Shkruan: Prof. Dr. Jahja Drançolli
Lidhur me çështjen që jemi duke diskutuar do t’ju sugjeroj një ilustrim nga pasazhi i veprës së historianit të madh romak Plin Sekundi (23-79 të erës sonë). Është fjala për një episodë interesante që ndërlidhet me piktorin Apeles, bashkëkohës i Aleksandrit të Madh (gjysma dytë e shek. IV para erës sonë). Në një rast ai kishte ekspozuar në rrugë një pikturë të tij duke u fshehur pas saj në mënyrë që mund të dëgjonte kritikat dhe komentet e kalimtarëve. Një këpucar kishte një vërejtje që këpucët nuk janë pikturuar mirë. Duke mos qenë i kompleksuar dhe duke i konsideruar kritikat e këpucarit për relevante, piktori Apeles menjëherë dhe me mirënjohje i kishte eliminuar dobësitë e sugjeruara. Megjithatë, këpucari i ngazëllyer papritur nga fakti se piktori i famshëm i kishte pranuar vërejtjet e tij, nisi të vazhdonte me kritika të tjera për të cilat nuk ishte kompetent të gjykonte. Atëherë, piktori Apeles doli nga vendstrehimi tij dhe e qortoi ashpër: “Ne supra crepidam sutor judicaret“ (“Këpucari nuk duhet të gjykojë mbi këpucë“). Përmbajtja historike e kësaj episode të njohur është bërë një lloj metafore, e cila në mënyrë përmbledhëse dhe në mënyrë të qartë paralajmëron se nuk duhet të ndërhyhet në atë që nuk kupton. Përmbajtja e kësaj episode ka fituar në peshë sidomos nga fillimet e shek. XXI jo vetëm te ne por edhe në gjithë Ballkanin. Në të vërtetë, sfidat e kohës, krizat, “tranzicioni“, të cilat na kanë përfshirë për shumë vite, kanë rezultuar me huti të përgjithshme, dhe si rrjedhojë çdo ditë e më shumë janë duke u riprodhuar vlera të dyshimta nga fushat bazike të shkencës, religjioneve komparative, kulturës dhe arteve përgjithësisht.