PAJTIMI DHE FALJA – VËLLAZËRI DHE DASHURI GJITHËSHQIPTARE

Shkruan: Don Lush GJERGJI

Cen DeskuKy studim i Cen DESKUT, dhe botim  i shtëpisë botuese “Faik Konica”, deri diku lanë borxhin e madh dhe të shumfishtë, së pari ndaj atyre që falën trimërisht dhe burrërisht gjakun, dhe me këtë krijuan parakushtet e jetës dhe të vëllazërisë sonë gjithëshqiptare, për krijimin dhe zbatimin e kulturës së jetës dhe qytetërimin e dashurisë. Pra, së pari ata që falën, familjet e tyre ishin, janë dhe duhet të mbesin “heronjët e ditëve tona”, mbjellësitë dhe paraardhësitë e lirisë, pamvarësisë dhe të demokracisë sonë.

Borxhin ndaj rinisë sonë të mirë dhe guximtare, të prirë me urti dhe mençuri nga kryeplaku ynë Prof. Anton Çetta me bashkëpunëtorë, intelektualë, krijues, prijës fetarë, vajza dhe gra burrëresa, që e shëndritën dhe përlotën mbarë popullin Shqiptar, duke ia dhënë dhembjes, pikëllimit, vrasjes, vdekjes një kuptim dhe domethënie të re dhe pozitive: me nderimin e  gjakut dhe varreve të tyre  filluam ngritjen, ndërtimin, zhvillimin e kohës së re, vujatjes së motivuar dhe të ofruar, pajtimeve pa kushte dhe përjashtime.

Gjithë pjesëmarrësve në këtë proces gjithëpopullor, atyre që kanë punuar dhe janë mundur në pajtime, atyre që kanë organizuar tubimet e ndryshme, veçmas atë te Verrat e Lukës, më 1 maj 1990, ku ndodhi POPULLI,  ndodhi MREKULLIA, ndodhi fillimi i mbarimit të kohës së errët të hak apo gjak-marrjes, që unë i kam cilësuar atëherë, si dhe sot, së pari vetëvrasje, pastaj vëllavrasje, dhe së fundi vrasje. Po, dashuria dhe pajtimi nuk bëjnë mrekulli, por ato janë mrekulli të Zotit dhe të Popullit, të zemrave të bashkuara dhe të vëllazëruara.

“Memoria perditur” – po tretet kujtimi, është qortim i madh dhe tejet i rëndësishëm për ne dhe për pasardhësit tanë, që na ruan dhe mbron nga harresa, armike tinzare, më e keqe se edhe vetë vdekja, e cila na mjegullon dhe robëron.

Borxhi ynë që “trimat, heronjët e ditëve tona”, ata që falën, legjendat e gjalla ndër ne dhe me ne, mbi të gjitha kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë ta thadrojmë në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari. Kjo dukuri dhe mrekulli duhet të jetë e gjallë dhe e pranishme në familje tona, në kopshte apo çerdhe fëmijërore, në libra dhe shkolla të çdo niveli, si Histori dhe Mrekulli, jo vetëm për t’u kujtuar, admiruar, por edhe për t’u mishëruar dhe zbatuar kudo dhe gjithnjë.

Në këtë studim dhe botim, pasqyrë, mund ta shohim dhe ta njohim më mirë vetveten, popullin tonë, fuqinë dhe frymëzimin e vëllazërisë gjithëshqiptare. Dua t’u them se gjithmonë e kam dashuri dhe e dua Popullin tonë Shqiptar, por ndoshta kurrë më tepër se gjatë Pajtimeve të Gjaqeve, shërbimeve të Shoqatës “Nëna Tereze” dhe sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, gjatë Luftës 1998-1999, sepse në “motin e madh 1990” ne e kemi dhënë pjesën më të mirë të vetvetes, jemi dëshmuar kush mund dhe duhet të jemi.

Do ta përfundoj me dy porosi të së Lumes Nënës Tereze mbi Pajtimet atëherë: “Dëshiroj të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë popullit tem Shqiptar” dhe “Më gëzon pamasë lajmi i pajtimeve. Urime rinisë shqipatre kosovare, që e nisi këtë vepër, si dhe të gjithë atyre që marrin pjesë në këtë punë të madhe dhe shenjte”.

Bukuresht, 3 maj 1990.

Ky shkrim dhe botim, ky  kujtim dhe promovim, na kthen te damarët apo rrënjët tona, është vërtet punë e madhe dhe shenjte.

(Fjala gjatë promovimit të librit në Bibliotekën Universitare)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top