Shkruan, Reshat Kripa
Para disa ditëve takova një mikun tim të vjetër me të cilin isha njohur qysh kur ishim mbyllur në qelitë e Sigurimit të Shtetit në rininë tonë të herëshme. U ulëm të pinim një kafe. Biseduam për të shkuarën dhe të tashmen e vendit. Shkëmbyem mendime për to. Çuditërisht ato përputheshin me njera-tjetrën. Së fundi kur u ndamë më dha një copë letër. E hapa. Ishte një poezi. Lexova:
Strukull thellë në qoshen time,
Zog i mbyllur në kafaz,
Para meje shumë kujtime,
Zemra gati sa s’më plas
Çuditërisht në ato çaste nuk jetoja më në këtë botë. Duke lexuar këto vargje meditoja me veten time. Kisha fluturuar në të kaluarën time, në fëmininë time, kur nëpër muret e qytetit shkruanim: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”! Për këtë na hodhën në ferrin komunist ku duhej të kalonim nëpër nëntë rrathët e tij. Por pata fat. Atje njojta shumë personalitete të larta që zor se mund t’i vijnë këtij kombi. Ata më mësuan atë që nuk e kishte bërë shkolla në të cilën kisha mësuar. Më mësuan se si duhej të luftoja për një Shqipëri të lirë dhe demokratike të vërtetë dhe kjo u bë ëndrra e jetës time. Por duhej shumë kohë që të prisja deri sa kjo të realizohej.
Më së fundi ajo erdhi. Përbindëshi që kishte sunduar për gati një gjysmë shekulli ishte përmbysur. Por konstatoja një gjë. Mentaliteti i sitemit të shembur, që ishte rrënjosur në mendjet dhe zemrat e qytetarëve, vazhdonte ende. Kërkohej që po me atë mentalitet me të cilin kishin ndërtuar sistemin socialist, të ndërtonin tani sistemin kapitalist që sundonte në të gjithë botën perëndimore. U futën në një thes si persekutorët ashtu edhe të persekutuarit. Madje persekutorët dolën ne krye të rradhës. Shumë shpejt e kaluara u harrua, sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe ndodhi ajo që nuk duhej të kishte ndodhur dhe që e ktheu vendin, kur shpresonte të afrohej më shumë me vendet e tjera si motra të perëndimit, në vendin e shpresave të humbura. Edhe ajo pak demokraci që kishte filluar të lulëzonte mori goditjen përfundimtare. Ishte viti 1997.
Tashmë vendin e demokracisë së vërtetë e kishin zënë pazaret politike ndërmjet partive dhe individëve të ndryshëm. Njësoj si në të kaluarën hymnizimi i drejtuesve idhuj mori përmasa të jashtëzakonshme. Atyre iu atribuohej gjithçka. Ndryshimi ndërmjet dy sistemeve ishte se ndërsa në të kaluarën hymnizohej vetën një idhull, tani ata ishin të shumtë. Ndaheshin sipas bindjeve politike. Me përjashtim të një pakice të papërfillshme, gati të gjithë, të djathtë dhe të majtë, çirreshin dhe përgjëroheshin për një Shqipëri të re. Secili krah kishte përfaqësuesit e vetë. Këta “shakaxhinj të përparimit”, siç do ti quante Noli, kishin zaptuar të gjitha ekranet e televizioneve dhe faqeve te shtypit të shkruar duke dhënë leksione për demokracinë. Shumë prej tyre u përkisnin atyre që e kishin shkelur me të dy këmbët atë në kohën e diktaturës.
Këto gjëra më dolën para sysh kur lexova vargjet e mikut tim. Përsërisja me veten time fjalët që më tha kur u ndamë:
– Tashmë i kemi kaluar të tetëdhjetat. Jemi në fund të rrugës. Padyshim që ndryshimet
janë të mëdha, në krahasim me të kaluarën, por më vjen keq se ne do të ikim me zemër të plasur nga kjo botë, pasi nuk e pamë Shqipërinë ashtu siç e kishim ëndërruar. Kam frikë se edhe fëmijtë tanë nuk do ta shohim. Besoj se atë do ta gëzojnë nipërit dhe mbesat tona që kanë lindur pas ndryshimit të sistemit. Që të ndodhë kjo duhet të kalojnë mbi pesëdhjetë vjet të tjera.
