Shkruan, Nest Zefi
Sa herë debati shoqnor e politik rrotullohet rreth familjes Hoxha, ndizen emocionet e opinionbërësve, të cilët me polarizimin histerik të këtyne eventeve, sbajnë gja tjetër, përveçse shmangin pistat e vërteta të thellimit mbi arsyet që janë në themel të përsëritjes ciklike të të njajtit avaz.
Para disa ditësh, nji rrjet televiziv shqiptar, i dha nji hapsinë të bollshme në palimpsestet e veta, të vejës së diktatorit Enver Hoxha, e cila këtë radhë, simbas disa komenteve në rrjetet sociale, kishte privilegjue aspektet intime ose siç quhen (rozë) të raportit me bashkëshortin e saj.
Me thànë të drejtën nuk e kam ndjek intervistën e Nexhmije Hoxhës as tekstin e botuem në të përditshmet shqiptare; shtoj jo për snob por thjesht sepse potencialisht e parashikoj pak a shumë atë çka mund të ketë thanë Nexhmija, e ngujueme në paktin omertoz të recitimit të versionit zyrtar të epopesë së “lavdishme” të otomano-komunizmit shqiptar. Në moshën e saj e me peshën e mëkateve të pa rrëfyeme, përkundrazi, të mohueme përballë evidencës empirike, do të ishtë gabim trashanik me pretendue diçka sqaruese prej Nexhmijes, përveçse insistimin diabolik me i shkue deri në fund nji ekzistencë të fillueme me premisa diabolike dhe të çueme përpara me të njajtin avaz famëkeq, me dame të pallogaritshme për qytetarët shqiptarë, të reduktuem në skllav.
Megjithatë, komentet e shumta, pro e kundër, të bame me zell në adresë të daljes në intervistë të Nexhmijes, përtej mirëkuptimit për dinamikat komplekse që trazon dhe mbart roli i Nexhmije Hoxhës si e veja e diktatorit Enver Hoxha, meritojnë nji studim në vedi e jashtë emotivizmit banal depistues, në mënyrë që të inkuadrohet mbi baza mundësisht objektive, nji pjesë e randësishme e historisë sështetit Shqiptar dhe të figurave të atij sistemi me të vërtetë gjakatar.
Pikërisht, sebepi apo preteksti i intervistës së shoqes Nexhmije, më nxit dëshirën me riciklue disa ide të mia të mahershme mbi raportin plot ekuivoke të shqiptarëve e shqipfolsëve me nji ndër rregjimet ma gjakatare të Europës lindore e botnore, të Shqipnisë së mbasluftës së dytë botnore si dhe me krejt historinë paraardhëse gati 5 shekullore të sundimit otoman.
Mendoj qe jam kenë i vetmi që kam propozue në rrethet e studiuesve të disiplinave të ndryshme humaniste apo edhe të opinion makers-ve shqiptar, nevojën e përzgjedhjes së nji paradigme gjithpërfshirsë nën lupën e së cilës me pa itinerarin e deformuem antropologjik shqiptar në raport me vendet e tjera të qytetnueme.
Në fakt, çelësi i kësaj paradigme vërtitej apo sintetizohej në togfjalëshin “otomano-komunist”, si nji çift fjalësh përshkruese e përfaqësuese të realitetit shqiptar në nji hark të gjatë vazhdimësiet kohore dhe i aftë me nxitë si reaksion meditues, në kushte liriet e përgjegjësiet, nji proces vetëdijësimit, konvertimit e emancipimit në raport me opsionet valoriale të ofrueme nga kontingjenca e favorshme historike e kohëve të sotme për Shqipninë e shekullit XXI.
Sigurisht, otmano-komunizmi nuk àsht paradigmë abstrakte por realitet i gjallë i ulun kambturqisht në çdo cep të realitetit shqiptar, àsht doktrinë politike pa artikulime doktrinare dhe sjellje pragmatike e egoizmit autoreferencial që urren personin mendues, komunitetin solidar, lirinë personale, dialektikën politike, pra, bazohet vetëm në mashtrim e reduktim të personit në instrument të epsheve për sundim tiranik. Historia e Shqipnisë àsht e brumosun me otomano-komunizëm dhe disa citime të këtij togfjashëshi nga ana e disa politikanëve kohët e fundit për auto-estetizim politik apo edhe nji farë qytetarie e këtij termi, nuk ka gjasa me ezorcizue situatën shqiptare.
