Ka ndërruar jetë në moshën 49 vjeçare Gilman Bakalli, intelektuali i shquar dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Bakalli ka vdekur pas një sëmundje të rëndë.
Familja e tij është ngushëlluar nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
“Me këtë rast i shpreh familjes Bakalli, të afërmve dhe miqve të të ndjerit, ngushëllimet e mia të thella për këtë humbje të dhimbshme dhe të pakompensueshme dhe i lutem Zotit se bashku me ta që shpirti i njeriut të tyre më të dashur të bëhet dritë”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Ngushëllime familjes Bakalli i janë dërguar edhe nga Kosova. Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi në llogarinë e tyre në Facebook shkruan se shprehin ngushëllime familjes “për humbjen e një studiuesi të thellë të shkencave humane pikërisht në moshën më të frytshme të krijimtarisë”.
“Profesor Gilmani do të kujtohet çdo herë nga studiuesit e studentët, nga Shkodra dhe gjithë shqiptarët për veprimtarinë e pakompromistë intelektuale, qytetare dhe kombëtare”.
Bakalli ishte profesor universitar dhe kishte doktoratura në Shkencat Filologjike. Ai ka shërbyer si deputet i PD-së në vitet 2005-2009.
49 vjeçari pos publikimeve të shumta vlerësohej shumë edhe për përkthimet nga gjuhët e huaja, kryesisht gjermanishtja.