SHKRUAN: AGIM MORINA
Në vitin 1956 ndërmarrja amerikane dhe britanike kundër regjimit enverist dhe titist ka sukses. Bjen regjimi stalinist i Enver Hoxhës në Shqipni dhe shkatërrohet Jugosllavia e Titos nga aksionet e drejtueme prej amerikanëve dhe britanikëve. Prijësi i këtij akcioni, qysh dihet, asht Xhafer Deva.
Komunistët shqiptarë dhe jugosllavë, që arrijnë me shpëtu nga sulmi amerikano-britanik, ikin në Bashkimin Sovjetik, në Bullgari, në Rumani, sepse s’kanë ku ikin tjetër për me shpëtu kryet. Titoja me Enverin bahen bashkë në rezidencën e Ceaușescut.
Xhafer Deva hyn në Tiranë e në Prishtinë si çlirimtar. Në Shqipni instalohet regjimi i ri demokratik perëndimor, prap bashkohet Shqipnia me Kosovën, me Ulqinin, me Malësinë, me Preshevën, dhe me trojet shqiptare në Maqedoninë Perëndimore. Çamët kthehen në Greqi. Mbahen zgjedhjet e lira dhe kryeministër emnohet kush tjetër pos Xhafer Deva.
Cili kish me qenë veprimi i parë i komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë? Sipas asaj që po lexoj dhe nuk po u besoj syve, Enver Hoxha do të bashkohej prap me Dušan Mugošan, Fadil Hoxha me Sava Drljevićin. Ata prap kishin nisë luftën kundër Xhafer Devës, mbrapa të cilit tash do të ishin amerikanët dhe britanikët.
A asht e mundun kaq send mos me mujtë me mërtypë guri i mullinit në trunin e enveristëve dhe titistëve shqiptarë? Ndoshta kjo e shpjegon arsyen pse jemi ku jemi…