Në përvjetorin e masakrës komuniste mbi intelektualët shqiptarë!

SHKRUAN: AGRON TUFA

Sot është përvjetori i masakrës komuniste mbi intelektialët shqiptarë, të përzgjedhur gjegrafikisht nga gjithë trevat shqiptare, një festë vdekjeje, që diktatori dhe KQ i PPSH-së së tij e bënin për nder të Stalinit. Me 26 shkurt 1951 u pushkatuan pa gjyq 22 intelektualë, ndër ta dhe një zonjë shkencëtare, Sabiha Kasimati, me shkas një sadi të vogël dinamiti në oborrin e ish legatës sovjetike (sot Ministria e Arsimit).

Në përkujtim të kësaj date po hedh këtu fillimin e rrëimit për Sabiha Kasimatin, që përbën edhe bazën iluszruese të librit “Kundër rrymës”, të destinuar për shkollat, si formë intriguese e kreative e njohjes së figurave të martirizuara nga kanibalizmi komunist.

I paharrueshëm qoftë kujtimi e hiri i 22 shpirtrave të lirë!

‌Rrëfim për shkencëtaren martire Sabiha Kasimati (1912-1951)

‌1.  Një skelet del në sipërfaqe

‌Një pasdite të ngrohtë prilli të vitit 1955, ndërsa lëronte një djerrinë të shpyllëzuar ndanë fshatit Mënik, traktoristi Gëzim M. dalloi nga pasqyra diçka të çuditshme që vazhdonte ta tërhiqte plugu në sipërfaqen e dherave kaf. E ndaloi traktorin, e fiku dhe zbriti. Dalloi, në fillim, një masë të madhe telash me gjemba, të kthyer rulon. Brenda atij kafazi gjembaç shqoi diçka, e cila i ngjau me një degë të thatë peme, lëvorezhveshur. Por kur u avit pranë lëmshit me tela me gjemba u drodh: ajo çfarë ai e pati pandehur degë peme ishte një skelet. Madje një skelet gruaje. Fshiu ballin e djersitur dhe hodhi sytë tej, nga fillonin brazdat e freskëta të sapohapura, si të kërkonte kuturu vendin e mundshëm nga ku plugu të ketë kapur rulonin e telave me gjemba me skeletin e një gruaje brenda. Mandej kërkoi me sy ndonjë katundar aty rrotull të ndante me të këtë zbulim të çuditshëm. Nuk gjeti frymë njeriu përqark. Fshati shtrihej tej lumthit, ndërsa majë kodrës dukej vetëm xha Kadriu, bariu i fshatit, me tufën e deleve. I thirri fort, disa herë, tundi xhaketën, derisa tjetri e vuri re dhe filloi të zbresë faqen e kodrës.

