Shkruan: Hafiz Gagica,
Prishtinë, 11. Prill 2016
Agim Ramadani, flijoi jetën për atdhe në ballë të frontit të luftës çlirimtare në Kosharen legjendare, për të hy në pavdekësinë e kombit shqiptar si dhe në historinë më të ndritshme të Kosovës martire !
Agimi ishte poet, piktor, ushtarak i karrierës, anëtar i Akademisë Evropiane të arteve, ishte ushtarë dhe komandant i orëve të para të luftës, tani hero i pavdekshëm i Kosovës.
Agim Ramadani, në moshën më të mirë të jetës së tij e la familjen e ngushtë në Zvicër për t’iu bashkue radhëve të ushtrisë çlirimtare, për t’i dalë zot atdheut në luftën e tij çlirimtare kundër armikut shekullor. Ai, së bashku me shumë trima tjerë iku nga Perëndimi dhe shkoi për t’u shtri tek këmbët e popullit të vetë, duke i qëndrue besnik idealeve të tij për liri dhe çlirim kombëtar, aspirata të cilat ai do t’i realizojë më armë në dorë, duke e na e sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës !
Agimi kishte virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, posedonte vlera krijuese dhe artistike, e që të gjitha këto do i venë në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke mos e kursyer jetën vetëm për ta parë atdheun e tij të lirë dhe të pavarur, fryte të cilat ne sot po i shijojmë. Por, që për fat të keq, liria dhe demokracia për të cilat ai e dha jetën, po nëpërkëmbën dhe po keqpërdoren nga politikanë dhe njerëz të papërgjegjshëm, të cilët po vazhdojnë të abuzojnë me vlerat e luftës dhe lirinë ton, duke shkelë paturpësisht mbi gjakun e Agimit dhe të mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për Kosovën dhe pavarësinë e saj !
Kujtimi dhe nderimi ynë për veprën e heroit të kombit, Agim Ramadanit-Katana është obligimi ynë më i vogli që ia kemi borxh këtij tribuni dhe patrioti të rrallë që ka lindur dhe është rritur në gjirin e popullit shqiptar në Kosovë. Dhe, vetëm atëherë kur t’i realizojmë plotësisht objektivat dhe synimet, për të cilat ai e dha jetën e tij në moshën më të mirë, atëherë kemi të drejtë të flasim me krenari më të madhe për të sesa sot, dhe, se në asnjë mënyrë nuk kemi të drejtë që akademitë e tyre përkujtimore t’i shndërrojmë në tubime biznesi ose ti keqpërdorim për qëllime politike !
Jeta dhe vepra e heroit Agim Ramadani, duhet të jetë shembulli më i mirë për të gjithë ata që pretendojnë të merren më punët e shtetit, se si duhet sakrifikue dhe flijue veten për të mirën dhe interesat e atdheut. Shembulli i Agimit duhet të jetë udhë rrëfimi më i ndritshëm për gjithë ata që duan ta ndërtojnë dhe ruajnë vendin e tyre nga rreziqet dhe armiqtë shekullor..!
Lavdia dhe përjetësia i takon Agimi Ramadanit, ndërsa neve na mbetet kujtimi dhe respekti i pashuar për veprën e tij madhore të cilën ia dhuroi Kosovës, si dhe përmbushja e obligimeve tona që kemi ndaj amanetit të tij dhe dëshmorëve që na e lanë ndaj atdheut tonë të dashur, që ta ruajmë dhe zhvillojmë sa më mirë !
Me respekt të veçantë përherë do përulem para veprës sublime të heroit Agim Ramadani !