Përgjigje Albin Kurtit

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës

Thirrja Juaj e ditës së sotme nuk na la indiferent. Jemi njerëz human, jemi shqiptarë. Jemi shoqatë humanitare e traditës kombëtare dhe e veprës shqiptare. Jemi shoqatë që ka dhënë edhe shumë dëshmorë për shtetin tonë, për Republikën e Kosovës. Në 30 vjet veprimtari, shoqata jonë ka bërë ç’është e mundur që bota ti afrohet Kosovës, ta ndihmojë atë si vizion dhe si shtet, ta mbrojë popullin tonë të stërvuejtun shqiptarë. Është populli i Nânë Terezës. Është populli biblik. Është populli që ka kaluar nëpër golgotën më të tmerrshme që njeh historia njerëzore. Sot, kur njerëzimi feston Pashkët, si simbol i ringjalljes së Krishtit, shpresës për mirëqenje dhe paqe, shpresës për një shoqni njerëzore, ku humaniteti është normalitet dhe politika shërbim, ju drejtohem Juve dhe të gjithë bashkatdhetarëve që jetojnë në Zvicër, të bashkohemi përtej dallimeve që s’janë dallime, por vetëm perceptime të atyre që na shohin të ndarë e të vetmuar.

Kjo është përgjigja jonë ndaj thirrjes tuaj për ndihmë.

Duke ju përgjigjur thirrjes Tuaj, i përgjigjemi atdheut tonë. Duke ju përgjigjur thirrjes Tuaj, ne ju sigurojmë se shoqata jonë do jetë në shërbim të çdo thirrje që i shërben dhe e mbronë popullin e Kosovës, pavarësisht a e bëni thirrjen Ju, apo një kryeministër tjetër që do vijë pas jush. Shoqata jonë ka dhënë miliona e miliona ndihmë për Republikën e Kosovës. Qe 30 vjet, ndihma jonë i ofrohet të gjithëve, pa përjashtim dhe pa dallim etnie, religjioni, gjinie apo race. Këtë e kemi bërë veçanërisht në Republikën e Kosovës, në atdheun tonë, për çdo vit dhe për çdo nevojë emergjente. Deri më sot, as nga ana Juaj e as nga paraardhësit Tuaj, nuk e kemi dëgjuar asnjë falënderim, së paku sa për ta larë gojën, sepse për mirënjohje ashtu siç i takon atyre që punojnë pa kurrnjë shpërblim, as që bëhet fjalë. Megjithatë, ne nuk jemi politikanë dhe e kuptojmë përbuzjen që na bëhet. Përkundër kësaj, ne e duam Kosovën dhe secilën familje në Kosovë, sepse ata i kemi vëllëzër e motra, janë gjaku jonë që nuk falet. Popullit do ti ndihmojmë tash, dhe në të ardhmen, përgjithmonë, deri sa të jetë jeta, deri sa të ketë shqiptarë, që flet dhe lutet shqip. Duke i dhënë përgjigje thirrjes tuaj për ndihmë Kosovës gjatë festës së Pashkëve, ne si Shoqatë humanitare që mbanë emrin e të Shenjtes Nânë Tereza, kemi ndarë sot menjëherë një shumë prej 10 000 Fr. zviceranë, që do ti përgjigjej një angazhimi më të përkushtuar atdhetarë të qeverisë. I ftojmë të gjithë bashkatdhetarët në Zvicër, pa dallim religjioni dhe pa dallim bindje politike, që kontributin e tyre humanitar për Kosovën dhe për Shqipërinë, ta bëjnë medoemos përmes shoqatës tonë, përmes shoqatës që është dëshmuar gjatë dekadave, duke e nënkuptuar edhe luftën për liri e mirëqenje, shoqatën e traditës, të kombit, të historisë dhe të së ardhmes. Shoqatës që është institucioni me kredibilitetin më të madh në konfederatën helvetike.

Dita e Pashkëve, më 12 Prill 2020

Kryesia e Shoqatës

Daniel Rosaj, Kryetar

https://mutterteresa-hwv.ch/pergjigje-albin-kurtit/

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top