SHKRUAR NGA MEHMET ELEZI
1.Bota njeh gjithfarë epidemish shfaruese. E murtajës, për shembull. Deri vonë në mesjetë qytete madhështore europiane janë përgjysmuar prej saj. Mjafton me lexue Kamynë, dhe hyn në atë botë vdekjeje. Pastaj kolera, ani pse lule krahasuar me murtajën. Dhe të tjera më të lehta, gjithsesi. Gripi spanjoll, gripi hongkong, i shpendëve, i zakonshmi, fruthi… Gjuha shqipe ka krijuar fjalët e veta për epideminë. Dy ndër to janë ngjitësore (prej ngjit) dhe diermë, e burimit indoeuropian të shqipes. Në qendër të romanit Verbëria nobelisti Saramango ka një epidemi të padëgjuar verbimi. Metaforë.
2.Po epidemia, për të cilën po ushtojnë gazetat? E padëgjuar edhe ajo. Prek drejtpërdrejt trurin. Kushedi ç’virus i tutshëm e bart. Pasojë e menjëhershme: çmenduria!
Sipas disa të përditshmeve, vetëm dy javët e para të muajit gusht rastet janë të panumërta. Virusi që e shkakton qenka femër e bukur!
Lexoni vetëm titujt nëpër disa gazeta:
Këngëtarja (emër dhe mbiemër) “çmend nëpër rrugët e Tiranës”. Mos dilni rrugëve kur është ajo, shiton me sy dhe e shihni veten trutharbur (kolera s’qenka gjë, përballë thartimit të trurit!).
Vetëm në kryeqytet? Dierma, epidemia, po zbret gjithandej nëpër trojet shqiptare. Ulqini i lashtë i ujqve të detit qe tallur edhe me flotën e fuqive të mëdha, por po e paguan shtrenjtë tashti. Po e pëson prej dy çupërlinave. “Dy vajza çmendin Ulqinin: topless në plazh”. Pasi e çmendin Ulqinin, “ia heqin trurin” fare (fundja më mirë kryethatë, se me një tru që ka marrë erë).
Virusi ka hyrë nëpër pije e ushqime, ruajna Zot. Ja, Korça mori fund brenda natës. “Çmendet Korça në natën finale të festës së birrës”.
E sollën turistët virusin e çartur? Saranda na la shëndetin. “Pushuesit në Sarandë “çmenden” nga turistet serbe”, domethënë nga femrat serbe (a thua na luftoka Beogradi me metoda të sofistikuara të luftës biologjike, apo pushuesit në Sarandë s’paskan parë ndonjëherë femër me sy?). Disa paralajmërime të shtypit shkojnë huq: “Mbani frymën, ja modelja që do ju çmend” (domethënë “do të ju çmendë” – virusi po shkallon edhe drejtshkrimin).
Shumë keq ka shkuar puna, virusi ka hyrë edhe në do vende të virgjëra… “Plazhi i virgjër i Karpenit çmend turistët nga Europa…”. Hm, dikush na e futi ne, tashti ua fusim ne turistëve!
3.Pas njerëzve, po çmenden edhe dukuritë natyrore e sendet. “Çmendet moti në Vlorë”. Në plazhe zbulohen “fatura të çmendura” (lopë të çmendura jo, lopëve s’u pëlqen deti). Edhe “çmimet çmenden”. Jo vetëm në tryezat e bukës, por edhe në qiell. E shihni? “Çmenden çmimet e biletave të avionëve”.
4.Aq ligsht na ka zënë virusi, sa deshëm s’deshëm po e eksportojmë nëpër Europë. Po i çmendim me radhë metropolet e kontinentit. Veç me azilkërkues? Jo. E hëngri Anglia e para, nëpër kofshët e Shaqirit. “Në Angli tani çmenden për kofshët e Shaqirit”. Po Parisi elegant e marramendës? Atij ia rregullojmë qejfin me të tjera kofshë, vezulluese, përballë tyre kofshët e Shaqirit duken si zinxhirë traktori. Këqyreni këtë foto: “Modelja shqiptare që po çmend Parisin”.
5.Andej nga Lindja nuk merremi me ta, por virusin ua dërgojmë gjithsesi. Virusi mbërrini në Iran, atje po “çmendet moti, temperaturë rekord…”. Ka vite që Teherani e sjell botën vërdallë me kërcënimin bërthamor, ta shohë ç’i punojmë ne, pa u lodhur fare. Ia çmendim qiellin.
Në qiell virusi del fare jashtë kontrollit. Shejnitë (simptomat) duken qartë: “çmenduria, dy avionë pasagjerësh bëjnë garë”. Ende nuk dimë si është gjendja në anijet kozmike, mbase atje ka derman. Për t’u arratisur në Mars a në ndonjë planet tjetër, ku nuk çmendesh aq lehtë. Sa për Hënën, atje është shitur gjithë toka e mirë. Apo edhe ky është “lajm i çmendur”?
6.Pas qiellit virusi i trenuar po mësyn “webin”. Ja, “kjo femër po çmend Instagramin”. Edhe interneti e hëngri si Tirana, prej një bukurosheje. “Stefania Ferrario, modelja çmend rrjetet sociale”. Bashkëpunoka me një futbollist, ndoshta flirti i radhës i verës. “Kjo kamera e fshehtë e Rolandos po çmend rrjetin”. S’ka shpëtim tashti. “Guxim apo çmenduri, ja vidoja e çmendur”.
7.Mbetet një shpresë: t’i telefonojmë policisë. Policisë? Larg prej saj, virusin më të tmerrshëm të çmendurisë, një lloj AIDS-i të trurit, ajo e paska. Lexo titullin: “Të gjithë të çmendur pas polices seksí në Vlorë”. Bash si verbimi te Saramango, çmenduria i paska kapur të tërë në qytet. “Të gjithë të çmendur”, shkruan gazeta, e bardha në të zezë. Edhe pleq e plaka, foshnja e burra kapedanë me mustaqe, djemtë e rinj po se po. Mjaftoi një police e re me i shkatërrue gjinden mbarë (nuk dimë a kanë shpëtuar deputetët, ministrat e të tjerë që po shkoklohen buzë detit). Me hekur të skuqur, me vaj në vesh? Jo, thjesht me pamjen. Janë vjetëruar mbiemrat e bukur, e hijshme, vetëm kur eshtë seksí të çmendka! Ia hodhëm FBI-së, sado profesionistë t’i ketë policët, s’i ka seksi sa me çmendë Nju Jorkun. Ne i kemi.
Zoti e shpëtoftë qytetin bregdetar prej policisë seksí.
Zoti na shpëtoftë prej gazetave pa ide, që po e çmendin edhe gjuhën shqipe, amin!