Pacolli, ose të përfshihet, ose të lirohet nga detyra

SHKRUAN: PROF. LISEN BASHKURTI

Ndërtimi i ekipit negociator të Kosovës për vijimin e negociatave me Serbinë është vendim i drejtë. Në radhë të parë, ky vendim synon të vërë mbi baza më institucionale procesin, të hartojë një platformë strategjike shtetërore të negociatave, të garantojë mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës, respektivisht pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, demokracinë dhe multietnicitetin. Në radhë të dytë, ky vendim synon të mënjanojë protagonizmin e skajshëm, mungesën e plotë të transparencës, frymën krejtësisht perjashtuese dhe veprimet e qëndrimet e paqarta dhe të rrezikshme të ndërmarra kohët e fundit nga Presidenti i Kosovës, Thaçi.

Deri tani opinioni publik është njohur vetëm me përbërjen e grupit shtetëror negociator të Kosovës në bisedimet e pritshme me Serbinë. Ndërkohë që pritet të bëhet publike edhe platforma e këtyre bisedimeve, e cila do realizohet nga ky ekip negociator. Këto ditë platforma e Kosovës do diskutohet në ekipin shtetëror negociator dhe brënda javës do kalojë për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Deri tani duket se cdo gjë po vihet më mirë në binarët kushtetues, institucional, për të siguruar legjitimitet, transparencë, përgjegjshmëri dhe gjithëpërfshirje. Ka një element që tërheq vëmendjen dhe që përbën shqetësim dhe paqartësi ndërkombëtare: ku është vëndi dhe roli i Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Pacolli dhe i gjithë shërbimit diplomatik Kosovar që ai drejton aktualisht?

Bazuar në kompetencat kushtetuese dhe përgjegjësitë shtetërore të Kosovës, sikundër edhe në të drejtën ndërkombëtare dhe praktikën diplomatike Ministria e Punëve të Jashtme është institucion unik në strukturën e shtetit. Për shkak të funksioneve të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare, vëndi dhe roli i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i Ministrit të Punëve të Jashtme dhe i shërbimit diplomatik është rregulluar qartësisht dhe universalisht në të drejtën ndërkombëtare. Është një e drejtë ndërkombëtare e hershme, por e unifikuar dhe e kodifikuar nga Kombet e Bashkuara në mënyrë më të plotë dhe më të saktë mbas Luftës së Dytë Botërore.

Bota sot ka rreth 193 shtete antarë të OKB, ka dy shtete me status vëzhguesi, Shteti i Vatikanit dhe Shteti i Palestinës si dhe shteti i Kosovës, në proces njohje dhe integrimi. Për rrjedhojë bota ka po aq kushtetuta, pra akte unike publike të brëndshme. Lidhur me vendin e rolin e Ministrive të Punëve të Jashtme, të funksioneve të ministrave të punëve të jashtme dhe të shërbimit diplomatik bota ka gjithashtu norma të miratuara ndërkombëtarisht dhe të detyruara për secilin shtet, pavarësisht nga sistemi politik dhe organizimi shtetëror i brëndshmëm.

Ministritë e Punëve të Jashtme, Ministrat e tyre, institucionet diplomatike konsullore kudo në botë kanë vëndin dhe rolin e tyre të rregulluar dhe të pranuar ndërkombëtarisht. Ministritë e Punëve të Jashtme, ministrat e tyre dhe diplomatët jetojnë dhe punojnë mbi bazë normash dhe rregullash të përbashkëta, të njohura dhe të pranuara ndërkombëtarisht, duke krijuar një ‘komunitet ndërkombëtar’ ose ndryshe ‘trupin diplomatik botëror’.

Shteti i Kosovës nuk mund dhe as nuk duhet të bëjë përjashtim nga këto norma dhe rregulla ndërkombëtare lidhur me Ministrinë e Punëve të Jashtme, ministrin dhe diplomatët e tij. Mirëpo praktikisht vërehet një mënjanim thuajse i plotë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministrit të saj, z. Pacolli dhe shërbimit diplomatik Kosovar nga procesi i negociatave Kosovë-Serbi. Kjo situatë shpreh një anomali serioze për Shtetin e Kosovës, posaqërisht për politikën e jashtme dhe diplomacinë. Shkaqet e kësaj anomalie mund të jenë të ndryshme, individuale, politike, kapaciteti ose të gjitha së bashku. Por cilatdo që të jenë nevojitet të gjehet një zgjidhje. Vëndin e rolin e Ministrisë së Jashtme, të Ministrit dhe të shërbimit diplomatik të Kosovës nuk mund ta zëvëndësojë institucionalisht as Kryekomunari i Prishtinës, as Nën/Kryeministri i Qeverisë, as kryetarët e partive politike dhe as përfaqësues të tjerë jo shtetëror.

Vetëm Ministria e Punëve të Jashtme përbën arkivën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë së Shtetit të Kosovës. Pa arkivë nuk ka memorie. Nuk ka follow-up, ose vazhdimësi. Nuk ka informim e komunkimin kapilar brënda-jashtë dhe anasjelltaz. Nuk ka proces të permanent bisedimesh, dialogu dhe negociatash. Nuk ka baza të qëndrueshme profesionale. Nuk protokoll. Nuk ka legjitimitet institucional dhe nuk ka kredenciale ndërkombëtare.

Kjo mangësi në grupin negociator të Kosovës, të sapokrijuar nevojitet të plotësohet sa më parë. Nëse mënjanimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhet me vetë Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Pacolli, për të cilin ka shumë kritika, athere le të zgjidhet një ministër tjetër, që të ketë më shumë legjitimitet, besueshmëri, kredibilitet ndërkombëtar, formim e profesionalitet dhe përformancë më të mirë diplomatike. Por, nuk është aspak e drejtë, e arsyeshme dhe e dobishme që për hir të kontesteve ndaj titullarit të diplomacisë të mënjanohet e gjithë Ministria e Punëve të Jashtme dhe shërbimi diplomatik i Kosovës nga procesi i negociatave me Serbinë.

Është momenti që Kryeministri i Kosovës, Haradinaj të vendosë ose përfshirjen e Ministrit të Jashtëm dhe të angazhojë gjithë agjensinë e tij në ekipin negociator shtetëror të Kosovës, ose ta lirojë atë nga detyra dhe të zgjedhë një titullar tjetër. Një ekip shtetëror negociator pa shefin e diplomacisë dhe pa angazhimin e agjensisë që ai drejton do ishte një boshllëk serioz, i paplotësueshëm nga asnjë institucion tjetër shtetëror, pa seriozitetin e duhur dhe pa besueshmërinë e mjaftueshme ndërkombëtare.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top