NË HIJEN E GJIGANTIT

Del Mongoli prej Asie,
Tmerr e çfryrje mizorie,
Si rrebesh që mbulon brigjet,
Përmbyt fushat, këput shtigjet,
Shkreton fshatrat dhe qytetet,
Rrëzon popujt edhe shtetet ;
E kudo që të ket’ rënë,
Thundr’ e kalit ku i ka zënë,
– Mbrujtur toka gjak njeriu –
Ikën gjindja duart në kokë,
Të pangrën’ e cop’ e trokë,
Dridhet burri e çilimiu !

Digjet dheri zjarr e hekur,
Mbushen lugjet me të vdekur :
Kush u-kap, e preu hordhia,
Kush u-fsheh, e shoi uria ;
Ndehet foshnja n’prehër t’s’ëmës,
Që s’ka ç’jep veç lot’t e zëmrës,
Tretur, verdhur e hutuar,
Vështrim-errur, shpresë-shuar,
Se s’ka Zot përmbi sulltan,
Që s’lë bar të sjelli vera :
Piramid’ me koka t’prera,
Thyhen eshtrat me çekan.

Tunden malet e Ballkanit,
S’qëndron gjë në shesh t’mejdanit :
Pritet kryet e Lazarit,
Dynden fushat e Maxharit,
Thyhet ushtë e Gjon Huniadit,
Bije kokë e Vladisllavit,
Dridhet Itali e Dantit,
Shëmben muret e Bizantit
– Të Bizantit mijvjetor –
Gjersa Kryqi i shtrohet Dinit,
Dhe kurorë e Kostandinit
Rrokulliset në Bosfor.

Veç në male t’ Arbëreshit
Iu përmbajt hovi rrebeshit,
Kur u-ndesh në racë Iliri,
Që kurrkush me të pahiri
S’ia shtiu dot kokën në lak.
Aty vendi u-mbyt n’gjak,
Se kushtrimin dha Skënderi
Edhe u-ngri’n burrat njëheri,
Si viganj t’mithologjisë,
Dhe, n’Evropën e tmerruar,
Si lajm gazi i pashpresuar,
Ushtoi emri i Shqipërisë.

Vringëllon shpatë e Skënderit :
Prapset kali i jeniçerit !
Vin’ hordhit’ si valë e detit,
Shkon Murati, vjen Mehmeti :
Kapen burrat fyt për fyt,
Njëri ther e tjetri mbyt ;
Rrahin Krujën dyqind topa,
Çahet shkëmbi n’ashka e copa,
Por ky vend s’u-shkelka dot !
Se k’tu trimat lindin trima,
Q’ e këpujn’ armikun grima
Kur iu prin një Gjergj Kastriot.

Skënderbej llërët përveshur,
Shtatin dif e pallën xhveshur,
Përkrenarja rrudhur ballin,
Si granit që shtrëngon malin,
Derdhur mjekrra fjollë e tumbë,
Hipur kalit zjarr e shkumbë,
Ngrehur parzmen si kështjellë,
– Ku po shkon, mor’ yll e diellë,
Po a ia merr mendja njeriut,
Se, pa mjete e me aq pak veta,
Me ca shpata e ca shigjeta,
Po i qëndron Mehmet Fatiut ?

E kuptonj përgjigjen tënde
Sepse u-ngrite e sepse rënde
Si kampion i trimërisë,
Pa iu shtruar llogarisë
Që bëjn’ mendjet me dyzina
Kur pranojn’ që t’ulet shpina.
Ka një zjarr në fund të shpirtit
Dhe një frymë lari e mirtit,
Që pa ‘të asgjë s’lulzon :
Ajo ësht gurra që nuk ndalet,
Ajo ësht forca që lot malet,
Që çthur botën dhe e krijon.

Ajo ësht Vlefta që nuk matet,
Që ngre popujt, ndryshon fatet,
Që s’përfill jetën as vdekën
(Gjer në Hind e shpuri Lekën),
Që i sjell Lajmin dhe profetit,
Bot’ të re i-zbulon poetit.
Ajo i tha në shpirt Skënderit :
– Mos rri rob lidhur pas dherit,
Ngreu ! me popullin fatzi,
Se s’ka tjetër rrug’ shpëtimi
Veç asaj që hap guximi,
Për të dobtin s’ka liri !

Edhe u-ngrit Skënder luani,
Si s’kish par’ me sy Sulltani
Asij burri, at’ farë Anteut,
Ngado qark i pat rën’ dheut.
Ç’vringëlloi aher’ çeliku !
Ç’ushtëri u-thye e iku !
Ç’u-përmbysnë kuaj e topa !
Ç’pa Ballkani e ç’pau Evropa !
Binin Shqipot si rrufé,
Këmbë-zbathur e pangrënë,
Mbi Goliathin – Yll e Hënë –
Si Davidi me hobé.

Famë e tyre mbushi botën,
Parzmë e tyre ndali shqotën
E Asis për dhjetra vjet,
Kur kalonte si tërmet.
Dhe Skënderi hoqi shpatë,
N’mal e n’fushë, e ditë e natë,
Porsi zjarr që përvëlon.
Dhe tek lind e perëndon,
S’pat Pasha e s’pat Sulltan,
S’pat armik t’a mposhtte burrin
Gjersa vdekja ia preu turrin
Dhe e rrëzoi si një titan.

