NJË SQARIM PËR LEXUESIN E GAZETËS “BOTA SOT”

SHKRUAN: XHAFER SADIKU

Një shkrim i Prof. Dr. Mehdi Hysenit, me titull “Asimetria e esadizmit dhe patriotizmit të Ismail Qemalit”, botuar në gazetën “BOTA SOT”, duket që në rreshtat e parë që nuk ka asgjë të vërtetë, asgjë shkencore dhe asgjë historike. Nuk mund të jetë shkrim historik ai që është i mbushur me epitete lavdësuese apo denigruese, që nuk mbështetet në dokumente të pa anëshme dhe që të kenë vlerën e provës.

Duket sheshit që autori është përfshirë në luftën e egër që zhvillohet në Kosovë midis klaneve enveristo-titiste për pushtet e para, dhe madje që akuzojnë njeri-tjetrin si vrasës të më shumë se njëqind aktivistëve politikë dhe gazetarë, në periudhën e pasluftës,

Shkrime që pretendojnë se marrin në analizë tema historike, por që janë të pambështetura në prova, janë thjesht pamflete politike dhe si të tilla, më shumë se sa fyerje për personazhet të cilat i sulmon e denigron, janë ofendim për inteligjencën e lexuesit.

Si njëri ndër studiuesit që jam marre për vite me radhë me përiudhën 1878-1928 dhe kam botuar një libër me rreth 450 faqe dhe afro 2000 referenca, po sjell për lexuesin e interesuar një përmbledhje nga veprimtaria e Esad Pashë Toptanit, gjatë periudhës 1903-1920,

-0-

Ç’FARË SHKRUANIN STUDIUESIT E HUAJ PËR ESAD PASHË TOPTANIN?

Gazetarët italianë të luftës si Italo Sullioti, Luigi Magrini dhe Gino Berri, në librat e tyre për ngjarjet e atyre viteve në Shqipëri dhe rolin e Esad Pashë Toptanit, japin një version të ndryshëm nga ai i histriografisë zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës.

Po kështu, një studiues i njohur italian, si Vico Mantegazza, autor i disa librave për Ballkanin, Shqipërinë, Turqinë e Maqedoninë, shkruan:
‟Banori më i famshëm i Tiranës është Esad Toptani, general divizioni e komandant i xhandarmërisë së vilajetit të Shkodrës, i pasur e inteligjent, ai gëzon një influencë të madhe jo vetëm në Sanxhakun e Durrësit, por në tërë Shqipërinë e Sipërme.

Esad Pasha, nuk kishte marrëdhenie me politikën për të kultivuar ide të gjëra e moderne.
Mikpritja e tij e shkëlqyer ka mbetur proverbiale dhe është e njohur se Austria ishte munduar ta joshte por ai është shumë krenar e i pavarur në karakterin e tij, një shqiptar i vërtetë. Fjala e tij ka peshë të madhe.[1]

Një tjetër autor si F.V.Rati, e portretizonte Esad Toptanin si:
‟… natyrë krenare e me ndjenja shqiptare, i pajisur me inteligjencë të lartë, por jo dhe me shumë kulturë, arriti shkallën më të lartë të hierarkisë ushtarake të perandorisë turke, mbrojti heroikisht Shkodrën, jo aq për t’iu bindur qeverisë që e urdhëronte, se sa për ta mbrojtur nga armiqtë më të mëdhenj se turqit”.[2]
Ratti tregon edhe autorët e sulmeve kundër Esad Pashë Toptanit, kur shkruan se:
‟rreth tij intriga austriake ka krijuar një legjendë për ta goditur; atë të tradhëtarit: e ka akuzuar se ka vrarë Riza bei, mbrojtësi i parë i Shkodrës; se ka shitur Shkodrën malazezëve me pare; se ka organizuar kryengritjen kundër Princ Vidit”.[3]

Esat Pasha është ai që është, -thekson Ratti, -ditë jo të largëta thoshin se është ai që ka dashur Austria të dukej.[4]

Edhe shtypi shqiptar i kohës, i bënte jehonë veprës së Esad Pashë Toptaniit.
Kështu, gazeta ‟Dielli” e datës 22 gusht 1913, e vlerësonte Esad Toptanin si ‟Mbrojtësi kreshnik i Shkodrës, famëmadhi Esad Pashë Toptani”.[5]

