Një portret për Ciceronin dhe 6 gabimet që njerëzimi vazhdon t’i përsërisë brez pas brezi

Më 7 dhjetor 43 pes,  Marcus Tullius Cicero, konsull romak, filozof, politikan, jurist, orator, teoricien, konstitucionalist – ekzekutohet si armik i Romës, kur kishte filluar të besonte se karriera politike ishte arritja e tij më e rëndësishme; sepse veç orator i përkryer, ai ishte edhe një prej politikanëve më të mirë të Romës.

Për shekuj të tërë, Ciceroni ka përfaqësuar ekselencën e latinizmit: orator dhe avokat i pakrahasueshëm, divulgues i filozofisë, e në të njëjtën i përkushtuar për kultivimin e frymës dhe pasurimit të kulturës së Romës.

Lindi në vitin 106 para Krishtit në Arpino, një vend ende i lidhur me vlerat e atij qytetërimi fshatar, që kish përbërë themelet e forcës romake.

Marko Tulio Ciceroni e kish origjinën nga një familje e sërës së mesme, e pranuar prej pak kohësh në cursus honorum, domethënë me detyra publike.

Ishte pra, një homo novus, domethënë anëtari i parë i familjes së tij që mbulonte një pozicion në hierarkinë politike, dhe si i tillë shihej me një farë vlerësimi nga aristokracia. Por Ciceroni kishte në anën e tij, përveç aftësive intelektuale të lindura, edhe një arsimim shumë të mirë.

Në Romë kishte ndjekur leksionet e të drejtës që mbaheshin nga juristë të famshëm, duke marrë një arsim të shkëlqyer në gjuhën dhe poezinë greke, ashtu sikurse në filozofi.

Pa diskutim, kultura e tij ishte e jashtëzakonshme, ashtu si ai vetë thoshte kur vetëshpallej një “njeri i plotësuar”, duke dhënë kështu prova për vetëvlerësimin shumë të lartë që kishte, gjë që e kishte treguar që në fillimet e karrierës.

Siç rrëfen Plutarku, miqve që e këshillonin të ndërronte mbiemrin, për shkak se ai buronte nga një paraardhës i tij të cilin e vinin në lojë, Ciceroni u përgjigjej se do të luftonte “për ta bërë mbiemrin Ciceron më të famshëm se sa Scaurit dhe Catulit” (familje të fisnikërisë së lashtë romake).

Ciceroni fitoi famë me kundërshtimin e tij ndaj Jul Cezarit i cili kërkonte të bëhej i plotfuqishëm; më vonë ai denoncoi Mark Antonin që nuk riktheu republikën (pas vdekjes së Cezarit); dhe kritikoi Oktavianin që synonte të bëhej perandor.

Megjithatë, talenti i tij politik nuk ishte në një hap me ambiciet e tij: ai nuk diti të kuptojë, ose të pranojë, ndryshimin e kohërave.

Mendja e tij, ndonëse e mprehtë, nuk arriti të kuptojë se Jul Cezari i kishte dhënë historisë së Romës një zhvillim të pakthyeshëm, që republika, kufijtë e të cilës shtriheshin tashmë nga Reni dhe nga Deti i Veriut, deri në rërat e Sirisë dhe të Egjiptit, nuk mund të qeverisej më nga një grusht familjesh aristokratike, dhe që shoqëria e madhe që ishte formuar në ato dekada plot trazira kërkonte një aset politik krejt të ri.

Duke luftuar kundër Cezarit dhe ndjekësve të tij, fillimisht në krah të Pompeit dhe më pas vrasësve të Cezarit – gjithnjë në anën e humbësve – Ciceroni po luftonte kundër historisë.

Ciceroni u fal nga Cezari kur ky u kthye në Romë pas fitores ndaj Pompeit, por nuk mundi t’i shpëtonte zemërimit të Mark Antonit dhe Oktavianit që e ndoqën dhe e vranë si armik te shtetit.

Koka iu pre, duart iu gjymtuan, trupi iu nda copa – copa, shkruajnë kronikanët.

Ciceroni ra viktimë e pasioneve politike të kohës; tregojnë, se një herë, disa vite më vonë, Oktaviani (Perandor) e gjeti nipin e tij duke lexuar një libër të Ciceronit, dhe u përpoq për ta fshehur për shkak të frikës se gjyshi i tij do të zemërohej.

Por Oktaviani e mori librin, lexoi disa rreshta dhe ia ktheu duke thënë: “Lexoje pa frikë, Ciceroni ishte njeri i mësuar që e donte vendin e tij.” Me kalimin e shekujve, Roma përjetoi trazira, përmbysje; shkrimet e Ciceronit u zhdukën; më pas u ruajtën nga murgjit në manastire.

Zbulimi nga Petrarka i letrave të Ciceronit, në shekullin XIV, dhe publikimi i tyre, është cilësuar si shkëndija e Rilindjes evropiane. Por kjo Rilindja solli gjithashtu ringjalljen e Ciceronit, dhe, vetëm pas tij e nëpërmjet tij, edhe ringalljen e pjesës tjetër të lashtësisë klasike.

 

Kulmi i prestigjit të Ciceronit erdhi gjatë periudhës së iluminizmit (shekulli XVIII); ndikimi i tij është vënë re tek mendimtarët si John Locke, David Hume dhe Montesquieu; veprat e Ciceronit renditen mes atyre më me ndikim në kulturën evropiane, dhe ende përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme të materialit parësor për shkrimin dhe rishikimin e historisë romake, sidomos në ditët e fundit të Republikës, kur ndodhi edhe vdekja e tij.

Sipas Ciceronit: 6 gabimet që njerëzimi vazhdon të përsërisë brez pas brezi:

1- Besimi se fitimi personal arrihet duke shkatërruar të tjerët;

2- Shqetësimi për gjërat që s’mund të ndryshohen;

3- Këmbëngulja se një gjë është e pamundur, vetëm sepse ne nuk mund t’a arrijmë;

4- Refuzimi për të vënë mënjanë preferencat e parëndësishme;

5- Neglizhenca e zhvillimit dhe sqimës së mendjes;

6- Përpjekja për të detyruar të tjerët të besojnë dhe të jetojnë si ne.

Një thënie brilante nga Ciceroni:

“Të jesh injorant i asaj që ka ndodhur kur ti s’kishe lindur, është të mbetesh gjithmonë fëmijë.”

Tirana Observer

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top