dëmshëm, unanimisht u vendos dërgimi i një komisioni prej 6 vetash që të binin në marëveshtje me Kolonein e karabinjeris Italiane në Fier,- Si të tilla u caktuan: Eqrrem Peshkëpija, Qazim Selfua, Shaban Xhaferi, Idriz Dano, më duket Sefer Avduli nga Lapuleci si dhe unë. Unë kundërshtova pranimin e kësaj barre por Mehmeti insistoj shumë se ishte e nevojshme ndodhja ime. Këtë e përsërita kur së bashku erdhëm në Rromës, po aty ay më tha se do veç domosdo, se ishte e nevojshme” (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945) Atëherë çfarë ndodh me patriotin, që për asnjë arsye nuk u tërhoq nga lufta e çfarëdo lloji, në shërbim të rezistencës që po merrte përmasa të reja?! Mehmet Shehu është në pritje dhe sipas udhëzimeve të tij, megjithëse e papranueshme për sedrën nacionaliste të atdhetarit, kryhet negociata startegjike, ku italianët mund të flinin të “qetë”, por që faktet e mëvonëshme tregojnë të kundërtën, nga ku pasojnë beteja të medha dhe të përgjakshme. “Kështu pra vajtëm në Fier te Koloneli i karabinjeris, emrin e të cilit nuk e mbaj mënd. Ky kishte para përpiluar dhe pregatitur aktin e marëveshtjes dhe na i paraqiti neve për nënëshkrim, por anji mbasi përmbante disa kondita të rënda e refuzuam. Këto kondita konsistonin: 1) Në vendosjen e një fuqije ushtarake të konsiderueshme në Ballshë, dhe 2) në detyrimin e popullatës të Malakastrës për t’mos pranuar Komunistat dhe disa pika të tjera që s’i mbaj mënd. Kështu pra mbi kundërshtimin t’onë përfundoj të pranohet kërkimi ynë dhe që u lidh marëveshtja me këto pika: 1) Mos sulmimin nga ana e forcavet të Mallakastrës, të ushtris Italiane kur këto të kalonin xhades Mallakastrës, 2) Të lajmërohej autoriteti Italian për ndihmë kur Mallakastra T’a shihte të nevojshme”. (A.M.B. dosja e deponimeve B.Cakranit,1945) Nga kjo analizë e këtij burimi të shkallës më të lartë absolute të përqindjes së të vërtetës, del qartë se atdhetari plak, me mbi 50 vjet luftra e aktivitet patriotik në shërbim të atdheut mbi supe, dinte “më shumë” seç duhej, prandaj duhej të largohej me mbarimin e luftës nga skena e historisë, ku duhet pranuar se aktiviteti dhe vepra e tij, e kish mbuluar tërësisht atë. Ai dinte, si protagonist që ishte, autorin e vërtetë të marrveshjes, shkaqet dhe strategjinë që kërkoi të bëjë krahu i majtë komunist, si dhe koston e mëpasshme, që në të vërtetë do ti kushtonte jetën.

Por në ç’gjëndje zhvillohen ngjarjet dhe lufta kundër pushtuesit në Mallakastër? Forcat luftuese çlirimtare deri në atë kohë ishin të një lloji të pastër atdhetar, për sa i përket veprimeve luftarake kundër italianëve, por siç dihet me pjesmarrjen më të madhe në numër e kishin ato me përbërje nacionaiste, por qysh prej fillimit ato quheshin “Çeta Atdhetare”. Në këtë mënyrë analiza e detajuar historike, na çon në përfundimin se pavarësisht përmbajtjes e madhësisë së tyre, në një kohë kur operojnë mbi të njëjtin objektiv, ndaj të njëjtit armik, aq më tepër kur nuk është kristalizuar përfundimisht dominimi në udhëheqje të këtyre formacioneve luftarake, ato përbëjnë në çdo rast, luftëtarë atdhetarë. Në këtë kuadër mendoj se përpjekja për të “pronësuar” betejën e Ruzhdies, nga betejat e para më të përgjakshme e më të mëdha shqiptare, nga secila palë, nuk do të kishte vlerë historike, pavarësisht raportit të forcave në to edhe për arsyet e cituara më lart. Italianët nuk i besuan kurrë krerët vendas dhe duke nuhatur e analizuar arsyet e përpjekjeve negociuese të tyre, por edhe falë informacionit që nuk u mungonte, përgatitën një operacion të gjërë ushtarak, për asgjesimin e forcave të para të rezistencës, të cilat duke qënë në fillimet e tyre, do të asgjesoheshin lehtë. “Kundra më shumë se 3000 italianëve. Muarrnë pjesë në këtë luftë çetat e Ballit Kombëtar të Vlorës nën komandën e Hysni Lepenicës, çetat e Mallakastrës të Kadri Cakranit, Besim Belishovës, Eqrem Peshkëpise, Jashar Cakranit dhe Selfo Hekalit, të gjitha nën kontrollin e Tefik Sfirit. E vetmja çetë partizane që u-ndoth në këtë luftë ka qënë ajo e Xhelal Staraveckës, e cila pas 5(pesë) minuta pushkë (dhe jo më teper) u-tërhoq nga lufta tamam… alla partizançe, në drejtim të paditur, pa lajmëruar njeri, duke rrezikuar gjithë frontin dhe duke shkaktuar vrasjen e Jashar Cakranit, sepse kur ky sulmoi trimërisht, ishte gjithënjë i bindur se krahu i majtë qe i mprojtur nga Xhelal Staravecka”. (P.Komuniste apo terroriste?, 11, tetor 1943) Por për sa i përket numrit të forcave italiane kemi sipas burimeve të tjera “..Më 13 mars 1943 ushtria italiane u nis nga Fieri me dy batalione me 1000 ushtarë që të nënshtronin Mallakastrën. Italianët përdorën artilerinë dhe aviacionin kundër forcave të rezistencës shqiptare..” (Uran Butka: E vërteta e luftës së Mallakastrës më 1943)..

Vazhdon..

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top