SHKRUAR NGA URAN BUTKA
Masakra e Tivarit është një nga plojat më të përgjakshme dhe më të pabesa ndaj shqiptarëve. Ajo u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav kundrejt popullit shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi në muajt mars-prill të vitit 1945.
Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim.” Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë. “ Ky genocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të OZNA-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, si edhe të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga trojet e tyre. Këtë luftë kundër shqiptarëve, PKJ e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaro-madh”, si luftë kundër reaksionit të djathtë antikomunist në Kosovë e viset e tjera shqiptare, si luftë kundër “bashkëpuntorëve” të nazifashizmit etj. Por në fakt ishte luftë për ripushtimin e Kosovës e viseve shqiptare, nënshtrimin dhe spastrimin etnik të tyre. Masakra e përgjakshme e Drenicës dhe zhbërja e plotë e Brigadës VII kosovare që u nis për në Srem dhe s’u kthye më, ishin prologu i masakrës së Tivarit. Rekrutimi dhe grumbullimi i shqiptarëve nga 14 vjeç e lart prej të gjitha trevave shqiptare, për t’i zbrazuar ato nga forcat e gjalla kombëtare, u bë në Prizren, në kazermat e ushtrisë, ku fillimisht u vranë krerët kryesorë të rezistencës shqiptare, madje edhe oficerë shqiptarë të Ushrisë NÇ. Të mobilizuarit e tjerë i çarmatosën tërrësisht, madje edhe nga sendet personale, i keqtrajtuan dhe si robër lufte i nisën për në Frontin e Adriatikut. kinse për të luftuar kundër gjermanëve!? Edhe ky një mashtrimi radhës.
Sipas burimeve ushtarake jugosllave të Institutit të Historisë së Beogradit dhe të KQ të PKJ, cituara edhe në këtë studim, numri i rekrutëve shqiptarë, të mobilizuar dhe të dërguar dhunshëm të paarmatosur, të zhveshur, të uritur dhe të etur, sepse edhe ujë nuk i linin që të shuanin etjen dhe që komandanti serb Drleviç i fyente dhe i quante “frymë”, si të ishin shpirtra të vdekur, rezulton të ishte afërsisht 13.050 vetë, që u përkisnin afërsisht tri kolonave të nisura më 24, 26 dhe 27 mars 1945 me 7700 rekrutë dhe tri kolonave të nisura më 19, 20 dhe 24 prill 1945 me 5337 rekrutë. Për shoqërimin, ruajtjen dhe eliminimin e tyre ishin caktuar nga Shtabi i Suprem i Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV, mandej edhe Brigada X malazeze, gjë që tregonte sesa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhet të përfundonte në një kasaphanë të mirëprojektuar në Tivar. Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945, citojmë: “Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.” Siç duket qartë edhe nga ky dokument, por edhe nga të tjerë burime, ndjekja dhe vrasja e rekrutëve shqiptarë u bë në kordinim e bashkëpunim mes ushtrisë jugosllave dhe asaj të Shqipërisë. Gjithnjë, sipas burimeve ushtarake kryesisht jugosllave, nga tri kolonat e muajit mars 1945 dhe tri kolonat e muajit prill 1945, , u asgjësuan gjithsej 2543 rekrutë shqiptarë, nga të cilët 1560 vetëm në Tivar. Pohuar me gojën e tyre dhe e konfirmuar nga disa burime.( shih botimin “Masakra e Tivarit” e autorit Uran Butka)
Po tragjedia më e madhe ndodhi në mesditën e datës 31 marsit 1945 në qytetin e vogël të Tivarit, ku ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë. Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze e komanduar nga Gosha Markoviç, pikërisht këtu në Tivar, për pozicionin gjeografik, që kishte, dhe mundësinë e fshirjes së gjurmëve dhe fshehjes së krimit. Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, në rrugën që të çon në ndërtesën e Monopolit të Duhanit, arriti pikun e saj në oborrin dhe më pas në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit, mandej gjuetia e shtrigave pë rata që kishin shpëtuar nga ajo kasaphanë.
