PASOJAT E ELITËS SË GËNJESHTËRT

SHKRUAR NGA AGIM BACI

Profesori i filozofisë në Universitetin Notre Dame në SHBA, Gary Gutting, teksa shkruan lidhur me marrëdhëniet mes intelektualëve dhe politikës, sjell në vëmendje edhe disa nga karakteristikat e jetës intelektuale. Ai beson se intelektualizmi duhet të jetojë më së shumti në botën universitare. Sipas Gutting, intelektualët duhet të na tregojnë gjërat, të cilat ne kemi nevojë t’i njohim: si funksionon natyra dhe shoqëria, çfarë ndodhi në të kaluarën tonë, si të analizojmë konceptet, si të vlerësojmë artin dhe letërsinë etj. Ata, sipas profesorit të filozofisë, na bëjnë të mundur komunikimin me mendjet e mëdha të së shkuarës. Ky komunikim apo ky bashkëbisedim mundet të mos na çojë në një burim të përhershëm dijeje, siç mund të mendojnë disa që admirojnë jetën intelektuale, por ai së paku na jep një qëndrim kritik për të vlerësuar kufijtë e hamendësimeve tona kulturore sot.

Por, a kanë qenë universitetet shqiptare një burim dijesh dhe frymëzimi dhe a kanë asistuar ata pranë politikës, që vendimet e të zgjedhurve të jenë në favor të publikut dhe të ndërtimit të së ardhmes së këtij vendi?

Heshtja e shumë prej profesorëve lidhur me plagjiaturat në punimet shkencore, apo edhe më keq, heshtja lidhur me mungesën e punimeve shkencore në të shkuarën, ku titujt shkencorë janë bërë më së shumti me vendime partish, i kanë hapur rrugën një elite të rreme, e cila, për pasojë, veçse iu është bashkangjitur vendimeve partiake apo orekseve të qeverive.

Një pjesë e profesorëve, me tituj të trashëguar që para vitit 1990, me “enverizma e partishmëri”, kanë vijuar të ushqejnë në jetën universitare mentalitetin e së shkuarës, duke krijuar një situatë gjysmake shkencore, që në fakt del se s’ka qenë veçse një kurth i mirëmenduar për të njollosur shumicën e atyre që do të ishin pjesë e trupave akademikë. Duke mbyllur sytë para punimeve mediokre e plot plagjiaturë, trupa e vjetër dhe aspak shkencore e profesorëve ka arritur të sigurojë veç mbijetesën e vet, duke ushqyer një shoqëri të pamoralshme. Për pasojë të këtij bashkëpunimi gati kriminal me vjedhjen e hapur të mendimit, ne sot nuk mund të kemi shpresë se intelektualizmi universitar mund të na ndriçojë në ndonjë shpjegim lidhur me natyrën, besimin, shoqërinë, historinë apo edhe letërsinë.

Për sa kohë nuk do të ketë një përpjekje për negocim dhe imponim të jetës intelektuale te përfaqësuesit politikë, ne do të rrezikojmë vetëm zmadhimin e një neverie të politikës dhe qytetarëve ndaj jetës intelektuale. Madje, mund të themi hapur se pasojë e ngjitjes në majat e politikës të personave që nuk kanë asnjë lidhje me jetën intelektuale, është pikërisht elita gënjeshtare, e cila u krijua në këto vite përmes plagjiaturës dhe mediokritetit.

Profesor Gutting ka shpjeguar se, SHBA, por edhe shumë vende europiane, prej kohësh kanë gjetur një zgjidhje lidhur me bashkëpunimin mes intelektualëve dhe politikës, duke krijuar komisione ku politikanët vihen në kontakt me zhvillimet dhe shpjegimet shkencore, në dobi të shoqërisë dhe ekonomisë kombëtare. Pra, edhe kur nuk kanë një ta kaluar shkencore, ata vihen në kontakt me zhvillimet shkencore dhe jetën intelektuale, me qëllim që vendimet e tyre të jenë të ndikuara nga ata që paguhen për jetën shkencore.

Protesta e studentëve, dhe disa kontribute individuale që kanë nxjerrë në pah nivelin e përhapur të plagjiaturave në punimet shkencore në Shqipëri, kanë hapur më së paku mundësinë të nisim të shkruajmë të vërtetat e komunikimit intelektual në universitetet tona. Por këto hapa do të ishin krejt pa kuptim nëse nuk vihen themelet për një komunikim të ri të jetës universitare, jo më si një shtojcë e tekave të politikës, por si një imponim i mendimit dhe kontributit për të ardhmen e këtij vendi.

Që në veprën e Platonit, “Republika”, kërkohet një kombinim mes njohurive teorike dhe atyre praktike. Por ky kombinim arrihet nëse ka dinjitet nga ata që teorikisht kërkojnë ndryshimin. Për të pasur këtë dinjitet, duhet më së pari të themi të vërtetën për atë që bëmë keq, apo që nuk e bëmë fare. Profesorati, duke heshtur për plagjiaturat e gjithanshme, i ka dhënë shkelmin dinjitetit dhe ka ngritur veç ngrehinën e nihilizmit, pra, edhe servilizmit. Për të shembur këtë marrëdhënie të gënjeshtërt, nevojitet që sa më parë të zbardhim atë që është ndërtuar në mënyrë të gabuar. Kjo do të jetë pa dyshim e vështirë, por jo e pamundur.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top