SHKRUAN: RESHAT KRIPA
Lexova në median online ALB.SPIRIT.COM artikullin: “Ish-Kryeministri Aleksandër Meksi: Kështu hoqëm yllin nga flamuri, del dokumenti i parë” në të cilin përshkruhej që në fillim të muajit prill 1992, me propozimin e zotit Meksi dhe firmat e 25 deputetëve u miratua ligji për heqjen e yllit të kuq të komunizmit nga flamuri ynë kombëtar. Ky ishte një nga ligjet më të rëndësishëm që simbolizonte fundin e epokës së errët të sundimit komunist dhe për këtë e falënderoj zotin Meksi për nismën e tij.
Por, nuk mund të ri pa përmendur nje ngjarje të pa krahasueshme të ndodhur pesë muaj më parë, më 28 nëntor 1991, në një kohë kur ish-Sigurimi i Shtetit vazhdonte të ishte ende në veprim dhe kur shumicën në Komitetin Ekzekutiv Pluralist të Vlorës e kishte Partia Socialiste me në krye Mezan Malajn. Dy djem të rinj, të përndjekur politikë, Xhemal Mustafaraj dhe Fadil Ndreu, më 27 nëntor grisën yllin nga flamuri që e kishin vendosur socialistët dhe e ngritën ashtu siç ishte në shtizën e flamurit, ndërsa të nesërmen, më 28 nëntor flamurin pa yll e ngritën në shtizë duart e djaloshit 17 vjeçar, Altin Kokoshi, biri i të burgosurit politikë nga regjimi komunist, Burim Kokoshi dhe nipi i firmëtarit të aktit të Pavarësisë Kombëtare, Qazim Kokoshi. Një gjë e tillë ndodhte në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë nuk e kishte vendosur ende heqjen e yllit nga flamuri.
Mora nismën për të shkruar këtë shkrim pasi konstatoj se politika e sotme shqiptare kërkon ta kalojë në heshtje këtë ngjarje madhore. Shumica e mediave të shkruara dhe atyre vizive ngrejnë në qiell ngjarje të tjera që po të krahasohen me këtë janë si nata me ditën. Po jap një shembull timin personal. Në muajin shkurt 2019 në median vizive “A1 Report” dhashë një intervistë ku përshkruaja aktivitetin e organizatës tonë antikomuniste të krijuar në Vlorë në vitin 1951 dhe periudhën e burgimit tonë. Në fund të saj fola edhe për ditët e para të përmbysjes së sistemit dhe midis tyre edhe evenimentin e ngritjes së flamurit pa yll. Intervista u dha më datat 12 dhe 19 shkurt në emisjonin “Dosja K” dhe u pasqyrua edhe në faqet e gazetave të përditëshme “Shqiptarja.com”, “Panorama” dhe “Tema”, por në to nuk përfshihej pjesa mbi ngritjen e flamurit pa yll. M”u komunikua në telefon se ajo pjesë do të transmetohej në javët në vijim, por kjo nuk ndodhi. Përse? Kush e ndaloi? Le të përgjigjen drejtuesit e medias në fjalë.
Ky është realiteti i medias së sotme. Për t’jua bërë të ditur lexuesve të këtij shkrimi ngjarjen në fjalë, po ribotoj artikullin “Dita e Flamurit”, kushtuar 20 vjetorit të kësaj dite historike, botuar në gazetën “Metropol” si dhe në mediat elektronike “Fjala e Lirë”, “Tribuna Shqiptare” , “Zemra Shqiptare”, gazeta “Dielli” USA dhe në facebook datë 28 nëntor 2011.
Lexojeni dhe gjykoni.
Dita e Flamurit
Nëntor 1991. Po afronte dita e shenjtë e flamurit. Por ajo nuk ishte si ditët e tjerat. Ishte festa e parë e flamurit në liri. Në zemrat e qytetarëve sundonte një shqetësim i madh. Të gjithë prisnin se cili flamur do të ngrihej, ai me yllin e komunizmit që sundoi vendin për gjysmë shekulli, apo flamuri pa yll i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit? Kuvendi i Shqipërisë ende nuk e kishte vendosur heqjen e yllit nga flamuri.
Kudo bëheshin diskutime te zjarrta. Një pjesë fanatikësh të regjimit të përmbysur, që u kishte mbetur ora në vitin 1945, mbronin tezën e flamurit me yll, ndërsa pjesa tjetër, më e madhja, të kundërtën. Miti i komunizmit kishte filluar të shembej, por komunistët ishin ende në fuqi. Ata ishin të gatshëm të përdornin çdo lloj forme për të mbajtur pushtetin e tyre. Këtë e kishin treguar disa muaj më parë në qytetin demokrat të Shkodrës, ku ishin vrarë katër martirë.