Gazeta e njohur ‟Daily Neës”, në një artikull për Shqipërinë, e portretizonte Esad Pashë Toptanin si ‟burrë i fortë, paqedashës dhe liberal, prestigji i të cilit sundonte mbi fiset katolik, ortodoks dhe mysliman, që ai ushtron mbi të gjithë fiset shqiptare një autoritet patriarkal të fuqishëm po të pa përcaktuar që pranohet nga të gjithë pa kundërshtim dhe vazhdon në këtë frymë”. Përshkruhet Republika autonome e Korçës, ‟President i së cilës është Esadi…”.[6]

Faktin e sjellë nga Ratti e pranon edhe përfaqësuesi i Vjenës në Komisionin ndërkombëtar të Kontrollit, Kral, në bisedë me përfaqësuesin e Italisë, në shtator 1914, por për këtë bën përgjegjës jo politikën zyrtare të vendit të tij, por këshilltarin austriak pranë Princ Vidit, Lowenthal, të cilin e vlerësonte si absolutisht të pa aftë për detyrën që kishte.[7]

Esad Toptani ishte për pavarësinë reale të Shqipërisë. Në librin ‟Histori kurrë e shkrume”, At Zef Pllumi, shkruan: ‟Në letrat dërguar At Pal Dodajt, Patër Marin (Sirdanit) dhe At Bonë Nikës ai bënte propozime ‟… për me realizue nji Shqipni të pavarun prej kurrkujt”.[8]

Në librin ‟Përpara gjyqit të historisë”, Xhelal Staravecka, thekson:
‟Ministria e Jashtme e Italisë i kërkoi Esdit t’i drejtonte Italisë një memorandum me të cilën t’i kërkonte zbritjen e saj ushtarakisht në Shqipëri, duke njohur të drejtën italiane në krejt prefekturën e Vlorës, si tokë e aneksuar Italisë. E, për atë vepër, i premtoi se do ta shpërblenin me shuma të mëdha të hollash si dhe me ndihma të tjera direkt për ta vendosur si princ sundimtar në principatën që do të formohej në atë rast në Shqipërinë e Mesme. Esad Toptani, me një nënqeshje që fshihte keq helmin që italianët kërkonin t’i helmonin shpirtin e tij atdhedashës, i tha ministrit se një gjë e atillë kërkonte dy apo tre ditë mendim”.[9]

Po atë natë, bashkë me Stavro Stavrin shkoi në Anzio afër Romës, ku mori një gjemi të vogël dhe u arratis nga Italia e shkoi e zbriti në Francë”.
Përkundër demonizimit që i bën historiografia komuniste e postkomuniste, në Tiranë e Prishtinë, veprimtaria e Esad Pashë Toptanit në shërbim të kombit shqiptar është lehtësisht e verifikueshme nga dokumentacioni arkivor.

KUSH ISHTE ESAD PASHË TOPTANI SIPAS DOKUMENTACIONIT ARKIVOR?

Ish komandant i xhandarmërisë së vilajetit të Janinës deri më 1903. Autorë të ndryshëm dhe shtypi i kohës shkruante se mbronte shqiptarët dhe vllehët nga veprimet e paligjëshme të valiut të Janinës, Osman Pasha, madje këtë të fundit e goditi në prani të truprojave të shumte, kur ai vetë ishte i shoqëruar nga truproja i tij, bashçaush Riza Velcishti dhe Muhamet bej Këlcyra. Veprimi i tij pati jehonë të gjërë në shtypin e kohës. Pas kësaj Sulltani e transferoi si komandant i xhandarmërisë së vilajetit të Shkodrës. Shtypi shkruante se ditën e largimit nga Janina u përcoll me lot në sy nga popullsia shqiptare e atjeshme, e mbledhur në një miting të madh për nder të tij.

Me shpalljen e Kushtetutës u zgjodh deputet i Sanxhakut të Durrësit në parlamentin osman gjatë viteve 1908-1912.

Njëri nga gjeneralët më trima të Perandorisë, ishte ai që i komunikoi Sulltan Abdyl Hamitit rënien nga Froni. Mori pjesë në të gjitha mbledhjet e elitës shqiptare në Stamboll, mbrojtës i alfabetit shqip me shkronja latine, dha ndihma në të holla për mbajtjen e shkollave shqipe. Familja e madhe Toptani, bashke me te tjere, ishte ndër kontributoret kryesore në të holla për mbajtjen e shkollave shqipe.

