NUK ËSHTË RASTËSI…

Shkruan: Arber Gashi

Nuk është rastësi që shërbëtorët  e Marshal Titos i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për rehabilitimin e heronjëve shqipfolës të Jugosllavisë komuniste, siç janë Fadil dhe Enver Hoxha.

Nuk është aspak rastësi që, politika zyrtare serbe dhe komunistët shqipfolës vazhdojnë të etiketojnë me të njëjtin fjalor dhe të përdorin të njëjtën gjuhë agresive ndaj të gjithë shqiptarëve që kundërshtojnë gënjeshtrat e tyre me fakte shkencore.

Nuk është aspak rastësi që, komunistët shqipfolës promovojnë kudo që ju jipet rasti poshtërimin e të gjitha viktimave shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore!

Konfederatës Ballkania, projektit dhe synimit ende të parealizuar të sllavo-komunistëve, majtistëve dhe socialdemo(n)kratëve në siujdhesën ilirike i duhen heronjë! Prandaj, për shoqërinë e sotme shqiptare, debati përmbajtësor për rolin e majtistëve shqipfolës në historinë e kombit tonë është i domosdoshëm dhe shumë i mirëseardhur. Një debat shterrues dhe konstruktiv, pa dyshim se ju nevojitet dhe ju shërben më së shumti shqiptarëve, sepse, ata prej tij përfitojnë si komb dhe si shoqëri e vetëdijësuar për detyrat që i imponon koha! – Për rrjedhojë, duke e mbështetur me tërë zërin e arsyes njerëzore një debat profesional dhe të bazuar në kriteret shkencore të vlerësimit, shoqëria shqiptare do të nxirrte në dritën e së vërtetës rolin e protagonistëve të kuq gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë periudhës së sundimit të diktaturës komuniste dhe gjatë periudhës së tranzicionit të stërgjatur e të papërfunduar, i cili jo vetëm se po ngecë sipas parashikimeve bazë dhe kontributit politik të së majtës shqipfolëse për jetësimin e dokumentit sllavo-komunist të Katovicës, por ai po e rrezikon edhe perspektivën e integrimeve të domosdoshme kombëtare.

Prandaj, s’do mend se do ishte një fillim premtues dhe shumë i dobishëm, nëse ne si shoqëri sjellim ndërmend dhe ballafaqohemi me përgjegjësinë e madhe që rëndon mbi supet tona. Prej nesh kërkohet të mos i harrojmë detyrimet që kemi ndaj pasardhësve tanë, sepse Ne dhe askush tjetër jemi ata dhe ato që duhet t’a varrosim njëherë e mirë shpresën e rrejshme. Ende nuk ka perënduar koha kur historinë e shqiptarëve e shkruanin besnikët e Byrosë Politike të Partisë Komuniste! Prandaj, realiteti na këshillon të mos pretendojmë pa mbulesë, sepse ende nuk ka përfunduar koha kur miratimin e tekstit zyrtar të Historisë sonë kombëtare e nënshkruajnë shërbëtorët e Marshal Titos! Kjo është arsyeja që ne si shoqëri e traumatizuar nga procesi i tranzicionit të papërfunduar, po ballafaqohemi për çdo ditë me realitetin dhe me kërkesat e vazhdueshme të trashëgimtarëve gjenetik të kriminelëve sllavo-komunist, të cilët, jo vetëm se nuk janë distancuar asnjëherë nga krimet e paraardhësve të tyre, por, përkundrazi, ata i kanë intensifikuar përpjekjet për rehabilitimin e veprimtarisë kriminale dhe gjenocidale të etërve, vrasës serik të shqiptarëve!