Me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës, otomanizmi si themel mbi të cilin u shartue modeli i komunizmit shqiptar, u rivitalizue në mënyrë të jashtëzakonshme deri në atë pikë sa me pretendue nji rol hegjemon edhe mbi koshiencën personale të individit, tue superue anadollizmin tradicional që mjaftohej me nji konformim estetik të jashtëm.
Kamuflimi i këtij operacioni “kulturor” me sllogane modernizuese apo parimin e luftës së klasave dhe zhdukjes së zakoneve prapanike i dha diktatorit Hoxha, patentën e nji strategu pushteti me ia pasë zili edhe Sulltanët e Perandorisë Osmane, mbasi arriti me stimulue, në funksion përmformues me idetë e veta, substratin anadollak, në kalbëzim e sipër të shumicës së shqiptarëve.
Ky operacion kulturor nuk ishte i padhimbshëm por ia mbrrini me rivitalizue anadollizmin në kushtete kripto-modernitetit, tue e lanë si trashëgiminë ma tragjike për shpresat e çdo qytetari vullnetmirë shqiptar për progres shoqnor e zhvillim të lirisë personale e komunitare.
Në ndërmarrjen epokale të modernizimit të rremë të anadollizmit, Enver Hoxha me atë qasjen e vetë “puritane” imponuese, u mundue me shfarosë përfundimisht çdo pengesë kulturore e shpirtnore që binte ndesh me parimet anadollake dhe të parët që e psuen deri në martirizim ishin katolikët bashkë me intelektualët ma në zà dhe klerikët e tyne.
Prandaj, para se me u turrë me komente emotive për shfaqjen “alergjike” të Nexhmijes, asht mirë me kuptue se Enver Hoxha me regjimin e tij nuk janë kurrë sinqerisht nga shumica e shqiptarëve si diktatorë në rangun e Hitlerit apo të tjerëve si ai. Enver Hoxha shihet ma tepër si vllau i vetë në fe Qemal Ataturku i Turqisë së vogël me emnin Shqipni, e mbetun pa babë për shkak të gjeopolitkës së “qafirave” shqiptarë, që luftuen ashpër e mandej ma vonë ndërmjetsuen te Papa i Romës me barijtë e tyne shpirtnorë për shkëputjen nga kalifati osman.
Tue vazhdue arsyetimin në këtë sprovë hulumtimit në llumin otomano-komunist, mendoj se nevojitet nji kërkim i përvujtë për me përmbys disa tabu kote të krijueme artificialisht në vitet e postmonizmit mbi figurën e Enver Hoxhës dhe rolit të tij në gati 50 vite dominim absolut të fateve të Shqipnisë. Të gjithë jemi dëshmitarë se tymnaja frenetike në tentativen iluzore të largimit të komplekseve personale të shërbtorëve e dishepujve të Enverit e Nexhmijes në ndërtimin e socializmit shqiptar, ka përftue nji lexim të pilotuem kontingjent të personazhit Enver Hoxha, mbasi kërkohet me ngulm reduktimi i fajit apo përgjegjësive të tjera të ndodhuna gjatë sistemit komunist vetëm te personi i tij apo nji grup shumë i ngushtë personash, pa analizue konjukturat e tjera të implikueme në mbeshtetjen e pakufijshme ndaj sistemit monist hoxhist.
Sigurisht, kupola drejtuese, kishte përgjegjësinë kryesore në të tana rrafshet por të mos harrojmë se jetëgjatësia në pushtet e tyne kishte nji bazë të fortë mbështetëse në subkulturën e popullsisë mbi të cilën sunduen dhe sundojnë edhe sot segmente të gjàna të saj, vazhdojnë me prodhue nji mori kripto-adhuruesish të antologjive të rrëfyeme prej Nexhmijes e modelit të saj si dhe nostalgjikë të shumtë.
Paradoksalisht, rritja marramendëse e numrit të kripto-adhuruesve shkon në proporcion me disktretitimin historik të regjimit otomano-komunist të Enverit bashkë me parardhësit e pasardhësit e tij otomanë. Në rrokupujën e “hashures” otomane, pozita e diktatorit Hoxha në raport me paraardhësit dhe pasardhësit e tij sivllazën otomanë, në përceptimin e gjanë statistikor, duket se “vezullon”, mbasi ai me dinakërinë e tij të lindun e falë gjeopolitikës së kohës, ishte i vetmi që ndërtoi nji autoritet shtetnor të fortë, mbrenda të cilit përvec modelit të dhunës, ishin inkorporue edhe disa instanca zbutëse perëndimore të ndjesisë sociale për shtresat në nevojë.