Mbështetës i xhonturqve, ishte ndër të parët që u largua prej tyre. Historiografia zyrtare e përshkruan kështu aktivitetin politik të Esad Pashë Toptanit për këtë periudhë: ‟Ndonëse nuk i mugonte inteligjenca dhe nuhatja politike, mbetej shumë i paqartë në përqafimin e idesë së kombit shqiptar”[10]

Më mirë se kushdo, per përqafimin e idesë së kombit shqiptar nga ana e Esad Pashë Toptanit, flet ai vetë në një intervistë dhënë një gazete italiane, më 20 janar 1911:

‟…ajo që më bindi më shumë ishte persekutimi i bashkatdhetarëve të mi nga qeveria ushtarake. Në cilësinë time si deputet shqiptar ishte detyra ime të protestoja energjikisht e të kërkoj sqarime nga qeveria aktuale, për të mbrojtur të drejtat e popullit që kam nderin të përfaqësoj. Nëse do të vazhdoja të bëja pjesë në komitet, patjetër do të kisha tradhëtuar atdheun tim e zgjedhësit që më kanë dhënë besimin e tyre. Për këto arësye të mëdha vendosa pra të shkëputem nga grupi i Komitetit për t’iu kushtuar tërësisht mbrojtjes së të drejtave tona kombëtare…”.[11]

Fama e tij do të rritej gjatë rrethimit të Shkodrës, tetor 1912-22 prill 1913. Me fillimin e luftës së Malit të Zi kundër trojeve shqiptare, Esad Pashë Toptani u vu në krye të rreth 20000 redifëve (rezervistëve) dhe marrshoi drejt Shkodrës për të mbështetur garnizonin e Shkodrës të komanduar nga gjenerali turk Hasan Riza Pasha.

Një pjesë e malësorëve katolikë, që të gënjyer nga Mbreti Nikolla i Malit të Zi, kishin prerë rrugën në Milot dhe nuk i lejonin të shkonte në Shkodër, Toptani i ftonte të ishin të bashkuar, të krishterë e myslimanë, se ashtu kishin më shumë rëndësi dhe u lutej të mos e pengonin të shkonte në Shkodër që ‟… t’i rrijë gati Karadakut (Malit të Zi)”.[12]

Deri më 30 janar 1913, komandanti i mbrojtjes së Shkodrës, ishte gjenerali turk Hasan Riza Pasha. Për heroizmin e gjeneralit turk në mbrojtjen e Shkodrës, oficeri arbëresh Eugenio Vaina, asokohe do të shkruante: ‟këtij gjenerali turk, një ditë Shqipëria e pavarur duhej t’i bente një monument”.[13]

Pas vrasjes së tij, komandant dhe vali i Shkodrës u emërua Esad Pashë Toptani.

Nën komandën e Esad Pashë Toptanit, janë zhvilluar betejat më të përgjakshme për mbrojtjen e Shkodrës, ku rreth 4500 ushtarë turq dhe 20000 redifë (rezervistë) shqiptarë, 4000 prej të cilëve nga Dibra, u rezistuan 60000 mijë ushtarëve malazezë dhe serbë dhe mbrojtën popullsinë civile të qytetit.[14]

Ishte rezistenca e tyre që i detyroi Fuqitë e mëdha, që në mbledhjen e 22 marsit 1913, ta përfshinin Shkodrën brenda kufirit të shtetit shqiptar.

Në gazetën ‟Përlindja e Shqipërisë”, organ i Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës, Mihal Grameno shkruante:

‟…Luftove Pasha me dragonjt’ e Shqipërisë u dhe dërrmën armiqëve edhe nderove kombin tënt, nderove Shqipërinë dhe nderove emrin e Skënderbeut! M’i math ç’pagim për një luftëtar as që mund të bëhet edhe as që është bërë kurrë! Vërtet Shqipëria nuk mundi t’u kurorëzojë me kurorën e artë, nga shkaku që ishte shkelur nga armikët, por ajo e ruante atë kurorë dhe kur të vinte ajo ditë e lumtur do t’u kurorëzonte siç duheshe duke thënë gjithë Shqipërisë cili është Esad Pashë Toptani!…”.[15]

Sipas botimeve të ndryshme, Lufta për mbrojtjen e Shkodrës është më e gjata e zhvilluar në trojet shqiptare në 2000 vjet histori.