Përsëris fjalët e mikut tim dhe më duket sikur mbi shpatullat e shtresës sonë rëndojnë ende prangat e persekutimit. Të gjitha partitë politike thërrasin se ne qenkemi shtylla kurrizore e tyre dhe mua kjo më duket demagogji. Me duket e tillë, pasi shoh se, megjithëse miratohen disa ligje per këtë shtresë, ato mbeten në letër duke kaluar në kalendat greke. Shembull për këtë mund të sjellë Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Mbi ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist”, ligjin mbi dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, ligjin mbi hapjen e dosjeve e te tjera. Por kjo bie në sy më tepër në përballjen që ndodh disa herë ndërmjet të përndjekurve politikë dhe titullarve të qeverisë dhe partive politike. Do të sjell si shembull grevën e urisë së zhvilluar nga të përndjekurit në vitin 1994. Unë e deklaroj se kam qenë kundër asaj greve, pasi ishte përgatitur nga elementë ekstremistë të së djathtës, kur sapo kishte filluar të zbatohej sistemi demokratik por isha edhe kundër përdorimit të forcës brutale të përdorur nga qeveria e atëhershme e shtyrë po nga elementë ekstremistë të së majtës. Kjo bie në sy edhe në ditët e sotme. Bie në sy në skandalin e përplasjes së një anëtari të kryesisë së shoqatës tonë, një gazetari të njohur me një titullar të një partie të djathtë ku ky i fundit e fyeu gazetarin me shprehje të nxjerra nga fjalori i urryer komunist. Një drejtues i vërtetë demokratik, në këtë rast, nëse mendonte se kjo ishte vetëm një gjë e çastit, do t’i kërkonte ndjesë të hapur gazetarit ose në të kundërt partia e tij duhej të merrte masat e nevojshme. Deri më sot kjo nuk ka ndodhur. Le të presim.
Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se idealet dhe problemet e të përndjekurve politikë drejtuesit e shtetit shqiptar kërkojnë t’i kalojnë në heshtje, sikur nuk ekzistojnë dhe sikur nuk kanë ndodhur fare. Kjo bie në sy, sidomos, në nderimin që duhet t’u bëhet figurave të shquara të kësaj shtrese dhe që, në të vërtetë, mungon. Më lejoni, përsëri, t’ju sjell disa shembuj: Ka disa vite që shoqata jonë madje edhe Ministria e Kulturës, kur kjo drejtohej nga një i përndjekur, i nderuari Visar Zhiti, u ka kërkuar presidentëve të republikës dekorimin me urdhërin “Nderi i Kombit” të figurave të poshte shënuara:
1. Ago Agaj – Në janar të vitit 1920 merr pjesë në delegacionin e rrethit të Vlorës në Kongresin e Lushnjes, ndërsa në qershor të atij viti bëhet pjesëmarrës aktiv i Luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë për të cilën ka shkruar librin epope “Lufta e Vlorës”. Pas vendosjes së mbretërisë shqiptare punoi si Drejtor i Shkollës Bujqësore Lushnje dhe si agronom kudo ku ishte nevoja e atdheut. Në vitin 1929 ishte anëtar i Komitetit për Reformën Agrare. Në vitin 1932 arrestohet si pjesëmarrës në lëvizjen kundër Zogut, por lirohet përsëri. Nga viti 1932-1941 punon si ekspert i agrikulturës në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare.
Në kohën e Luftës së dytë botërore, kur më 17 prill 1941 mbretëria jugosllave u dorëzua dhe viset shqiptare të Kosovës dhe Metohisë iu bashkuan Shqipërisë, shumë patriotë shqiptarë u drejtuan për atje, për të ngritur administratat shqiptare në vend të atyre serbe. Ndër të parët që shkoi atje ishte edhe Ago Agaj, i cili u emërua prefekt në Prefekturën e Mitrovicës Në qershor 1943 merr pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes se Dytë të Prizrenit së bashku me shumë bashkatdhetarë të tjerë patriotë. Për këtë kosovarët e quajtën “Kosovari nga Vlora”. Kosovës i kushtoi librin “Milloshi, heroi i Kosovës”. Në fundin e vitit 1944, kur forcat komuniste po hynin në qytetet shqiptare detyrohet të lerë atdheun dhe të emigrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ndërroi jetë më 24 dhjetor 1994.
