“Përshpirtje ndër varret e mohuara”, një ceremoni shpirtërore në Ish-Kampin e Përqendrimit të Tepelenës

Një ceremoni shqipërore e veçantë u mbajt dje në “Ish-Kampin e Përqendrimit të Tepelenës” ku 5 klerikë të të gjitha feve në Shqipëri bënë lutje për shpirtrat e qindra të vdekurve në këtë kamp. Ky aktivitet i organizuar nga MEMO dhe Kujto.al u mbajt në sheshin e kampit ku qindra qiparisë janë mbjellë në përkujtim të 300 fëmijëve që humbën jetën nga kushtet ç’njerëzore.

Lutja e klerikëve u mbajt pranë një flamuri të madh kombëtar.  Nismës së pagëzuar si “Përshpirtje ndër varret e mohuara” iu bashkuan me qindra qytetarë, njerëz të njohur të jetës publike, të mbijetuar dhe të rinj nga zona.

“Ishte një ceremoni shpirtërore e cila tenton të verë një gur përkujtese. Nuk besoj se ka pasur një formë më të mirë dhe të bukur se sa një përshpirtje mes të gjithë përfaqësuesve të komuniteteve fetare në Shqipëri dhe nën sfondin e një flamuri të madh shqiptar”, u shpreh aktorja e mirënjohur Ema Andrea nga MEMO Albania.

“Përshpirja ishte një ceremoni shpirtërore me 5 klerikë për t’u lutur dhe përkujtuar në veçanti për shpirtrat e 300 fëmijëve që humbën jetën në këtë kamp. Kjo u bë për herë të parë dhe realizimi i lutjes nga të gjithë klerikët ishte një simbolikë e veçantë për familjarët dhe të mbijetuarit por edhe një mesazh për të gjithë shoqërinë që kemi ende shumë nevojë për të përkujtuar të kaluarën por edhe për të treguar më shumë rreth krimeve që kanë ndodhur”, tha Erald Kapri nga Fondacioni Kujto.al.

Ngritja e Ish-kampit të Përqendrimit në Tepelenë ishte një nga aktet me brutale të diktaturës që shkaktoi tragjedi për mijëra familje shqiptarësh. Rreth 300 fëmijë humbën jetën në këtë kamp nga kushtet e vështira dhe trajtimi çnjerëzor duke iu mohuar edhe mundësinë për të pasur një varr. MEMO dhe Kujto.al risollën në vëmëndje të shoqërisë respektimin e traditës në nderim të tyre ndaj dhe çdo i pranishëm nderoi kujtimin e tyre duke mbajtur një një qiri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.