NGA “RRUGA E ARBËRIT” TE “RRUGA E LUMIT TË VLORËS”!!

2, Pri, 2016 | EKONOMIA

Shkruan: Tanush KASO

(“Duke pasë Beratin, goce,
Ç’e do Elbasanin?!” – Nga një këngë e vjetër
popullore)

Shqiptarët, këtej dhe andej kufirit, e kanë parë tanimë, se si qeveritë që venë dhe vinë, e kanë kthyer “Rrugën e Arbërit” në një legjendë apo përrallë pa mbarim, si ato të “Njëmijëenjë netëve”. Ajo që iku, e nisi dhe nuk e bitisi. Kjo që erdhi, premtoi dhe e harroi. Dy vjet më parë, ca qeveritarë, nisën bisedimet “serioze” me “shokët kinezë”, për përfundimin e pjesës së mbetur të kësaj rruge historike, me vlera ekonomike dhe patriotike. Por…(ah, kjo “por”, që gjithmonë na del përpara, për të na prishur punë!!) Askush nuk jep shpjegime të besueshme e të pranueshme, përse lihet mbasdore kjo rrugë, përfundimi i së cilës është i shumëpritur prej vitesh. Ndërkohë, sot, krejt papritur, qeveria njofton me ngazëllim të madh, se do të nisin punimet për një rrugë tjetër… tek Lumi i Vlorës!! Përse ky kërcim akrobatik e “pindarik”?! Apo se duhet ndërtuar ndonjë rrugë, vetëm sapër t’i mbyllur ato “gojët e këqija” që thonë se kjo qeveri nuk ka ndërtuar asnjë kilometër rrugë?