Shkruar nga Fréderic Pajak – Përktheu nga frengjishtja Sefedin Krasniqi
Sa e çuditshme, teprica e opiumit më kthen pothuajse në gjendje të arsyeshme ! Instinkti im i jetës gjen në shkatërrimin tim një inspirim të ri, dhe ja që mërzia dhe lodhja më japin krih. Ooo ! ju të mjerë… !
Ndarja me Lou von Salomé dhe Paul Rée, mik i përhershëm, vdekja e Richard Wagnerit e kanë ngutur Nietzschen në shkrimin e « Zarathustres ». Pikërisht këtë aventurë të veçantë, të filluar në Portofino në vjeshtën e vitit 1882 dhe të kryer në Nicë (Francë) gjatë dimrit të viteve 1883-1884, Fréderic Pajak na ka mundësuar ta rishikojmë nëpërmes monologut të brendshëm të Nietzsche-s.
Prill, viti 1882. Jam në Romë, me ftesën e mikeshës Malwida von Meysenbug. Ajo ma prezantoi një vashë ruse njëzet vjeçe. Thuhej se ishte e bija një gjenerali. Quhet Lou von Salome. « Një shpirt në një trup të vogël sikur të ishte bërë nga një hukamë », i thash, për të, mikeshës Malwida. Ajo është e mrekullueshme. Posa e kam parë siluetën e saj në bazilikën e Shën Pjetrit (St. Pierre) kam menduar ta martoj. Por shikimi i saj, edhe pse ishte admirues, më dukej se shprehte një farë aversioni. Ndoshta për shkak të mustaqeve të mia ? Apo për shkak të syve të gropëzuar dhe të errët ? Ajo në vazhdimësi m’i shikonte duart – ndoshta pjesën më delikate të trupit tim.
Femrat janë kureshtare.
Lou m’i përpinte fjalët. Megjithatë, ndiej se është shumë e shkathtë të më kundërshtojë. Në këtë trup të butë dhe të eksituar ka një shpirt shkencor. Kur flasim për sensualitetin ajo mbyllet në vete, pastaj e fillon bisedën pikërisht në atë temë.
Miku im Paul René, i cili ma ka prezantuar me idenë që të jetojmë të tretë së bashku, ka filluar të manifestojë një dozë xhelozie. Lou është tërheqëse, ajo këtë e di dhe gjithashtu e di se sa e dëshiron Pauli. Por e dëshiron ai aq sa edhe unë ?
Në muajin nëntor, ne bëmë planin, Lou, Paul dhe unë të shkojmë të jetojmë në Paris. Atje do të studioja, të themi, pse jo matematikën.
As nuk pata kohë të gëzohem, Lou u sëmurë. Ishte moment i vështirë, për pak që nuk vdiq, por e mori veten, dhe menjëherë filloi me Paul-in të konspirojnë kundër meje. Donin të më shihnin duke ua mbathur këmbëve, sikur asket dhe brejtës idesh që isha në sytë e tyre. Më akuzonin se isha fantazistë dhe njeri që më mungonte disiplina. Ah ! se si e kanë gjetur njëri-tjetrin, janë të një soji. Shumë mirë dinë të aranzhohen në shpinën time !
Sipas tyre, unë dashuroj në mënyrë ekskluzive. Mu për këtë më duan aq pak. Unë nuk e ndiej fare që dashuria është e këtillë. Sa më shumë që Lou largohet nga unë, aq më tepë më tërheq. Është luaneshë që mbron territorin e saj sikur t’i kishte për gjini luanët e vegjël, e territori i saj është liria e saj për të reaguar sipas dëshirës në çfarëdo rrethanash. Sa më përket mua, unë jam i paaftë për një liri të këtillë. Nëse do të duhej ta krahasoja veten me ndonjë shtazë, do të isha qen, sikur Diogjeni, me një nuancë dalluese, se unë nuk kërkoj njeri, por një bushtër.
Paul është një djalosh plot humor, antipod i imi. E admiroj lehtësinë që ka për humor dhe si i bënë të qeshin kundërshtarët në taverna. Njerëzit popullor nuk e frikësojnë fare. Ndërsa mua, nuk di nga më vjen ky aversion për humorin dhe për shtresat e ulëta ? Ndoshta, nga babai im i dashur. Është e vërtetë që një bari nuk di ta bëj të qeshë askënd. Megjithatë, pak para vdekjes kur i filloi truri t’i dobësohej, më kujtohen gjestet e tij prej një të çmenduri të përcjellë me disa grimasa. Më dukej komik.
Edhe unë së shpejti do t’i bëj të qeshin kundërshtarët – në llogarinë time.
