NË KRUSHË TË MADHE U VRANË 242 SHQIPTARË

SHKRUAR NGA NAXHIJE DOÇI

Fragment nga libri ”Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”, i përkthyer edhe në anglisht nga vet mjetet e autores – Naxhije Doçi.

Krusha e Madhe bënë pjesë në Komunën e Rahavecit dhe është fshati më i madh i kësaj komuneje, ku mbi 97 % e popullatës janë shqiptarë, ndërsa 3 % janë popullatë serbe dhe magjup. Gjatë ofenzivave të 25, 26 dhe 27 marsit 1999 në Krushë të Madhe, forcat serbe vranë, masakruan, dogjën dhe rrëmbyen 242 shqiptarë moshash e gjinish të ndryshme. Një pjesë të popullatës e vranë në Vneshtije dhe në malin pas vneshtijeve, e të tjerët në shtëpitë e tyre, në xhami të fshatit dhe kudo që i gjetën. Shtëpi të djegura e të shkatërruara janë 660, pa i llogaritur edhe plemet dhe ahuret si të veçanta. Në Krushë të Madhe kam shkuar disa herë që të mblidhja shënime për pasojat e luftës, se nuk ka njeri e as familje në të që nuk kanë përjetuar, në një mënyrë ose në një tjetër, tmerre gjatë luftës serbe të vitit 1999. Shumë familje edhe kanë pësuar, duke iu vrarë, kidnapuar dhe zhdukur anëtarët e familjes. Vizitat në Krushë të Madhe i kam filluar mënjëherë pas luftës, kur kam shkuar në familjen Hoti, Nalli, Krasniqi, Duraku. Për familjen Duraku të Krushës së Madhe edhe kam shkruar në librin tim të mëhershëm.

Në familjen e gjerë Hoti forcat serbe i vranë dhe i dogjën 65 burra prej moshës 15 deri në 85 vjeç. Emërllah Hotin me babain Ademin (hoxhë) dhe me djemtë Florimin, Bekimin dhe Kujtimin i vranë në shtëpi të vetë. Në të njëjtën mënyrë e vranë edhe Zejnullah Hotin 57 vjeç dhe djemtë e tij, Azemin 26 vjeç e Isakun 24 vjeç. Nëna Xhemile Hoti çdo mëngjes zgjohet me vaj e lotë për bijtë e zemrës, që kriminelët militarë serbë ia vranë me tmerre dhe pa kurrfarë faji. Qajnë e vajtojnë edhe pesë motrat, se u është shuar familja. Vajza e Azemit të vrarë, Blerta, është i vetmi gëzim dhe e vetmja shpresë e tyre, që rritet me mallin për babain, që ia vranë mizorisht. Blerta takohet vazhdimisht me nënën e vet, Violeten (nusja e re e Azemit) nga Hoqa e Vogël, që është martuar tjetër kund. Sipas dëshmitarëve, vaji dhe mërzia e Violetës për burrin që ia vranë dhe përmallimi për vajzën e vogël, që u detyrua ta lë nën përkujdesjen e gjyshës së moshuar, i kishte tmerruar familjarët dhe të gjithë. Në lagjen e Nallëve forcat serbe i vranë, e pastaj dhe i dogjën 23 shqiptarë në shtëpitë e tyre. Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe në lagjen e Durakëve e edhe në lagjet të tjera. Në Krushë të Madhe ka edhe shumë të zhdukur, për fatin e të cilëve familjarët nuk dinë asgjë, se a gjenden ndokund të gjallë, apo se ku gjenden të varrosur?! Sipas dëshmitarëve dhe sipas të dhënave të tjera të zbuluara, shqiptarët e rrëmbyer të Krushës së Madhe janë varrosur nëpër varreza masive nëpër Kosovë e në Serbi dhe deri në ditët e sotme ende nuk është ndriçuar plotësisht fati i tyre. Nga dhëmbjet me shqetësime të përditshme gratë e veja të Krushës së Madhe me 548 fëmijët jetim të tyre kërkojnë me çdo kusht që eshtërat e më të dashurëve të tyre të prehen në tokën e Kosovës, për të cilën edhe e dhanë jetën.