I mbijetuari i kësaj masakre, Azem Hajdini, në letrën e hapur që i dërgon qeverisë së Kosovës, korrik 2009, dëshmon: “Rreth ndërtesës së Monopolit të Duhanit, oborrit dhe shkëmbinjve ishin kurdisur me kohë pesë punkte, prej nga shtihej si mbi egërsira, me mitraloz, mortaja, trombllona, topa dhe armë të tjera zjarri. Përveç armëve të zjarrit, ushtarët dhe qytetarët përdorën edhe armë të ftohta si bajoneta, thika, sëpata, këmesa, cfurqe etj. Nga detonimet, na dridhej toka nën këmbë. Bubullima e armëve shoqërohej me ulurimat e kriminelëve, që shtinin mbi ne, duke na sharë e duke na fyer. Nga çdo anë fluturonin copat e trupave: këmbë, duar dhe gjymtyrë të tjera. Qielli ishte errësuar plotësisht, dukej sikur ishte muzgu i mbrëmjes. Rrezet e diellit mezi depërtonin përmes pluhurit, tymit e flakës së barutit, ndërsa gjaku rridhte si uji pas shtrëngatës. Krahas sulmit në oborr, me armë të njëjta dhe me intensitet të tillë, na sulmuan edhe brenda ndërtesës. Nga të shtënat e armëve, granatat dhe bombat, tavanet e ndërtesës filluan të bien mbi kokat e njerëzve, ndërsa dyshemeja mbushej në liqenj gjaku. Kësisoj, brenda dy orësh, nga turma e madhe e dendur e rekrutëve shqiptarë (mbi tre mijë veta që ishin vendosur në oborr dhe në rrugë), asnjë nuk mbeti pa u qëlluar me armë apo pa u plagosur, kështu që ajo hapësirë u shndërrua në një lumë gjaku, që i përngjante një kataklizmi të vërtetë.”
Edhe nga kolonat e tjera të marsit dhe të prillit 1945, me rekrutë shqiptarë të mobilizuar në Kosovë dhe viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, të njëjtin fat patën: u vranë, u helmuan në gazermat e Dubrovnikut të vjetër, u mbytën në Bunë, Drin apo në det, si në Trogil e gjetkë. Disa nga ata që shpëtuan nga plumbat dhe mundën të arratiseshin individualisht dhe disa në grup, u kthyen për në Ulqin dhe Shkodër, por më të shumtit u kapën nga rojet ushtarake të brigadës së Mbrojtjes së Popullit dhe OZNA dhe iu dorëzuan autoriteteve ushtarake jugosllave…..Nëse përpiqemi të konkludojmë për numrin e saktë të të vrarëve në këtë tragjedi të përmasave ballkanike, do ta kishim të pamundur, sepse një pjesë e tyre u ekzekutuan dhe u zhdukën rrugës së atij kalvari nga ushtarakët shoqërues serbo-malazezë, pa lënë gjurmë. Po të hulumtosh parashtesat, botimet dhe dëshmitë për këtë masakër të Azem Hajdinit, Bajram Golës, Nazif Selimit, Xhaferr Vokshit , si edhe të ushtarakëve të Shqipërisë Shefqet Peçi, komandant i Korparmatës III dhe Zoi Themeli, komandant i forcave të Mbrojtjes së Popullit, dhe të dëshmitarëve që mbetën gjallë dhe i rrëfyen apo publikuan dëshmitë e tyre, rezulton që numri i viktimave gjatë marshimit dhe në plojën e Tivarit, të jetë edhe më i madh. Qeveria komuniste shqiptare, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin, të kalonin e të goditeshin nëpër teritorin e Shqipërisë, jashtë çdo protokolli, kontrolli apo dhimbsunije dhe të vepronin si t’ua donte interesi dhe nuk u bë e gjallë e as protestoi për atë çka ndodhi në Shqipëri apo në Tivar me bashkëkombasit.
