NUK BËHET SHQIPËRIA ME KOPILA

Shkruan: Edison YPI

Një mesoburrë me shall rrotull qafës dhe hundë të madhe sa një kalli misri;
-Di gjë ti për gjyshin tim ?
-Për gjyshin tënd, seriozitetin, autoritetin, lavdinë, qejfet e tij, në luginën e Vjosës dinë gjithçka edhe zajet e lumit, edhe retë e qiellit, edhe dëbora mbi male. Ka marrë tre gra njëpasnjë. Të treja fisnike. Kur mori të tretën e thirri Babai i Teqesë së Alipostivanit, i tha; “Bej, nuk është mirë”. Dhe Beu j’u bind, e largoi.
-Sa mirë e mbajtke ment Beun e Pacomitit. Po kryetarin e kooperativës, sekretarin e partisë, operativin e zonës, i mban ment ti ata qënër ?
-Mos m’i kujto ata mutër. Çfarë tu mbaj ment unë atyre haleve ? Unë jam kopil i beut, gjyshit tënd, dhe e kam për nder.
Tjetër kalimtar, me kosore në sup.
-Kam qënë kryetar këshilli. Tani më kanë harruar fare. Mirë kanë bërë që më kanë harruar. Çfarë të mbajnë ment prej meje. Një cop kopil që gjyshi yt, ndjesë pastë, më solli në jetë me një hyzmeqare.
Një i moshuar me njërin sy prej qelqi.
-Jam 84 vjeç. E mbaj ment mirë beun, sa tokë, sa bagëti ka pasur, dhe gjithçka tjetër. Ishte shkolluar në Stamboll. Fliste dhe shkruante Shqip dhe turqisht, por vishej sipas modës europiane me frak dhe kapele republikë. Kostumet i qepte në Gjirokastër dhe Selanik. Nderonte Rilindasit. Posaçërisht Naimin. Kishte respekt për gjërat e shkruara, dokumentat e ndryshme, sidomos ato të pronësisë. Ishte sevdalli’, qefli femrash. Kur erdhi Italia, vuri duart në kokë, ra mbi mangall duke shqiptuar sentencën madhështore që këtyre anëve e kujtojnë edhe sot; “Bo-boooooo mjerë ne, ramë në dorë të fukarajt”. Në do ta dish, unë jam kopil i gjyshit tënd.
Një Zonjë.
-Jam mësuese. Beun këtej e kujtojnë sikur të ishte ende gjallë, sikur ka vajtur diku dhe pritet të vijë. Ishte Don Zhuani i Luginës së Vjosës. Në bërjen e seksit komunistat pengoheshin nga parimet e ngurta të marksizëm-leninizmit. Beu nuk i linte fshatarkat të vuanin. Ua plotsonte dëshirat. Kopilet e gjyshit tënd, njëra prej të cilave jam unë, për kontributin që kanë dhënë, janë prezente nëpër këngë. Ja dy vargje të një kënge të famshme,
Çup’ e Veli Beut me nishan në ballë,
Ç’e gënjeu kopilja, e nxorri në shkallë.
Një djalë i ri me biçikletë.
-Hë mo përmetar, di gjë ti për gjyshin tim ?
-Të kam zili që je nip beu. Nëna dhe babai im janë kopile dhe kopil beu. Vetë jam një stërkopil i gjyshit tënd. Unë stërkopili i beut kam mbaruar në Amerikë për Etnopsikologji. Doktoraturën në Kembrixh po e bëj për Bejlerllëkun dhe kopil’llëkun. Po hulumtoj thellë për jetën e gjyshit tënd si Bej dhe veprimtarinë time si stërkopil. Një kapitull do jetë “Pse nuk e harron kopili Beun”. Më mahnit lavdia e pavdekshme e gjyshit tënd që ishte një produkt autentik i mjedisit ndërkohë që komunizmi dhe komunistat ishin mish i huaj për këtë vend. Beu ishte si fshati, fshati ishte si Beu. Kujtimi i gjyshit tënd është aq madhështor sa i ka bërë hi e pluhur mijëra librat dhe filmat që komunistat bënë kundër tij. Komunistat nuk e kuptuan kurrë se sa më tepër e luftonin, aq më të pavdekshëm e bënin Beun. Të qënët stërkopil më ka ndihmuar goxha për Doktoraturën. Unë e di, për shembull, se që kur ti nipi i Beut nuk ishe as 10 vjeç shtëpia jote dukej si OKB-ja në seancë plenare. Bejlereshat, me në krye më të fismen dhe më të kënduarën e tyre, nënën tënde, të bijën e beut, rrufisnin kafe dhe tymosnin duke folur për Amerikën, Rusinë, Kinën, Kanalin e Suezit, luftën e klasave, arrestime, internime, burgime, pushkatime, frikëra, emra, data, ndodhira, ilakara, Bejlerë, Teqe, Baba Teqeje, Dervishë, Myhypë, Qatipë, Poetë, Bejtexhinj, tregëtarë, hyzmeqarë, kopila, kopile. Bejlereshat flisnin edhe për Beun. Thoshin ishte “sevdalli'”. Babai yt nuk merrte pjesë në këto seanca. Edhe ai Bej ishte. Por si Bej kolonjar e hidhte më lart. Babai yt fliste për Aristotelin, Arkimedin, Neronin, Monarkët e shquar, Shekspirin, Gëten, Tolstoin, Kolombin, Magelanin, Kromuellin, Henri Fordin. Ti në një qoshe dëgjoje i mahnitur Bejlereshat. Një herë e pyete nënën; “Ç’domethënë “Bejlerllëk”, “Sërë”, “Sevdalli”, “Diktaturë” ? Ajo tu përgjigj me ca fjalë që ti i mbajte vëth në vesh për tërë jetën; “Sapo mbarove së lexuari Makbethin dhe këto terma nuk i di ?! Bejlerët dhe Bejlereshat janë si Dhëmbeli dhe Nëmërçka. Kopilat dhe kopileshat janë si ujët e Vjosës. Mos u habit se në këtë vizitë tek “Rrapi i Pacomitit” takove vetëm kopila, kopile, dhe mua stërkopilin. Bota është e Bejlerëve. Por ndodh ndonjëherë që frerët i marrin në dorë pjellat e tyre bastarde, kopilat. Ne kopilat dhe kopilet bënim ligjin në kohën e kurvit. Prandaj s’gjen karar Shqipëria. Nuk bëhet Shqipëria me kopila. Shqipëria bëhet me Bejlerë, për të cilët, ngaqë koha nuk ka as fillim e as mbarim, nuk është kurrë as herët as vonë. Po të pyesin, thuaju ma tha një stërkopil përmetar.

1 thought on “NUK BËHET SHQIPËRIA ME KOPILA”

  1. ILMI FEHIM PRODANI

    ESHTE ME SE EVERTETE QE AJO GJENERATIJON PAS 1945 JAN KOPILE SKAN QENE NJERS SI STERGJYSHIT DHE GJYSHET PO DHE PRINDERIT E TYRE,, KJO GJENERESHE QE KINI SOT VJEN NGA HAJDUTET E SE KALUARES, SE VETEM ATA PERFITUAN NGA KOMUMUTET, MBASI BABAJ I TYRE ISHTE PKLE NJHERIU, SIGURISHT DERI ESHTE DER NUK BEHET QENGJ,.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top