‌”Është një skelet gruaje, me sa kuptoj”, i tha, kur xha Kadriu e pati kundruar mirë. “Është një skelet gruaje”, përsëriti traktoristi, duke hetuar fytyrën e bariut. Ai nuk foli asnjë fjalë. Vetëm tundte kokën më të rrallë dhe i sillej prajshëm lëmshit të telave. Pastaj pa folur, ai eci nëpër lavrën e dheut të sapolëruar. Edhe tjetri e ndoqi pa fjalë, një copë herë që iu duk e gjatë e pambarim. Dikur bariu u ndal dhe bëri një rreth me shkop. “Këtu”, foli më në fund, duke shenjuar me majën e shkopit një kafkë të shkëputur nga skeleti, të mbuluar përgjysmë me dheun e freskët. Traktoristi u suall nëpër rrethin e shenjuar me shkop: nëpër palat e dheut dukeshin aty-këtu eshtra, skelete, falangje. Gëzim M. drodhi një cigare, ia zgjati, por bariu mohoi me kokë, duke vazhduar të përtypte ndër dhëmbë një fije të thatë bari.
‌”Këtu janë të gjithë të tjerët”, tha nëpër dhëmbë.
‌”Kush janë të tjerët… po gruaja, kush qe?”.
‌”Duhet ta sjellim dhe atë këtu”, tha mendueshëm xha Kadriu. “Sa më shpejt, aq më mirë. Larg syve të botës… i mbulojmë me dhé dhe i harrojmë. Asnjë fjalë me askënd… dëgjove? Do marrësh veten më qafë… dhe mua, po se po…”
‌Pa pritur përgjigjen e tjetrit, xha Kadriu eci i pari drejt traktorit.
‌”Më ndihmo”, i tha tjetrit, që rrinte si i mpirë.
‌E çliruan lëmshin e telit nga thika e plugut dhe e bartën në rrethin që pat shenjuar me shkop xha Kadriu. Bënë një fole në dheun e butë dhe e mbuluan.
‌”Katër vjet më parë”, ia nis papritur e rrëmbimthi xha Kadriu, “…ishte fund shkurti. Unë isha tek ajo stalla atje”, shenjoi me shkop ai drejtimin, matanë lumthit. “Ishte koha e pjelljes dhe, s’do mend, për netë me radhë, prisja qingjat. Atë mesnatë shkurti dëgjova shkrehjen e batareve. Vendi këtu ka qenë zabel, shkurrnajë. Dola jashtë me fener, por e kuptova shpejt budallallëkun. E fika. Kaloi një grimë kohë dhe andej nga qenë dëgjuar krismat, çau errësirën një britmë. Prozhektorët e makinës nga derdhej një fashë drite u fikën. Britma u përsërit prapë. Pastaj prapë e prapë… Britma gruaje që kishte marrë arratinë kuturu nëpër errësirë. Së fundmi, një klithmë therëse u përhap në terrin dhe fshikujt e erës: “Ç’të kam bërë, o Perëndi!? Ç’të kam bërë!?” Mandej disa klithma të shkurtra dhe asgjë më. Pllakosi heshtja. Dëgjohej vetëm kamzhiku i erës së fortë që frynte atë natë. Nuk vonoi shumë dhe zhurma e kamionit e prishi sërish heshtjen, derisa u largua dhe u tret nëpër natë. Të nesërmen nga mesdita kalova vjedhurazi dhe pashë vendin. Mbi dheun e freskët, rrafsh me tokën, dilnin tek-tuk tela me gjemba. Përsipër dheut kishin hedhur një pirg të madh me degë e shkurre. Më vonë, u mor vesh… se nuk mbetet gjë pa u marrë vesh. Gazetat folën… Ishin 22 armiqtë e bombës në Ambasadën Sovjetike… ke dëgjuar për ta besoj… apo jo?”
‌”Po, po. Diç kam dëgjuar… Po ajo gruaja pse? Kush ishte ajo grua?”
‌”Dëgjo këtu mor djalë… unë jam një njeri që nuk marr vesh nga politika. Prandaj mbaj në dorë shkopin e deleve. Përndryshe… Ah, ajo gruaja! Thonë se ishte një zonjushë e shkolluar. Dijetare. Kushedi se ku e ka shkelur e shkreta… Por nuk janë punë për mua. Më dëgjon? As për ty! Ata atë fat patën. Puna është, më kupton, të mos na marrin dhe ne me vete. Prandaj, asnjë fjalë. Harroje çfarë ndodhi… çfarë pe. Mos na hap zavalle as vetes as mua, pash at’ Zot!”
‌Xha Kadriu shkundi opingat dhe u largua drejt deleve të tij pa e kthyer kokën pas.

