NË TROPOJË PO NDODH NJË MREKULLI SHQIPTARE

Shkruan: Rexhep SHAHU (shkëputur nga Libri “Misioni për Paqen”)

ANDREW HARPER

SHEF I KOMISARIATIT TË LARTË PËR REFUGJATË TË KOMBEVE TË BASHKUARA (UNHCR) NË TROPOJË

Me datën 3 qershor 1998, bashkë me Xhemil Shahun, i cili në këtë ditë filloi punë si përkthyes me UNHCR – në, shkova në Tropojë ku sapo kishte filluar fluksi i ardhjes së të dëbuarve. Gjatë shtatë ditëve që qëndrova në Tropojë, mora shumë intervista dhe bëra shumë raporte radiofonike që andej. Një intervistë, me ndihmën e Xhemilit e realizova edhe me përfaqësuesin e Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara të atashuar në Tropojë, australianin Andrew Harper.

Në bisedën paraprake që bëmë më tha se kjo mikpritje që po ndodh në Tropojë, është e pabesueshme nga të huajt, e paimagjinueshme. Kjo është një mrekulli veç shqiptare.

– Si e vlerësoni situatën që është krijuar në rrethin e Tropojës pas ardhjes së parë të shqiptarëve të dëbuar prej Kosove?

– Emri im është Andrew Harper. Unë jam shefi i Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara i vendosur në Bajram Curri. Ne kemi hapur një zyrë dy javë më përpara këtu në Bajram Curri, një javë përpara se të fillojë fluksi i refugjatëve nga Kosova. Deri tani kemi mbi 6 mijë refugjatë të rregjistruar që kanë ardhur në Bajram Curri, Bujan, Margegaj dhe në fshatrat e tjera të Tropojes. Kjo shumë parashikohet të rritet mbi 10 mijë. Për këto dyndje refugjatësh ne kemi menduar që ti mbeshtesim me ushqime si oriz, sheqer, miell, fasule si dhe ushqime të tjera për fëmijë.

– Konkretisht këtu a mund të bëjmë fjalë për shifra.

– Deri tani ne kemi sjellë 3 kamjona me ushqime. Në të njëjten kohë edhe kryqi i kuq ka sjellë një sasi me ushqime dhe nga rezerva e shtetit do të sjellin rreth 20 ton ushqime. Kjo mbështetje nuk është vetem për refugjatët por në të njejten kohë është edhe për familjet ku refugjatët janë strehuar për arsye se edhe ato ndodhen në gjendje të keqe ekonomike.

– Nga njerëzit me të cilet kemi biseduar në Tropojë, kemi mësuar se ju sherbeni si njeriu mjaft i përkushtuar në pritjen që ju keni bërë të ardhurve nga Kosova. Biles, thone njerëzit se, ju keni dalë dhe i keni pritur në bjeshkë dhe në mal të dëbuarit. Keni përdorë edhe makinën tuaj për të mbartur njerëz që s’mund të ecnin më, sapo kalonin vijën e kufirit.

– Është e kuptueshme se situata për Kosovën është shumë e keqe dhe kjo është detyra jonë, puna e jonë që t’i mbështesim të ardhurit. Por në të njejtën kohë, nuk duhet të vlerësohet vetem puna ime, por të vlerësohet edhe puna e njerzve të këtushëm që janë kaq bujarë, kaq mikpritës, që dinë t’i ndihmojnë ato që vuajnë. Kam parasysh këtu banorët e qytetit dhe të fshatrave Margegaj, Bujan dhe gjithë Tropoja. Pastaj ajo që e lehtëson punën është se refugjatët janë shumë të njohur me banorët vendas. Kanë lidhje të shumta ndërmjet tyre. Dhe vërtetë çuditesh se si kanë qenë të ndarë nga ky kufi. Por tani që takohen pas një ndarje kaq të gjatë duket se kurrë s’kanë qenë të ndarë. Unë nuk kam parë e dëgjuar kurrë që refugjatët të njihen me emra nga ato që dalin për t’i pritur. Dhe kujto pastaj se tropojanët dalin e i presin edhe në kufi refugjatët që vijnë nga Kosova…

– Morëm vesh se ju dje keni dërguar edhe ujë me pagure plastike në ato shtigje ku kalojnë zakonisht të ardhurit.

– Kjo është e vertete. Dje ne kemi shkuar në Padesh dhe kemi lënë ujin në brezin kufitarë me Kosoven, aty nga kalojnë refugjatët. Kjo është një ndihmë e vogël. Ndoshta nuk kemi çuar sasi të madhe. Refugjatët kanë shumë nevojë, sepse nuk di që ndonjëherë refugjatët të kenë udhëtuar në rrugë më të vështira e më të thepisura. Ju i keni parë vetë se si rrëzoheshin e rrokulliseshin pleqtë e plakat që shpesh mbartnin edhe fëmijë të vegjël në krahë ose mbi shpinë të tyre.

