Nëse ndahet Kosova, atëherë pse u bë lufta?

Shkruan: Skënder Sadri Kapiti, Veteran i UÇK-së

Këtë si pyetje po ia drejtoj të gjithë atyre dhe sidomos politikanëve e pushtetarëve, si p. sh. edhe Presidentit të Kosovës. H.Thaçi dhe Kryeministrit të Shqipërisë E.Rama, pseudohistorianëve e pseudopatriotëve “intelektualë” e “mediatikë” si dhe atyre  që tradhtisht hapur e tinëzisht  janë për “shkëmbim territoresh” e “ ndryshim  kufijsh” të cilat çojnë në ndarjen e Kosovës. Nuk e di se çfarë kuptojnë ata me shkëmbim territoresh!? A mund të ketë shkëmbim territoresh midis shteteve, pa u ndarë pjesë të territoreve të tyre të cilat do të shkëmbeheshin?!

Sepse të deklarohesh për ndryshim kufijsh dhe për shkëmbim territoresh dhe të thuash se nuk  je për ndarje të Kosovës kjo është e jashtëzakonshme, por më saktë,  kjo përbën tradhti të maskuar me mashtrim, djallëzi dhe me hipokrizi. Serbia e pushtoi Kosovën në vitin 1912 me ndihmën dhe aprovimin e Rusisë dhe të  Europës, e pushtoi  Kosovën për Veriun e Kosovës dhe e shfrytëzoi atë dhe pasuritë e saj për 100 vite. Edhe në luftën më të fundit në Kosovë, Serbia kishte si qëllim final të saj, Veriun e Kosovës , pasi nëse Serbia do ta kishte Veriun e Kosovës nën administrimin e saj, siç i kishte dhe siç i ka akoma Preshevën , Medvegjën e Bujanocin  mendoj se nuk do të ishte bërë luftë në Kosovë. Kjo pasi Serbia e Millosheviçit do ta donte vetëm Veriun e Kosovës ashtu sikurse edhe pasuesit e sotëm të tij, do ta njihnin menjëherë Pavarësinë e Kosovës, nëse Serbia do të arrinte ta merrte këtë hapësirë.

Pra, nëse Serbia merr  territoret dhe burimet jetike ujore, ekonomike dhe thesaret e pasuritë minerale të Kosovës që janë në Veriun e Kosovës, pra, nëse  Serbia e merr këtë në këmbim të njohjes së Pavarësisë së Kosovës, atëherë pse u bë edhe Lufta, dhe çfarë kuptimi do të kishte shtetësia e pavarësia e Kosovës pa Veriun e saj.

Popullsia, territori, pasuritë tokësore, nëntokësore dhe ujore, pozicioni gjeostrategjik dhe ekonomia janë thelbësoret për mbijetesën, ekzistencën dhe për zhvillimin e një shteti kombëtar.

Pra, në asnjë mënyrë nuk duhet, jo vetëm lejuar, por as nuk duhet biseduar, jo vetëm me serbët, por me asnjë ndërkombëtar, qoftë  ai edhe aleat i shqiptarëve për ndarje të Kosovës, apo sikurse flitet për shkëmbim territoresh. Serbia po mori Veriun e pasur të Kosovës edhe mund ta njohë pastaj Kosovën, edhe Kosova pa Veriun e saj po të bashkohet pastaj me Shqipërinë nuk e shqetëson më as ky fakt Serbinë. Së pari, sepse kështu Serbisë i jepet mundësia për të formuar Serbinë e madhe brenda së cilës do të ishte edhe Veriu i Kosovës, por edhe gjysma e Bosnjës, së dyti, sepse po u nda Kosova dhe po mori pjesë të saj Serbia, atëherë asaj i lind e drejta që të marrë edhe Republikës serbe të Bosnjës, pra do të realizohej Serbia e Madhe pikërisht ajo se çfarë kishte synim edhe Millosheviçi.

Dhe kjo do të ishte humbje e madhe për shqiptarët, por edhe një diskreditim e dështim edhe për Perëndimin, nëse ata e lejojnë dhe e pranojnë këtë projekt serb.