A do të pranonte qyteti turpin që në shtizë të ngrihej flamuri i urryer i tradhtisë së madhe? Këtë shqetësim e ndjente pothuajse i gjithë populli, por më tepër e ndjenin ata që i provuan mbi trupat e tyre gjëmbat vdekje prurës të atij ylli, të përndjekurit politikë.
15 nëntor. Mbledhja e Kryesisë së Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politik të Rrethit. Merrnin pjesë: Hysni Alimerko, kryetari i degës, Burim Kokoshi, nënkryetar, Fari Shaska, Sefer Dauti, Alajdin Alemi, Bashkim Ndreu, Neshet Merkaj, anëtarë dhe unë, sekretar i degës.
Nga Tirana kishte ardhur, si i dërguar nga shoqata kombëtare, Viktor Dosti, që hodhi i pari mendimin e ngritjes me çdo kusht të flamurit pa yll ditën e pavarësisë. Të gjithë e miratuan. Shoqata iu drejtua partive politike dhe shoqatave opozitare për veprim të përbashkët, Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe Shoqatës “Çamëria“.
Pas dy ditësh u bë takimi i përbashkët e tyre. Të gjithë ranë dakord që t’i drejtonin një peticion Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, ku partitë opozitare kishin përfaqësuesit e tyre. Në atë peticion me një ton ultimativ, kërkohej ngritja e flamurit pa yll. Duke patur shumicën në këtë komitet, socialistët refuzuan. Të njejtin qendrim mbajti edhe Byroja e Rrethit e Partisë Socialiste.
Më 26 nëntor televizioni “Zëri i Amerikës“ transmetoi një deklaratë të firmosur nga përfaqësuesit e partive dhe shoqatave opozitare, ku i bëhej thirrje qytetarëve të merrnin pjesë të gjithë në manifestimin e madh ditën e pavarësisë.
27 Nëntor, prologu i ndeshjes së madhe. Në shtizën e flamurit, me urdhër të Mezan Malajt, kryetarit socialist të komitetit pluralist, vendoset flamuri me yll. Por llogaritë ishin bërë gabim. Qyteti kishte djem të gjallë. Xhemal Mustafaraj, ish i burgosur politik dhe Fadil Ndreu, ish i internuar, hipën në shtizën e flamurit, grisën yllin, e dogjën në mënyrë demonstrative dhe ngritën lart flamurin pa njollën e turpit Një turmë e madhe i shoqëronte me brohoritje. Në mbrëmje vonë në mbledhjen e Komitetit Pluralist kryetari, nën presionin e përfaqësuesve të opozitës, u detyrua të pranoj ngritjen e flamurit pa yll ditën e pavarësisë.
Po atë mbrëmje u mblodh Komiteti Organizator i Festës, ku u diskutua se cili do ta ngrinte flamurin. Mendimet ishin të ndryshme. Dikush thoshte se i takonte njërit prej të rinjve që grisën yllin. Një tjetër propozoi që të ngrihej nga një prej përfaqësuesve të vjetër nacionalistë të shoqatës. Së fundi dentist Abdullai u ngrit dhe propozoi:
– Flamuri të ngrihet prej një djaloshi të ri, një trashëgimtari të një prej familjeve më të njohura me traditat kombëtare.
Propozimi i tij u miratua. Njëzëri u vendos që ky të ishte Altini 17 vjeçar, biri i Burim Kokoshit, një i burgosur politik dhe nipi i njërit nga firmëtarët e aktit të pavarësise më 1912, Qazim Kokoshit, vdekur në burgun komunist të Vlorës në vitin 1946.
Atëherë u ngrit një i moshuar dhe shprehu mendimin e rrezikut që paraqiste një vendim i tillë. Sigurimi i shtetit ishte akoma në veprim. Ngjarjet e muajve të fundit e kishin treguar këtë. Nuk mund të rrezikohej jeta e një djali të ri, aq më tepër që ishte i vetmi i familjes së tij.
Të gjithë heshtën. Pritej vendimi i Burimit. Ai e kishte këtë të drejtë. Pas pak, ai u ngrit dhe me një zë të vendosur tha:
– Në rast se djali im duhet të vdesë, kjo është vdekja më e bukur!
Askush nuk pati kurajo ta kundërshtoj. Të gjithë pjesëmarrësit u shpërndanë për të kryer detyrat e caktuara.
