PANAMAJA GISHTI PAS TË CILIT FSHIHEMI

Shkruan: REXHEP SHAHU

Ne frikacakët duam që armiqtë të na i vrasin apo mundin të tjerët, duam që hasmin të na e vrasin e mundin të tjerët. Por kënga të na këndohet ne. Vetëm se kemi pasë deshirë.

Ne frikacakët nuk bëjmë dot asgjë, ne na pikon shurra në pantallona kur vjen puna me mbrojtë veten apo me i dalë zot vetes tonë. E shumta qajmë. Të na dalë zot bota se e ka për detyrë – kjo është bindja jonë, thirrja jonë që e artikulojmë ose jo. Por e pëshpërisim të gjithë.

Ne frikacakët po demonstrojmë frikë edhe tani në rastin e zbulimit të atyre që kanë vjedhë lekët tona, me lejen e qeveritarëve tanë e bashkë me to, pasi kurrë nuk vidhet shteti pa lejen e qeveritarëve, dhe i kanë fshehë paratë në Panama.

Kjo histori është me la mut me shurrë.

Se kemi frikë të flasim e të shohim vjedhjet që na janë bërë dhe i kemi para syve vjedhësit dhe plaçkën e vjedhur, atdheun e vjedhur, i votojmë vjedhësit i kemi drejtues vjedhësit, përkulemi para tyre, i admirojmë, adhurojmë, ua besojmë të sotmen e të ardhmen.

I shohim para syve paratë tona të vjedhura që janë bërë e bëhen pallate, hotele, vila luksoze e skandaloze, toka pa fund, troje, etj etj, pasuri të patundshme.

Kemi frikë të flasim e të përballemi, të marrim hak kundër vjedhësve minimalisht me mos dhënie vote, t’ua marrim paratë tona vjedhësve.

Se nuk kemi forcë, guxim, vullnet ta bëjmë këtë, ne knaqemi që dalin ca para të fshehura në Panama. Knaqemi që po synon dikush tjetër t’i zbulojë këto para të vjedhura, knaqemi e mburremi me çfarë po bëjnë të tjerët, por edhe mburremi me frikë e me rezervë se mos na shohin hajdutët duke u gëzue dhe na shpëton shurra në pantallona pastaj.
Ne i duam paratë që na i kanë vjedhë, por i duam të na i sjellin të tjerët, nuk duam të përgjakim as duart, nuk duam të sakrifikojmë asgjë. Ne duam t’i bëjnë të tjerët punët për ne, e vetë nuk kemi guxim e trimeri të bejmë asgjë, as ta duam veten mjaftueshëm.

Ne kujtojmë se hetuesit e botës janë në dispozicionin tonë, janë shërbëtorët tanë. Pa guxuar të bëjmë presion hetuesve, prokurorëve e gjyqtarëve tanë sepse ata vetë janë kalorës të virtytit e nderit.
Skandali i Panamasë, ose lekët e fshehura në Panama janë maja e ajzbergut. Njerzit e dinë dhe nuk çuditën, thjeshtë i lëshojnë edhe një të vjellme më tepër dhe kaq.

Lekët e vjedhura të fshehura në Panama janë maja e ajzbergut për arsye se njerzit mjafton të shohin nivelin intelektual të deputetëve në parlamentin e vendit dhe të kuptojnë se ku kanë shkuar lekët e vjedhura, ç’vlerë kanë lekët e vjedhur dhe ç’fitohet prej lekëve të vjedhura, mjafton të shohin nivelin e nëpunësve të vendit dhe të kuptojnë se si injoranca me para ka blerë diploma, jashtë e brenda vendit, mandate deputetësh, zyra e poste të larta. Shih gjithë piramidën e shtetit, testoje nivelin intelektual të zyrtarëve dhe e kupton pse e ku jemi, e kupton ku janë paratë dhe çfarë investimi të munguar bëjnë paratë e vjedhura, çfarë katastrofe kombëtare bëjnë paratë e vjedhura.

Ndaj Panamaja është asgjë para panamasë së këtushme. Lekët e vjedhura e të fshehura në Panama a nëpër panamara të ndryshme, janë kusur kafeje, janë sa kusuri i kafesë së korrupsionit shqiptar e botëror.

Lekët e vjedhura të fshehura në Panama janë maja e ajzbergut të parave të vjedhura shqiptarëve dhe nuk ia ndjen askujt për majën përveç atyre që duan të zhurmojnë sa më shumë që të mos shihet gjithë ajzbergu i krimit të vjedhjes.
Lekët e vjedhura fshehur në Panama janë kusur kafeje a bakshish në raport me ato që u janë vjedhë shqiptarëve dhe shqiptarët i kanë përditë para syve të tyre vjedhësit dhe pasuritë e tyre të vjedhura.

Se mos ti shkojë mendja ndokujt se korrupsioni është fenomen shqiptar. Jo. Është botëror, është i niveleve të zyrave të larta të botës. Në vende si Shqipëria të huajt vjedhin më lehtë, më kollaj në bashkëpunim me shqiptarët.
Lekët e vjedhura të fshehura në Panama janë sa kusuri i kafesë së bosave po të llogarisësh se këtu mafia shiti gjithçka që të mos ketë mbrojtje asgjë e askush.

Këtu duhen shitur e duhen dhënë me koncension edhe gjykatat e gjithë niveleve, prokuroritë e gjithë niveleve, spitalet janë shitë dhe më e keqja është se mashtrojnë.