Nëna dhe motra ime e urrejnë Lou-n. Iu duket e ndytë dhe vicioze dhe bëjnë gjithçka për të më larguar prej saj. Jam i sigurt se do t’ia arrijnë. Sidoqoftë, ato kurrë nuk do të pajtohen që një femër të më shtrëngojë në krahët e saj. E vetmja grua e përshtatshme do të ishte një prostitutë, por këtu, unë nuk gaboj.
Unë nuk do të pijë asnjë gotë me punch duke folur me Lou nën drunj, sepse tash çdo shpresë për ta fituar afeksionin e saj ka humbur. Jam vetëm me vetveten dhe me dëshirën për t’i dhënë fund jetës. Kam kokëdhimbje. Po e ndiej se si po më pushton çmenduria, një çmenduri e rëndë që ma kujton atë të babait tim.
Sa e çuditshme, teprica e opiumit më kthen pothuajse në gjendje të arsyeshme ! Instinkti im i jetës gjen në shkatërrimin tim një inspirim të ri, dhe ja që mërzia dhe lodhja më japin krih. Ooo ! ju të mjerë, Paul dhe Lou, ju nuk më meritoni.
Unë do ta gatuaj një hero për të cilin do të jem edhe baba edhe nënë. Do ta quaj „Zarathustra“, sipas emrit të një themeluesi të religjionit pers – unë nuk e kam të zhvilluar humorin, por jam i shkëlqyer në parodi. Fëmija im do të flas gjuhën e një Boudha që do ta ushqej me gjirin tim biblik. Do të jetë njëfarë Antikrishti i pajisur me oratori, i cili do ta përziej gojarisht parabolën e vjetër me poema epike.
I kam paraparë një ardhmëri të sigurt, do të jetë profeti i një religjioni të ri. Megjithatë, nxënësit e tij posa të proklamohen, do të hudhen (braktisen). Unë vetë jam njeri për të gjithë e për askënd.
Zarathustra lindi në rrugë afër qytetit Portofino, gjatë dimrit të vetmisë absolute.
Banoj në Rapallo, një fshat modest peshkatarësh, jo larg Gjenoves. Në mbrëmje, nga dhoma ime, i dëgjoj duke kënduar në port, e natën, zhurma e valëve më pengon ta gjej gjumin. « Krizë trishtuese. E urrej jetën », i kam shkruar Lou-së.
Ndiej nevojë ta zbuloj një mbinjeri.
Po e shkruaj « Zarathustra », me kujdes, sikur një nënë që i jap gji fëmijës. Do t’i shkruaj gjashtë volume. Por hija e Lou-së po ma errëson pa ndërpre mendjen. Aq sa e ndiej që po më pushton, po aq shumë nëna dhe motra ime më vërsulen. Kurrë kafshata e jetës që më kanë detyruar ta përtyp nuk ka qenë kaq e vështirë.
Nuk më flihet më. As somniferët as ecjet e gjata nuk më bëjnë hair për t’u qetësuar. Unë e linda Zarathustren, ndërsa Lou është prodhuesja e vërtetë. Por për fatkeqësinë time, ajo po refuzon ta adoptojë birin e saj.
Shkurt, viti 1883. Ç’koinçidncë, në çastin kur biri im erdhi në këtë botë, mësova që Wagneri paska vdekur në Venedik. Të gjitha gondolat e qytetit ia paskan përcjellë kufomën në Kanalin e Madh. Ishte moshatar i babait tim. Kush e di ? Ndoshta isha biri i tij, një djalë tmerrësisht vrasës. E kam dashur më shumë se çdo gjë në këtë botë, por edhe e kam urryer më së shumti autoritetin që ka pasur mbi mua. Miqësia jonë për pak mbaroi me gjak, por në hendek ra se ra. Një kohë kam menduar se më akuzonte për pederizëm, në të vërtetë, ai përhapi lajmin për mua se isha i prekur nga e keqja edhe më e turpshme – onanizmi.
Megjithatë, vdekja e tij më bëri me lot, çka është edhe më keq, më sëmuri.
Para pak kohe, e çova Lou-n në Tribschen, në veri të Zvicrës, para shtëpisë ku e kam njohur Wagnerin. Atje, buzë liqenit, nën plepa të mëdhenj, s’kam mundur ta reprimoj mërzinë. Ato ditë të lumtura nuk kthehen më.
Sa e vogël është bota! A nuk ra në gjunjë Lou për t‘ia puthur duart magjistarit plak të Beirutit ?
Jam ndarë nga Paul. Tepër mosmarrëveshje në mes nesh. Person i destimuluar, gënjeshtar dhe hipokrit, flet për mua se jam i pavendosur dhe i çmendur. Ky profesor për moral meriton një leksion me një parë pishtolle.