28 Nëntor. Në të gjitha fasadat e godinave binin në sy njoftimet që bënin thirrje për pjesëmarrje në ngritjen e flamurit. Flamurë pa yll ishin ngritur në të gjitha pikat dominuese të qytetit. Në sheshin historik filluan të grumbullohen njerëzit. Në duart e tyre shumica mbanin flamurë të vegjël pa yll.
Ora 10.00. Kryetari socialist i Komitetit Ekzekutiv Pluralist, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të atij komiteti drejtohen për në shtizën e flamurit. Pompoziteti i tij ishte i jashtëzakonshëm. Por, papritmas, para portës së lulishtes qëndrore, një grup i madh njerëzizh u preu rrugën. Ishin ish të dënuar politikë. Një pjese prej tyre diktatura u kishte rrëmbyer njerëzit më të dashur. Të tjerët i kishte syrgjynosur në burgjet dhe kampet e tmerrshme. Bashkë me ta edhe demokratë të tjerë që ishin ngritur kundër kësaj diktature. Në krye të tyre kryesia e degës së shoqatës. Aty, në këmbët e shtizës së flamurit, dialogun e hapi Fariu:
– Zoti Kryetar! Në emër të të përndjekurve politik dhe popullit të këtij qyteti, ju nuk do ta ngrini flamurin.
– Kush do ta ngrejë atëhere?
– Atë do ta ngrenë duart e atyre që nuk janë njollosur me gjakun e këtij populli.
Kryetari shtriu perpara duart dhe foli:
– Duart e mia nuk janë të përgjakura. Unë nuk kam vrarë njeri.
Kjo përgjigje më ngjalli shumë kujtime. Para syve më dolën ngjarjet e viteve të gjata të diktaturës. Më dolën fytyrat e mijëra të rënëve për liri dhe demokraci.
Atëherë i ktheva përgjigjen:
– Edhe nëqoftëse nuk keni vrarë, i keni shërbyer asaj partie që vrau një komb të tërë. Ndaj duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit.! Ky flamur është i yni.
Kryetari u detyrua të tërhiqej.
Ndërkaq, ndërsa qendra e zërit trasmetonte Hymnin e Flamurit duart e njoma dhe të pastra të Altinit ngrinin lart flamurin kombëtar.
Sheshi filloi të buçiste nga duartrokitjet dhe brohoritjet. Kudo ndiheshin përqafime, urime dhe këngë patriotike. Pastaj jashtë çdo zyrtarizmi, në podiumin para monumentit të pavarësisë hipën ata që për pesëdhjetë vjet e kishin të ndaluar edhe të flisnin apo mendonin ndryshe. Ata nuk i caktoi njeri për të dalë aty. Dolën me dëshirën e tyre për të shprehur atë që mendonin prej vitesh.
Unë pata fatin ta deklaroj të hapur mitingun:
Dita e 28 nëntorit, dita e shenjtë e flamurit, festa e jonë kombëtare erdhi. Këtë vit kjo festë ka diçka të veçantë. Për herë të parë pas dyzeteshtate vitesh robërie komuniste, në qytetin tonë po valëvitet krenar flamuri kombëtar, pa yllin e urryer të sistemit totalitar komunist.
Duçja i vuri flamurit tonë spatën e fashizmit, Enver Hoxha yllin sllav të komunizmit. Por, këtë rradhë, po valon flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, ai flamur që u bë simbol i nderit dhe trimërisë, i qëndresës dhe vetmohimit. Po valvitet flamuri i kuq me zhgabën e zezë dykrenore në mes dhe jo flamuri i komunizmit me yllin e urryer.
Hodha vështrimin nga turma para meje. Në sytë e shumë prej tyre pashë gjurma lotësh. Ishin lotët e lirisë, të asaj lirie që kishim vite që e ëndërronim. Pas meje e mori fjalën Kryetar Hysniu, që bëri një përmbledhje të historisë së kësaj dite historike, duke vënë theksin në masakrimin që i kishte bërë regjimi komunist kësaj ngjarje të jashtëzakonshme.
Ceremonia vazhdoi me vendosjen e kurorave në varrin e plakut të shquar të pavarësisë. Kurorën e shoqatës e mbanim unë me Hysniun. Vendosën kurora edhe përfaqësuesit e partive dhe shoqatave opozitare. Nga turma një pjesë e mirë hodhën lule mbi atë varr. Së fundi një vizitë e përbashkët në Muzeun e Pavarësisë, pranë bregut të detit.
Kështu u mbyll kjo ditë e shkëlqyer historike. Për mua dhe pjesëmarrësit e tjerë të saj, ajo do të mbetet një ditë e paharruar e jetës tonë.
Ishte fitorja e dytë e opozitës mbi diktaturën, pas asaj të shpalljes së pluralizmit politik.