SHKRUAN: AHMET ASANI
Në vitin 1993, në një intervistë në Radio Tirana, gazetarja Kozeta Mamaqi ndër shumë pyetjet e bëra mbi Kosovën, Maqedoninë, Shqiperinë, Diasporën etj., më kujtohet t’ma ketë bërë edhe një pyetje mbi Enver Hoxhën! Përgjigja ime ishte se Enver Hoxhën nuk e ka lindur nëna diktator por atë të tillë e krijoi fryma komuniste të cilën ai e gjeti në Shqiperi të sjellur nga dikush tjetër para tij, e më pas e formësoi sistemi i cili u krijua në bazë të ideologjisë komuniste!
Dua te dal te temat dhe emrat për të cilat shpesh kam shkruar e folur nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Albin Kurti, Vjosa Osmani etj. Jo vetem qe nuk kam asgje personale ndaj asnjërit prej tyre, por asnjërin prej tyre nuk e kam as mik, as fis e as farë! Po edhe sikur ti kisha farefis apo miq, kjo nuk do të ndikonte në analizat e mia te cilat gjithëmonë i bëje duke analizuar e bazuar në rrethanat, frymën dhe ideologjinë të cilat edhe ndikojnë në sjelljet e veprimet dhe formësimin e karakterit të secilit veç e veç!
Ajo të cilën jam munduar dhe po mundohem ta shpjegoj në shkrimet e mia, ka qenë dhe është ndikimi dhe dëmi të cilin Kosovës i solli fryma moniste e cila në Kosovë u fut nga Shqipëria viteve 70-ta, vite këto kur Kosova dhe shqiptarët nuk kishin fare nevojë për këtë frymë retrograde, sepse sa kishin vendosur kontakte me frymën demokratike pluraliste perëndimore!
Kjo frymë të cilën në shkrimet e mia shpesh e quaj ‘duhmë’, është ajo e cila ndikoi tepër negativisht ne shoqerinë shqiptare në Kosovë e vise, ndikoi në veprime jo te duhura para, gjatë e pas lufte dhe po vazhdon të ndikoj edhe sot e kësaj dite, në forma e niansa në dukje tjera, por në përmbajtje është e njëjta duhmë ajo e cila po vazhdon ta ngulfas shoqerinë shqiptare në Atdhe e Diasporë!