Panamaja më duket si shaka kur shoh se shoqëria ka vdekë, e kanë vdekë këta që kanë vjedhë e vjedhin, kanë paguar që ta vdesin shoqërinë, që ajo nuk ka fuqi të reagojë. Është blerë vdekja e shoqërisë, është paguar vdekja e saj ndaj s’ka kush flet.

Skandali i Panamasë është gishti pas të cilit duam të fshihemi ne frikacakët që nuk guxojmë t’ia pohojmë vetes se pasuria jonë që na e kanë vjedhë dhe e kanë fshehur në Panama, është fare fare e vogël në krahasim me atë që na e kanë vjedhë dhe na bëjnë karshillëk përditë. Pasuria që na e kanë vjedhë zyrtarët është aq e madhe në Shqipëri dhe ne heshtim, fusim kokën në rërë si struci. Kjo pasuri e vjedhur dhe heshtja jonë prej frike, ne na e ka marrë erzin si popull gjasmë trim e guximtar. Ne nuk jemi aspak trima as guximtarë. Ne e shohim dhe e dimë mirë se komshiu ynë shtetar, pushtetar vjedh, ka vu pasuri të madhe me vjedhje, ka vila, dyqane, resorte, makina superluksoze, se ne ia njohim zorrët e barkut njëri tjetrit dhe ia dimë edhe leshtë e bythës. Ne e dimë, mallkojmë në heshtje, thefsh qafën i themi përditë pa zë, mos i gëzofsh i themi përditë pa zë, por zë nuk nxjerrim, nuk ankohemi, nuk reagojmë. Thjeshtë vegjetojmë e bëhemi vner. Dorëzohemi përditë, mundemi përditë, poshtrohemi përditë.

Ne nuk kemi ku të ankohemi, kujt t’i drejtohemi, kujt t’i besojmë, ku të reagojmë.

Këtu ke frikë prej gjithkujt. Më e pakta spiunohesh, tradhëtohesh, shitesh. Ligjin e bën i forti, drejtësinë e blen i forti, ligjet i prodhon forca e lekut, dhuna e lekut. Autoritetet morale këtu i sharrojnë, Profesorët, akademikët, të diturit, guximtarët, poetët, shkrimtarët këtu i lënë të lëpijnë gishtat e tyre, i urdhërojnë të mos flasin ose vetëm siç duan partitë. Këtu atdheu është i partive, nuk është i shqiptarëve. Është i shqiptarëve të partive e jo i shqiptarëve të paparti. Atdheu këtu nuk është i të diturve, por i hajnave.

Këtu nuk zbatohen vendime gjykatash. Nuk zbatohen vendime gjykatash, vendime të formës së prerë nuk zbatohen. Gjykatat janë të varura haptas nga politika që emëron gjyqtarë e prokurorë. Këtu politikanët e emëruar nga kryetarët, vetëm nga kryetarët pa konkurencë e përballje, bëjnë ligjin, vrajnë e kthjellin, bëjnë dimën a verë, vjeshtë a pranverë.
Panamaja dhe pasuria atje është pra gishti pas të cilit duam të fshihemi. Është një portë futbolli a një kosh basketbolli ku ne të gjuajmë e të bëjmë gola a kosha sa të duam se aq i bën asaj porte a atij koshi. Gjithë qëllimi është të merren të gjithë më Panamanë e të largohet gjithmonë e sa më shumë vëmendja nga pasuria e vjedhur që lulëzon në Shqipëri. Të mos kërkojë askush llogari në Shqipëri. Të kalojë kohë e të harrohet çfarë është vjedhë në Shqipëri.

Që njërzit që kanë vjedhë pasuritë e shqiptarëve, të rrisin fëmijët e tyre në luks me paratë e vjedhura, t’i emërojnë fëmijët e tyre elitë, të blejnë diplomat ku janë e ku s’janë më të shtrenjtat dhe të shpallen elita e vendit, pavarsisht se janë bij e bija hajnash dhe rrallë, shumë rrallë ndonjë bir hajni mund të mësojë dhe mund të trembet natën në gjumë nga vjedhjet e krimet e prindërve të tyre.

Duke u fshehur pas Panamasë, duke u fokusuar te pasuritë e vjedhura, te leket e vjedhura e të fshehura, qëllimshëm harrohet se hajnat duan të blejnë të djeshmën e të nesërmen.

Fëmijët e tyre kanë makina 80 mijë euroshe, prishin në ditë për kafe minimumi 100 euro, mashtrojnë veten se bota u ka borxh, joshin e mashtrojnë vajza të bukura dhe krijojnë kështu kontigjent të sigurtë kurvash të dëshpëruara. Me paratë e baballarëve hajna e kriminelë, bijtë e bijat e kurvave shkërdhejnë jetën tonë. Hajnat që pretëndojnë se kanë blerë të ardhemn tonë, kanë shitë me vakt gjatë vjedhjes gratë e fëmijët e tyre.

Kanë lekë, por s’kanë familje. Kanë lekë, por s’kanë fëmijë sepse vjen një ditë që fëmijës i vjen turp për prindin që ka. Kështu ka lindë dëshpërimi ynë që po ia merr frymën shqoërisë.

Pra ne e shohim se jemi deri në grykë në detin e mutit dhe duam të na e shterrin të tjerët këtë det muti, vetë të rrimë si zotnitë ani se në mut, vetë të rrimë si gjyhnaqarët, vetë të rrimë gjithmonë si viktima të zgjebura, të na mëshirojë bota.

Por bota s’ka më mëshirë, bota u prish.
Bota ka vetëm interesa.
Moral nuk ka.
Morali ka mbetë pa atdhe.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top