Papa Françesku priti një grup pelegrinësh shqiptarësh nga besimet e ndryshme, njofton shërbimi i lajmeve pranë Selisë së Shenjtë, Vatican News.
Në fjalën e mbajtur përpara pelegrinëve, Papa Françesku përshëndeti të gjithë shqiptarët “në emër të lidhjes së lashtë të miqësisë dhe të marrëdhënieve” me Selinë e Shenjtë.
Përfaqësues nga pelegrinët i thanë Zërit të Amerikës se grupi i shqiptarëve ndodhet në Romë për një vizitë të planifikuar qysh më parë, me rastin e përkujtimit të 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Sipas Vatican News, Papa vuri në dukje “historinë e lashtë dhe të lavdishme” të Shqipërisë, duke theksuar se vendi është një pjesë e pandarë e Evropës, me kulturën e tij të veçantë.
“Sot ne përkujtojmë Gjergj Kastrioti Skënderbeun, një bir heroik i një populli të fortë dhe bujar, i cili mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë”, citohet të ketë thënë Papa. Skënderbeu, vazhdoi ai, “farkëtoi identitetin kulturor shqiptar me veprat e tij, duke u bërë një simbol i padiskutueshëm i afrimit dhe bashkimit kombëtar, njofton Vatican News.
Sipas Vatican News, Papa tha se shpresonte që “ky përvjetor nuk do të kufizohej vetëm me kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara”, por do të ishte gjithashtu një mundësi e mirë për një angazhim të ri të të gjitha institucioneve dhe qytetarëve, në favor të një zhvillimi autentik dhe të balancuar, “në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të emigrojnë”.
Papa Françesku tha se shembulli i Skënderbeut, “shprehu në mënyrë të lavdërueshme karakterin shqiptar”. Në veçanti, ai vuri në dukje “klimën e respektit dhe besimit të ndërsjellë” ndërmjet katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve shqiptarë. Kjo, tha ai, tregon se bashkëjetesa paqësore e qytetarëve që u përkasin feve të ndryshme është një rrugë e zbatueshme që prodhon harmoni, çliron forcat më të mira dhe mbështetë krijimtarinë e një populli të tërë, duke transformuar bashkëjetesën e thjeshtë në bashkëpunim dhe vëllazëri të vërtetë”, njofton Vatican News.