Është rasti i parë në historinë e luftërave në Evropë që një qytet aq i vogël i mbrojtur nga një ushtri në raport tre herë më të vogël se me ushtrinë sulmuese, të ketë rezistuar aq gjatë.

Atë që historiografia zyrtare e quan si dorëzim i Shkodrës është një kombinacion i diplomacisë së Fuqive të mëdha në favor të Shqipërisë.[16]
Legjendën e bashkëpunimit të Esad Pashë Toptanit me Serbinë, qëllimisht historiografia zyrtare nuk e zbardh, për shkak se do të dalë e vërteta. Ishin shtetet e Antantës në bashkëpunim me qeverinë shqiptare të kryesuar nga Esat Toptani që ishte subjekt i së drejtës nderkombetare, që shpëtoi serbët gjatë tërheqjes nëpër Shqipëri, kur u thye në frontin austro-gjermano-bullgar në periudhën tetor 1915-shkurt 1916. Asokohe, në brigjet shqiptare zbarkoi flota luftarako-detare italiane dhe një pjesë e flotës franceze e angleze që tërhoqën drejt Korfuzit dhe brigjeve italiane rreth 270.000 serbë, midis të cilëve mijëra të uritur e të sëmurë, qeverinë dhe mbretin plak të Serbisë. Ditën e largimit nga Shqiperia, mbreti i Serbisë do të deklaronte se populli serb nuk do ta harronte kurrë ndihmën e shqiptarëve dhe të Esat Pashë Toptanit.

Përkundër legjendave të thurura nga historiografia zyrtare, rreshtimi i qeverisë së Esad Toptanit përkrah shteteve fitimtare të Antantës do të rezultonte shpëtimtar për Shqipërinë gjatë punimeve të Konferencës së Paqes në Paris (1919-1920).

Përkrahja që u dha Esad Toptani serbëve më 1915-1916, bëri që Serbia në Konferencën e Paqes në Paris, të deklarohej në favor të Shqipërisë në kufijtë e 1913. Në takimin me Presidentin Uillson, më 17 prill 1919, Pashiqi deklaroi: ‟Dëshirojmë që të ruhet parimi Ballkani popujve ballkanik dhe popullit shqiptar t’i jepet pavarësia”.[17]

Nuk ka asnjë marrëveshje midis Esad Toptanit dhe Serbisë. Atë që historiografia zyrtare mundohet t’ia fshehë publikut dhe t’ia atribuojë Esad Pashë Toptanit, në fakt ka qënë propozim i Presidentit Uillson bërë kryeministrit Nikola Pashiç.[18]

Kritikat e disa të ‟djathtëve” ndaj figurës së Esad Pashë Toptanit burojnë nga kompleksi i inferioritetit që kanë patur disa nga ‟mitet” e tyre, të ashtuquajtur nacionalistë, me Esat Pashë Toptanin. Është lehtësisht e verifikueshme nëpër arkiva se shumë prej tyre kanë qënë organizatorë të denigrimit të Esad Pashë Toptanit gjatë periudhës 1916-1920. Ka patur të tjerë që në mos janë të përfshirë drejtpërdrejtë në vrasjen e tij, kanë ndihmuar në mbrojtjen e vrasësve. Janë intrigat e huaja dhe disa ‟nacionalistë” që kanë mbjellë përçarje midis Ismail Qemalit dhe Esad Toptanit. Edhe vrasja e Esad Toptanit eshte intrige e tyre.

Vrasja e Esad Toptanit përmbylli ciklin e eliminimit te figurave me profil të lartë politik, elitës së shqiptarëve me karrierë te sukseseshme në Perandorinë Osmane, që në fakt, ishte elita e shqiptarëve myslimanë.

Brenda 15 muajve u eliminuan figura të tilla si Ismail Qemal bej Vlora, Esad Pashë Toptani, Prenk Bib Dod Pasha, Abdyl bej Ypi etj. Ky i fundit bashkë me Eshref Frashërin ishin organizatorët e Kongresit të Lushnjes, sigurinë e të cilit e mori përsipër dhe e realizoi i riu Ahmet Zogu.