2. Kudret Kokoshi – Më 1934 ushtroi detyrën e avokatit në Vlorë, Më 1936 emërohet ndihmës gjyqëtar në Bilisht dhe Pogradec. Më 1939 u emërua gjykatës në Korçë, më pas në Shkodër dhe Tiranë. Më 1941, u emërua Kryeprokuror në Prizren, në atë kohë kur bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ishte bërë një realitet. Më 28 nëntor 1942, e gjejmë në udhëheqie të demostratës antifashiste në Prizren ku u përlesh me forcat fashiste dhe u plagos në kokë. Sapo filloi Lëvizja Antifashiste, ai u angazhua që në fillimet e saj dhe në vitin 1943, është një nga eksponentët e Ballit Kombëtar në Vlorë. Në Gusht 1943, është pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes, ku u vendos bashkimi i shqiptarëve në luftë kundër nazi-fashizmit. Më 7 mars të vitit 1944, u zgjodh kryetar i Komitetit të Rinisë Intelektuale të Kosovës, ku anëtar ishte edhe patrioti Selman Riza. Komiteti ishte forum i Komitetit Qëndror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit me kryetar Bedri Pejanin, formuar në shtator 1943. Për këtë aktivitet antifashist, në maj të vitit 1944, ndërsa ishte duke ushtruar veprimtarinë për forcimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe luftën kundër bishës nazifashiste, u arrestua nga Gestapua gjermane dhe u internua fillimit në Prishtinë dhe më pas në kampim shfarosës Mathauzen. Nga kampet e përqëndrimit nazist u lirua në dhjetor 1944. U kurua në Grac të Austrisë dhe megjithëse iu propozua të bënte karrierë në perëndim, ai ashtu si në vitin 1934, preferoi të kthehej në atdhe dhe t`i shërbente atdheut të tij. Sapo erdhi në Shqipëri, më 5 qershor 1945, komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje si udhëheqës i Ballit Kombëtar, më pas me vendimin e datës 1 tetor 1945 dënimi ju kthye në 25 vjet. Vuajti dënimin në burgun e Burrelit dhe u lirua më 25 dhjetor 1964, pas plot 19 vjetëve. Ndërroi jetë më 26 prill 1991
3. Dr. Isuf Hysenbegasi – 7 prilli i vitit 1939 e gjen në Tiranë. Është njëri nga tetë anëtarët e komisionit të të rinjve që shkuan për të kërkuar armë në pallatin mbretëror, por mbreti tashmë kishte ikur. Në janar 1940, ndërsa kryente stazhin në spitalin eTiranës, drejtori i këtij spitali, doktor Lozzi, e prezanton me një mjek italian të veshur civil:
– Il nostro giovane! (I riu ynë!)
Civili i zgjati dorën të cilën doktori bëri sikur nuk e vuri re,
– Io sono Albaneze! (Unë jam shqiptar!) – ishte përgjigja e tij krenare.
Në vitin 1941 shkon për specializim në Itali. Dikush i propozon që të vishesh mjek ushtarak në frontin italo-grek, kundrejt një page të konsiderueshme. Doktori përsëri refuzoi. Rezultati ishin tetë muaj internim në ishullin Capraia, në derdhjen e lumit Arno në Firence.
Viti 1945 e gjen në klinikën e tij në Tiranë. Por komunizmi, që kishte vendosur të bëhej varrmihësi i inteligjencës nacionaliste shqiptare, e degdisi në Gjirokastër, ku në fund të dhjetorit 1946 arrestohet. Pas dy vjet torturash të tmerrshme në hetuesi, përballë të cilave qëndroi i paepur, dënohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake me pushkatim. Pak më parë kishte kishte vdekur nga torturat në hetuesi i vëllaj Feriti. Kjo bëri që me vendim të Kuvendit Popullor, vendimi t’i kthehej në burgim të përjetshëm. Gjatë periudhës së burgimit ka ndihmuar me qindra të burgosur duke i shpëtuar nga vdekja e sigurtë që i kërcënonte si pasojë e torturave të tmershme. Lirohet pas nëntë vjet burg, në vitin 1955
Dërgohet në qytetin e Vlorës me detyrën mjek otorino-laringolog. Shquhet për profesionalizmin e tij të lartë dhe fisnikërinë që e karakterizonte. Shumë shpejt u bë një nga figurat më të njohura dhe më të dashura të qytetit. I mbylli sytë në tetor të vitit 1988.