Sot sovraniteti dhe pacënueshmëria e territorit të Shtetit të Kosovës po kërcënohen nga Serbia, e cila po përdor të gjithë arsenalin dhe kapacitet ekonomike, politike e diplomatike për ndarjen e Kosovës. Në mbështetje për këtë qëllim Serbia ka edhe shtetet e fuqishme si Rusinë e Kinën, por edhe eksponentë të lartë nga BE si ndërmjetësuesen e BE –së në bisedimet Kosovë-Serbi, Federica Mogherini, e cila tashmë është vërtetuar se mbështet Serbinë.

Është fat i madh për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët që sot Kosova ka Kryeministër z. Ramush Haradinaj, i cili është kundërshtari më i madh që kundërshton çdo përpjekje që bëhet për ndarjen e Kosovës, kundër të gjithë atyre që përpiqen për copëtimin e saj, pavarësisht se nga vijnë dhe kush janë ata; kundërshton edhe qëndrimet e “çuditshme” edhe të Presidentit Thaçi të Kosovës si dhe të kryeministrit të Shqipërisë E. Rama  të cilët janë indirekt për ndarjen e Kosovës me deklarimet  e tyre për “korrigjim kufijsh” apo shkëmbim territoresh.

Nuk besohet dhe as nuk mund të justifikohet e të merret seriozisht  as qëndrimi i Partisë Demokratike dhe as ai i Sali Berishës, të cilët deklarohen se janë kundër korrigjimit të kufijve, pasi është akoma i freskët deklarimi i ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë,  Besnik Mustafaj, i ish-qeverisë Berisha, i cili, në prag të  Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës deklarohej për një “Pavarësi të Kushtëzuar”, sipas së cilës legalizohej një shtet “kishtaro-ortodoks” serb  brenda Kosovës dhe u jepej komunave serbe e drejta e vetadministrimit dhe e vendimmarrjeve. Pra “Pavarësia e Kushtëzuar” e përkrahur  nga ish-pushteti i Partisë Demokratike, legalizonte formimin e një minishteti serb brenda Kosovës.

Kjo orvatje antishqiptare dështoi sepse Pavarësinë e Kosovës e siguroi SHBA dhe aleatët e saj, të cilët e çliruan Kosovën por edhe e njohën brenda ditës Pavarësinë e saj, ashtu sikurse është e destinuar që të dështojnë edhe projekti serb i sotëm për ndarjen e Kosovës, i cili fatkeqësisht ka gjetur “mirëkuptim” edhe te disa politikanë e pushtetarë të lartë shqiptarë.

Pra, si para Pavarësisë së Kosovës, standardi i “Pavarësisë së Kushtëzuar” dhe tani, pra sot,  projekti për “shkëmbim territoresh “ apo ndarje të Kosovës janë projekte e plane të kishës dhe të akademisë serbe dhe të shteteve serbe e ruse, por që të dyja këto kanë gjetur mbështetje te politika zyrtare e Tiranës, si atëherë nga ish- pushteti PD-ist, ashtu edhe sot plani për shkëmbim territoresh nga Kryeministri Rama, i cili arrin deri edhe në ofeza banaliteti ku ai i quan gomarë të gjithë ata të cilët janë kundër Presidentit të Kosovës që kërkon shkëmbim territoresh. Politika e Tiranës asnjëherë nuk e ka pasur seriozisht shqetësimin për Kosovën, as për Çështjen kombëtare të bashkimit shqiptar, por kur është në opozitë  dhe kur pozita që ka pushtetin, kur e shikon se pushteti në Shqipëri po i lëkundet , vetëm atëherë politika dhe politikanët shqiptarë kujtohen e deklarojnë retorika “patriotike” dhe “Kosovëdashëse”.

Është për t’u përshëndetur  qëndrimi real, dinjitoz dhe patriotiko-kombëtar i Partisë “ZGJIDHJA” në Shqipëri dhe sidomos  i  kryetarit te saj, z. Koço Kokëdhima si parti politike në Shqipëri që ka program të mirëfilltë kombëtar dhe Bashkimin e Shqiptarëve  dhe që  kundërshtojnë me të madhe ndarjen  e Kosovës dhe  mbështesin kryeministrin Haradinaj.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top