NUK HARROJMË

SHKRUAR NGA NEBIL ÇIKA

Nëse toka shqiptare ka shenjat, piramidat dhe karakollët e saj të kufijve etnik, Borshi është pa dyshim një karakoll nga më të lavdishmit. Në 30 korrik, u përkujtua në Borsh të Sarandës 100 vjetori i masakrës greke ndaj fshatit që ka sakrifikuar më shumë se kushdo në jug të vendit për lirinë tonë kombëtare.

I shtrirë në bregdetin e Jonit, Borshi nuk është vetëm fshati më pitoresk i rivierës sonë, por edhe me i lavdishmi për sa i përket historisë. I njohur e i përmendur si vendbanim i lashtë, ai shtrihet ne grykëderdhjen e lumit me te njëjtin emër, në një shtrirje dhjetëra km në bregdetin e detit Jon. Zoti i ka rezervuar një natyrë hyjnore, por edhe njerëz që kanë lënë shenja në historinë e tij dhe të krejt vendit.

Borshi i vjetër, ai që u dogj nga grekët ne vitin 1914 ndodhet pak më lart, se ky i riu mbas kalasë së Sopotit dhe është konsideruar në histori si porta detare e Kurveleshit dhe e Labërisë. Sigurisht që janë lebër dhe në ndryshim me një pjesë të fqinjëve krenohen për këtë. I madh, i begatë, me prona të shumta dhe me mundësi të mëdha ekonomike, ai ka dominuar zhvillimet në zonë për mijëra vjet në histori. Kultura e trashëguar por edhe ajo e kultivuar për shkak të emigracionit të vazhdueshëm dhe sidomos shkollimit në vendet më të zhvilluara të kohës, e kishin transformuar Borshin në fund te shekullit te 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të, në fshatin me ndikim të madh në zhvillimet politike e shoqërore ne rang krahinor e kombëtar.

Me rreth 500 shtëpi dhe me më shumë se 5 mijë banorë në vitin 1914 dhe me shpatulla të mbështetura fort në Kurvelesh e Labëri, ai përbente edhe një forcë të madhe ushtarake për kohën, gjë që përbënte një problem për fqinjët shovinistë dhe planet e tyre. Shumë borshiotë intelektual, politikan e ushtarak të njohur në histori, ishin angazhuar me të gjitha mënyrat në lëvizjen kombëtare dhe falë mërgatës së konsiderueshme në Stamboll e lidhjeve të gjakut me arbëreshët në Itali ( një pjesë e Borshit u largua në Itali pas pushtimit otoman , “Borshi San Marsano” , por ruajtën lidhje të vazhdueshme me pjesën e ngelur në atdhe , lidhje që në një farë mënyre vazhdojnë edhe sot ), ata ishin shumë të informuar e shumë aktiv me lëvizjen kombëtare shqiptare, gjë që i beri të jenë jo vetëm të përgatitur mendërisht dhe shpirtërisht, por edhe aktiv në lëvizjen kombëtare që çoi në shpalljen e pavarësisë me 1912. Por, njëherazi, ata ishin të informuar e të përgatitur për rrezikun që i kanosej vendit nga Greqia dhe të ndërgjegjshëm për sakrificën që duhet të bënin për ta mbrojtur atë.

Përpjekjet e grekëve dhe bashkëpunëtoreve të tyre vendas për aneksimin e Jugut të Shqipërisë kishin filluar shumë para shpalljes se pavarësisë dhe arritën kulmin dy vjet pas saj. Duke shfrytëzuar fenë ortodokse të fshatrave të tjerë te Bregut, pararojat greke me priftërinj e andartë kishin filluar të infiltronin e të hidhnin helmin e tyre në këtë zonë ende të lakmuar prej tyre. Fakti që Borshi ishte i besimit mysliman, kryesisht bektashi, dhe pasuria e madhe e banorëve të tij, nuk krijonte premisa për “greqizim” të butë me anë të fesë apo korruptimit me para, dhe siç rezultoi më vonë, lufta mbeti e vetmja alternativë e Greqisë për ta thyer atë.

Duhet thënë se jo vetëm Borshi por e gjithë Labëria u angazhua me heroizëm e sakrificë për mbrojtjen e kufijve të vitit 1913, ndërkohë që lufta me andartët grekë kishte filluar shumë më herët. Shkatërrimi nga themelet, me bombardim nga deti me anije i Lëkurësit në Sarandë dhe lufta heroike që lebrit mes tyre edhe  borshiotët organizuan për mbrojtjen e tij, ishte edhe shenja e parë e asaj masakre që do të vinte me vonë. Për shkak të kushteve e cilësive specifike, Borshi ishte fshati që u sillte e vazhdon tu sjellë pengesa grekëve në planet e tyre për Shqipërinë e Jugut. Ne këto kushte, Borshi ishte si të thuash edhe qëndresa e fundit ndaj pushtimit grek të vitit 1914 të Shqipërisë së Jugut. Sipas të dhënave historike por edhe dëshmive të dëshmitarëve okularë, qëndresa e Borshit ndaj forcave greke të komanduara nga Spiro Milo nga Himara , vazhdoi me heroizëm të pa parë për gjashtë muaj rresht, ndërkohë që pjesa tjetër e bregdetit ishte pushtuar siç dëshmon edhe kjo foto e vitit 1913 në Nivicë Bubar.

