Ne besnikët e Ibrahim Rugovës!

SHKRUAR NGA BAJRAM MJEKU

Çdo 21 janar, sa herë e përkujtojmë themeltarin e pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, secili nga ne provon ose të publikoj ndonjë foto të realizuar me Presidentin, ose të citojë ndonjë thënie apo amanet të lënë nga presidenti Rugova. Unë i shkreti për tetë vjet sa kam punuar në Qendrën për Informim të Kosovës dhe me Presidentin na ndante veç një muri i hollë, lëre që nuk e kam asnjë foto për publikim, por nuk e kam as edhe një amanet sado simbolik nga ai. Kjo do të thotë se isha bajagi i ngathtë!

Se sa ishim besnikë ndaj presidentit Rugova, sot me lexuesit e mi dëshiroj të ndajë një kujtim interesant i ndodhur në vitin 1990. Rrëfimi tingëllon edhe si barsoletë, por ja që është ngjarje e vërtetë dhe ka ndodhur në Degën e LDK-së në Deçan me disa veprimtarë atje, për të cilit ende ruaj respekt si për angazhimet, ashtu edhe për sakrificat e tyre gjatë gjithë viteve të okupimit serb.

Në këtë rrëfim nuk do të përmend emra, mbasi personazhi kryesor i kësaj ngjarje pak vite më parë ka ndërrua jetë dhe për të ndjerin kam respekt të madh, edhe për faktin se kulturës shqiptare në Kosovë i pati dhënë shumë.

Njeriu i kulturës ishte anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Deçan dhe çdo të premte gjatë mbledhjeve të Kryesisë, Kryetarit dhe Kryesisë së Degës ia kujtonte nevojën e organizimit ushtarak në Kosovë. Kryesia e Degës e lodhur nga kërkesat e përjavshme të personit X. dhe duke patur frikën se po mbillte defetizëm në radhët e anëtarësisë së LDK-së, më në fund vendosën t’ia organizonin një rreng. Përpiluan një “vendim” për fillim të organizimit ushtarak dhe improvizuan disa hunj, të cilët i futën në një thes të zi dhe në mbrëmje sapo nisi të binte muzgu, i shkuan X-it në shtëpi. X-i sapo doli në prag të shtëpisë, udhëheqja e Degës kërkoi nga ai të shpejtonte, pasi ishin vetëm minutat në pyetje që të pajisej me “armën” që e priste në thes dhe të zinte pozicion në një pikë strategjike në fshatin e tij.

X-i i zënë ngushtë iu drejtua anëtarëve të Kryesisë:

– Burra, a e keni pyetur presidentin Rugova, apo vendimin e keni marrë kokë më vete?!

Anëtarët e Kryesisë i thanë se konsultat kanë ndodhur për muaj të tërë dhe është momenti i duhur që shqiptarët të dëshmohen o sot o kurrë!

X-i kërkoi që të hynte në shtëpi dhe të përshëndetej me nënën e tij, por që edhe përkundër thirrjes së anëtarëve të Kryesisë, ai nuk u kthye më!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top