Sa i përket Lou-së, përkundër dhimbjes që më shkakton, e pamundur që ta harroj. Ajo është një egoiste e paparë. Sikur mos të isha i këtillë siç jam karshi moralit, do ta mbyllja në një burg apo azil për imoralitet. Megjithatë, ajo është e vetmja qeneje që më mungon.
Tash e kam zemrën të ftoftë akull, e cila më thotë se nuk vyej për asgjë, se është e kot të ndërmarre çfarëdo qoftë dhe „Zarathustra“ nuk është veç një çmenduri më tepër. Botuesi do të nxjerrë një gjysmë milioni përmbledhje këngësh dhe broshura antisemite para se ta mbarojë librin tim.
Unë që mendoja se kam ardhur nga një vend ku s’banon njeri, më ka zënë një dëshirë e çmendur të zhdukem diku ku ende nxen dielli: në Spanjë, Tunizi, pse jo edhe në Meksikë ? Përfundimisht gjendem nën shiun dhe boren e Alpeve në Sils-Maria, mu në mes të qershorit.
E shkrova pjesën e dytë të « Zarathustra » në një gjendje psikike afër eksplodimit.
Motra ime ka ndërmarrë një veprim vërtetë shkatërrues kundër meje. Jo mjaft e kënaqur që më ka ndarë nga Lou, nuk ndalet duke iu vërsulur, e në të vërtetë po më shkatërron mua. Ajo po më shtyn në ikjen time. E ndiej se mund të ketë arsye më shumë se unë, dhe kjo po më çmend.
E mbushur me perfiditet, është pasionuar nga antisemitisti i famshëm Bernhard Förster. Flasin se do ta themelojnë një koloni me racë të pastër gjermane në Paraguay.
Kësaj vjeshte, do të qëndroj më tepër se një muaj në Nurnberg, në Gjermaninë time monstruoze ku qielli nuk është veçse një karikaturë, para se të nisem për Gjenovë. Aq shumë kam pasur dhimbje koke sa që me këshillin tim personal e kam zëvendësuar kloral hidratin me kali të fosfatuar, por s’ka kurrfarë përmirësimi.
Fillimi i dhjetorit, u vendosa në Nicë (Francë), ku mbarova pjesën e tretë të Zarathoustrës.
Më 21 jam në Venedik. Verës në Basel, në Zhürich , në Zvicëren italiane, e për herën e tretë kthehem në Sils-Maria.Përfundimisht, asnjë klimë nuk i konvenon as nuk do t’i konvenojë kurrë nervozes sime. Përsëri shkova dimrit në Nice. Aty shkrova pjesën e katër dhe të fundit të « Zarathustres ». Në mungesë të editorit, në dyzet ekzemplarë, e publikova me shpenzime të mia në pranverën e vitit 1885. I pata vetëm shtatë lexues.
A nuk është kjo e çuditshme : unë që jam vetëm një karaxhoz dhe poet, pa dashuri, i rrethuar me miq kaq të poshtër, pa para dhe banesë, endem nga një pansion në tjetrin, martir i vuajtjeve të dhimbjes së syve dhe të kokës, e ndiej veten si një mësues i madh i njerëzimit ! Edhe më mirë, fatalitet.
Parandjenjat e mia lidhur me të mirën dhe të keqen do ta ndryshojnë kursin e historisë, të kësaj historie që po e mbaj mes gishtave sikur dyllë të butë. Unë jam ai që do t’i diktoj vlerat e reja për mijëvjeçarin e ardhshëm.
Këtë askush nuk e kupton, madje as besniku im Peter Gast. „Zarathustren“ ky e sheh si një Bibël të re, e në sytë e tij unë jam një Krisht i ri, apo ndoshta e ka lexuar keq urdhrin tim ?
Jam dyzet vjeç. Jam i vetmuar dhe çmenduria po më kërcënon, po ia ndiej dorën e ftoftë se si po ma përkëdhel kafkën.
Shumë shpejt do ta braktis birin tim për t’u krahasuar m rivalin tim të vetëm, me atë që vazhdimisht e kam dashur dhe urryer, vëllain tim, kopjen time, armikun tim, të quajtur Jezu Krishti.
Dy shpëtimtarë do të luftojnë duarthatë : ai, predikuesi i dashurisë dhe unë Antikrishti i vërtetë, që deklaroj : « Gjithë njerëzit që i kam njohur, i urrej në mënyrë të pakufishme, bashkë me ta edhe vetveten ! »
Nga ky luftim vdekjeprurës, të dytë do të dalim të mundur : ai do të humb i vrarë mbi Kryq e unë do të vdes i humbur nga vetvetja.
Ndoshta krejt do të jetë e kundërta.