Nji vorr për At Gjergj Fishtën

Shkrue nga At Zef Pllumi

“Ajo natë e 31 dhjetorit 1940 nuk kje natë gzimi: nji ndër bijt ma në za të Shqipnisë mbulohej në dhe të zi. Nuk pati andrra lirije, pse dy pushtues të huej luftojshin mes vedit mbi këtë truell. Qielli kje i ngrysun, i ftoftë, i merdhitun si zemrat e shqiptarëve e toka me borë e me skllotë, kur po zhvillohej funerali i zi mortuor i Fishtës.

Vonë në natën e 31 dhjetorit nji grup i vogël françeskanësh hapëm atë vorr me zemër të thyeme e me lot ndër sy. Te kryet nji kryq dullije për me çue në vend dishirin: Nji kryq druni, t’kojsha true,/nxierre e venma përmbi krye…Qindra kurora lulesh, që e mbuluen vorrin, nuk e zbukuruen atë vdekje”.

“Dukej sikur në luftën e madhe të popujve mëndjeçoroditun Fishta po binte fli. Vorri ishte aty, në fund të kishës. Heshtje e mallëngjim. A thue se bota kje përmbysë me tërbim. Furishëm hynë ushtarët e 1944-trës me hyllin e kuq në ballë. Ata shpallën se kishin shembë botën e vjetër dhe do të ndërtonin “botën e re”: “Internacionale do të jetë bota e re!”. Para tyne u duk sikur kombit tonë iu përvdorën të gjithë hyjt e diejt e vet.Nga vorri në fund të kishës u hoqën në fillim kunorat me lule. Kryeqi dullije u zhgul.

Mbet vetëm nji rrasë e bardhë e ftohtë mermeri, pa emen e pa kombsi. “Bota e re” që kishte ardhë nuk kje botë shqiptare; kjo e huej, sdihej e kujë. Nji botë me inade e maraze, pa din e pa iman, pa fe e pa atdhe, pa nderë e pa liri, pa gëzime as dëshirë , pa shpresa për të ardhmen. Kështu u ngrysën vitet e gjatë mbi atë vorr, ku prehej poeti: në nji robni që vetëm armiku e dëshiron”.

“Kishat e xhamijat u shembën në tokë, bashkë me to Atdheu e njeriu. Herojt e kombit u quejtën spijuen e tradhëtarë. Hienat e kuqe, në tërbim e sipër iu suellën varrit në fund të kishës e dhunuen e shkatërruen”.

Simbas nji dishmitari okular, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad e i hodhën në Drin. Partia kishte vendosë që Kishën Françeskane ta kthejë në kino-teatër, ndoshta nga friga se nga fundi i Kishës mund të ngjallej nji za, kje shkak i veprimit të shëmtuem. Por ai çast i turpshëm për mbarë kombin dhe rracën shqiptare ishte pregatitë kaherë: fillonte që te programet e para shkollore të pushtetit të ri. Vazhdonte me urdhën partiak, në fillim në surdinë te mbledhjet e plenumet e shkrimtarëve e gjuhëtarëve ndër rrethe të mbyllura, deri që shpërthente haptë me korin e neveritshëm të shkrimtarëve, kritikëve e historianëve të realizmit socialist, që u vunë në garë mes vedit se cili po hjedh gurë e baltë më shumë mbi poetin”.

“I mbetun pa vorr, Fishta vazhdoi me jetue i strukun në kujtesën e legjendën e kombit, bashkë me herojt e epopesë së tij. Me gjasë lexuesit e tij nuk dinin kurrgja mbi fatin e trupit e t’eshtnave , dinin se kishte dikund një vorr, ku Poeti pushonte në paqe , ndoshta as nuk u jepnin randësi të mbetunave të tij. Ndërkaq në heshtje nën za, recitonin me ngulm kangët e “Lahutës së Malcis”, ky ishte një veprim konspirativ antishtetnor, antisocialist, antitiranik, antiservil që dënohej së paku me 10 vjet burg”.

“Gjysmë shekulli ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifikisht të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë. Na bie neve, breznisë që do të përgjigjemi tash e tutje për respektin ndaj traditës sonë letrare, t’ia japim asaj votën e dashurisë. Jo me fjalë. Ta mbrojmë me jetëgjatësi, duke ia shtypur e rishtypur pjesën më të mirë të kësaj vepre, e sidomos duke rregulluar marrëdhëniet e saj me historinë e letërsisë. Unë do të thosha jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon”.

Ndërkohë, në vitin 1993 kishte nisur rindërtimi i Kishës Françeskane të Gjuhadolit. “Kur u emnue Provinçial Superjor i françeskanëve të Shqipnisë, At Flavio Cavallini, fola me të për këtë punë që na priste. Dhe ma premtoi se kah mbarimi i rindërtimit të kishës, me siguri do të punohej edhe për reperimin e vorrit të përdhunuem. E mbajti premtimin. Mbas dy vjet punimesh erdh radha me u shtrue dyshemeja e kishës me rrasa mermeri. Ajo nuk u shtrue pa u ba sondazhet për vorrin, simbas të dhanave që kishim tregue. Më datë 13.11.1995 ditën e hënë, rreth orës 14.30 minuta, filluen gërmimet në prani të noteres V.Sulkaj. Aty kah ora 18.00 mbërritja edhe unë me At Leo Kabashin dhe kryeredaktorin e Hylli Aurel Plasari, kishim thirrë edhe drejtorin e radio Shkodrës, Z.D Luka. Me disa të tjerë që punojshim në rindërtimin e kishës ishte dhe Z. Ferdinand Topalli i cili dishmonte se e kishte pa me sy dikur kah i bajtën me karro eshtnat e Fishtës për me i hedh në Drin. Nga gërmimi i deriatyshëm u pa kjartë se nuk ishte dhe i zakonshëm i tokës, por nji material i ardhun nga prishje ndërtesash si copa tullash, gëlqere suvatimi, etj.

Atë natë u punue deri aty kah ora 21 në thellësinë rreth 2 metra u gjetën vetëm pak eshtra të vogla dhe nji unazë kurrizore. U vërtetue plotësisht se vorrprishësit kishin gërmue jo vetëm në mes, ku gjindej rrasa e mermertë por në çdo qoshe, derisa kishin ra në eshtna. N’e nesre gërmimet vazhduen përsëri. U gjet fundi i kalbun i nji arkivoli drunit, nji copë nga petku fetar (stola), si dhe pak ornamente metalike t’arkës. Dheu aty përreth u kalue nëpër sitë e u gjetën edhe nji pakicë eshtnash , shpëtue prej dhunimit të vorrit”, kujton At Zef Pllumi, i cili do të vazhdonte të këmbëngulte deri në rivarrosjen dinjitoze të Fishtës.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top