Pak ditë para se të ndërronte jetë…

Pak ditë para se të ndërronte jetë, At Zef Pllumi jep dëshminë për kohën e komunizmit, për Masakrën e Tivarit, për Kosovën e përgjakur deri në gjunjë nga sllavo-komunistët, për martirizimin e klerit katolik, të njohur deri atëherë si mbrojtës të devotshëm të idesë së kombit shqiptar dhe Shqipnisë etnike.

Zef Pllumi qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane.

I pagëzuar Prenkë, leu më 28 gusht 1924, në Malin e Rencit (Lorencit) nga një familje me origjinë prej Shkreli. U lind nga e ëma, Luke Mrija në një zabel. Malësorët që kishin rënë me kohë në ultësirë venin të veronin në bjeshkë për t’iu shmangur verës pranë zonave bregdetare të pabonifikuara. Fisi i Prenkës kishte tëbanin në Qafë të Tëthores së Bogës, mes Shkrelit dhe Shalës – bajrak ky i fundit ku ishte nip. Xhaxhai i Prenkës, Pashko Toma, ishte i pari i shtëpisë dhe burrë i shquar në ato male si plak, kuvendar e bukëdhanës. Gjatë fëminisë takoi P. Gjergj Fishtën dhe P. Anton Harapin që i kishin ardhur miq te tëbani i tyre ndër bjeshkë. Shtati dhe prania imponuese e të parit dhe çehrja prej asketi e të dytit lanë mbresat të cilat i përcjell te libri autobiografik “Saga e fëmijnisë”. Gjatë atij takimi xhaxhai u thotë fretënve se djaloçi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat. Dëshirë kjo e ftilluar në librin e lartpërmendur, që kishte marrë shkas prej një takimi të mëparshëm me P. Bona Gjeçajn ofm. Me atë rast P. Harapi i jep një medaljon të Shën Françeskut që mbante në qafë, duke i thënë që ta ruante me shumë kujdes në mënyrë që kur të shkonte në Kolegjin Françeskan të paraqitte atë medaljon.

I bindur për meshtarinë, i grishur nga zhguni i murrmë dhe konopi me tri nyje të të Vorfnit të Asizit, në vitin 1929 bëhet nxënës i Dom Alfons Trackit. Në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, kolegj në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si vetë Fishta, Harapi, kompozitori P. M. Gjoka, P. Gj.Shllaku etj. Merr formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja: latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht e greqishten e vjetër. Nga mësuesi i tij, historiani P. M. Sirdani mëkohej me libra historie e numizmatike. Tek libri i tij kumton se i njihte perandorët romakë për nga fytyra, ndër monedha, pa pasur nevojë me lexue ç’përmban monedha. Kreu maturën në liceun “Illyricum” më 1943[3]. Në vitet 1943 – 1944 Zef Pllumi ende xhakon, është një nga bashkëpunëtorët e revistës “Hylli i Dritës” dhe po ashtu sekretar personal i P. Harapit, kur ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Gjatë kohës që ishte dhjak, P. Antoni e vuri të rëndiste e ndihmonte në Arkivin Françeskan; aty has dokumente të hershme e ndër më të vlefshmet për historinë kombëtare. Ishte gjatë kësaj periudhe kur partizanët mbushën boshllëkun e pushtetit dhe shfaqin shenjat e para të asaj që do të vinte.

Ishte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg. Dënim që vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq. Me t’u liruar shkon herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës.

Shkak për arrestimin e tij sipas P. Zefit, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit ishte prej të qenët sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë.

Kthehet në Kuvendin Françeskan kur negociatat mes Kishës e Qeverisë u “qetësuan”. Nga viti 1949–1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1958 shugurohet meshtar, caktohet në fillim si i besuar për t’u dërguar ndihmat priftërinjve nëpër kampet e ndryshme. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku niset me dt. 14 shtator 1958 bashkë me provincialin, Át Augustin Ashikun.

Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. 1967–1989, për 23 vjet rresht, burgoset përsëri dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Njeh gjatë burgut personazhe me ndikim në hierarkinë komuniste, si Gjin Marku, Kasëm Trebeshina, Zef Mala, Dashnor Mamaqi, të cilët panë tek frati bariun ku dhe ata mund të rrëfeheshin. Zef Mala i la porosi që të gjente kujtimet që kishte lënë të shkruara, kujtime të cilat nuk mund t’i gjente kurrë.

Doli nga burgu me 11 prill dhe, Natën e Kërshëndellave fillon meshtarinë tek Kisha e Shn’Andout në Tiranë deri në vitin 1997. Njeh Nanën Terezë të cilën e përcolli për në Shkodër ku u mbajt mesha e parë në Katedralen e Shkodrës.

Prej atëherë nuk pushon edhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Me rënjen e diktaturës boshllëku kulturor i lënë lypte restaurimin e institucioneve kulturore pararendëse, dhe P. Zefi si një i mbijetuar merr mbi supe këtë përgjegjësi. Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje ka dalë dhe në vitin 2003. Janë gjithashtu këta vite, kohë e një veprimtarie krijuese për Át Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë Rrno vetëm për me tregue, vëllimet Françeskanët e mëdhenj, Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo, Ut heri diçebamus-siç i thonim dje. Kohë kur edhe pse i lodhur nga mundimet dhe mosha nuk mungon angazhimi në lëmin e kulturës. Ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është gjetja e eshtrave të Át Gjergj Fishtës. Më 13.11. 1995 filluan gërmimet për varrin e Fishtës. U gjetën një pakicë eshtnash shpëtuar prej dhunimit të varrit. Më 1996-ën i kushton një numër të Hyllit dhe u vendos të bëhej një varr për Fishtën[5]. Në vitin 2005 me nxitjen e tij nisi projekti për botimin e kolanës me autorë fretërit françeskanë. Kjo kolanë pasurohet vit pas viti me botime të reja që pasurojnë dhe bibliotekën e Françeskanëve në Gjuhadol të Shkodrës, në të cilën ndodhen dhe dhjetëra dorëshkrime që presin të botohen. Pjesë e këtyre dorëshkrimeve janë dhe disa letra dhe shkrime të P. Zefit[6].

Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë të Italisë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Dëshmia e tij “Rrno vetëm për me tregue” u përkthye në anglisht nga Kathleen Schank botuar më 2008 nën titullin “Live to tell”, ndërmarrje ndaj të cilës kishte përpjekje qysh në të gjallë të fratit nga miku i tij, përkthyesi Petro Zheji. Më 6 mars 2014 u prezantua edhe varianti në italisht i përkthyer nga Keda Kaceli me titullin “Il Sangue di Abele – Vivi per testimoniare”.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top