-Për luftën e tmerrshme serbe në Krushë të Madhe të Rahavecit personazh i rrëfimit është Nexhmije Hoti, që përjetoi dhe që humbi krijesat më të dashura në ofensivën shfarosëse të 26 marsit 1999 në këtë nënqiell të të vrarë të Kosovës. Me Nexhmijen qesh takuar menjëherë pas përfundimit të luftës së tmerrshme të vitit 1999, në Kosovë, gjatë kohës kur bëja vizita në Krushë të Madhe, për të mbledhur nga gratë deshmi të ngjarjeve të luftës. Te Nexhmije Hoti vëreja një karakter të dalluar qëndrueshmërie të femrës shqiptare në përballim të dhembjeve të shumta, që i ishin shkaktuar me dhunë të shfrenuar nga ushtarët kriminelë serbe.

FORCAT SERBE MA VRANË BURRIN DHE DJALIN

-Quhem Nexhmije Hoti dhe jam bashkëshortja e Dr. Fahredin Hotit, specialist i gjinekologjisë dhe akusherisë nga Krusha e Madhe e Komunës së Rahavecit. Jam 40 vjeçare dhe profesioni im është motër medicinale. Bashkëshortin tim, Dr Fahredin Hotin, i lindur në vitin 1953 në Krushë të Madhe, e vranë forcat kriminele serbe në ditën e ofensivës së tmerrshme serbe të 26 marsit 1999, në momentin kur ai ishte duke i mjekuar të plagosurit e zhvendosur shqiptarë në malin e afërt të Krushës së Madhe. Të njëjtën ditë e vranë edhe djalin tim, Kreshnikun, që nuk i ndahej kurrë të atit në ndihmesë popullatës së pambrojtur dhe të paarmatosur shqiptare të Krushës së Madhe dhe të fshatrave përreth. Dhe vetëm 15 pranvera (1984) i kishte Kreshniku im i shtrenjtë kur e goditën copat e granatës së pushtuesit serb, që i kishin rënë te këmbët e tij duke ia bërë trupin copë-copë. O Zot i Madh, si të përballohet kjo dhembje kaq e madhe për mua dhe për familjen tonë?! Si të jetohet pa Kreshnikun tim të dashur?! Si…?! Atij nuk iu treb asnjëherë dhe aspak syri nga gjuajtjet e pandërprera me krisma e bubullima të tmerrshme që bënin forcat serbe gjatë ofensivave të 25 e 26 marsit 1999 në Krushë të Madhe. Nuk qe frikësuar dhe nuk qe ndalur as ditëve të tjera, para se të bëheshin këto ofensiva, se forcat serbe e kishin në shënjestër Krushën e Madhe që nga ofensiva e verës së 17 korrikut 1999 në Rahavec.

-Dr. Fahredini kishte qenë në mesin e popullatës, që iknin si pa krye nga granatimet tmerruese serbe, duke ia lidhur plagët një të plagosurit nga Randobrava, kur i kishin thënë: Doktor, një granatë e ka goditur Kreshnikun dhe e ka lënë të shtrirë në tokë! Ramadan Hoti nga Krusha e Madhe dhe Lulzim e Nait Spahiu nga Apterusha kishin qenë ata që i kishin treguar dr. Fahredinit për vrasjen e djalit, se me ta edhe kishte qenë duke iu dhënë ndihmë njerëzve të shastisur nga tmerret e luftës shfarosëse. Me të dëgjuar fjalët trishtuese të tyre, o mule doktor se e goditën Kreshnikun, dr. Fahredini është kthyer menjëherë që t’ia jepte ndihmën djalit dhe në ato momente e ka goditur edhe atë një snajperkë serbe në gjoks. Diku ndoshta vetëm pesë–gjashtë metra pa mbërritur te djali i plagosur e kanë plagosur edhe dr. Fahredinin dhe menjëherë ka mbetur në vend pa mundur të lëvizë më tutje. Nuk kishte mundur të mbërrijë te Kreshniku, se i kishte pëlcitur arterja dhe se i ishte derdhur edhe shumë gjak. Ka kërkuar dr. Fahredini pandërprerë ndihmë nga popullata, që i kishin kaluar përskaj, por njerëzit të tmerruar nga breshëria e plumbave dhe nga eksplodimi i granatave mbi ta, nuk e kanë dëgjuar dhe as nuk e kanë parë që kishte mbetur i shtrirë përtokë. Secili kishte vrapuar për vete pa ditur se kah po shkonin, se gjuajtjet me armë vdekjeprurëse kishin qenë të pandërprera dhe nga të gjitha anët. Duke e parë gjendjen alarmante të popullatës në atë betejë krejtësisht të pabarabartë, dr. Fahredini vetë i kishte pastruar dhe qepur plagët e veta dhe vetë e kishte lidhur edhe shtatin me fasha mjekësore, të cilat i kishte bartur përherë më vete për ndihmesë popullatës.