II

Ra Gjiganti. Po nuk bije
Frymë e tij që shkon si hije…
Mjekërr-bardhë e n’hekur veshur,
As i vrënjtur as i qeshur.
Hipur kalit si ngaherë,
Nxjerrë e mban at’ shpat’ të gjerë,
Porse i qetë ësht e pa ngutë :
Hedh prej sysh një drit’ të butë
– Si planet që shkëlqen larg –
Përmbi brezat që përtrihen
Dhe që bijt e Shqipes ndihen,
Nëpër shekuj varg e varg.

Mlidhen vashat dredhin valle,
Jehojn’ kodra, fusha e zalle,
Nëpër mbrëmje e dit’ të kremte,
N’perëndime t’kuqërremte ;
Mblidhen burrat sipas rendit,
Rrotull vatre a n’shesh t’kuvendit,
Tregojn’punët e qëmotit.
Kur ja… Hije e Kastriotit
Vjen e u çfaqet në vegim :
Mjekërr-bardhë e n’hekur veshur,
As i vrënjtur as i qeshur,
Shkon kaluar fluturim.

Arbëreshët përtej detit
Kan’ca ditë gjatë vjetit,
Ku me këngë e me të qarë,
Përkujtojnë atdhen e parë :
Mblidhen si zoqt e furrikut,
Kthehen drejt Adriatikut,
– Gjaku i shprishur nëpër botë –
E me vargje elegji-plotë,
Shfrejnë mall e ngashërim.
Kur ja … Hije e Kastriotit
Vjen e u çfaqet si qëmotit,
Ngjan sikur u jep bekim.

Zgjuhet brezi në Rilindje,
Dhe Shqiptarët sjellin bindje ;
Se s’janë shembra ndjekur nëme,
Por të gjith bijt e një mëme
Që prej tyre pret shpëtim.
Nisin këngën si n’agim,
Vjershëtarë edhe poetë ;
Por tek shohin vendin shkretë,
Ndjejnë lodhje e dëshpërim.
Kur ja… Hije e Kastriotit,
Iu kujton ngjarjet e motit,
Edhe i mbush me frymëzim.

Krisi lufta për liri.
Rrokin armët djemt e ri,
Të betuar këtë herë,
Pranë Shqipes me dy krerë.
Sado ball’ q’i bëjnë armikut,
Përmes zjarrit dhe rrezikut,
Kur zjen pushka e lot hanxhari,
Ka ndonjë – dhe s’ësht i pari –
Që ndjen frikë e ligështim.
Por flamuri i Kastrioti
I kujton luftat e motit,
I jep zemër, e bën trim.

III

Sot që fati i Shqipërisë,
Na tregon shenjat e zisë,
Se disa prej bijve t’saj,
Derdhin helm e gjak vëllaj ;
Sot që zemrat e Shqiptarve,
Ndrydhur keq te dheu i t’Parve,
Ose djegur mallëngjimit,
Nëpër udhët e mërgimit,
Bashk’me ata që hera i ndau
– Çamër, Lekë e Kosovarë,
Zoqt e Shqipes të shpërndarë,
Që nën thundra po i mban Shqau –

Të gjith tok shikojn’ nga qielli,
Duke pritur kur lind dielli
I liris së dëshiruar,
I bashkimit t’ëndërruar,
Çfaqu ! Hije e Kastriotit,
Na përmend fjalët e motit
Ashtu siç i ndjeve ti :
– Se s’ka tjetër rrug’ shpëtimi
Veç asaj që hap guximi,
Për të dobtin s’ka liri !

E na i shtyp me shkronja zjarri,
T’i kujtojmë gjer tek varri,
Se nuk zbret liri nga qielli,
As nuk vjen sikur lind dielli,
Por fitohet me mundime,
Në përpjekje e në luftime,
– E me punë e mend njeriu –
Jo me dokrra e thashetheme,
Jo me spica e me të rreme,
As me shqelma prej ariu.

IV

Dal ! se po buçet trumbeta,
Ngrihet shpirti, ngjallet jeta :
Rreth një caku e një qëllimi,
Si granit lidhet bashkimi.
Mblidhen Shqipot nga çdo anë,
Si vëllaj me të vëllanë,
Kush me armë e kush me pendë,
Kush me krrabë e me parmendë,
Zemërngrohtë e pa mëri,
Mendje-urtë e fjalë-matur,
Si zakon q’e kishin patur
N’ata shekujt plot lavdi ;

Dal ! se po shkojnë përpara,
Porsi kokrra të pandara,
Si në luftë edhe në punë,
Me dëshirë e pa përdhunë,
Si te dija edhe tek arti,
Te krijimi më i larti.
Dhe prej rrethevet t’Janinës,
Gjer tek rrethet e Prishtinës,
Me sa popull që ka plot,
Se ç’po i merr e njëjta rrymë,
Se ç’po i mbush e njëjta frymë,
Shqipëris për t’i dal’ zot !

Copë aher’ thyhen verigat,
Zhduken nëmët dhe të ligat,
Zhduket helmi, zhduket brenga,
Kërcet gazi e shpërthen kënga,
Shqipëria ngrihet zonjë,
Vendin lum kush t’a gëzonjë !
Se s’ka forcë në Ballkan
Që kët vend e mposht a e ndan.
Dhe Gjiganti Kastriot,
Mjekërr-bardhë e n’hekur veshur,
Ndoshta thotë buzëqeshur :
– Bijt e mij u-ngjallën sot !

Abas Ermenji
Janar 1968

1 thought on “NË HIJEN E GJIGANTIT”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top