‌2. Më e vogla e një familjeje intelektuale

‌”Po ajo gruaja pse? Kush ishte ajo grua?”, pati pyetur traktoristi Gëzim M. në prillin e vitit 1955. Janë dy pyetjet më të natyrshme: “kush” dhe “pse”. Zonjusha e re, Sabiha Kasimati, sapo kishte mbushur pesëmbëdhjetë pranverat kur u kthye përfundimisht në atdheun e saj. Adoleshente e rritur tashmë, e gjallë, e qeshur, e bukur dhe kureshtare, ajo binte në sy për veshjen elegante perëndimore dhe për ëmbëlsinë e sjelljes. Ajo ishte fëmija më i vogël i doktor Abdurrahman Kasimatit. U lind në Adrianopojë, në mjedisin e një familjeje që e ushqeu me dashurinë për Shqipërinë dhe kulturën europiane. I ati, Abdurrahmani, i cili me 1890 përfundoi universitetin perandorak për Mjekësi dhe Kirurgji, ishte pjesë e elitave atdhetare të Rilindjes Kombëtare. Profesionin e tij e ndoqi dhe djali i tij i parë, Hivziu, që u bë mjek në prag të Luftës së Parë Botërore dhe shërbeu deri sa vdiq në qytetin e Korçës. Djali i dytë, Refiu, mbaroi studimet në Paris për inxhinieri ndërtimi, ndërsa djali i tretë, Nevzadi, mbaroi studimet gjithashtu në Paris dhe u bë një jurist me përgatitje të shkëlqyer. Pas Miniresë, e cila u martua në Izmir, doktor Abdurrahmani transferohet në Ederne (Adrianopojë) në afërsi të Stambollit, ku me 15.09.1912 i lind vajza e dytë dhe fëmija i fundit, Sabihaja.
‌Biografët e Sabihasë theksojnë se, për herë të parë, ajo u kthye në atdhe në vitin 1927, kur ishte një zonjushë e re 15-vjeçare, por të dhënat e reja theksojnë një fakt të rëndësishëm: në fund të vitit 1913, doktor Kasimati, bashkë me familjen, transferohet me shërbim në Shkodër, ku qëndroi deri në vitin 1916. Vajza e vogël e ka prekur fizikisht e fioziologjikisht atdheun e saj në moshën e njomë të miturisë. Është mosha vendimtare kur truri i brishtë i fëmijëve 2-4 vjeçarë (sa ç’ishte atëherë Sabihaja) është si sfungjer, që thith gjuhën, shprehjet, këngët, ngjyrat, timbrin e zërit, aromat dhe pamjet, për t’u mbresuar të gjitha, në mënyrë të pashlyeshme, në kujtesë. Kjo njohje e parë me atdheun, për perceptimet miturake të një vajze 3-4 vjeçare është, më së pari, njohja me natyrën, me ndikimin e saj në afeksionet e vogëlushes, sidomos me elementët më të bollshëm të natyrës së Shkodrës, ujërat e liqenit dhe të lumenjve – Drini dhe Buna. A mund të themi se këto ujëra të ëmbla, me peshqit e shumëllojshëm, kanë lënë një vulë vendimtare në afeksionet e vogëlushes dhe se, më vonë, kur ajo rikthehet, tashmë e rritur, kanë ndikuar në afërinë e zgjedhjes së saj për t’u marrë me studimin shkencor të tyre? Ujërat e kristalta, të fjetura e vërshuese, fshehin poshtë cipës së tyre një botë të bujshme, të gjallë, mijëra cironka, peshq, gaforre e gjallesa të tjera, ashtu si ujërat e memories së vogëlushes, gjëllojnë nga mijëra dëshira. Gjithçka rrjedh pantha rei… dhe në rrjedhë rritet. Ndryshon rrjedha. Ikin vitet. Vijnë vitet e vështira të Luftës së Parë Botërore. Bota është e pasigurt. Familja e doktorit vendoset në Veria, afër Selanikut, ku Kasimatët kanë pronat e tyre prej disa qindra akrash. Djemtë e doktorit ndjekin ndërkohë Misionin Laik Francez (gjimnazin 9-vjeçar) në Selanik, ndërsa Sabihaja fillon në klasat e ulëta. Por edhe pas Luftës së Parë Botërore qetësia është e pamundur në këtë skaj të Ballkanit. Kur midis Turqisë së re republikane dhe Greqisë monarkiste ndodh, gjatë vitit 1923-1924, shkëmbimi i ndërsjelltë i pronave dhe nënshtetasve, familja Kasimati nuk dëshiron të kthehet te pronat e veta në Turqi. Kasimatët kthehen përfundimisht në atdhe me 1925, duke rrezikuar t’i humbin edhe sot e kësaj dite pronat në Greqi. Familja e doktorit vendoset në Korçë, ku djali i madh, Hivziu, fillon punën si mjek, dy djemtë e tjerë mbarojnë klasat e larta të Liceut Kombëtar franko-shqiptar, ndërsa Sabihaja sapo nis vitin e parë.

(Fundi i fragmentit)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top