-Në ato ditë të luftës në Kosovë dr. Fahredini gjithnjë e mbarte me vete një çantë të madhe me barëra dhe me mjete të tjera mjekësore, se e dinte që do t’i duhej për t’i ardhur në ndihmë popullatës, që maltretohej në çdo hap. Pasi i kishte lidhur e shtrënguar deri diku plagët e veta me fasha, dr. Fahredini kishte tentuar rrëshqanas, që t’i shkonte në ndihmë Kreshnikut të plagosur, se në afërsi të tij është gjetur i vdekur. Nuk dihet se çka ka ngjarë me të pas plagosjes, por nga njollat e gjakut në kokë dhe në fytyrë, si edhe nga xhepat e setrës dhe të pantallonave të nxjerrë përjashta, bëjnë për të kuptuar se ushtarët kriminelë serbë i kanë rënë në kokë dhe në fytyrë edhe nga afërsia, sigurisht me kundak të pushkës, si edhe e kanë plaçkitur. Kanë bërë krime të shumta mbi ta, duke i shkaktuar vdekje të tmerrshme një herë mbase Kreshnikut para syve të të atit e pastaj edhe dr. Fahredinit.

Pushtuesi serb prej kohësh e ka pasur halë në sy dr. Fahredinin, prandaj edhe kanë bërë kërdi me barbarizëm të paparë mbi të dhe mbi djalin e tij, që ishte në moshë shumë të re. Kanë bërë krime edhe mbi krejt të pushkatuarit të tjerë shqiptarë në atë fushëbetejë të tmerrit në Krushë të Madhe, se i kanë kontrolluar të gjithë të vrarët edhe për të dytën herë mos ka mbetur ndonjëri prej tyre i gjallë, që t’i vrisnin e t’i masakronin veç e veç dhe me të ngadaltë. Militarët serbë e kanë ditur se nuk do t’i shehë dhe as nuk do t’i pengojë askush në krimet që do t’i kryejnë, prandaj edhe kanë bërë masakra mbi popullatën civile shqiptare shlirshëm dhe si kanë dashur vetë.