Pozicioni strategjik me dy kalatë, Sopoti dhe Badhrra, që kontrollonin hyrjen nga toka dhe deti në Borsh dhe falë drejtimit profesionist te luftës nga djem, ish oficerë te ushtrisë otomane apo mercenarë në ushtritë evropiane, kryesisht në Itali, ata arritën të përballojnë për një kohë relativisht të gjatë një ushtri të organizuar e të armatosur rëndë. Dëshmitë e kohës thonë se bombardimi me artileri të rëndë, me anije nga deti dhe mbarimi i municioneve bënë që fronti të tërhiqej drejt Vlorës duke braktisur fshatin i cili u dogj e u rrafshua plotësisht. Inati dhe barbaria greke me Borshin ishte aq e madhe sa ata u munduan të shukun ç’do gjurmë e dëshmi jete në këtë fshat. Këngët e elegjitë popullore janë dëshmitë me te mira te asaj që ndodhi:

Spiro Milo një i marrë,

 erdhi Borshit i vu zjarrë.

Spiro Milo evgjiti ,

 grekë nga Gjiriti ngriti ,

 Borshit, erdhi ia vërviti,

 na dogji e na zhuriti,

…….. …

Pyet qyqja- bilbilë:

Zjarr është a vetëtimë? –

Borshi është në përcëllimë !

Masakra e Borshit ishte e tmerrshme. U shkatërrua dhe u djeg gjithçka.

Një fshat i madh me 500 shtëpi ishte zhdukur nga faqja e dheut. Luftëtarët gjithsesi mundën të mbronin në tërheqje popullsinë civile, dhe te varret ishin vetëm nga radhët e atyre që luftonin. E keqja më e madhe do të vinte me vonë. Qindra fëmijë e pleq te ngelur pa asnjë të ardhur, vdiqën nga uria dhe sëmundjet ne ullishtën e Vlorës, ku ishte strehuar pothuaj gjithë Jugu i Shqipërisë, nga Korça në Sarandë.

Por tmerri nuk mbaron këtu, sepse shkatërrimi me themel i Borshit vazhdoi për muaj të tërë. Mijëra rrënjë ullinj u shkulën e u mbollën në fshatrat ortodoksë që nuk u preken nga ushtria greke. Edhe sot, ullinjtë janë atje si dëshmi të gjenocidit dhe spastrimit etnik grek, në Borsh dhe krejt jugun e vendit.

Ja si e përshkruan poeti popullor këtë situatë :

Fshati i Borshit si Teqe
Fusha e Borshit si Misiri
Nga rrënja shkulet ulliri
Hani a mos ua paftë syri

Megithatë, grekët dhe bashkëpunëtorët e tyre i kishin bërë llogaritë pa hanxhinë. Ata përdorën politikën e spastrimit etnik dhe tokës së djegur, duke synuar ta zhduknin Borshin nga harta, duke menduar se Borshi nuk do të kthehej më. Por, borshiotët u kthyen shumica, i rindërtuan shtëpitë dhe fshatin sërish. Të ri e të bukur, duke i kthyer lavdinë e begatinë e dikurshme. Mbollën ullinj të rinj portokalle, limona, qitro dhe të gjitha pemët e Perëndisë, madje edhe banane dhe rindërtuan parajsën që u ka falë Zoti e që e shohin e shijojnë të gjithë.

Borshi është si feniksi. Rilindë nga hiri, sa herë që armiqtë e tij mendojnë se e zhdukin. Borshiotët janë njerëz fisnik e paqësor. Ne emër të pajtimit kombëtar nuk u hakmorën me bashkëpunëtorët e grekëve ne djegien e Borshit. Nuk i morën mbrapa as ullinjtë e megjithëse i gjeten në bahçet e gjitonëve të tyre ortodoksë. E dinin se kush ua ka marrë. Grekët tentuan ta digjnin sërish në vitin 1941, gjatë luftës italo-greke, por pa sukses.

Megjithëse falën, të parët tanë nuk harruan. As ne nuk harrojmë! Shpresoj te mos harrojnë as fëmijët tanë. Ne kujtohemi për Borshin dhe masakrën greke ndaj tij sa here sorrat politike ne Tiranë, Athinë apo Himarë, çirren për vorio-epirin e megalloidhenë. Sa herë, si atëherë 100 vjet më parë,  dëgjojmë një Venizellos, një Milo, një Dhimë, me apo pa Kokë, apo dikë tjetër që ka ende mendjen e 1914-ës.

Kujtohemi kur shohim a dëgjojmë që në Shqipëri ngrihet një tjetër varrezë e ushtarëve grekë, të atyre ushtarëve që 100 vjet më parë dogjën e masakruan Borshin dhe gjithë Jugun e vendit. Por edhe ata e dinë dhe duhet ta dinë që Borshi ka qenë, është, e do të jetë atje përjetësisht. Feniks i ngjallur nga hiri i shqiptarisë, një karakoll i gjallë, i gatshëm të sakrifikohet sa herë të jetë nevoja, si në poezinë e famshme të Kutelit:

Jam këtu e këtu do jem,

Denbabaden ,

Gjer sa mali të bëhet hi ,

E hiri mal përsëri !

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top