Është rasti i rrallë në historiografinë botërore që një popull të mohojë nga historia e vet një luftë kaq të lavdishme për mbrojtjen e trojeve të tij, ku kanë derdhur gjakun mijera shqiptarë e turq dhe janë plagosur mijera të tjerë, vetëm pse komandanti i saj nuk i pëlqen regjimeve për shkak të inferioritetit të sunduesve të radhës, apo se për mbrojtjen e territoreve shqiptare luftuan dhe u vranë mijëra turq, kur ‟patriotët” e historiografisë zyrtare deri atëherë bashkëpunonin me ushtrinë serbe e malazeze kundër trojeve shqiptare.
_______________
[1] Vico Mantegazza, ‟L’Albania”, Roma MCMXII, pg. 388
[2] F.V.RATTI, ‟Albania e Vita Albanese”
[3] F.V.RATTI, ‟Albania e Vita Albanese”, pg. 31
[4] Po aty, pg. 31
[5] Gazeta ‟Dielli”, 22 gusht 1913, fq. 1
[6] AQSH., FO. 52, Dosja 9, fl. 16 (letër e Edith Durham për Sevasti Dakon, 1 qershor 1916)
[7] Për më tepër shih: ‟I dokumenti diplomatici italiani”, Quinta serie, 1914-1918, Roma MCMLIV, Volume I
[8] At Zef Pllumi, ‟Histori kurrë e shkrume”, Tiranë 2006, fq. 475
[9] Xhelal Staravecka, ‟Përpara gjyqit të histroisë”, Tiranë 2012, fq. 34
[10] Ledia Dushku, ‟Kur Historia ndau dy popuj fqinjë”, Tiranë 2012, fq. 166
[11] ‟L’agonia e la fine di Scutari”
[12] AQSH, FO. 70, Dosja 40, fq. 1-3
[13] Eugenio Vaina. ‟La Nazione Albanese”; Catania 1917, pg 89
[14] Për më tepër shih botimet e autorëve: Hortense von Zambaur; At Justin Rrota, Gino Berri, ‟Assedio di Scutari”, Milano 1913; ‟L’agonia e la fine di Scutari”; Vico Montegazza, ‟Questione di Politica Estera, (La guerra balcanica)”, Milano 1914; P. Domenico Facin O.F.M. ‟I Frati Minor e Le Suore Stimatine durante L’Assedio di Scutari”, Firenze 1913; Hamdi Ertuna, ‟Mbrojtja e Shkodrës dhe Hasan Riza Pasha”, Tiranë 2006
[15] ‟Përlindja e Shqipëriës”, 2 vjeshtë e parë 1913; Letër e hapur e Mihal Gramenos drejtuar Esat Toptanit
[16] Për më tepër, në librin e autorit të këtyre radhëve ‟Shqipria 1878-1928, Roli i elites politike.
[17] ‟Aksioni Italian kundër Jugosllavisë në kufirin Shqiptaro-Jugosllav në vitet 1918-1920”, Titograd 1966.
[18] ‟Shqiperia 1878-1928, Roli i elites politike.

1 mendime te “NJË SQARIM PËR LEXUESIN E GAZETËS “BOTA SOT”

  1. I nderuar zoti Sadiku. Esati ishte aleat i rendesishem i Serbise e kaq me duket se mjafton per ta anatemuar e cilesuar si tradhetar, ose me sakte per te gjetur nje arsye per ekzekutimin e tij. Nese sot anatemojme Enver Hoxhen si aleat te serbeve e shitesh te interesave kombetare te shqiptareve, e njejta logjike do perdorur dhe per Esatin. Esati ishte atdhetar thoni ju duke cituar burimet, dhe Enver Hoxha po keshtu ishte atdhetar, e per kete burime ka shume, gjithmone nese perdorim logjiken te cilen ju perdorni per Esatin. Esati ishte armik i Austro Hungarise, aleatit me te madh te bashkesise shqiptare sepse nese individe si Esati i pergjigjeshin interesave personale, te pakten Austro-Hungarezet u perpoqen te ndertonin nje shtet shqiptar i cili te perfshinte te gjitha trojet e banuara nga shqiptaret. Si i tille, atributi si tradhetar mund ti jepet Esatit fare mire. Sa i perket asaj qe ju cilesoni si shkaterrimi i elites myslimane, druaj se jeni gabim…Per perkatesi fetare, klasa politike e kohes dominohej nga ta dhe pse besoj se ata do ta kishin te veshtire te pohonin indentitetin e tyre fetar si shenjues kryesor te identitetit politik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *