Prof. Dr. Jahja Drançolli

PËR ATA QË DUAN TË DINË SE ÇFARË KA ARRITUR SHKENCA E SOTME PËR SHQIPËRINË MESJETARE. ÇDO GJË TJETËR ËSHTË SPEKULIM ME SHKENCËN

Shkruan: Prof. Dr. Jahja Drançolli

Përgjithësisht është e njohur se nocioni Albanon (Άλβανών), doli nga emri i fisit ilir Άλβανοι, që përmendet nga gjeografi i shek. II, Ptolomeu. Arbëria ose Arbënia është emër mesjetar që i referohet jo vetëm Shqipërisë së sotme por edhe terretoreve të tjera shqiptare të Ballkanit. Ndërsa, etnonimët mesjetare: arbër, arban ose arbresh, pas pushtimit osman janë përdorur për shqiptarët e diasporës më Itali, Dalmaci dhe Greqi.

Deri vonë ka dominuar mendimi se ç’prej Prolomeut deri në shek. XI, kur është menduar për “rishfaqjen” e vëndemrit Arbanon, Albanon, ekziston një heshtje 9 – shekullore e burimeve historike. Sot ka prova solide sipas analeve dhe kronikave raguzane (Arbania, Albania), si dhe të atyre bizantine (Άλβαnia), të cilat dëshmojnë se vëndemri dhe etnonimi janë përdorur pa ndërprerje, që nga shek. II deri në shek. XI. Një tjetër argument i rëndësishëm për kontinuitetin e vëndemrit dhe etnonimit mesjetar, shpjegohet nga veprimet fonetike, respektivisht nga ligji i metatezës ose i rirenditjes së bashkëtinglloreve së paku nga shek. VIII. Këtej, emri i ujdhesës Arba/e quhet Rab, nga Albona del Labin. Në burime mesjetare serbe nga Arbanon i Ataliatit dhe i Ana Komnenës del vëndemri Raban, dhe mbiemri rabanski.

Pjesa e madhe e historiografisë ballkanike arealin gjeografik dhe politik të Arbërisë mesjetare, në mungesë të burimeve të kohës e kanë përkufizuar në një zonë të vogël malore ndërmjet lumenjve Mat dhe Drin, ose në katërkëndshin hipotetik Tivar – Prizren dhe Vlorë – Ohër. Së këtejmi, këtu, nga kapërcyelli i shek. XI, der në fillimet e shek. XIII ishte themeluar principata e Arbërit me seli në Krujë. Nga viti 1272, mbreti Karli I Anzhuin kishte themeluar “Regnum Albaniae” (“Mbretërinë e Arbërisë). Ndërsa, mbretërit e Rashës, Milutini e Dushani vetën e quanin edhe për mbretër të Arbërisë, argument ky i fuqishëm për ekzistimin e formacionit politik arbëror gjatë gjithë mesjetës. Pas rënies së shtetit të Dushanit, Arbëria udhëhiqej nga familjet bujare arbërore: Arianiti, Balshaj, Dukagjini, Kastrioti, Muzakaj, Shpataj, Topia, Zenebishi, e ndonjë tjetër. Me dorëzimin e Durrësit (1501), Tivarit dhe Ulqinit (1571), Arbëria pasi që kishte rënë përfundimisht nën osmanët, është shoqëruar edhe më një sërë ndryshimesh si në strukturën e vëndemrit ashtu dhe të etnonimit.

Duke u ngjitur në shekujt e mesjetës, të kushtëzuar nga hapsira etnike dhe kompakte dhe fatkori politik, emërtimet gjeografike e politike, si: Arbanon, Arbëri ose Epir e Dardani, përfshinin trevat e sotme të Kosovës, Serbisë, M. të Zi, Maqedonisë e të Greqisë. Të tilla njoftime datojnë që nga mesjeta e herëshme, si bie fjala, Lapiam (Lab, Llapi). Si pjesë të Arbërisë, Kosovën e shohim te kronisiti francez i shek. XIV, Filip de Meziere, i cili provonte të dëshmon se Beteja e Kosovës ishte zhvilluar në Arbëri. Mendime paksa identike ndeshim sërish te një udhëpërshkrues frëng, respektivisht te Brokieri (pjesa e parë e shek. XV), sipas të cilit, pjesa e madhe e Kosovës së sotme ishte përfshirë në kuadër të Arbërisë. Njoftime të këtilla ndeshim edhe në dokumentacionin austriak, osman e italian të shek. XV-XVIII: “perandori austriak, Leopoldi theksonte se ushtritë e tij luftonin në Arbëri (kur hynë në Kosovë)”, “Prishtina në Arbëri”, “Peja qytet në Arbëri”, “Prizreni, kryeqytet i Arbërisë”. Në mënyrë ekuivalnete me konceptin Kosova pjesë e Arbërisë, dokumentacioni i kohës dëshmon edhe për Kosovën në kuadër të konceptit Epir. Të tilla janë njoftimet: “ Hasi, jo fort larg Prizrenit, provincë në Epir”, “Prishtina në Epir” “Peja në Epir”, “Prizreni në Epir”, etj. Përveç apelativave, Kosova si pjesë e Arbërisë dhe e Epirit, Kosovën e sotme e ndeshim edhe si pjesë të Dardanisë dhe të Mezisë së Eperme.

1 thought on “PËR ATA QË DUAN TË DINË SE ÇFARË KA ARRITUR SHKENCA E SOTME PËR SHQIPËRINË MESJETARE. ÇDO GJË TJETËR ËSHTË SPEKULIM ME SHKENCËN”

  1. Mire shume.Vetem kur te msojm te verteten jam i bindur se shume ma leht e kemi me u kashkue ne mes veti.Qe sa shekuj na ka mungue e veteta per popullin ton,edhe ende po na mungon.Ta perdorum argumentin burimor.
    Ta zbulojm te verteten pa frike.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top