Nëse otomani harbut Ahmet Zogu/Zogolli, i martuem me shkusi me katoliken hungareze Geraldinë, u mundue me ndërtue nji shtet të fortë të pajisun medemek me institucione funksionale, falë ndihmës dhe kushtëzimit të Italisë fashiste, Enver Hoxha, burri i Nexhmijes, mbasi forcoi pozitat e veta në pushtet, ishte i vetmi shtetar me begraund otoman që pati nji vizion emancipues për shoqninë shqiptare, e robnueme në anadollizëm të frikshëm primitiv, tue i dhanë asaj nji parvencë vizionit kah disa elementë estetikë të vendeve të qytetnueme.
Falë ekspertizës sovjetike, kuptoi rëndësinë e investimit në sektorët strategjikë të ekonomisë, si bujqësia, blegtoria, frutikultura, ndërtimi i spitaleve, lufta ndaj analfabetizmit e hapja në masë e shkollave, elektrifikimi, aksesi i të gjithëve në shërbimet sociale etj.,pra, nji seri masash që ishin risi për nji popull të uritun deri në palcë prej grykësisë së pashoqe dhe prej modelesh të korruptueme të figurave despotike anadollake si: pashallarë, vezirë, kadilerë e kësi modelesh.
Përveç këtyne masava me vizion social, ai ndërmori edhe masa të tjera “kulturore” riedukuese për kurbanët e pushtetit të tij e në veçanti për nji grup të mirë-konfiguruem socio-kulturor e fetar, pra, komunitetin katolik. Kundërshtarët e viktimat e vërteta të Enver Hoxhës, siç e ceka ma sipër, janë bash tek ky komunitet dhe çdo tentativë “ekumenike” me shpërnda me kuota proporcionale persekutimin àsht depistuese në raport me të vërtetën historike. Diktatura e proletariatit të Enver Hoxhës para se me kenë luftë klasore, ishte strategji genocidi e mirfilltë ndaj komunitetit katolik, përtej faktit se ai àsht kujdes me fsheh këtë të vërtetë elementare.
Bile, në raport me katolikët e sidomos në ato enklavat e vogla, jashtë boshtit gjeografik tradicional të vendndodhjes së katoliçmit shqiptar, Enveri me Nexhmijen, mbasi konsoliduen pushtetin e tyne, u përpoqën me riedukue “kulturalisht” disa filiza katolikësh të motivuem për partinë dhe sot ky model àsht aq i harlisun prej “plehnimit” të partisë sa me u “tredhë” për kauzën e saj. Me këtë model katolikësh e të tjerë të marrun me “ qira” mendohet me u përfaqësue kauza katolike.
Tue ardhë te pika nevralgjike e këtij arsyetimi të gjatë, gjykoj se pyetjet kardinale të cilat kërkojnë përgjigje pa bishtnim, mund të reduktohen në faktin e motiveve të vërteta të nji kureshtje kaq të madhe që ka establishmenti promovues e për pasojë edhe shumica e publikut shqiptar për historinë e familjes Hoxha deri në nivelet ordinere të saj?
Kjo pyetje që tingëllon mà shumë retorikë në optikën teme, e ka marrë përgjigjen në rreshtat e masipërm; modeli i njeriut të ri me shartim në themelet otomane, ishte e àsht krijesë e Partisë dhe shokut Enver dhe për sa kohë ky model nuk konfrontohet në liri të plotë me koshiencën e vet, Enver Hoxha vazhdon me kenë njeriu i adhuruem prej shumicës së shqiptarëve, ashtu si Ataturku nga segmentët e shumtë të Turqisë laike.
Pse kena frikë ta tematizojmë hapur dhe pa asnji tabu faktin se Enver Hoxha trajtohet si diktator vetëm në sofizmat retorike të llapaqenëve “antikomunistë”, të plazmuem në institutin e shoqes Nexhmije, të cilët ajo i instruktoi me marrë drejtimin e Shqipnisë postmoniste dhe shumica e shqiptarëve jo vetëm nën zà por edhe haptazi po xjerr krye për me i dhanë nji vlersim ma objektiv figurës së Enver Hoxhës, sigurisht nën dritën e botkuptimit që injektoi rregjimi i tij dhe falimentimit dramatik të pasardhëseve hoxhistë në ndërtimin e forcimin e elementëve minimale shtetnorë.
