Shkruan: Florim Zeqa
Deklaratat skandaloze kundër njerëzve të diasporës
Haraçi qeveritar, plaçkitjet e organizuara, duke filluar nga pikat kufitare e deri tek nxjerrja e dokumenteve zyrtare.
Në mos materialisht, së paku simbolikisht ishte dashur t’i nderojë me mirënjohje të gjithë pensionistët e mërgatës sonë për mundin dhe dashurinë, paratë dhe mallin që kurrë s’e kursyen për vendlindjen, për vendin ku u lindën e rritën.
Deklaratës së ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Abrashi, “Keqpërdoruesit më të mëdhenj të pensioneve janë të gjithë pensionistët e jashtëm që marrin pensione atje edhe këtu…”, dëshiroj t’i përgjigjem si mërgimtar e jo si analist politik.
Në vend të kësaj deklarate skandaloze, ministri Abrashi ishte dashur të mendojë ndonjë veprim ndryshe për të nderuar mundin, djersën dhe gjakun e mërgimtarëve për lirinë që sot po e gëzojmë.
Në mos materialisht, së paku simbolikisht ishte dashur të nderoj me mirënjohje të gjithë pensionistët e mërgatës sonë, për mundin dhe dashurinë, paratë dhe mallin që kurrë s’e kursyen për vendlindjen, për vendin ku u lindën e rritën. Ata apo bijtë e tyre lanë gjymtyrët e trupit dhe dhanë më të shtrenjtën-jetën e tyre për lirinë e Kosovës.
Si i vodhi Qeveria ‘Bukoshi’ mërgimtarët me “Bona fiskalë”?
Si pjesëtar i mërgatës së viteve të ’90-ta, me përgjegjësinë me të madhe deklaroj se, ndihmat e mërgimtarëve ndaj atdheut të tyre, nuk kanë munguar asnjëherë, para, gjatë dhe pas luftës,…atë botë, shefi i juaj Abrashi dhe Qeverisë aktuale të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ishte ministër i Financave në Qeverinë në ekzlil apo siç i thoshin ndryshe “Qeveria e Bukoshit”,…ishte grumbulluesi më i madh i parave (djersës) së mërgimtarëve.
Është tepër e ndjeshme për secilin mërgimtar të atyre viteve, kur dëgjon një ministër të Qeverisë së Isa Mustafës sot (PDK-LDK) të merret me “mashtruesit” nga Diaspora, që gjoja Kosovës po ia dëmtuakan buxhetin, ngase po marrkan pensione moshe, edhe pse nuk jetojnë në Kosovë!
Nëse nuk e di Abrashi, le ta pyesë shefin e tij , me siguri do t’i tregojë cili ishte premtimi i Qeverisë në ekzil ndaj mërgimtarëve (pensionistëve të sotëm) në prag të maxi-aksionit “Hua për Republikën e Kosovës”.
Secilit mërgimtar varësisht prej shumave, ju kishin shpërndarë “Bona Fiskalë”, të quajtur ndryshe “hua për shtetin” në vlerë nga 1000 DM e tutje, nën premtimin, se pas çlirimit secili që jep sot për shtetin, nesër në Kosovën e lirë do të ketë mundësinë e tërheqjes së këtyre parave në bankat e shtetit!
Duan trajtim dinjitoz, jo dëmshpërblim
Pavarësisht atij premtimi, deri më sot, asnjë mërgimtari nuk i ka shkuar mendja të kërkojë një gjë të tillë nga shteti, jo pse nuk e meritojnë, por për arsyen tjetër, se kjo ishte më e pakta që dhanë për shtetin në krahasim me ata që dhanë më të shtrenjtën-jetën e tyre për lirinë e vendit.
Asnjëri nga mërgimtarët nuk jemi duke kërkuar dëmshpërblim nga shteti, por jemi duke kërkuar trajtim dinjitoz e jo plaçkitje të organizuar, duke filluar nga pikat kufitare e deri tek nxjerrja e dokumenteve zyrtare (haraçi qeveritar), e aq më pak mërgimtarët nuk i meritojnë fyerjet e llojit të tillë çfarë i ra ndërmend ministrit Abrashi.
Ministër, neopensionistët nga mërgata nuk janë dëmtuesit e buxhetit të shtetit, as keqpërdoruesit e pensioneve siç i quani ju! Me bindjen më të thellë ju them, të gjithë ata që i gëzojnë ato pak mjete nga shteti për të cilin dhanë aq shumë gjatë jetës së tyre në mërgim,…ato mjete nuk i shfrytëzojnë vetë, por ua ndajnë vëllezërve të tyre me gjendje të vështirë socio-ekonomike, që i sollët ju me keqqeverisjen tetëvjeçare në shtetin e lirë dhe të pavarur.
Andaj, ju ministër Abrashi, me deklaratën tuaj skandaloze keni fyer jo vetëm pensionistët, por qindra mijëra mërgimtarë kudo nëpër botë, keni prekur thellë në ndjenjat e tyre shpirtërore.
Unë, që po ua shkruaj këta rreshta, nuk jam pensionist dhe as që jam në fazën e pensionimit, edhe 15 vjet, nëse jam gjallë për ta pritur atë ditë, ju dhe Qeveria juaj as që do të përmendeni as që keni ekzistuar ndonjëherë, do të vijnë njerëz më të mençur dhe më përgjegjshëm se ju!
Por, tani do të ishte në nderin e juaj, t’u kërkoni falje të gjithë mërgimtarëve, e në veçanti pensionistëve të apostrofuar në deklaratën tuaj, në të kundërtën, pasardhësit e juaj do ta gjejnë të shkruar diku me shkronja të zeza emrin tuaj dhe qeverisjes së i përkisni…