-Kishin kaluar dy ditë nga ofenziva serbe mbi ne dhe unë me familjen time nuk dinim ende se ku gjendej Fahredini me djalin Kreshnikun. Ai edhe herave të tjera nuk ishte kursyer kurrë së ndihmuarit popullatës, pa marrë parasysh situatën e rëndë të gjendjes së luftës në Kosovë, si edhe kushteve atmosferike me shi e borë. Punonte me një dinamizëm të theksuar gjatë gjithë dhjetëvjetëshit të fundshekullit njëzet dhe kishte raste që ne edhe nga pesë-gjashtë ditë të mos dinim fare se ku gjendej. Kur kthehej nga terreni asnjëherë nuk akohej se ishte i lodhur, si edhe kurrë nuk tregonte nëse kishte përjetuar maltretime nga policia serbe, që asokohe patrullonin vazhdimisht nëpër rrugët e Kosovës së pushtuar. Ashtu ishte etika dhe karakteri i tij prej mjeku të përkushtuar dhe prej njeriu të qetë e shumë të qëndrueshëm në jetë. -Gjatë ofenzivave të pabarabarta serbe të 25, 26 dhe 27 marsit 1999, ashtu si krejt popoullata e Krushës së Madhe dhe e fshatrave përreth, edhe ne të familjes sonë ishim të shkapërderdhur nëpër male dhe kah kishim mundur dhe nuk mundnim ende të bashkoheshim. Çudi si nuk na shkonte kurrë në mendje se dr. Fahredini, që gjendej gjithkah në mesin e popullatës së trazuar, mundet edhe që të vritet. Bile në Krushë të Madhe ishte krijuar një lloj bindjeje e çuditshme se dr. Fahredinin nuk e kap dot plumbi serb.

-Dr. Fahredini fluturon si vetëtima, që t’i shërojë dhe që t’u bëjë mirë njerëzve të vetë dhe atë nuk mund ta kapë kurrën e kurrës plumbi i shkaut – ishte mendimi i bashkëvendasve të tij për të. Në të vërtetë, për dr. Fahredin Hotin realiteti qe krijua krejtësisht ndryshe nga ajo çka kishin menduar bashkëvendasit e tij. Bile do të thoja se ai ndryshim i mallkuar qe krijuar edhe me tmerre të shumta. Atë e goditi barbarisht plumbi serb dhe pikërisht në gjoks e goditi dhe pa e pasur askënd afër që t’i ndihmonte. Për të vërtetën e vrasjes së bashkëshortit tim, dr. Fahredinit dhe të djalit tonë të mitur, Kreshnikut, kemi kuptuar vetëm pas tri ditësh të ofensivës së 26 marsit 1999 në Krushë të Madhe.

Ishim të strehuar në fashatin Nagavc dhe krejt si rastësisht disa njerëz i kishin thënë kunatit tim, Eqeremit (38 vjeç), se dr. Fahredini ka mbetur i plagosur në hapësirën e vneshtijeve. Vendin e plagosjes ishte munduar t’ia tregonte një bari nga Hoqa e Vogël, por edhe ai nga shqetësimi dhe trishtimi për tmerret që i kishte parë, nuk kishte mundur ta saktësonte qartë vendmbetjen e vërtetë të tij. Me të dëgjuar për të keqen e madhe që na kishte goditur, Eqremi niset menjëherë bashkë edhe me bashkëvendësit Kadri Dellova dhe Lulzim Rashiti, që ta gjejnë Fahredinin me djalë. Kishin kërkuar gjithkah nëpër shkurre e gëmusha dhe mezi që i kishin gjetur. Afër njëri-tjetrit i kishin gjetur dhe krejt vendi nën ta kishte qenë i ulur në gjak. Edhe nja pesë-gjashtë metra të asaj hapësire të kobshme për ne kishin vërejtur vazhga të mbetura të gjakut, prej nga Fahredini sigurisht ishte munduar rrëshqanas që t’i shkonte në ndihmë Kreshnikut të plagosur. Ata i kishin marrë me vete disa najlona në një shitore të një miku në Nagavc, se sikur iu kishte shkuar në mendje se nuk do t’i gjejnë të gjallë. I kishin marrë najlonat që t’i mbështillnin trupat pa jetë të tyre, që të mos dëmtoheshin shpejt dhe i kanë varrosur që të dytë në një varrezë të përbashkët. Pas përfundimit të luftës së tmerrshme në Kosovë dhe konkretisht pas kthimit masovik të popullatës së zhvendosur të Krushës së Madhe nga Shqipëria, dr. Fahredinin, Kreshnikun dhe 76 të vrarët e të masakruarit të tjerë të Krushës së Madhe i kemi rivarrosur në varreza të veçanta në Krushë të Madhe. E kemi rivarrosur edhe vjehrrin, Shemsedin Hotin (65), të varrosur më parë në Shqipëri.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top