Sipas raportit të cituar prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Bedri Spahiut, dhe sipas informacionit të ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ministri i brendshëm i qeverisë shqiptare kishte autorizuar oficerët jugosllave që të pushkatonin fshehtas dhe pa gjyq , në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm. Në të gjithë rrugën e mundimshme nga Kukësi në Shkodër, vazhdoi dhuna, poshtërimi dhe asgjësimi i rekrutëve shqiptarë nga komandot ushtarake jugosllave, shpesh në bashkëpunim të hapur apo të heshtur me ushtrinë shqiptare. Vrasjet masive në Kukës , Fushë-Arrës, Pukë, Gomsiqe, Drin, Vau i Dejës, Bregu i Bunës, kazermat e Shkodrës, dalje e Shkodrës e të tjera, si edhe pushkatimet individuale apo në grup në gjithë territorin e Shqipërisë janë të dokumentuara. Sipas raportimeve të shtabeve të ushtrisë jugosllave rezultojnë 595 shqiptarë të vrarë apo të zhdukur nëpër Shqipëri.
Përfundimisht, numrit prej 2543 vetësh të masakruar, sipas burimeve jugosllave dhe kosovare, po t’i shtosh shifrën e shqiptarëve të vrarë e të zhdukur në Shqipëri, rezulton shuma prej gjithsej 2947 – 3447 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur përgjatë rrugës Prizren-Kukës-Pukë -Shkodër- Tivar-Dubrovnik-Trogir-Biograd na More e më tutje. Gjithsesi këto shifra nuk janë shterruese. Përgjegjësinë e madhe për këtë masakër barbare e ka pushteti komunist jugosllav dhe ushtria jugosllave, veçanërisht Brigada X malazeze, që realizuan këtë masakër.
Por mua nuk më mungojnë argumentet dhe guximi qytetar prej studiusi, që të parashtroj e të denoncoj edhe përgjegjësinë e pushtetit komunist shqiptar dhe të ushtrisë shqiptare në këtë masakër. Së pari, ishin Divizionet V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, që ndodheshin në Kosovë në muajt mars-prill 1945 e më pas, të thirrura nga komanda e Ushtrisë NÇ J dhe të vënë nën urdhërat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. e cilat bënë thirrjen dhe mobilizimin vullnetar apo të dhunshëm të rekrutëve shqiptarë të Kosovës e të viseve të tjera nën Jugosllavi dhe këta të mobilizuar apo të vetëdorëzuar ia dorëzonin ushtrisë jugosllave, e cila i përdori si mish për top në Srem dhe në Tivar. Kemi në dorë listat e të rekrutuarve e të dorëzuarve, që i kam botuar në librin “Masakra e Tivarit.” Ja edhe radiogram i Enver Hoxhës: “T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”. Së dyti, ekziston një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Jugosllavisë për realizimin e masakrës, sidomos gjatë rrugëtimit nëpër Shqipëri. Edhe fakti i kalimit të kolonave të vdekjes nëpër Shqipëri ishte pjesë e marrëveshjes. Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-ë . Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq , në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm.” Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu, në gjyqin kundër Koci Xoxes: “Xhelatët e Rankoviçit, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin.”
Historiani Zekeria Cana konstatonte: “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur Golgota e madhe Shqiptare.” “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.” Për shkaktarët e kësaj masakre, deri më tani nuk është marrë ndonjë përgjegjësi, nuk janë nxjerrë mësime, përkundrazi janë vlerësuar e nderuar ekzekutorët e saj dhe krimi është fshehur. Veçanërisht, krimet me përmasa, implikime dhe pasoja ndërkombëtare, siç ishte edhe Masakra e Tivarit, duhen ndriçuar e gjykuar drejtësisht dhe dënuar, të paktën, moralisht, që të mos mbeten si njollë e pashlyer, si plagë e hapur dhe si urrejtje vepruese, e ngulur thellë në ndërgjegjen e popujve, por të kthehet në një mësim, në një çlirim, në një arsye më shumë për të qenë në mirëkuptim e bashkëpunim në rrugën e përbashkët mes popujve të Ballkanit drejt paqes dhe integrimit europian.