SHKRUAR NGA AV. XHAFER SADIKU
Kongresi kombëtar i Lushnjes zgjodhi qeverinë, Këshillin Kombëtar me atributet e parlamentit dhe Këshillin e Naltë që do të kryente funkcionet e kryetarit të shtetit.
Mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar u zhvillua në 27 mars 1920, ndërsa të nesërmen u zgjodhën organet drejtuese. Kryetar u zgjodh Xhemal Naipi, zv. Kryetar Spiro Koleka dhe sekretar Hil Mosi.
Në mbledhjen e 4 Prillit 1920, Ramiz Daci propozoi që të merrej në bisedim çeshtja e Esad Pashës, dhe si të shoshitej mirë, “t’epet nji vendim tue marrë parasysh gjendjen e brendshme e të jashtme të Shqipnisë”. Situata ishte vërtet e rëndë: pothuajse tërë Shqipëria e mesme dhe veri lindore ishte e pakënaqur me qeverisjen e vendit, pa folur këtu që ende nuk ishin vënë nën kontrollin e qeverisë zona të tëra të vendit.
Pati disa zëra kundër, por Ramiz Daci theksoi se koha është kritike, çështja “duhet të rrihet e të shoshitet me gjak të ftohtë e jo me smirë vetjake”.
U thirr kryeministri i cili tha se “Qeveria nuk ka dhënë ndonjë vendim mbi këtë, shokët janë n’Durrës për tue u marrë vesht me Kastoldin; presim që të kthejnë”. Por qeveria nuk dha shpjegime të tjera dhe në ditët që do të vinin, situata do të bëhej edhe më e rëndë. Populli kërkonte të kthehej Esad Toptani. .
Në mbledhjen e 12 Prillit, Qazim Koculi kërkoi shpjegime prej komisionit që qe çuar “për me u marrë vesh me rrethet e Tiranës”.
Kryetari shpjegoi se dëshira e popullit ishte “me pas në Qeverie Esad Pashën në qoftë se ky mendim mbështetet prej të gjithë popullit”. Këshilli Kombëtar vendoi që “dëshiri i tyne t’i lajmohet Qeverisë me anën të komisionit qi asht i zgjedhun”.
Ndërkohë u lexua nje letër e dërguar prej Krujës me rrethe, ku kërkonin Esad Toptanin në Qeveri.
Për t’u marrë vesh me popullin përmbi këto çeshtje dhe për t’i dhënë Këshillit Kombëtar njoftime, u emëruan dy komisione Njëri do të shkonte nga ana e Krujës, i përbërë prej ZZ. Imzot Kolecit, Xhemal Naipit, Bektash Cakranit, Xhemal beut e Ramiz Dacit, ndërsa tjetri do të shkonte nga ana e Durrësit, i përbërë prej ZZ. Hafiz Sabri bej, Hil Mosit, Hysen Bej Vrionit, Spiro Kolekës e Neki Rulit.
Të dy komisionet e Këshillit Kombëtar verifikuan në terren situatën dhe vërtetuan mbështetjen e madhe që kishte në popull Esad Toptani
Në mbledhjen e 15 Prillit 1920, ora 2 mbas dreke, Këshilli Kombëtar vendosi:
· Dërgimin e një delegacioni në Paris për me marrë vesht programin e Esad Pashës.
· Të shpërndamit e popullit t’armatosun qysh më datën e komunikimit të kësaj deklarate.
· Të epet një falje prej anës së Qeverisë për ata që muarën pjesë në këtë lëvizje.
· Ata që s’kanë me u bindun, do të ndiqen e do të dënohen prej Qeverisë.
