SHKRUAN BLENDI FEVZIU
Ramush Haradinaj ka udhëtuar disa herë në Francë. Herën e fundit e ndesha atë gjatë kampionatit Europian, veshur me fanelën kuq e zi të ekipit kombëtar. Me siguri në këto 18 vite që nga lufta e Kosovës puna apo dëshira e kanë bërë të vizitojë jo rrallë vendin e rëndësishëm të BE. Por këtë herë ndryshe nga ç’do rast tjetër ai është ndalur pas një urdhër kërkimi të Serbisë dhe gjykata ka vendosur të qëndrojë në arrest në pritje të dosjes që vjen nga Beogradi. Përse këtë herë dhe jo në rastet e tjera që mund ta ndalnin? Ka disa pikëpyetje që e bëjnë rastin e tij mjaft të çuditshëm dhe Kosova zyrtare duhet t’ju japë shpjegim atyre.
E para, përse Haradinaj u ndalua tani, plot 18 vjet nga lufta dhe pas shumë hyrje dhe daljeve në Francë? Nëse urdhëarresti ishte thjeshtë një letër e harruar aty, ai llogjikisht do të ndalej në hyrjen e tij të parë dhe jo 2 dekada pas lëshimit të urdhër arrestit.
E dyta, përse një urdhër arresti që ka qenë aty dhe që nuk është zbatuar deri më sot për asnjë nga ish anëtarët e UÇK – së, u mor në konsideratë për Haradinajn? Në shkurt 1999, Hashim Thaçi ishte në kërkim ndërkombëtar nga Serbia, bashkë me anëtarët e tjerë të delegacionit të UÇK – së në Rambuje. Me gjithë insistimin e madh edhe mediatik të Serbisë, urdhër arresti nuk u mor në konsideratë dhe që nga ai moment ai ishte i pavlefshëm për shtetin francez. Përse drejtësia e këtij vendi duhet të zbatojë dy standarte për të njëjtat urdhërarreste? Në thelb, akuza është e njëjtë.
E treta, Haradinaj është gjykuar dy herë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Akuzat mbi të cilat Beogradi ka ngritur urdhërarrestin kanë rënë atje dhe kjo është e mjaftueshme. Për drejtësinë Franceze, gjykata e Hagës duhet të jetë padyshim më superiore dhe më e paanshme se sa një Gjykatë e Beogradit. Nëse problemet e luftës së Kosovës shqyrtohen në Gjykatat e Prishtinës dhe Beogradit, përfundimi do ishte tejet i paragjykuar. Për këtë arsye ato gjykohen në një territor asnjanës dhe nga një trupë e tillë. Për më tepër, për të mbyllur përfundimisht këtë kapitull është krijuar Gjykata Speciale. Përzjerja e drejtësisë serbe dhe kosovare vetëm sa do ta komplikonte këtë proces. Siç e ka komplikuar sot drejtësia franceze, e të njëjtit vend që ka votuar për të gjykuar krimet e luftës në Hagë.
Së katërti, mbetja në fuqi e mandatarresteve a e kompromenton dialogun me Beogradin? Madje krijon një precedent tejet të rrezikshëm. Nëse Prishtina nxjerr sot mandat arresti për Daçiçin apo Vuçiçin lidhur me rolin, qoftë edhe propagandistik që ka luajtur Kryeministri aktual i Serbisë gjatë luftës, ky dialog do ndalonte. Në vend që të merren me të ardhmen, dy vendet do të merrem me të shkuarën, madje me atë pjesë të së shkuarës që e ka zgjidhur përgjithnjë perëndimi, madje edhe Franca si pjesë e tij. E ka zgjidhur duke marrë pjesë direkte në këtë luftë dhe duke marrë përsipër përmes Gjykatës së Hagës të dënojë kriminelët e vërtetë të luftës. Pavarësisht nëse këta i takojnë humbësve apo fituesve.
Së fundmi, historia e tundjes së krimeve të luftës si një kërcënim për politikat e ditës, duhet të mbyllet një herë e mirë. Eshtë vetë Prishtina zyrtare që duhet të gjejë një zgjidhje në këtë drejtim. Me Beogradin apo Perëndimin kjo histori duhet të mbyllet. Ata që kanë kryer krime duhet të shkojnë në burg, por jo çdo njeri që ka marrë pjesë në luftë, madje në një luftë që duhet t’i bëjë krenarë, mund të kërcënohet me akuën e krimeve. Kjo nuk është më drejtësi, por shantazh për interesa politike të momentit.
Prishtina duhet t’i japë përgjigje gjithë pikëpyetjeve të “rastit Haradinaj” në mënyrë që t’i japë shpjegim një historie të gjatë dhe të padrejtë abuzimi. Një historie, ku kriminelët po shpëtojnë në emër të shenjtërisë së luftës dhe luftëtarët po dënohet në emër të angazhimit të tyre të pasluftës.