4. Zalo Xhomaqi – Më 23 dhjetor 1946 arrestohet dhe dërgohet në qelitë e errëta të sigurimit. Pas shtatë muaj torturash nga më të tmerrshmet nxirret para trupit gjykues. Akuzat ishin:
Ka qenë i inkuadruar në rradhët e Ballit Kombëtar dhe ka vepruar në dëm të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Ka dhunuar veprime ligjore të Gjykatës Ushtarake.
Ka afishuar një trakt ku flet kundra drejtësisë së gjyqeve të popullit.
Martiri qëndroi si hero përballë gjykatësve mizorë. Së fundi vendimi: Vdekje me pushkatim. 18 korrik 1947. 0ra 3.30. Para togës së pushkatimit qëndron një titan i pamposhtur. Përballë tij prokurori i zi, Petrit Hakani.
– Fjalën e fundit, i pandehur! – flet ai.
– Kjo qeveri që e quan veten të fortë, me ekzekutimin tim, jep të kuptojë se, edhe vetëm për një sharje, derdh gjak njeriu. Unë e them këtë se nuk kam bërë faj. – përgjigjet Zalua me krenari dhe vazhdon: – Unë veprën time kështu e quaj. Rroftë Shqipëria dhe Demokracia! 5. Hysni Alimerko – Kryen shkollen Teknike Amerikane të Harry Fultz deri me 1935, pastaj shkollen normale të Elbasanit deri më 1939. Ndjek dhe përfundon shkëlqyeshëm studimet e larta Universitare në Firenze të Italise deri më 1943, ku titullohet Profesor në Letërsi-Histori. Merr pjesë si dëgjues në Konferencën e Mukjes, 1-2 Gusht 1943. Nga Shtatori 1943 zgjidhet si Sekretar i Komitetit Qarkor të Ballit Kombetar deri në fund të vitit 1944. Në dhjetor të 1944 arrestohet por pas një muaji lirohet përsëri për mungesë provash. Në Nëntor 1946 transferohet në gjimnazin e Peshkopisë ku më 16 maj 1947 arrestohet në shkollë, si pjesëmarrës dhe anëtar i grupit të ashtuquajtur të “intelektualëve dhe deputetëve”. Në 21.11.1947 me Vendim të Gjykatës Ushtarake Elbasan dënohet me vdekje që i kthehet me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lartë më 05.01.1948. Më vone dënimi i kthehet me 20 vjet burgim. E vuan të gjithë dënimin e tij në burgun e Burrelit deri më 1964. Pas përfundimit të dënimit lirohet dhe punon si punëtor i thjeshte për 16 vjet në Fabrikën e Tullave Vlore deri sa del në pension.
Në vitet 90-të përfshihet dhe jep një kontribut të madh në lëvizjen antikomuniste. Zgjidhet Kryetar i Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Vlorës dhe njëkohësisht Nënkryetar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare. Më 28 nëntor 1991 ka qenë një nga nismëtarët e lëvizjes për ngritjen e flamurit pa yllin e kuq të komunizmit në qytetin e Vlorës Kjo ndodhte në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë ende nuk e kishte vendosur heqjen yllit nga flamuri.
Në zgjedhjet e para demokratike për administrimin lokal të vitit 1992 zgjidhet anëtar i Këshillit të Bashkisë Vlorë. Ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare në Mars 2002.
Megjithatë nga Presidenca nuk ka ardhur asnjë përgjigje kurse kur bëhet fjalë për figura të tjera me prejardhje komuniste, ato janë të panumërta, madje edhe kur mbi ata rëndojnë akuza për masakra nga më të tmerrshmet si ato të Tivarit, Malsisë së Madhe dhe të tjera si këto. Duke kujtuar këto, unë ndjej një dhimbje të madhe. E ndjej këtë dhimbje pasi kur shoh veten time të dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhërin “Naim Frashëri” mendoj se nuk e meritoja këtë dekoratë para atyre burrave të shquar që përmenda më sipër.
Le të bëhet ky një mësim për politikën shqiptare.