Është detyrë e jona dhe ne shqiptarët jemi ata e ato që duhet t’i japim prioritet ballafaqimit konstruktiv dhe shkencor me të kaluarën tonë, nëse vërtetë jemi të interesuar të shmangim ripërsëritjen e historisë, sepse, në qoftë se ne si shoqëri vazhdojmë të dremitemi dhe të dënojmë vehten tonë me heshtje miratuese e sjellje servile ndaj propagandës së sllavo-komunistëve shqipfolës, atëherë, ne do të dëshmojmë para historisë vetëm për gjendjen ku jemi katandisur si shoqëri e kontributit dhe sakrificës së munguar. Realisht, përsa i përket historisë shqiptare dhe të kaluarës së kombit tonë, e tillë si ka qenë në realitet dhe jo të tillë siç na e servojnë komunistët, atë nuk e ndryshon dot as heshtja jonë dhe as miratimi e militantizmi partiak i sllavo-komunistëve shqipfolës! Historinë e shqiptarëve e kanë shkruar ngjarjet dhe protagonistët e kohës. Ajo, në pjesën më të madhe është e deponuar në arkiva dhe po e pret “me padurim” punën sistematike të pendës kombëtare! Andaj, detyra e secilit prej nesh është të japim kontributin tonë për aq sa kemi mundësi dhe çasje, që këto arkiva sa më parë të shërbejnë edhe për nevojat e përgatitjes profesionale të gjeneratave të sotme. Pse vallë ne shqiptarët lejojmë që, edhe pas një çerek shekulli të rënjes së sistemit komunist në kontinentin europian, nxënësit tanë të mësojnë gënjeshtrat dhe plagjiaturat e shërbëtorëve të sllavo-komunizmit?! Pse vallë ne shqiptarët lejojmë, që edhe pas një çerek shekulli të rënjes së sistemit komunist në kontinentin europian, vendlindja jonë të qeveriset dhe të eksploatohet si mos më keq nga shërbëtorët më të devotshëm të sllavo-komunizmit?!

Shqiptarë! Ta dini se nuk është rastësi që ne sot ballafaqohemi me shumë shqipfolës të diplomuar, të cilët vazhdojnë t’i besojnë propagandës dhe “historisë” komuniste!

Prandaj, hulumto nëpër arkiva, lexo dhe mëso, sepse nuk është aspak rastësi që pjesa dërrmuese e shqiptarëve të diplomuar sipas kritereve të partisë komuniste, vazhdon të besoj verbërisht se në Kullën e Sali Manit n’Bujan, nga 31 Dhjetori 1943 e deri më 2 Janar 1944, komunistët shqipfolës, të bashkuar rreth drejtuesve jugosllav të “Konferencës së Bujanit”, Pavle Joviqeviç e Millan Zeqar, morën vendime të rëndësishme për Kosovën dhe të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje!!!

Lexues i dashur, nëse edhe ju keni pasur ndonjëherë dhe vazhdoni të keni akoma një mendim pozitiv për “Konferencën” e sllavo-komunistëve të Bujanit, atëherë, ta dini mirë dhe të jeni të bindur se edhe Ju jeni njëra nga viktimat e shumta të propagandës komuniste! Mjafton t’a konsultoni kronologjinë e ngjarjeve që i paraprijnë dhe e pasojnë “Konferencën e Bujanit”, për t’i nxjerrë si tërësisht të pasakta dhe joshkencore përshkrimet dhe tekstet e miratuara nga Ministritë përkatëse në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës!

Pra, thënë troç, nëse ne i referohemi me fakte shkencore periudhës Janar 1943 – Mars 1944, kronologjia e ngjarjeve zbulon qëllimin ogurzi të planit ushtarak dhe politik të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe tradhtinë e madhe kombëtare të shërbëtorëve shqipfolës të kësaj partie, të cilët i shërbenin Milladin Popoviçit dhe grupit terrorist jugosllav, i cili themeloi dhe drejtonte Partinë Komuniste të Shqipërisë.

Prandaj, Ti shoqëri shqiptare e shekullit XXI, nuk është aspak rastësi që koha po e imponon të insistojmë dhe kërkojmë zbardhjen e të vërtetës së plotë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht se a pajtohen me insistimin dhe kërkesën tonë këmbëngulëse sllavo-komunistët e sotëm, shërbëtorët e tyre, militantët partiak të së majtës, partitë e veçanta politike, familjarë të ish-partizanëve që, me apo pa vetëdije i shërbenin gjatë Luftës së Dytë Botërore terroristit Velimir Stojniç, ashtu siç këtë vazhdojnë t’a bëjnë edhe “doktorët e shkencave të PPSH-së”: Xhufi, Puto, Milo etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.