Djali i madh i gazetarit të vrarë, Jamal Khashoggi, ka mbërritur në SHBA nga Arabia Saudite së bashku me anëtarët tjerë të familjes.
Salah Khashoggi, i cili besohet se ka shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe saudite, nuk mund të largohej më parë nga Arabia Saudite për shkak të kritikave të babait të tij për udhëheqjen e vendit.
Largimi i tij erdhi një ditë pas një takimi në Pallatin Al Yamama në Riad, ku ai dhe anëtarët e tjerë të familjes morën ngushëllime nga Mbreti Salman dhe djali i tij, Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman.
Zyrtarët turq dhe disa ligjvënës të SHBA-ve pohojnë se princi i kurorës ishte ai që urdhëroi operacionin në të cilin Jamal Khashoggi u torturua dhe u vra në konsullatën saudite në Stamboll, më datën 2 të këtij muaji.
Madje, ata pohojnë se takimi mund të ketë qenë çmimi për t’u lejuar që familja e Salah Khashoggi të largohet nga vendi.
Një fotografi e takimit, e publikuar nga agjencia zyrtare e shtypit saudit, tregon Salah Khashoggin duke ndenjur i ftohtë në takimin me princin e Kurorës, Muhamed bin Salman.
Një zëdhënës i SHBA-ve tha se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u kishte kërkuar liderëve saudit lejimin e udhëtimit të Salah Khashoggi drejt SHBA-së dhe se Sekretari i Shtetit ndihej i lumtur që ata kishin dëgjuar këshillën e tij.