– Si do ta përshkruani ju një çast të tillë?

– Çdo kush që i ka parë ato refugjatë ka të njejtat emocione, siç kam edhe unë. Për arsye se aty shikon gra dhe fëmijë të cilët janë në gjendje shumë të keqe. Por kur shikon pritjen që u bëjnë refugjatëve banorët e fshatrave të Tropojës dhe banorët e qytetit të Bajram Currit, emocionet janë të veçanta. U dalin para, i marrin nëpër familjet e tyre, u japin këpucë, këmisha, atyre që s’kane e që mbërrijnë të zbathur e të përgjakur, ndajnë ushqimet bashkë. Jetojnë bashkë në shtëpia kaq të ngushta sa është e pabesueshme. Në fakt këtu po ndodh diçka e paparashikueshme, e pabesueshme. Është një mrekulli që s’mund të besohet më në botë. Po shfaqet një humanizëm dhe solidaritet, një mirësi që bota e sotme e ka harruar dhe e ka të veshtirë ta besojë. Kjo është një mrekulli veç shqiptare. Dilni e shihni në shesh të qytetit kur të mbërrijnë kamionat me refugjatë dhe do të bindeni për sa ju thashë. Aty do të shihni se çfarë pritje e ngrohtësie tregojnë tropojanët. Dhe refugjatët kanë shumë nevojë për ngrohtësi e strehë. Keto ua sigurojnë banorët e qytetit Bajram Curri dhe të fshatrave.

– Flitet se kanë vdekur femijë rrugës. Dje në Tropojë është varrosur një burrë i moshuar. A keni ju njohuri dhe a keni dijeni për këto të vdekur dhe a ka qelluar që të shihni ju ndonjë skenë duke vdekur ndokush ose të shihni të plagosur ?

– Fatkeqëshisht unë kam parë një plak duke vdekur. Në të njejtën kohë, kam parë edhe shumë rrefugjatë të cilët kalojnë në lartësi shumë të larta malesh dhe detyrimisht ato hasin në veshtirësi shumë të mëdha. Dhe padyshim që ato kanë plagë të ndryshme në trup dhe veshtirësi të tjera të shumta.

– Si mendoni ju për të ardhmen e ketyre refugjatëve që kanë mbërritur në Tropojë, si do të shkojë gjendja e tyre e mëtejshme ?

– Tek e fundit ato ndodhen tani në Shqiperi. Ne do të përpiqemi që t’i mbeshtesim. Të përgatisim një sistem të rregullt për mbeshtetje e për ndihmë.

– A mendoni se do të ketë rrezik për të abuzuar me ndihmat tuaja?

– Nuk mendoj, për arsye se më duket se është rregulluar gjithçka në një menyre administrative ku është përfshirë, veç autoriteteve vendore, edhe Prefekti dhe sekretari i prefektures. Gjithçka po bëhet më anë të rregjistrimit dhe shpërndarja po bëhet në menyrë të rregullt. Në të njejtën kohë Komisariati i Lartë për Refugjatë do të falenderojë në veçanti banorët në brezin kufitar, policinë e kufirit. E them ketë, se po të shkosh në Padesh, në brezin kufitar me Kosovën, shikon djem të ri të veshur policë të cilët rrinë si në kamp atje. Edhe kjo tregon një anë humanitare të popullit tuaj.

– Cilën do të evidentoni si gjënë më të veçantë nga çfarë po ndodh këtu në rrethin e Tropojës në këtë fillim qershori?

– Gjëja më e veçantë është se shumica e refugjatëve janë gra dhe femijë, të cilet gjatë rrugës kanë humbur këpucet ose rrobat dhe ato menjëhere sapo kanë arritur këtu kanë gjetur mbështetje nga popullsia vendase, të cilët i kanë furnizuar ato me rroba. Këtu do të falenderojmë fshatrat në Bujan, Tropojë, Margegaj dhe fshatra të tjera të rrethit të Tropojës. E them këtë pasi nuk e dimë se sa do të jetë numri i refugjatëve që do të vijnë këtu. Prandaj ju bëj thirrje të gjitha komunave, të gjitha fshatrave që edhe ato ta hapin zemrën e tyre për tu ardhur në ndihmë këtyre njerëzve, siç ju kanë ardhur banorët e tjerë deri tani.

– Faleminderit për intervistën.

– Faleminderit juve dhe banorëve të Bajram Currit për këtë humanizëm që po tregojnë për refugjatët që vijnë prej zonave të luftës në Kosovë. 05.06.1998

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top