Po atë datë vendimi iu dërgua qeverisë. Komisioni i Këshillit Kombëtar, i përbërë prej Fuat Toptanit, Imzot Gjergj Kolecit, Ymer Efendiut dhe Bajram Fevziut mbërriti në Paris tek Esad Toptani dhe zhvilloi bisedime me të ku u njoh me platformën e tij. Dhimitër Berati i shkruante një letër Luigj Gurakuqit, që mban datën 20 prill 1920, ku theksonte se “Pasha don një Shqipëni sa ma të madhe…”
Si rezultat i bisedimeve intensive të Esad Toptanit në Paris, kishte ndryshuar edhe qëndrimi i qevrerisë greke dhe asaj jugosllave për Shqipërinë. Jugosllavët ishin shprehur disa herë për Shqipërinë në kufijtë e 1913-ës, por edhe grekët kishin deklaruar se “po të heqin dorë mbretënit tjerë, dhe neve, heqim dorë nga kërkimet tona”.
Mirëpo, përkundër planeve të Këshillit Kombëtar për të sjellë Esad Toptanin në krye të qeverisë, Franca kishte vendosur që Esad Toptanit t’i ndalohej kthimi në atdhe. Më herët këtë e kishte vendosur edhe Italia.
Më 16 mars 1920, Esad Toptani i dërgonte një letër sekretarit të Përgjithshëm të qeverisë franceze me anën e së cilës parashtronte pakënaqësitë e tij për situatën anormale dhe të vështirë të krijuar për të dhe vendin e tij nga një urdhër i Qeverisë Franceze që prej armëpushimit për të mos u kthyer në Shqipëri, dhe propozonte të bëhej një sqarim për të gjitha çështjet me anën e një ballafaqimi me Z. Krajevski, ish ambasador i Francës në Shqipëri.
Por, ndërsa Këshilli Kombëtar përgatitej të fomonte një qeveri përfaqësuese dhe pritej ardhja e Esad Toptanit nga Parisi, dy ministra të qeverisë, më kryesori ai i Financave, u takuan në Durrës me Kastoldin, i cili ishte me shumë ndikim mbi qeverinë shqiptare. Asnjëri prej tyre nuk dha shpjegime se çfarë kishin biseduar me Kastoldin.
Interesant është fakti se më 4 maj 1920, Avni Rustemi ishte nisur nga Brindisi për në Vlorë e mandej në Durrës. Në 21 maj ishte kthyer në Itali, ndërsa më 31 maj kishte mbërritur në Paris. Në seancën e pyetjeve të 30 qershorit, Avni Rustemi nuk tregoi për ndonjë udhëtim të tij në Shqipëri. Ishte prokurori francez Maurice Deus që hetoi dhe zbuloi udhëtimin në Shqipëri, por në seancën e 1 korrikut 1920 Avniu pranoi se kishte qenë në Shqipëri, por nuk foli për shkaqet e vërteta të vajtjes në Shqipëri dhe as me kë u takua dhe çfarë biseduan.
Vrasja e Esad Toptanit, më 13 qershor 1920, e thelloi krizën politike në vend dhe përçarjen e popullit.
Për të legjitimuar vrasjen e Esad Toptanit dhe t’i mernin pronat, në fillim të vitit 1922, qeveria krijoi një komision për të hetuar veprimtarinë financiare të tij, gjatë periudhës që kishte qenë në krye të qeverisë shqiptare, madje edhe atë të pas luftës së Parë. Pas një hetimi të imtë, zhgënjimi i tyre do të ishte i madh. Esad Toptani i kishte derdhur të gjitha të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe çdo qindarkë të prishur e kishte dokumentuar.
Duke mos pasur opozitë dhe asnjë provë që të vërtetonte “abuzimet” e Esad Toptanit, komisioni që ishte tërësisht politik, madje me armiq personal të tij, bëri një raport të mbushur me shpifje nga dëshmitarë të rremë.
Vrasjet politike nuk u ndërprenë edhe pas eliminimit të figurave me profil të lartë, ndonëse në skenën politike shqiptare nuk kishin mbetur figura dominante.
________________
Shënim: Shkrimi është bazuar në dosjet e AQSH, fondi 146, 1503/3, 152, 34 dhe në librin “SHQIPËRIA 1878-1928”.”
Per nje tradhtar si Esati mos u merakosni .,Avni Rrustemit i lumtë pushka
Historia Enveriste e ka shtrembrua te verteten per Esat Pashen .Por e verteta herdokurdo do te dale ne drite nje dite.E verteta dhembe por duhet zbardhur gjythqyshe.