Nishani i kërkon falje Kishës Katolike në emër të shtetit shqiptar

Kreu i Shtetit, Bujar Nishani dekoroi dje me dekoratën e Flamurit Kombëtar 38 martirët e Kishës Katolike, të cilët u lumnuan me ceremoninë e 5 nëntorit. Në emër të shtetit shqiptar, ai kërkoi falje për viktimat e diktaturës komuniste, të cilat u vranë pafajësisht, u përndoqën, internuan, u dëmtuan fizikisht, materialisht e shpirtërisht”

Deklarata

“Shteti shqiptar ju kërkon përulësisht dhe sinqerisht ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dekoruar pasditen e djeshme me medaljen më të lartë 38 martirët e Kishës Katolike, të cilët pak ditë më parë u lumturuan në Shkodër, me nismë të Papa Françeskut. Në një ceremoni të mbajtur në Pallatin e Brigadave në prani të klerikëve, ambasadorëve dhe autoriteteve në vend, presidenti Nishani mbajti një fjalë të ndjerë ndaj sakrificës deri në vdekje të martirëve. Duke theksuar faktin se shumë pjesëtarë të Kishës Katolike ofruan jetën e tyre për lirinë, kreu i shtetit u shpreh se martirët e kishës tashmë janë gdhendur në kujtesën e kombit shqiptar. Nishani tha gjithashtu se ndërgjegjja jonë ka nevojë të kërkojë falje për vrasjet e kryera në emër të shtetit diktatorial, dhe si kryetar shteti ai mori të gjitha përgjegjësitë. “Më lejoni t’u kërkoj falje të sinqertë në emër të shtetit, familjarëve dhe pasardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste, edhe atyre që nuk u janë gjetur eshtrat. I kërkoj falje Kishës Katolike, por dhe kujtdo që u prek deri në palcë, që u vra pafajësisht, që u përndoq, u internua padrejtësisht, që u dëmtua fizikisht, materialisht por më tepër shpirtërisht, që u cenua rëndë në dinjitetin e tij njerëzor.

Shteti shqiptar ju kërkon përulësisht dhe sinqerisht ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë”,  u shpreh Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Kreu i shtetit i bëri një thirrje parlamentit shqiptar për të shfajësuar ligjërisht të gjithë të dënuarit politik në kohën e regjimit komunist, duke nisur nga 38 martirët. “Shteti shqiptar ende nuk ka marrë të gjitha aktet e shfajësime së tyre, e shfajësisë politike që t’i shpallte ata të pafajshëm. Parlamenti të hartojë ligj për Gjykatën Speciale duke ngarkuar Ministrinë e Drejtësisë të japë pafajësinë duke filluar nga 38 martirët si shenjë e dallimit të lirisë nga tirania, si ndarjen e saj me të kaluarën”, deklaroi Nishani. Kreu i shtetit kritikoi qeverinë e majtë për dekorimin e disa “veglave kriminale të diktaturës”, siç ai i quajti, mes të cilëve ishte edhe Shyqyri Çoku, hetues i At Zef Pllumit. Me të njëjtën gjuhë, Presidenti duke marrë shembull hapjen e “Bunk’Art” dhe “Shtëpisë së Gjethes”, tha se sot në vend ka tendenca të qëllimta për të manipuluar realitetin e hidhur të regjimit komunist, po martirët nuk mund të na falin kurrë harresën dhe fshehjen e së keqes.

1 thought on “Nishani i kërkon falje Kishës Katolike në emër të shtetit shqiptar”

  1. Ka shume martire te cilet u kane takuar edhe feve te tjera per te cilet shteti shqiptar duhet te marr falje.Shume e pelqej qendrimin e kreut te shtetit Nishani per ndjesen.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top