E vërteta e madhe e rikthesoj, àsht se Enver Hoxha bani genocid për arsye të mbajtjes së patrazueme të pushtetit dhe disa koincidencave historike inatesh atavike të bashkëndame me fqinjët sllavë bizantinë, vetëm kundër komunitetit katolik dhe rretheve intelektuale të njerëzve vullnetmirë të religjoneve të tjera në Shqipni dhe ky fakt nuk mjafton për shumicën e vulgut me e pa atë nën optikën e diktatorit tout court.
Kjo asht arsyeja se Enveri “rron” në zemrat e çdo otomano-komunisti dhe ideologjia e tij shihet si shkollë e sigurt për suksesin e padiskutueshëm në mbajtjen e pushtetit prej pinjollëve të tij të ri e të vjetër.
Le ta pranojmë, pra, se Enver Hoxha në përceptimin e përgjithshëm të qytetarëve shqiptarë në mirëbesim dhe për injorancë të induktueme, shihet ma shumë si Ataturku i Turqisë së vogël me emnin Shqipni, se sa si nji diktator gjakatar për pjesën mà të madhe të shqiptarëve apo shqipfolsëve. Në fakt, Hoxha ashtu si bashkëvllai tij Ataturk, themeluei i Turqisë moderne, àsht pa ma të voglin dyshim nji otoman i reformuem që emnacipoi në gradën mà të naltë haxhiqamilat e Shqipnisë. Nji e përbashkët interesante e Hoxhës me Ataturkun konsiston në faktin se te dy për me konsolidue pushtetin e tyne, u siguruen me shfarosë elementin antiotoman, pra, siç ishin armenët në Turqi dhe katolikët në Shqipni.
Çdo person me dy pare mend e kupton se historia e Enver Hoxhës nuk shpjegohet nga librat e Blendi Fevziut apo Kastriot Myftarajt me orvatje banale e patetike, të cilat kanë për objekt orientimin seksual të tij, nivelin e shkollimit, bursën e Zogut, dyqanin e Florës apo marrina të tjera të periferisë gazetareske por me kritere të tjera e në funskion të zbardhjes integrale të veprimtarisë së tij shtetnore e motiveve ideologjike që e kanë përcaktue atë.
Personalisht edhe pse e konsideroj aspak oportune shkapetjen e surratit të Nexhmije Hoxhës në shpijat e shqiptarëve nëpërmjet televizioneve“kombëtare”, mendoj se nuk àsht i drejtë kryqëzimi i gazetares që e ka intervistue mbasi ajo me të drejtë e konsideron arritje të madhe profesionale dialogun me gruen e personit ma të pushtetshëm në historinë e shtetit shqiptar.
Në pikampjen teme, deontologjikisht e moralisht ndoshta pozicioni i gazetares Xhunga àsht i diskutueshëm sepse sforcon konceptin e lirisë së informacionit për pezmin që shkakton nji personazh i tillë në publikun e shëndoshë shqiptar, por nga ana tjetër, nën dritën e këtij shkrimi, mendoj se audienca i ka dhanë të drejtë gazetares. Sigurisht e vërteta morale nuk votohet por as imponohet në logjikën e nji të kshteni të mirë.
Linja editoriale e televizionit ku punon gazetarja që ka intervistue Nexhmijen dhe sensibiliteti i saj duhen trajtue me nji vizion mà të gjanë dhe marrë si shtysë për thellim e interpretim të matejshëm të ndodhive që realiteti na servir, tue u shkëputë nga ideja e pranueme hipokritikisht se sistemi komunist përfundoi në vitin 1990 bashkë me disa pleq e plaka të byrosë apo frontit demokratik.
Prandaj, tue konkludue këto rreshta, mendoj se të vërtetën duhet ta shohim në sy, si parakusht për me u lirue nga e pengjet e së keqes dhe për me fillue nji proces luajal konvertimit e njohjet objektive të së shkuemes.
Nexhmija e simbolika e saj meritojnë indiferencë të shëndoshë edhe pse janë kushtrim për “zboristët” otomano-komunistë të të gjitha estraksioneve me shtërngue radhët, qoftë ato të vijës së ashpër, qoftë ato të ramë prej “fikut”. Sfida jonë àsht me i lanë të vdekunit të merren me të vdekunit e tyne, siç thotë Ungjlli, dhe mbi të gjitha me rikuperue ndërgjegjën e disidentëve të vërtetë të Shqipnisë, pra martirëve katolikë të regjimit hoxhist, me thanë të vërtetën pa iu sjellë asaj si mica (macja) psheshëve.